Dhiata e Vjetër 2022
31 Tetor – 6 Nëntor. Daniel 1–6: “Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë”


“31 Tetor – 6 Nëntor. Daniel 1–6: ‘Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“31 Tetor – 6 Nëntor. Daniel 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Danieli duke interpretuar ëndrrën e mbretit

Danieli Interpreton Ëndrrën e Nebukadnetsarit, nga Grant Romney Clawson

31 Tetor – 6 Nëntor

Daniel 1–6

“Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë”

Ndërsa i lexoni kapitujt te Daniel 1–6, mbajini shënim të vërtetat për të cilat nxiteni t’i ndihmoni fëmijët për t’i zbuluar.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Paraqitni figura të ngjarjeve te Daniel 1–6 (shih përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 23, 24, 25, 26). Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth ngjarjeve në figura. Ftojini ata të tregojnë një rast kur zgjodhën ta ndiqnin Shpëtimtarin, ashtu siç bënë Danieli dhe miqtë e tij.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Daniel 1:1–17

Ati Qiellor dëshiron që unë të kujdesem për trupin tim.

Danieli dhe miqtë e tij i refuzuan mishin dhe verën që u ofroi mbreti, sepse ata dëshironin që të zbatonin urdhërimet e Perëndisë dhe të shmangnin dëmtimin në trupin e tyre. Sot, Fjala e Urtësisë na ndihmon të shmangim substancat që e dëmtojnë trupin tonë.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve mësimin “Danieli dhe Miqtë e Tij” (te Tregime nga Dhiata e Vjetër) ose përmblidhini vargjet te Daniel 1:1–17. Ftojini fëmijët që ta interpretojnë me role historinë. Ndihmojini të kuptojnë se si Zoti e bekoi Danielin dhe miqtë e tij ngaqë zgjodhën t’i bindeshin Atij (shih vargun 17). Çfarë bekimesh marrim nga Perëndia kur zgjedhim të drejtën?

  • Tregojuni fëmijëve figura të gjërave që Fjala e Urtësisë na mëson t’i hamë ose përdorim, dhe gjëra që na thotë të mos i hamë ose përdorim (shih Doktrina e Besëlidhje 89). Ftojini fëmijët të bëjnë sikur po hanë gjërat e mira dhe të thonë “jo” për gjërat e këqija. Dëshmoni se Zoti na bekon kur kujdesemi për trupin tonë. Këndoni së bashku një këngë rreth kujdesit të trupit, të tillë si “Zoti më Dha një Tempull” ose “Guxo, Ji i Drejt’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 73, 80). Çfarë na mëson kjo këngë?

katër djem në tryezë duke refuzuar mishin e ofruar nga burri

Ilustrim i Danielit dhe miqve të tij duke e refuzuar ushqimin e mbretit, nga Brian Call

Daniel 1; 3; 6

Perëndia do të më bekojë kur zgjedh ta ndjek Jezu Krishtin.

Libri i Danielit, përmban histori të njerëzve që zgjodhën të zbatonin urdhërimet e Perëndisë edhe kur ishte e vështirë ta bënin këtë. Si do t’i ndihmoni fëmijët që të mësojnë nga këta shembuj?

Veprimtari të Mundshme

  • Gjeni figura të historive nga Daniel 1, 3 dhe 6 (shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave, përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, ose te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 23, 25, 26). Vendosini figurat së prapthi në tabelë ose në dysheme. Ftojeni një fëmijë të kthejë së mbari njërën nga figurat dhe ndihmojeni atë ta tregojë historinë që përfaqëson. (Për ndihmë, shihni mësimet “Danieli dhe Miqtë e Tij”, “Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja” dhe “Danieli dhe Gropa e Luanëve” te Tregime nga Dhiata e Vjetër.) Pas çdo historie, diskutoni pyetje si këto: Çfarë bënë njerëzit për ta ndjekur Zotin? Si i bekoi Zoti ata? Tregoni se si jeni bekuar ngaqë zgjodhët të ndiqnit Jezu Krishtin. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë përvojat e tyre.

  • Ftojini fëmijët të dramatizojnë situata ku mund të tregojnë besim te Perëndia duke i zbatuar urdhërimet e Tij. Këto mund të përfshijnë të qenit i mirë me një vëlla apo motër, t’i tregoni dikujt për Shpëtimtarin ose të luteni çdo natë. Tregoni një figurë të Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos në furrën me zjarr përvëlues (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 25) dhe kërkojuni fëmijëve t’i numërojnë burrat brenda furrës. Lexoni te Daniel 3:24–25 për të zbuluar se çfarë kishte tjetër brenda furrës. Jepni dëshminë tuaj se Zoti është me ne kur e ndjekim Atë.

Daniel 6

Ati Qiellor dëshiron që unë të lutem shpesh.

Danieli ishte gati të rrezikonte jetën e vet që të mund t’i lutej çdo ditë Atit Qiellor. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të zhvillojnë një dëshirë të ngjashme për t’u lutur?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojeni historinë te Daniel 6 (shih mësimin “Danieli dhe Gropa e Luanëve” te Tregime nga Dhiata e Vjetër) dhe ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim të historisë. Kërkojuni që të përdorin vizatimet e tyre për t’ia treguar historinë njëri-tjetrit. Përse do Ati Qiellor që ne t’i lutemi Atij? Tregoni se përse lutja është e rëndësishme për ju.

  • Flisni me fëmijët rreth rasteve kur ata mund të luten, të tilla si kur janë të frikësuar, kur bëjnë gabime ose kur kanë nevojë për ndihmë në shkollë. Përse është gjë e mirë të lutesh në këto situata? Mësojuni fëmijëve se pavarësisht se ku ndodhen, ata mund të luten gjithmonë në zemrat e tyre.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth lutjes, të tillë si “Kokat Ulim” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 18). Flisni me fëmijët për gjërat rreth të cilave mund të lutemi.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Daniel 1; 3; 6

Unë mund të bëj atë që është e drejtë edhe kur është e vështirë.

Historitë te Daniel 1, 3 dhe 6 mund t’u japin fëmijëve, të cilëve u jepni mësim, kurajë dhe besim për të bërë zgjedhje të mira, edhe kur ndihen vetëm.

Veprimtari të Mundshme

  • Vizatoni në tabelë disa shigjeta për nga i njëjti drejtim dhe më pas një shigjetë për nga drejtimi i kundërt. Si janë Danieli dhe miqtë e tij si kjo shigjetë e vetme? Ftojini fëmijët të japin shembuj të historive nga Daniel 1, 3 dhe 6 (shih mësimet “Danieli dhe Miqtë e Tij”, “Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja” dhe “Danieli dhe Gropa e Luanëve” te Tregime nga Dhiata e Vjetër). Pyetini fëmijët se përse mendojnë se mund të kishte qenë e vështirë që Danieli dhe miqtë e tij të bënin zgjedhje të mira. Si i bekoi Zoti ata ngaqë zgjodhën të drejtën?

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për situata kur mund të jenë të shtyrë për të bërë zgjedhje të gabuara. Ftojini që të tregojnë përvoja kur janë bekuar ngaqë zgjodhën të drejtën edhe kur ishte e vështirë. Këndoni së bashku një himn që lidhet me këtë temë, të tillë si “T’Drejtën Zgjidh” (Himne, nr. 150).

Daniel 2

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë.

Kur Danieli dha interpretimin e tij të frymëzuar për ëndrrën e Nebukadnetsarit, ai pa një gur “të shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut” (Daniel 2:45). Ky gur përfaqëson Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e cila ka fatin të mbushë tokën.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni me fëmijët te Daniel 2:31–35, 44–45 dhe ftojini ata të bëjnë një vizatim të asaj që pa Nebukadnetsari në ëndrrën e tij. Pyetini fëmijët se çfarë mësojnë nga këto vargje rreth gurit në ëndërr. Shpjegoni se ky gur përfaqëson Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që bëri Ati Qiellor për ta themeluar Kishën e Tij në ditët e mëvonshme. Për t’u dhënë ide, tregoni figura të ngjarjeve për Rivendosjen e Kishës (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 90–95).

  • Jepini secilit fëmijë një shuk letre që të përfaqësojë gurin në ëndrrën e Nebukadnetsarit. Kërkojini secilit prej fëmijëve të tregojë se si ai ose ajo e di se Kisha u rivendos nga Perëndia. Ndërsa fëmijët tregojnë, ftojini që t’jua japin juve “gurin” e tyre. Mbështillini gurët së bashku duke përdorur shiritin ngjitës ose spango për të formuar një gur të madh. Dëshmoni se kur i forcojmë dëshmitë tona dhe e përhapim ungjillin tek të tjerët, ne bashkohemi në besimin tonë për të ndihmuar që mbretëria e Perëndisë të “mbushi tërë tokën” (Daniel 2:35).

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të bëjnë këtë javë diçka që tregon besimin e tyre te Jezu Krishti.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët ta dallojnë Shpirtin. Ndërsa keni përvoja shpirtërore me fëmijët, ndihmojini ata që ta dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë.