“7–13 Nëntor. Osea 1–6; 10–14; Joel: ‘Do t’i Dua Shumë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“7–13 Nëntor. Osea 1–6; 10–14; Joel”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
7–13 Nëntor
Osea 1–6; 10–14; Joel
“Do t’i Dua Shumë”
Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta dhe përgatiteni të jepni mësim, kërkoni frymëzim nga Fryma e Shenjtë. Ku ndiheni të nxitur të përqendroheni gjatë orës mësimore këtë javë?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Tregoni një figurë të Shpëtimtarit dhe ftojini fëmijët të tregojnë diçka që e dinë ose e mësuan rreth Tij këtë javë. Ndërsa tregojnë lërini ta mbajnë figurën me radhë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund ta kërkoj Zotin.
Tek Osea 10:12 përdoren shëmbëlltyrat e mbjelljes, korrjes, kohës dhe shiut për të na ftuar që ta kërkojmë Zotin. Ndërsa e lexoni këtë varg, çfarë idesh krijuese ju vijnë ndërmend që mund t’i frymëzojnë fëmijët ta kërkojnë Atë?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve nga Osea 10:12 dhe ftojini të bëjnë veprime të thjeshta për t’i ndihmuar që ta kuptojnë vargun, të tilla si të bëjnë sikur po mbjellin fara, po vjelin perime nga një bimë ose po qëndrojnë në shi ose tregojuni figura të farave, bimëve dhe shiut. Ndihmojini fëmijët ta krahasojnë mbjelljen e një fare dhe vjeljen e ushqimeve të mira me të jetuarit drejtësisht dhe marrjen e bekimeve të Zotit. Dëshmoni për bekimet që Zoti ka derdhur mbi ju kur jeni përpjekur ta kërkoni Atë.
-
Vizatoni në tabelë një orë dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë mënyra se si mund ta kërkojmë Zotin në kohë të ndryshme të ditës. Ftojini fëmijët të përsëritin me ju frazën: “Është koha për të kërkuar Zotin” (Osea 10:12). Ndihmojini të kuptojnë se gjithmonë është koha për ta kërkuar Zotin. Tregoni se çfarë bëni për ta kujtuar Atë gjithë kohës.
Jezu Krishti është Shpëtimtari im.
Ndërsa jepni mësim rreth Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij, jepni dëshmi për dashurinë e Tij për secilin prej fëmijëve.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni figura të disa njerëzve, përfshirë Jezusin dhe kërkojuni fëmijëve të gjejnë se cili nga këta njerëz është Shpëtimtari ynë. Lexoni tek Osea 13:4 dhe theksoni se nuk ka Shpëtimtar tjetër përveç Jezu Krishtit. Dëshmoni se për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të kthehemi për të jetuar përsëri me Atin Qiellor.
-
Lërini fëmijët të mbajnë me radhë një figurë të Jezusit në kryq ose në varr dhe një figurë të Jezusit jashtë varrit të zbrazët. Ftojini fëmijët të flasin rreth asaj që paraqesin figurat. Lexoni tek Osea 13:14 frazën: “Unë do t’i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t’i shpëtoj nga vdekja”. Dëshmoni se Jezu Krishti na shpëtoi nga vdekja dhe se ne mund të ringjallemi. Këndoni së bashku një këngë rreth Ringjalljes, të tillë si “Jezusi a Jetoi Sërish?” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 45.) Ndihmojini fëmijët ta dallojnë Shpirtin ndërsa këndojnë.
Fryma e Shenjtë mund të më udhërrëfejë.
Ndërsa jepni mësim rreth profecisë së Joelit te Joel 2:28, merrni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët që të përgatiten ta marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë pasi të jenë pagëzuar.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve nga Joel 2:28 dhe shpjegoni se fjalët “çdo mish” do të thotë çdokush, përfshirë “bijtë” dhe “bijat” si ata. Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të njerëzve të përmendur në këtë varg (bijtë dhe bijat, burra të moshuar e të rinj, gra të moshuara e të reja), përfshirë veten e tyre. Shpjegoni se një mënyrë se si Ati Qiellor e derdh Shpirtin e Tij, është duke na dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë kur pagëzohemi.
-
Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth Frymës së Shenjtë. Ndihmojini të kuptojnë se Fryma e Shenjtë mund të na mësojë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe mund të na ndihmojë të dimë se çfarë është e vërtetë (shih Gjoni 14:26; Doktrina e Besëlidhje 42:17). Tregoni përvoja për t’i ndihmuar fëmijët që të kuptojnë mënyrat se si mund të na ndihmojë Shpirti.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund t’i mbaj besëlidhjet e mia me besnikëri.
Në librin e Oseas, Zoti i krahasoi me një martesë besëlidhjet e Tij me izraelitët. Pavarësisht se izraelitët nuk ishin besnikë, Ai prapë i donte ata dhe dëshironte që ata të ktheheshin. Ky krahasim mund t’ju ndihmojë t’u jepni mësim fëmijëve rreth rëndësisë së mbajtjes së besëlidhjeve tona me Zotin.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve se në librin e Oseas, Zoti i krahasoi me martesën besëlidhjet e Tij me Izraelin. Tregojuni fëmijëve një figurë të një nuseje dhe dhëndri. Si do Ati Qiellor që bashkëshorti dhe bashkëshortja ta trajtojnë njëri‑tjetrin? Si mund t’i tregojmë Zotit se ne e duam Atë dhe do të jemi besnikë ndaj Tij?
-
Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se besëlidhjet që bëjmë me Zotin, kanë për qëllim të zgjasin përgjithmonë. Ftojeni njërin prej fëmijëve të lexojë nga Osea 2:19–20, duke kërkuar fjalë që përshkruajnë mënyrën se si Zoti ndihet rreth besëlidhjeve të Tij me ne. Çfarë besëlidhim të bëjmë kur pagëzohemi? Si mund ta mbajmë këtë besëlidhje që kemi bërë me Zotin?
Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im.
Si mund t’i përdorni fjalët e Oseas për t’i forcuar dëshmitë e fëmijëve për Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin e tyre? Ndërsa jepni mësim, ndihmojini fëmijët të ndiejnë gëzimin dhe dashurinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë tek Osea 13:4, 14, duke kërkuar fjalë ose fraza që e përshkruajnë Jezu Krishtin. Çfarë na mësojnë këto fjalë rreth Tij? Ftojini fëmijët të përdorin materialin Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta për të gjetur dhe treguar shkrime të tjera të shenjta që na mësojnë se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi. Jepni dëshminë tuaj për Shpëtimtarin dhe jepuni fëmijëve mundësinë të bëjnë të njëjtën gjë.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë se si Shpëtimtari na shpengon ose shëlbon nga vdekja, shfaqni materialin filmik “Handel’s Messiah: Debtor’s Prison” [“Mesia i Hendelit: Burgu i Borxhlinjve”] (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë mësojmë nga ky material filmik që na ndihmon të kuptojmë atë që Shpëtimtari ka bërë për ne?
Fryma e Shenjtë mund të më udhërrëfejë.
Shumë prej fëmijëve që u jepni mësim, ka të ngjarë të jenë pagëzuar dhe të kenë marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Si mund t’i përdorni këto shkrime të shenjta për t’i ndihmuar ata të kuptojnë fuqinë dhe bekimet që vijnë nga dëgjimi i zërit të Shpirtit?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë së bashku vargjet te Joel 2:28–29, duke vënë emrat e njëri-tjetrit në vend të frazës “bijtë tuaj” dhe “bijat tuaja”. Shkruani në tabelë një fjali të tillë si Fryma e Shenjtë mund… dhe ftojini fëmijët ta plotësojnë fjalinë me radhë. Nxitini ata të përfshijnë gjëra që mësojnë nga Gjoni 14:16; Moroni 10:5; Doktrina e Besëlidhje 42:17 dhe shkrime të tjera të shenjta.
-
Vendosni një send në një tas dhe lërini fëmijët që me radhë të hedhin ujë brenda në të. Shpjegoni se sendet na përfaqësojnë ne dhe uji përfaqëson Frymën e Shenjtë. Kur pagëzohemi, ne marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, e cila është një nga mënyrat se si Zoti e përmbush premtimin e Tij që ta “përhap[ë] Frymën [e Tij]”. Çfarë duhet të bëjmë ne për ta marrë Frymën e Shenjtë? Ftojini fëmijët të tregojnë raste kur e kanë ndier ndikimin e Shpirtit.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë diçka që e mësuan rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit ose Frymës së Shenjtë sot në klasë. Nxitini ata t’ua tregojnë këtë familjeve të tyre.