“3–9 Janar. Zanafilla 1–2; Moisiu 2–3; Abraham 4–5: ‘Në Fillim Perëndia Krijoi Qiejt dhe Tokën’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“3–9 Janar. Zanafilla 1–2; Moisiu 2–3; Abraham 4–5”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
3–9 Janar
Zanafilla 1–2; Moisiu 2–3; Abraham 4–5
“Në Fillim Perëndia Krijoi Qiejt dhe Tokën”
Edhe nëse keni lexuar më parë për Krijimin, gjithmonë ka më shumë gjëra për të mësuar nga shkrimet e shenjta. Lutuni për udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë që t’ju ndihmojë të gjeni kuptim të ri.
Shënojini Mbresat Tuaja
Për shkak se bota përreth nesh është kaq e bukur dhe madhështore, është e vështirë ta përfytyrojmë tokën kur ishte “pa trajtë, e zbrazët”, “e zbrazët dhe e shkretuar” (Zanafilla 1:2; Abraham 4:2). Një gjë që na mëson historia e Krijimit, është se Perëndia mund të bëjë diçka madhështore nga diçka e paorganizuar. Është e dobishme ta kujtoni këtë kur jeta duket kaotike. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë Krijuesit dhe puna e Tyre krijuese me ne nuk ka mbaruar. Ata mund të bëjnë që drita të shkëlqejë në çaste të errëta në jetën tonë. Ata mund të formojnë tokë të ngurtë në mes të deteve të stuhishme të jetës. Ata mund t’i urdhërojnë elementet dhe, nëse i bindemi fjalës së Tyre ashtu siç bënë ato elemente, Ata mund të na shndërrojnë në krijesat e bukura që kishim për qëllim të ishim. Kjo është pjesë e asaj çfarë do të thotë të krijohesh sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, në ngjasim me Të (shih Zanafilla 1:26). Ne kemi potencialin për t’u bërë si Ai: të ekzaltuar, të përlëvduar, qenie çelestiale.
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Zanafillës, shih “Zanafillë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zanafilla 1:1–25; Moisiu 2:1–25; Abraham 4:1–25
Nën drejtimin e Atit Qiellor, Jezu Krishti krijoi tokën.
Plaku D. Tod Kristoferson tha: “Cilatdo qofshin hollësitë e procesit të krijimit, ne e dimë se nuk ishte i rastësishëm, por që u drejtua nga Perëndia, Ati, dhe u vu në zbatim nga Jezu Krishti” (“Përse Martesa, Përse Familja”, Liahona, maj 2015, f. 51). Ndonëse ka shumë gjëra që ne nuk i dimë saktësisht për mënyrën se si u krijua bota, përsiatni se çfarë mësoni për Krijimin nga ato që ka zbuluar Perëndia te Zanafilla 1:1–25; Moisiu 2:1–25 dhe Abraham 4:1–25. Çfarë vini re në këto rrëfime që është e ngjashme? Çfarë vini re që është e ndryshme? Çfarë mendimesh keni për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin teksa lexoni rreth Krijimit?
Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 101:32–34.
Zanafilla 1:27–28; 2:18–25; Moisiu 3:18, 21–25; Abraham 5:14–19
Martesa midis një burri dhe një gruaje është shuguruar nga Perëndia.
“Adami dhe Eva u bashkuan së bashku në martesë për kohën dhe për gjithë përjetësinë me anë të fuqisë së priftërisë së përjetshme” (Russell M. Nelson, “Lessons from Eve”, Ensign, nëntor 1987, f. 87). Përse është e rëndësishme ta dimë këtë të vërtetë? Përsiateni këtë teksa lexoni te Zanafilla 1:27–28; 2:18–25; Moisiu 3:18, 21–25 dhe Abraham 5:14–19. Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth martesës brenda planit të Perëndisë, lexoni dhe përsiatni burimet e renditura më poshtë. Çfarë ju nxitin këto burime të bëni për ta përmirësuar martesën tuaj ose për t’u përgatitur për martesë në të ardhmen?
Shih edhe Mateu 19:4–6; 1 Korintasve 11:11; Linda K. Barton, “Ne do të Lartësohemi së Bashku”, Liahona, maj 2015, f. 29–32; “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org.
Zanafilla 2:2–3; Moisiu 3:2–3; Abraham 5:2–3
Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e Shabatit.
Perëndia e bëri ditën e Shabatit të shenjtë dhe Ai na kërkon ta mbajmë atë të shenjtë. Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Shabati është koha e Perëndisë, një kohë e shenjtë, e veçuar posaçërisht për ta adhuruar Atë dhe për të marrë e kujtuar premtimet e Tij të çmueshme e të mëdha” (“Premtimet e Çmueshme dhe Shumë të Mëdha”, Liahona, nëntor 2017, f. 92). Si mund ta përdorni këtë thënie dhe vargjet te Zanafilla 2:2–3; Moisiu 3:2–3 ose Abraham 5:2–3 për t’i shpjeguar dikujt se përse ju zgjidhni që ta nderoni ditën e Shabatit? Si ju ka bekuar Zoti për mbajtjen e ditës së Tij të shenjtë?
Shih edhe Isaia 58:13–14; Doktrina e Besëlidhje 59:9–13; “The Sabbath Is a Delight” [“Shabati Është një Kënaqësi”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Zanafilla 1:1–25; Moisiu 2:1–25; Abraham 4:1–25Si mund ta bëni argëtues për familjen tuaj të mësuarit rreth Krijimit? Ju mund ta çoni familjen tuaj në një kërkim jashtë në natyrë për llojet e gjërave që u bënë gjatë çdo periudhe të historisë së Krijimit, të tilla si yjet, pemët ose kafshët. Ju gjithashtu mund të tregoni figura të gjërave të krijuara në secilën periudhë dhe t’i ftoni pjesëtarët e familjes që t’i vendosin figurat sipas rendit, pasi ta lexoni një nga rrëfimet e Krijimit së bashku. Çfarë na mësojnë këto krijime për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
-
Zanafilla 1; Moisiu 2; Abraham 4.Një mënyrë se si t’i qaseni historisë së Krijimit është ta ftoni familjen tuaj që të gjejë se sa herë te Zanafilla 1 ose Moisiu 2, Perëndia i quan të “mir[a]” gjërat që ai bëri. Çfarë sugjeron kjo për mënyrën se si duhet t’i trajtojmë krijimet e Perëndisë – përfshirë veten tonë? Çfarë mësojmë nga mënyra se si janë formuluar këto ngjarje tek Abraham 4?
-
Zanafilla 1:26–27; Moisiu 2:26–27; Abraham 4:26–27.Përse është e rëndësishme të dimë se ne u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë? Si ndikon kjo në mënyrën se si ndihemi për veten tonë, të tjerët dhe Perëndinë?
Nëse keni fëmijë të vegjël, ju mund të doni të lexoni së bashku te Moisiu 2:27 dhe të luani një lojë të thjeshtë: Tregoni një figurë që portretizon Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, siç është figura 90 në Librin e Figurave Artistike të Ungjillit (2009), dhe kërkojuni pjesëtarëve të familjes që me radhë të tregojnë me gisht te një pjesë e trupit të Atit Qiellor ose Jezusit. Më pas pjesëtarët e tjerë të familjes mund të tregojnë me gisht të njëjtën pjesë të trupit të tyre.
-
Zanafilla 1:28; Moisiu 2:28; Abraham 4:28.“Urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm” (“Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Pjesëtarët e familjes mund të interpretojnë me role se si t’ia shpjegojmë bindjet tona për këtë urdhërim atyre që nuk e dinë këtë të vërtetë ose që besojnë ndryshe.
-
Zanafilla 1:28; Moisiu 2:28; Abraham 4:28.Çfarë do të thotë të “sundoni … mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë”? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 59:16–21.) Si mund ta përmbushë familja jonë përgjegjësinë për t’u kujdesur për tokën?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Ati Im Qiellor më Do”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16–17.