“24–30 Tetor. Ezekiel 1–3; 33–34; 36–37; 47: ‘Do të Shtie Brenda Jush një Shpirt të Ri’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“24–30 Tetor. Ezekiel 1–3; 33–34; 36–37; 47”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
24–30 Tetor
Ezekiel 1–3; 33–34; 36–37; 47
“Do të Shtie Brenda Jush një Shpirt të Ri”
Nuk do të keni kohë të jepni mësim çdo parim nga libri [i profetit] Ezekiel. Kërkoni udhërrëfim shpirtëror rreth pikave ku të përqendroheni dhe nxitini fëmijët të vazhdojnë të mësojnë në shtëpi.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Lërini disa fëmijë që të vizatojnë me radhë diçka që e mësuan së fundmi nga shkrimet e shenjta. Fëmijët e tjerë mund të hamendësojnë atë që po vizaton secili fëmijë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Profetët janë si rojat që na paralajmërojnë për rrezikun.
Ezekieli ishte si rojë, duke i paralajmëruar izraelitët për rreziqet që nuk mund t’i shihnin. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si profetët tanë sot janë si rojat.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve atë që Zoti i tha Ezekielit tek Ezekiel 3:17. Ftojini ata të bëjnë veprime që përputhen me fjalët, si për shembull të tregojnë me gisht sytë, veshët dhe gojën e tyre kur të lexoni fjalët “roje”, “dëgjoj” dhe “gojë”.
-
Udhëhiqini fëmijët gjatë një marshimi nëpër dhomë. Paralajmërojini për rreziqet që priten përgjatë shtegut, si të kapërcejnë lumenj, të kalojnë poshtë degëve ose të shmangin kafshët. Lërini fëmijët që të bëjnë udhëheqësin me radhë. Flisni rreth asaj se si na paralajmërojnë profetët tanë për rreziqet që nuk mund t’i shohim.
-
Tregoni një figurë të profetit të tanishëm ndërsa këndoni së bashku një këngë rreth profetëve, të tillë si strofën e fundit te “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58–59). Tregojuni fëmijëve se si profeti është si roje për ju.
Shkrimet e shenjta më mësojnë për Jezu Krishtin.
Ezekieli e krahasoi shtëpinë e Izraelit me dy copa druri që u bënë një i vetëm. Këta drurë përfaqësojnë gjithashtu Biblën dhe Librin e Mormonit, të cilët bashkërisht dëshmojnë për Krishtin.
Veprimtari të Mundshme
-
Jepuni disa fëmijëve kopje të Librit të Mormonit; jepuni të tjerëve kopje të Biblës. Përmblidhini vargjet nga Ezekiel 37:15–19 duke shpjeguar se Zoti i tha Ezekielit të shkruante mbi dy drurët që përfaqësojnë Biblën dhe Librin e Mormonit. Lexojeni vargun 17 dhe ftojeni secilin fëmijë të gjejë dikë që ka një libër të shkrimit të shenjtë të ndryshëm nga i tyri dhe t’i “afro[jnë]” bashkë që të “bëhen një gjë e vetme në d[uart e tyre]”. Flisni rreth mënyrës se si Bibla dhe Libri i Mormonit na ndihmojnë ta forcojmë besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
-
Duke përdorur figura nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose libra të programit Eja, Më Ndiq nga vitet e kaluara, ndihmojini fëmijët të tregojnë histori rreth Jezusit nga Bibla dhe Libri i Mormonit. Kërkojuni të thonë se pse janë mirënjohës që kanë këto dy libra të shkrimit të shenjtë.
Bekime të mëdha vijnë nga tempulli.
Vegimi i Ezekielit për një lumë shërues që rridhte nga tempulli, mund t’i ndihmojë fëmijët të mësojnë se tempujt sjellin bekime në jetën tonë.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve një gotë me ujë. Si na bekon uji? Tregojuni fëmijëve rreth vegimit të Ezekielit për ujin që rrjedh nga tempulli (shih Ezekiel 47:1–12). Tregoni figurën në përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet (shih edhe materialin filmik “And the River Will Grow” [“Dhe Lumi do të Mbushet”], ChurchofJesusChrist.org). Tregojuni fëmijëve rreth bekimeve që merrni, të cilat, ashtu si lumi në vegimin e Ezekielit, rrjedhin nga tempulli.
-
Ftojini fëmijët që të bëjnë një vizatim të vetes së tyre duke shkuar në tempull. Këndoni së bashku një himn që përshkruan bekimet e tempullit, të tillë si “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’” (Himne, nr. 195). Çfarë na mëson ky himn rreth mënyrës se si na bekojnë tempujt?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Jezu Krishti mund të më ndihmojë të ma ndryshojë zemrën.
Ezekieli përdori frazat “një zemër të re” dhe “shpirt të ri” për të dhënë mësim rreth llojit të ndryshimit që Shpëtimtari sjell në jetën tonë.
Veprimtari të Mundshme
-
Vërini fëmijët të kërkojnë tek Ezekiel 2:3–4; 3:7 për fjalë që përshkruanin izraelitët. Më pas ftojini të lexojnë tek Ezekiel 36:26–27 për të mësuar se si Shpëtimtari u dha ndihmë që të ndryshonin. Cilat fjalë mund të përshkruajnë frazat “një zemër të re” dhe “shpirt të ri” që na jep Ai? (Shih, për shembull, Mosia 3:19; 5:2.)
-
Kërkojuni fëmijëve të mendojnë gjëra që mund të bëjnë njerëzit me zemër “të ashpër” ose “zemër kryeneçe” (Ezekiel 2:4; 3:7). Për shembull, si mund të reagojnë ata ndaj këshillës nga një prind ose profet? Çfarë mund të bëjnë kur shikojnë një njeri në nevojë? Si sillemi ndryshe kur Shpëtimtari na e zbut zemrën?
Bibla dhe Libri i Mormonit ndihmojnë të na “mbledh[in]” te Jezu Krishti.
“Druri… [i] Judës” (Bibla) dhe “druri… [i] Jozefit” (Libri i Mormonit) tek Ezekieli, veprojnë së bashku për të mbledhur Izraelin te Shpëtimtari (shih Ezekiel 37:19).
Veprimtari të Mundshme
-
Mbani lart një kopje të Biblës dhe Librit të Mormonit dhe pyetini fëmijët se përse mendojnë se është mirë t’i kesh të dy këta libra. Lexojuni atyre tek Ezekiel 37:19 dhe shpjegoni se “druri… [i] Jozefit i referohet Librit të Mormonit, i cili u shkrua nga pasardhësit e Jozefit të Egjiptit, dhe “druri… [i] Judës” i referohet Biblës, e cila u shkrua më së shumti nga judenjtë. Më pas lexoni së bashku vargjet 21–23 dhe 2 Nefi 3:12 dhe renditni bekimet që vijnë prej pasjes së këtyre dy librave.
-
Vendosni një figurë të Jezusit në mes të dhomës dhe ftojini fëmijët t’i lëvizin karriget e veta në vende të ndryshme anash mureve të klasës. Më pas kërkojuni të përdorin Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, për të gjetur shkrime të shenjta te Bibla dhe Libri i Mormonit që na mësojnë rreth Jezu Krishtit (nëse nevojitet, tregojuni se si ta bëjnë këtë). Pasi secili fëmijë të tregojë një shkrim të shenjtë, ftojini të gjithë fëmijët t’i sjellin karriget e tyre më afër figurës së Jezusit. Vazhdoni me këtë derisa gjithsecili të jetë “mbledhur” sërish tek Ai.
Bekimet e tempullit mund të na shërojnë zemrën dhe familjet tona.
Uji që rridhte nga tempulli në vegimin e Ezekielit, i dha jetë gjithçkaje që prekte. Kësisoj, bekimet që rrjedhin nga tempulli, mund të na shërojnë shpirtërisht dhe të na sjellin jetë të përjetshme.
Veprimtari të Mundshme
-
Renditni në tabelë disa fjalë dhe fraza kyç që lidhen me vargjet tek Ezekiel 47:1–12, të tilla si: tempull, lumë, shkretëtirë, Deti i Vdekur, bollëk peshqish dhe pemë me fruta. Ftojeni secilin fëmijë të zgjedhë njërën nga këto për ta vizatuar. Më pas lexojini së bashku vargjet dhe ftojini fëmijët të tregojnë vizatimet e veta kur të përmenden elementet e tyre. Çfarë bekimesh erdhën prej lumit në këtë vegim? (Shih vargjet 8–9, 12.) Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si këto bekime janë si bekimet që Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ua japin njerëzve që i mbajnë besëlidhjet e tempullit.
-
Shfaqni materialin filmik “And the River Will Grow” [“Dhe Lumi do të Mbushet”] (ChurchofJesusChrist.org) ose lexojeni së bashku atë që Plaku Dejll G. Renland dha mësim për vegimin e Ezekielit në bisedën “Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi”, (Liahona, maj 2018, f. 47–48). Tregojuni fëmijëve se si puna për historinë familjare dhe në tempull ju kanë sjellë shërimin e Shpëtimtarit. Ftojini fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre rreth tempullit.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’u tregojnë familjeve të tyre një gjë që e mësuan sot dhe një gjë rreth së cilës do t’u pëlqente të mësonin më shumë.