“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Leximi i Dhiatës së Vjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Leximi i Dhiatës së Vjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh
Leximi i Dhiatës së Vjetër
Gjeni Domethënie Vetjake
Kur merrni parasysh mundësinë tuaj për të studiuar Dhiatën e Vjetër këtë vit, si ndiheni? Të zellshëm? Të pasigurt? Të frikësuar? Të gjitha ato emocione janë të kuptueshme. Dhiata e Vjetër është një nga koleksionet më të vjetra të shkrimeve në botë dhe kjo mund ta bëjë atë libër sa emocionues edhe frikësues. Këto shkrime vijnë nga një kulturë e lashtë që mund të duket e huaj dhe nganjëherë e çuditshme apo dhe e parehatshme. E megjithatë në këto shkrime ne shohim njerëz të cilët kanë përvoja që duken të njohura, dhe ne dallojmë tema të ungjillit që dëshmojnë për hyjninë e Jezu Krishtit dhe ungjillin e Tij.
Po, njerëz si Abrahami, Sara, Ana dhe Danieli bënë një jetë që, në disa mënyra, ishte shumë e ndryshme nga e jona. Por ata përjetuan gjithashtu gëzim familjar dhe mosmarrëveshje familjare, çaste besimi dhe çaste pasigurie, suksese dhe dështime – siç bëjmë të gjithë ne. Më e rëndësishmja, ata ushtruan besim, u penduan, bënë besëlidhje, patën përvoja shpirtërore dhe nuk u dorëzuan kurrë në përpjekjet e tyre për t’iu bindur Perëndisë.
Po qe se e pyetni veten nëse ju dhe familja juaj mund të gjeni domethënie vetjake në Dhiatën e Vjetër këtë vit, kini parasysh se familja e Lehit dhe Sarias e bëri këtë. Nefi tregoi histori për Moisiun dhe mësime nga Isaia kur vëllezërit e tij kishin nevojë për inkurajim ose korrigjim apo këndvështrim. Kur Nefi tha: “Shpirti im kënaqet pa masë në shkrimet e shenjta” (2 Nefi 4:15), ai po fliste rreth shkrimeve të shenjta që tani janë pjesë e Dhiatës së Vjetër.
Kërkojeni Shpëtimtarin
Po qe se e pyesni veten nëse ju dhe familja juaj mund të vini më pranë Jezu Krishtit nëpërmjet studimit të Dhiatës së Vjetër, kini parasysh se Shpëtimtari vetë na fton ta bëjmë këtë gjë. Kur Ai u tha udhëheqësve të judenjve: “Shkrimet … dëshmojnë për mua” (Gjoni 5:39), Ai po fliste rreth shkrimeve që ne i quajmë Dhiata e Vjetër. Për ta gjetur Shpëtimtarin në atë që lexoni, mund t’ju nevojitet të përsiatni me durim dhe të kërkoni udhërrëfim shpirtëror. Ndonjëherë referencat ndaj Tij duken shumë të drejtpërdrejta, si te shpallja e Isaias: “Na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë … dhe do të quhet … Princ i paqes” (Isaia 9:5). Në vende të tjera, Shpëtimtari përfaqësohet në mënyrë jo aq të drejtpërdrejtë, nëpërmjet simboleve dhe ngjashmërive – për shembull, nëpërmjet përshkrimeve për flijimet e kafshëve (shih Levitiku 1:3–4) ose rrëfimit të Jozefit që i fal vëllezërit e tij dhe i shpëton nga zia e bukës.
Nëse kërkoni besim më të madh te Shpëtimtari ndërsa e studioni Dhiatën e Vjetër, ju do ta gjeni atë. Ndoshta ky mund të jetë qëllimi i studimit tuaj këtë vit. Lutuni që Shpirti do t’ju udhërrëfejë të gjeni dhe të përqendroheni te fragmente, histori e profeci të cilat do t’ju sjellin më pranë Jezu Krishtit.
I Ruajtur në Mënyrë Hyjnore
Mos prisni që Dhiata e Vjetër të paraqesë një histori të plotë dhe të saktë të njerëzimit. Nuk është kjo ajo që autorët dhe përpiluesit fillestarë po përpiqeshin të krijonin. Shqetësimi i tyre më i madh ishte të jepnin mësim diçka rreth Perëndisë – rreth planit të Tij për fëmijët e Tij, rreth asaj që do të thotë të jemi populli i Tij i besëlidhjes dhe rreth mënyrës se si të gjejmë shëlbim kur nuk i jetojmë siç duhet besëlidhjet tona. Ndonjëherë ata e bënë atë duke treguar ngjarje historike ashtu siç i kuptuan ato – përfshirë histori nga jeta e profetëve të mëdhenj. Zanafilla është një shembull i kësaj, ashtu siç janë libra të tillë si Jozueut, Gjyqtarët, dhe 1 e 2 Mbretërve. Por shkruesit e tjerë të Dhiatës së Vjetër nuk synonin të ishin aspak historikë. Përkundrazi, ata dhanë mësim nëpërmjet veprave të artit si poezia dhe letërsia. Psalmet dhe Fjalët e Urta hyjnë në këtë kategori. Dhe pastaj janë fjalët e çmuara të profetëve, nga Isaia deri te Malakia, të cilët ia thanë fjalën e Perëndisë Izraelit të lashtë – dhe, nëpërmjet mrekullisë së Biblës, ende na flasin sot.
A e dinin të gjithë këta profetë, poetë dhe përpilues që fjalët e tyre do të lexoheshin nga njerëzit në të gjithë botën mijëra vjet më vonë? Ne nuk e dimë këtë. Por mrekullohemi që kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur. Kombe u ngritën e ranë, qytete u pushtuan, mbretër jetuan e vdiqën; por Dhiata e Vjetër u mbijetoi të gjitha këtyre, nga brezi në brez, nga shkruesi në shkrues, nga përkthimi në përkthim. Sigurisht që disa gjëra humbën ose u ndryshuan, e prapëseprapë, në njëfarë mënyre, kaq shumë gjëra u ruajtën mrekullisht.1
Këto janë vetëm disa gjëra për t’u pasur parasysh ndërsa lexoni Dhiatën e Vjetër këtë vit. Ndoshta Perëndia i ruajti këto shkrime të lashta ngaqë Ai ju njeh dhe e di se çfarë po kaloni. Ndoshta Ai ka përgatitur një mesazh shpirtëror për ju në këto fjalë, diçka që do t’ju afrojë më pranë Tij dhe do ta ndërtojë besimin tuaj në planin e Tij dhe Birin e Tij të Dashur. Ndoshta Ai do t’ju udhëheqë drejt një fragmenti ose ideje e cila do ta bekojë dikë që e njihni – një mesazh që mund tʼia tregoni një miku, një pjesëtari të familjes apo një shenjtori tjetër. Ka kaq shumë mundësi. A nuk është kjo emocionuese kur e mendoni?