“10–16 Janar. Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5: Rënia e Adamit dhe Evës”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“10–16 Janar. Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
10–16 Janar
Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5
Rënia e Adamit dhe Evës
Mendoni për fëmijët të cilëve u jepni mësim teksa studioni te Zanafilla 3–4 dhe Moisiu 4–5. Kushtojuni vëmendje nxitjeve dhe mbresave që merrni; ato mund t’ju çojnë drejt ideve të reja për mësimdhënien.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Tregoni një figurë të Adamit dhe Evës (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) dhe kërkojuni fëmijëve të ngrihen e të tregojnë diçka që e shohin te figura ose e mbajnë mend nga historia.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Adami dhe Eva e ndoqën planin e Atit Qiellor.
Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se çfarë ndodhi në Kopshtin e Edenit dhe se si i ndihmoi që të përmbushej plani i Perëndisë për shpëtimin. Çfarë bekimesh kemi për shkak të zgjedhjeve që bënë Adami dhe Eva?
Veprimtari të Mundshme
-
Për ta përmbledhur historinë e Rënies së Adamit dhe Evës, përdorni kapitullin “Adami dhe Eva” (te Histori të Dhjatës së Vjetër). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë që zgjedhja e Adamit dhe Evës për ta ngrënë frutën ishte pjesë e planit të Atit Qiellor.
-
Jepini secilit fëmijë një figurë që përfaqëson diçka nga historia e Adamit dhe Evës (e tillë si një pemë, një gjarpër, një kopsht ose Jezu Krishtin). Kërkojuni atyre që ta ngrenë lart figurën e vet në kohën e duhur ndërkohë që e tregoni historinë dhe i lexoni frazat nga Moisiu 4. Faqja e veprimtarisë së kësaj jave mund të jetë e dobishme.
Unë mund të zgjedh të drejtën.
Te Moisiu 4:3, ne mësojmë se Satani “kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur, të cilën, unë, Zoti Perëndi, ia kisha dhënë atij”. Si do t’i ndihmoni fëmijët që ta vlerësojnë aftësinë për të zgjedhur midis së drejtës dhe së gabuarës?
Veprimtari të Mundshme
-
Flisni me fëmijët rreth disa zgjedhjeve që bëtë sot dhe ndihmojini të mendojnë rreth zgjedhjeve që bënë ata. Lexojuni atyre nga Moisiu 4:3: “Liri[a] e njeriut për të zgjedhur, të cilën, unë, Zoti Perëndi, ia kisha dhënë atij”. Shpjegoni që ky varg na mëson se Perëndia na ka dhënë aftësinë për të bërë zgjedhje. Shpreheni mirënjohjen tuaj për faktin që jeni në gjendje të zgjidhni të drejtën dhe dëshmoni se edhe fëmijët mund të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë.
-
Tregoni disa shembuj të thjeshtë të një fëmije që bën një zgjedhje të drejtë ose një zgjedhje të gabuar, dhe kërkojuni fëmijëve që të përcaktojnë nëse zgjedhja është e drejtë apo e gabuar (ata mund të ngrihen në këmbë, të ngrenë lart tabela shenjash ose të ngrenë dorën). Jepni dëshminë tuaj që Ati Qiellor do të na ndihmojë të zgjedhim të drejtën dhe ftojini fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre gjithashtu.
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për zgjedhje të mira që mund të bëjnë për ta ndjekur Jezu Krishtin. Këndoni së bashku një këngë rreth bërjes së zgjedhjeve të mira, të tilla si “Udh’n e Drejt’ Zgjidh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 82–83). Tregojuni fëmijëve për një rast kur ju bëtë një zgjedhje të mirë dhe flitni rreth asaj se si u ndjetë për shkak të zgjedhjes suaj.
Unë mund t’i lutem Atit Qiellor.
Çfarë kanë nevojë të dinë rreth lutjes fëmijët të cilëve u jepni mësim? Çfarë gjeni te këto vargje që mund t’i ndihmojnë ata?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve nga Moisiu 5:4. Ndihmojini që të kuptojnë se kur Adami dhe Eva u larguan nga Kopshti i Edenit, ata nuk mund të ishin më me Atin Qiellor, por mund t’i luteshin Atij. Shpjegoni se ne i lutemi Atit Qiellor në emrin e Birit të Tij, Jezu Krishtit (shih Moisiu 5:8). Cilat janë disa gjëra që ne mund t’ia themi Atit Qiellor në lutjet tona?
-
Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë veprime që i bëjnë kur luten. Ju gjithashtu mund të tregoni një figurë të dikujt që po lutet (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 111–112) për t’u mësuar fëmijëve që përkulja e kokës, mbledhja e krahëve dhe mbyllja e syve na ndihmojnë të jemi nderues kur lutemi.
-
Tregoni një përvojë vetjake me lutjen ose shprehni dëshminë tuaj për lutjen. Këndoni me fëmijët një këngë për lutjen, të tillë si “Lutja e një Fëmije” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 6–7).
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Zanafilla 3; Moisiu 4; 5:10–11
Rënia e Adamit dhe Evës ishte pjesë e planit të Perëndisë.
Nëse Adami dhe Eva do të kishin qëndruar në Kopshtin e Edenit, ata nuk do të kishin pasur fëmijë dhe nuk do të kishin përparuar për t’u bërë si Ati Qiellor. Ne jemi mirënjohës për zgjedhjen e tyre që morën nga fruta, për shkak se kjo zgjedhje bëri të mundur jetën tonë në vdekshmëri dhe mundësinë tonë për jetë të përjetshme.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët që të punojnë së bashku për ta treguar historinë e Rënies së Adamit dhe Evës me fjalët e veta. Lexoni vargje nga Zanafilla 3 për t’i ndihmuar ata.
-
Ndihmojini fëmijët që të gjejnë te Moisiu 4:22–25, 29; 5:10–11 pasojat për shkak se Adami dhe Eva hëngrën nga fruta (shih edhe 2 Nefi 2:19–25). Përse zgjedhja e tyre është një bekim për ne? Si na ndihmoi Shpëtimtari që ta mposhtim mëkatin dhe vdekjen?
Unë kam fuqinë për të zgjedhur.
A e kuptojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim se çfarë dhurate e çmuar është që të jesh në gjendje të zgjedhësh midis së drejtës dhe së gabuarës? Si mund t’i ndihmojë ata historia e Adamit dhe Evës që ta vlerësojnë këtë dhuratë?
Veprimtari të Mundshme
-
Mbani parasysh të merrni një objekt të thjeshtë mësimor si ai që vijon, për të ilustruar rëndësinë e bërjes së vetë zgjedhjeve tona: Ftojini fëmijët të ngjyrosin faqen e veprimtarisë së kësaj jave, por jepuni atyre vetëm një ngjyrë për ta përdorur. Përse do të ishte më mirë që të kishim disa zgjedhje në këtë situatë? Lexoni së bashku nga Moisiu 4:1–4 për të folur rreth faktit se përse zgjedhjet janë të rëndësishme në planin e Perëndisë.
-
Ftojini fëmijët të tregojnë një përvojë vetjake kur iu desh të zgjidhin midis së drejtës dhe së gabuarës. Lërini të diskutojnë për pasojat e mundshme të secilës zgjedhje.
Për shkak të Jezu Krishtit, unë mund të pendohem dhe të jetoj sërish me Perëndinë.
Ati Qiellor e dërgoi Jezu Krishtin që të na shpëtonte nga pasojat e Rënies. Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Jezusi e bëri të mundur për ne që të ringjallemi pasi vdesim dhe të falemi për mëkatet tona kur pendohemi.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani dy tituj në tabelë: Për Shkak të Adamit dhe Evës dhe Për Shkak të Jezu Krishtit. Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë pasojat e Rënies teksa lexoni së bashku te Moisiu 4:25; 6:48; Romakëve 5:12; 2 Nefi 2:22–23. Lërini ta shkruajnë atë që mësojnë nën titullin e parë. Më pas ndihmojini që të përcaktojnë se si e mposhti Jezu Krishti mëkatin dhe vdekjen teksa lexoni së bashku te Moisiu 5:8–11, 14–15; 6:59; Alma 11:42. Lërini ta shkruajnë atë që mësojnë nën titullin e dytë. Përse jemi mirënjohës për Jezu Krishtin?
-
Tregoni një material filmik rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit, të tillë si “Because of Him” [“Për Shkak të Tij”] (ChurchofJesusChrist.org). Ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë ndiejnë për Jezu Krishtin.
-
Disa ditë përpara, kërkojuni disa fëmijëve që të zgjedhin një shkrim të shenjtë ose një këngë rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit për ta treguar në klasë. Nxitini të flasin rreth arsyes pse e pëlqejnë atë. Këndoni bashkë një ose më shumë këngë.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’ua tregojnë familjeve të tyre faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe të flasin rreth bekimeve që kemi për shkak të Rënies së Adamit dhe Evës.