“27 Dhjetor – 2 Janar. Moisiu 1; Abraham 3: ‘Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“27 Dhjetor – 2 Janar. Moisiu 1; Abraham 3”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
27 Dhjetor – 2 Janar
Moisiu 1; Abraham 3
“Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime”
Teksa e lexoni atë që Perëndia u tha Moisiut dhe Abrahamit, mendoni për atë që Ai mund t’u thoshte fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Si do t’i ndihmoni që ta ndiejnë dashurinë e Tij për ta?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nganjëherë një këngë mund t’i ndihmojë fëmijët të kujtojnë atë që po mësojnë. Luani ose këndoni nën zë disa tinguj të këngës “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3) dhe lërini fëmijët të gjejnë se cilën këngë po këndoni. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si prindërit e tyre dhe njerëz të tjerë u “treg[ojnë atyre], [i] drejto[jnë ata]” dhe i “[ndihmojnë] rrugën që ta gjej[në]”.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë jam fëmijë i Perëndisë.
Çfarë mësoni nga Moisiu 1:1–4, 6 rreth marrëdhënies suaj me Atin Qiellor? Si mund t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë se ç’do të thotë të jesh fëmijë i Perëndisë?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve atë që Perëndia i tha Moisiut: “Ti je biri im” (Moisiu 1:4). Ftojeni një fëmijë të vijë përpara klasës dhe kërkojuni fëmijëve të përsëritin pas jush “[Emri i fëmijës], ti je fëmijë i Perëndisë”. Përsëriteni frazën për secilin fëmijë në klasë.
-
Tregojuni disa fotografi me fëmijë dhe pyeteni klasën nëse këta fëmijë janë të gjithë fëmijë të Perëndisë. Theksoni se çdo njeri është fëmijë i Perëndisë. Lërini fëmijët të shihen me radhë në pasqyrë dhe të dëshmojnë se edhe ata janë fëmijë të Perëndisë.
-
Këndoni me fëmijët “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3). Lërini ta ngjyrosin faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe ta përdorin për të shqyrtuar të vërtetat që jep mësim kjo këngë.
Unë jetova me Atin Qiellor përpara se të lindesha.
Njohuria rreth jetës sonë para lindjes mund të na frymëzojë të bëjmë zgjedhje të bazuara tek të vërteta të përjetshme. Teksa i studioni vargjet tek Abraham 3:22–28, merrni parasysh se si do t’u jepni mësim fëmijëve rreth identitetit të tyre të përjetshëm.
Veprimtari të Mundshme
-
Përdoreni manualin “Përpara Dhjatës së Vjetër” (te Histori të Dhjatës së Vjetër) për t’u dhënë mësim fëmijëve rreth jetës sonë para lindjes. Në vijim, ftojini fëmijët t’jua tregojnë historinë sërish juve. Përse Ati Qiellor na dërgoi këtu në tokë? Ndihmojini fëmijët të zbulojnë një përgjigje teksa u lexoni vargun tek Abraham 3:25.
-
Këndoni me fëmijët një këngë rreth planit të Perëndisë për ne (e tillë si “Do Ndjek Planin e Perëndis’” [Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 86–87]). Ndihmojini që t’i kuptojnë të vërtetat e përjetshme që jepen mësim tek teksti i këngës.
Ati Qiellor dëshiron që unë të jetoj me Të përsëri.
Si e kanë bekuar jetën tuaj të vërtetat te Moisiu 1:39? Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar fëmijët që gjithashtu t’i përjetojnë ato bekime?
Veprimtari të Mundshme
-
Vini në dukje frazën “kjo është vepra ime” dhe “jeta e përjetshme” te Moisiu 1:39, dhe ndihmojini fëmijët t’i përsëritin frazat. Tregojuni fëmijëve për punën që ju bëni çdo ditë. Mësojuni se vepra e Atit Qiellor është që të na ndihmojë të fitojmë jetë të përjetshme, që do të thotë të bëhemi si Ai dhe të jetojmë me Të përsëri.
-
Ftojeni një prind që të vijë në klasë dhe të flasë rreth mënyrës se si ai ose ajo ndihet kur një fëmijë kthehet në shtëpi pasi ka qenë i larguar (për shembull, në shkollë ose në mision), apo tregoni ndjenja që ju i keni pasur gjatë këtyre përvojave. Përdoreni këtë shembull për t’u dhënë mësim fëmijëve se sa shumë Ati Qiellor dëshiron që ne të kthehemi tek Ai.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Moisiu 1:4, 30, 37–39; Abraham 3:22–28
Unë jam fëmijë i Perëndisë dhe Ai do të më ndihmojë që të kthehem tek Ai.
Moisiu 1:4, 37–39 dhe Abraham 3:22–28 japin mësim të vërteta të çmuara mbi marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe qëllimin e Tij se përse na dërgoi në tokë. Përsiatni se si do t’i ndihmoni fëmijët që t’i mësojnë këto të vërteta.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni me fëmijët vargjet te Moisiu 1:4, 37–39 dhe Abraham 3:24–25. Jepuni atyre mundësinë të bëjnë pyetje dhe të tregojnë fjalë ose fraza të parapëlqyera nga këto vargje. Çfarë mësojmë nga këto vargje për Atin Qiellor? Për veten tonë?
-
Tregojuni fëmijëve figura të disa prej krijimeve të shumta të Atit Qiellor. Lexoni te Moisiu 1:30 dhe shpjegoni se Moisiu e pyeti Perëndinë për qëllimin e këtyre krijimeve. Ndihmojini fëmijët të kërkojnë te vargu 39 për të gjetur përgjigjen e Perëndisë. Dëshmoni se qëllimi i Perëndisë është që ta ndihmojë secilin fëmijë të fitojë jetë të përjetshme.
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për situata ku duhet të zgjedhin nëse “do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë” ose jo (Abraham 3:25). Lërini të ushtrohen ose të diskutojnë për përgjigje të mundshme ndaj atyre situatave. Si mund të na ndihmojë Shpëtimtari kur bëjmë një zgjedhje të gabuar?
Unë mund t’u bëj ballë tundimeve të Satanit.
Ndërsa studioni te Moisiu 1:12–26, kërkoni për gjëra që bëri Moisiu për t’i bërë ballë Satanit. Si mund t’i ndihmojë fëmijët shembulli i Moisiut kur ata përballen me tundime?
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidheni përvojën e Moisiut te Moisiu 1:12–26 me vetë fjalët tuaja, ose kërkojini njërit prej fëmijëve që ta bëjë atë (shih edhe materialin filmik “I Am a Son of God, [Unë Jam Bir i Perëndisë]” [ChurchofJesusChrist.org]). Ftojini fëmijët të kërkojnë te këto vargje për të mësuar se si qe në gjendje Moisiu që ta mposhtte Satanin. (Nëse kanë nevojë për ndihmë, drejtojini te vargjet 13, 15, 18, 20–22, 26.)
-
Sillni një kuti me vegla (ose figura të veglave) dhe emërtojeni secilën vegël me një mënyrë se si mund t’i bëjmë ballë tundimit (të tillë si lutja, këndimi i një himni, leximi i shkrimeve të shenjta ose shërbimi ndaj të tjerëve). Lëreni secilin fëmijë të marrë një vegël dhe të flasë për një situatë se kur veprimi i shkruar në etiketën e asaj vegle mund të na ndihmojë për t’i bërë ballë tundimit. Lexojini së bashku vargjet 25–26 dhe dëshmoni se Perëndia do të na ndihmojë kur përballemi me tundime.
Unë jetova me Atin Qiellor përpara se të lindesha.
Këto vargje që përshkruajnë vegimin e Abrahamit për jetën tonë para lindjes, mund t’i ndihmojnë fëmijët që t’u përgjigjen pyetjeve “Nga erdha?” dhe “Përse jam këtu?” Si mund t’i ndihmoni që të gjejnë përgjigje?
Veprimtari të Mundshme
-
Në tabelë shkruani pyetje që lidhen me vargjet tek Abraham 3:22–28, të tilla si Çfarë ndodhi në jetën tonë para lindjes? Kush ishte atje? Përse u krijua toka? Ftojini fëmijët t’i lexojnë këto vargje për të gjetur përgjigje.
-
Nëse ka ndonjë foshnjë të porsalindur në lagje, ftojini prindërit që ta sjellin atë në klasë dhe të tregojnë ndjenjat e tyre rreth mirëseardhjes së këtij fëmije në botë. (Ju mund të tregoni edhe një figurë të një foshnjeje të porsalindur.) Flisni me fëmijët rreth faktit se ku ishte shpirti i kësaj foshnjeje përpara se ai ose ajo të vinte në tokë. Pse është e rëndësishme për këtë foshnjë që të mësojë se ai ose ajo është fëmijë i Perëndisë?
-
Këndoni këngë rreth planit të Perëndisë për ne, të tilla si “E Di, Ati Im Rron” ose “Do Ndjek Planin e Perëndis’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 8, 86–87). Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime që përputhen me fjalët. Lërini t’i përdorin vizatimet e tyre për t’i mësuar njëri-tjetrit të vërteta nga këngët.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Merrini parasysh mënyrat se si të mësuarit që ndodhi në klasën tuaj të Fillores mund ta nxitë, përkrahë ose përforcojë të mësuarit që ndodh në shtëpitë e fëmijëve. Për shembull, ju mund t’i ftoni fëmijët t’ua tregojnë familjeve të tyre faqen e veprimtarisë së kësaj jave.