Dhiata e Vjetër 2022
7–13 Nëntor. Osea 1–6; 10–14; Joel: “Do t’i Dua Shumë”


“7–13 Nëntor. Osea 1–6; 10–14; Joel: ‘Do t’i Dua Shumë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“7–13 Nëntor. Osea 1–6; 10–14; Joel”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

nusja dhe dhëndri në oborrin e tempullit

7–13 Nëntor

Osea 1–6; 10–14; Joel

“Do t’i Dua Shumë”

Ftojeni Shpirtin që të jetë pjesë e studimit tuaj të librave Osea dhe Joel. Mbajini shënim mesazhet që Shpirti iu lë si mbresë në zemrën dhe mendjen tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Besëlidhja e Izraelit me Zotin kishte për qëllim që të ishte aq e thellë dhe kuptimplote, saqë Zoti e krahasoi atë me një martesë. Besëlidhja, ashtu si një martesë, përfshiu zotim të përjetshëm, përvoja të përbashkëta, ndërtim të një jete së bashku, besnikëri të madhe dhe mbi të gjitha dashuri me gjithë zemër. Ky lloj përkushtimi erdhi me pritshmëri të mëdha – dhe pasoja tragjike për mungesën e besnikërisë. Nëpërmjet profetit Osea, Perëndia përshkroi disa nga pasojat me të cilat u përballën izraelitët për shkeljen e besëlidhjes së tyre. Dhe prapëseprapë mesazhi i Tij nuk ishte: “Unë do t’ju refuzoj përgjithmonë ngaqë nuk ishit besnikë”. Përkundrazi ishte: “Do t’ju ftoj përsëri” (shih Osea 2:14–15). “Do të fejohesh me mua në drejtësi”, shpalli Zoti (Osea 2:19). “Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t’i dua shumë” (Osea 14:4). Ky është i njëjti mesazh që Ai na jep sot ndërsa kërkojmë t’i jetojmë besëlidhjet tona me dashuri dhe përkushtim.

Joeli shprehu një mesazh të ngjashëm: “Kthehuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ai është i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi” (Joel 2:13). “Zoti do të jetë një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit” (Joel 3:16). Ndërsa lexoni librat Osea dhe Joel, përsiatni marrëdhënien tuaj vetjake me Zotin. Mendoni rreth asaj se si besnikëria e Tij ju frymëzon të jeni besnik/e ndaj Tij.

Për një vështrim të përgjithshëm të librave Osea dhe Joel, shih “Osea” dhe “Joel” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Osea 1–3; 14

Zoti gjithmonë më fton që të kthehem tek Ai.

Gruaja e Oseas, Gomera, nuk ishte besnike ndaj tij dhe Perëndia vuri në dukje këtë ngjarje të trishtueshme për t’ju mësuar izraelitëve se si ndihej Ai rreth tyre dhe besëlidhjeve të tyre me Të. Ndërsa lexoni kapitujt tek Osea 1–3, përsiatni se si e sheh Zoti marrëdhënien e Tij me popullin e Tij të besëlidhjes. Ju mund të përsiatni mënyrat se si ju, sikurse izraelitët, mund të mos keni qenë besnikë ndaj Zotit dhe se si Ai ju është drejtuar juve. Për shembull, çfarë ju mësojnë kapitujt tek Osea 2:14–23 dhe Osea 14 rreth dashurisë dhe mëshirës së Zotit? Si ia tregoni Atij dashurinë dhe besnikërinë tuaj?

Shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Pikë Kthimi të Sigurt”, Liahona, maj 2007, f. 99–101; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 123–125.

grua e ulur në tokë me burrin që i ka vendosur dorën mbi kokë

Gomeres mëkatare, e cila përfaqëson Izraelin, iu ofrua nga Zoti shëlbimi. Ilustrimi nga Deb Minnard, licensuar nga goodsalt.com

Osea 6:4–7; Joel 2:12–13

Përkushtimi ndaj Perëndisë duhet të ndihet brenda vetes, jo thjesht të shprehet nga jashtë.

Zoti e kishte urdhëruar popullin e Tij të ofronte flijime të kafshëve. Por edhe pse njerëzit në kohën e Oseas po i bindeshin atij ligji, ata po thyenin urdhërime me rëndësi më të madhe (shih Osea 6:4–7). Si mendoni, çfarë do të thotë që Zoti “dëshiro[nte] mëshirë dhe jo flijimet, dhe njohjen e Perëndisë më shumë se olokaustet”? (Osea 6:6.) Si mendoni, çfarë do të thotë që drejtësia të jetë si një re ose si vesa? Me çfarë duhet të ngjajë drejtësia jonë? (Shih Isaia 48:18; 1 Nefi 2:9–10.)

Ju mund të lexoni gjithashtu vargjet te Mateu 9:10–13; 12:1–8 për të parë se si Shpëtimtari e përdori vargun te Osea 6:6 gjatë shërbesës së Tij. Si ju ndihmojnë këto fragmente për t’i kuptuar fjalët e Oseas?

Kur lexoni vargjet te Joel 2:12–13, mund t’ju ndihmojë njohuria se të grisësh ose copëtosh veshjen e dikujt, ishte sipas traditës një shenjë e jashtme e vajtimit ose e brejtjes së ndërgjegjes (për shembull, shih 2 Kronikave 34:14–21, 27). Si ndryshon grisja e zemrës sonë nga grisja e rrobave tona?

Shih edhe Isaia 1:11–17; Mateu 23:23; 1 Gjon 3:17–18.

Joel 2

“Unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish.”

Kur Joeli profetizoi për “dit[ën] e Zotit”, ai e përshkroi atë si “[një] dit[ë] … terri dhe … errësir[e të] dendur”, “[të] madhe dhe fort [të] tmerrshme” (Joel 2:1–2,11). Izraeli është përballur me shumë ditë të mëdha dhe të tmerrshme gjatë gjithë historisë së tij dhe populli i besëlidhjes së Perëndisë do të përballet me shumë të tilla në të ardhmen. Çfarë ju bën përshtypje te këshilla që dha Zoti te vargjet Joel 2:12–17? Gjithashtu vini re bekimet që Ai premtoi te Joel 2:18–32. Përse bekimet që premtohen te vargjet 27–32 mund të jenë veçanërisht me vlerë në kohë si ato që përshkruhen te Joel 2, përfshirë kohën tonë?

Si mendoni, çfarë do të thotë që Zoti do të “përhap[ë] Frymën [e Tij] mbi çdo mish”? (Joel 2:28.) Si po përmbushen profecitë te Joel 2:28–29? (Shih Veprat e Apostujve 2:1–21; Joseph Smith – Historia 1:41.)

Ju mund të përsiatni këto fjalë nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96). Përse zbulesa është thelbësore për mbijetesën tonë shpirtërore? Si mund ta rritni aftësinë tuaj për të marrë zbulesë vetjake?

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Osea 2:19–20.Zoti përdori metaforën e martesës për të përshkruar marrëdhënien e Tij besëlidhëse me Izraelin (shih edhe Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta “Dhëndër”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Familja juaj mund të diskutojë se përse martesa mund të jetë një metaforë e mirë për besëlidhjet tona me Perëndinë. Si na ndihmojnë vargjet tek Osea 2:19–20 për ta kuptuar se si ndihet Perëndia për ne? Si mund të jemi besnikë ndaj besëlidhjeve tona me Të?

Osea 10:12.Fëmijët mund të kënaqen duke vizatuar një orë dhe duke planifikuar mënyra se si mund ta kërkojnë Zotin në kohë të ndryshme gjatë gjithë ditës.

Joel 2:12–13.Për ta ndihmuar familjen tuaj që të flasë rreth vargjeve te Joel 2:12–13, ju mund të vendosni një figurë të Shpëtimtarit në njërën anë të dhomës dhe fjalën mëkat në anën e kundërt. Ftojini pjesëtarët e familjes të kthehen me radhë nga shenja dhe më pas të kthehen nga Shpëtimtari ndërsa tregojnë gjërat që mund të na ndihmojnë të kthehemi tek Ai “me gjithë zemrën [tonë]”. Nxitini pjesëtarët e familjes të mendojnë rreth të gjitha aspekteve të jetës së tyre, përfshirë veprimtaritë, punën, shkollën dhe marrëdhëniet me njerëzit.

Joel 2:28–29.Çfarë mund të nënkuptonte që Shpirti të “përhap[ej]” mbi ne? Ndoshta ju mund ta demonstroni këtë duke derdhur diçka të lëngshme dhe më pas duke e krahasuar atë me rënien pikë-pikë ose një curril.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Te Jezusi t’Vini”, Himne, nr. 61.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni mësim doktrinën. “Kurrë mos e humbisni rastin që t’i mblidhni fëmijët së bashku për të mësuar doktrinën e Jezu Krishtit. Çaste të tilla janë kaq të rralla po të krahasohen me përpjekjet e armikut” (Henry B. Eyring, “The Power of Teaching Doctrine”, Ensign, maj 1999, f. 74).

Jezusi duke qëndruar në prag të derës

Ejani tek Unë, nga Kelly Pugh