“29 Gusht – 4 Shtator. Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12: ‘Frika e Zotit Është Parimi i Diturisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“29 Gusht – 4 Shtator. Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
29 Gusht – 4 Shtator
Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12
“Frika e Zotit Është Parimi i Diturisë”
Merreni parasysh se si studimi prej jush i librave Fjalët e Urta dhe Predikuesit mund t’ju ndihmojë t’ia “v[ini] veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes” (Fjalët e Urta 2:2).
Shënojini Mbresat Tuaja
Te kapitulli i parë i librit Fjalët e Urta, gjejmë këto fjalë: “Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënës sate” (Fjalët e Urta 1:8). Fjalët e Urta mund të shihen si një përmbledhje e thënieve të urta nga një prind i dashur, mesazhi kryesor i të cilit është që bekimet e paqes dhe të përparimit u vijnë atyre që kërkojnë dituri – veçanërisht llojin e diturisë që ofron Perëndia. Por libri Fjalët e Urta ndiqet nga libri Predikuesit, që duket se thotë: “Nuk është dhe aq e thjeshtë”. Predikuesi i cituar te libri Predikuesit, vërejti se ai e “kushto[i] zemrën [e vet] për të njohur diturinë”, por prapë kuptoi se ky ishte një “kërkim për të kapur erën” dhe “shumë shqetësim” (Predikuesit 1:17–18). Në një larmi mënyrash, libri shtron pyetjen: “A mund të ketë kuptim të vërtetë në një botë ku gjithçka duket e kotë, e përkohshme dhe e pasigurt?”
Dhe prapëseprapë, ndërsa të dy librat e shohin jetën në këndvështrime të ndryshme, ata na mësojnë të vërteta të ngjashme. Libri i Predikuesit shpall: “Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është [detyra] tërës[ore] e njeriut’” (Predikuesit 12:13). Ky është i njëjti parim që gjendet gjatë gjithë librit Fjalët e Urta: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër. … Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti” (Fjalët e Urta 3:5,7). Pavarësisht se çfarë rezervon jeta, madje edhe kur duket pështjelluese dhe rastësore, ajo është përherë më e mirë kur mirëbesojmë në Zotin Jezu Krisht.
Për një vështrim të përgjithshëm të këtyre librave, shih “Fjalë e Urtë, Libri i Fjalëve të Urta” dhe “Predikues(it)” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
“Duke i vënë veshin diturisë.”
Libri Fjalët e Urta është i mbushur me ide rreth diturisë. Merrni parasysh të shënjoni fjalët “dituri”, “urtësi” dhe fjalë të lidhura me to si “dije” dhe “mend”, “mënçuri”, “mendja”, “i zgjuar”, ndërsa i gjeni te kapitujt 1–4 dhe 15–16. Si ndikojnë këta kapituj në mënyrën se si ju mendoni për diturinë? Bazuar tek ato që gjeni, si do ta përshkruanit diturinë që “Zoti jep”? (Fjalët e Urta 2:6.) Merrni parasysh se si po e kërkoni ndihmën e Zotit për të qenë “[të] urt[ë] nga zemra” (Fjalët e Urta 16:21). Çfarë bekimesh vijnë nga dituria e Perëndisë?
Shih edhe Fjalët e Urta 8–9; Mateu 7:24–27; 25:1–13.
Fjalët e Urta 1:7; 2:5; 16:6; 31:30; Predikuesit 12:13
Çfarë është “frika e Zotit”?
Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi: “Në ndryshim me frikën nga bota, e cila krijon panik dhe ankth, frika nga Perëndia është një burim paqeje, sigurie dhe vetëbesimi. … [Ajo] përfshin një ndjenjë të thellë nderimi, respekti dhe mrekullimi për Zotin Jezu Krisht, bindjeje ndaj urdhërimeve të Tij dhe pritjeje për Gjykimin Përfundimtar dhe për drejtësinë në dorën e Tij. … Frika nga Perëndia është e dashur dhe besuese tek Ai” (“Prandaj, Ata e Përmbajtën Frikën”, Liahona, maj 2015, f. 48–49).
Shih edhe Fjalët e Urta 8:13.
“Sheshoje shtegun e këmbëve të tua.”
Fjalët e Urta 4 e përshkruan diturinë dhe drejtësinë si një “shteg” ose një “rrugë” (shih edhe Fjalët e Urta 3:5–6). Ndërsa e lexoni këtë kapitull, ju mund të gjeni fragmente që ju ndihmojnë të përsiatni për frazën “shtegun e këmbëve të tua” (vargu 26) dhe se si hapat tuaja po ju afrojnë më pranë Zotit. Për shembull, çfarë na mësojnë vargjet 11–12 dhe 18–19 rreth bekimeve të ndjekjes së shtegut të duhur? Çfarë domethënie kanë për ju vargjet 26 dhe 27?
Shih edhe 2 Nefi 31:18–21.
Fjalët e Urta 15:1–2, 4, 18, 28; 16:24–32
“Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin.”
Disa nga fjalët e urta te kapitujt 15 dhe 16 mund t’ju frymëzojnë ta përmirësoni mënyrën se si komunikoni me të tjerët, sidomos me njerëzit tuaj të dashur. Për shembull, mendoni për raste specifike kur ju mund të përdornit një “përgjigj[e të] ëmbël” në vend të “fjal[ëve] therëse” (Fjalët e Urta 15:1). Si ju ndihmon këshilla te Fjalët e Urta 16:24–32 të mendoheni për fjalët që përdorni?
Merrni parasysh këtë ide nga Plaku W. Krejg Zuik: “Një ‘përgjigj[e] e ëmbël’ përbëhet nga një reagim i arsyeshëm – fjalë të shtruara nga një zemër e përulur. Kjo nuk do të thotë që ne kurrë nuk shprehemi drejtpërdrejt apo që ne bëjmë lëshim për të vërtetat doktrinore. Fjalët që mund të jenë të prera në informacion, mund të jenë të buta në shpirt” (“Çfarë Po Mendon Ti?” Liahona, maj 2014, f. 42).
“Gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.”
Vargjet te Fjalët e Urta 31:10–31 përshkruajnë “një grua … të virtytshme” ose një grua me forcë, aftësi dhe ndikim të madh shpirtëror. Ju mund të përpiqeni ta përmblidhni me vetë fjalët tuaja atë që thotë secili prej këtyre vargjeve rreth saj. Cilat janë disa nga veçoritë që ju mund të imitoni?
Jeta në vdekshmëri është e përkohshme.
Përse ka vlerë për ju që të mbani mend se shumë gjëra në këtë botë, siç pohon Predikuesit 1–2, janë “kotësi” (ose të përkohshme dhe shpesh të parëndësishme)? Çfarë gjeni te kapitulli 12 që i jep jetës vlerë të përjetshme?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Fjalët e Urta.Familja juaj mund të kënaqet duke krijuar vetë “librin tuaj të Fjalëve të Urta” – një përmbledhje të këshillave të urta nga shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme.
-
Fjalët e Urta 1:7; 2:5; 16:6; Predikuesit 12:13–14.Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes që t’i kuptojnë vargjet te Fjalët e Urta 1:7; 2:5; 16:6; Predikuesit 12:13, mund të ndihmojë që ta zëvendësoni fjalën frikë me fjalë si nderim, dashuri ose bindje (shih edhe Hebrenjve 12:28). Si ndikon kjo te mënyra se si ne mendojmë rreth këtyre vargjeve? Si e tregojmë ne se e kemi frikë Zotin?
-
Fjalët e Urta 3:5–7.Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes që ta përfytyrojnë se çfarë na mësojnë këto vargje, ju mund t’i ftoni të mbështeten te diçka e fortë dhe e palëvizshme, si një mur. Më pas ata mund të përpiqen të mbështeten te diçka që nuk është e fortë, si një fshesë. Përse duhet që të “mos … mbështet[emi] në gjykimin [tonë]”? Si mund ta tregojmë se i mirëbesojmë Jezu Krishtit me gjithë zemër?
-
Fjalët e Urta 15:1–2,18; 16:24, 32.Si ndikojnë fjalët tona te fryma në shtëpinë tonë? Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të ushtrohen duke dhënë një “përgjigj[e të] ëmbël” në vend të “fjal[ëve] therëse” dhe të përpiqen të përdorin atë që mësojnë nga ndërveprimet e tyre me njëri-tjetrin. Një këngë si “Mir’sia Fillon tek Ti” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 83) mund të ndihmojë për ta përforcuar këtë parim.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Ku Ka Dashuri”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 76.