“24–30 Tetor. Ezekiel 1–3; 33–34; 36–37; 47: ‘Do të Shtie Brenda Jush një Shpirt të Ri’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“24–30 Tetor. Ezekiel 1–3; 33–34; 36–37; 47”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
24–30 Tetor
Ezekiel 1–3; 33–34; 36–37; 47
“Do të Shtie Brenda Jush një Shpirt të Ri”
Ezekieli u ftua që në mënyrë simbolike të “ushqe[hej]” me fjalën e Perëndisë — për t’u ngopur me të (shih Ezekiel 2:9–3:3, 10). Si do të ngopeni për vete me fjalën e Perëndisë këtë javë?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ezekieli ishte një profet në mërgim. Bashkë me izraelitë të tjerë, atë e kishin kapur dhe dërguar në Babiloni disa vjet përpara se Jerusalemi të shkatërrohej përfundimisht. Në Jerusalem, Ezekieli do të kishte qenë një prift që shërbente në tempull. Në Babiloni, ai ishte mes “at[yre] që ishin në robëri” dhe “u ndal atje ku ata banonin” (Ezekiel 3:15), qindra kilometra larg nga tempulli dhe me pak shpresë për t’u rikthyer në shtëpinë e dashur të Perëndisë. Më pas një ditë Ezekieli pati një vegim. Ai pa “lavdi[në e] Zotit” (Ezekiel 1:28) – në atë kohë jo në tempullin në Jerusalem, por atje në Babiloni mes të mërguarve. Ai mësoi se ligësia në Jerusalem ishte shtuar aq shumë, sa atje nuk ishte më prania e Perëndisë (shih Ezekiel 8–11; 33:21).
Një nga detyrat e Ezekielit ishte të paralajmëronte izraelitët për pasojat e rebelimit të tyre – një paralajmërim që kryesisht shkoi në vesh të shurdhët. Por mesazhi i Ezekielit kishte më shumë: ai profetizoi se, pavarësisht se sa keq shkuan gjërat, kishte një mënyrë për të rikthyer praninë e Perëndisë. Nëse njerëzit e Perëndisë do ta pranonin ftesën për ta “dëgj[uar] fjalën e Zotit” (Ezekiel 37:4), ajo që dikur ishte e vdekur, mund të ringjallej. Një “zem[ër] prej guri” mund të zëvendësohej me “një zemër të re” (Ezekiel 36:26). “Unë do të shtie te ju Frymën tim[e]”, iu tha Zoti atyre, “dhe ju do të jetoni” (Ezekiel 37:14). Dhe në ditët e fundit, Zoti do të ndërtonte një tempull të ri dhe një Jerusalem të ri dhe “prej kësaj dite emri i qytetit do të jetë: ‘Zoti është atje’” (Ezekiel 48:35).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
“Ti do t’u njoftosh fjalët e mia.”
Leximi rreth thirrjes së Ezekielit për shërbesë tek Ezekiel 1–3 mund t’ju nxitë të mendoni rreth mundësive që ju ka dhënë Perëndia për t’ua “treg[uar] … fjalët e [Tij]” të tjerëve (Ezekiel 3:4). Tek Ezekiel 2–3, vini re fjalët e Tij të nxitjes dhe udhëzimit drejtuar Ezekielit. Edhe pse njerëzit të cilëve u shërbeni, ndoshta nuk janë aq rebelë sa populli i Ezekielit, merrni parasysh se si ndikojnë fjalët e Perëndisë ndaj Ezekielit në mënyrën se si ju e shihni shërbimin tuaj në Kishë, në shtëpi dhe në çfarëdo vendi tjetër.
Shih edhe Ezekiel 33:1–9; D. Tod Kristoferson, “Zëri i Paralajmërimit”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 108–111.
Zoti dëshiron që të falë.
“Në rast se … mëkatet tona janë mbi ne”, pyetën veten izraelitët e robëruar, “si do të mund të jetojmë?” (Ezekiel 33:10.) Si përgjigje, Zoti u mësoi atyre të vërteta të rëndësishme rreth pendimit dhe faljes. Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë t’i përsiatni këto të vërteta:
-
Çfarë mendoni se do të thotë të “k[esh] besim në drejtësinë [tënde]”? (Shih Ezekiel 33:12–13.)
-
Çfarë do t’i thoshit dikujt që mendon se personi i drejtë dhe personi i lig të cilët përshkruhen tek Ezekiel 33:12–19, nuk po trajtohen në mënyrë të drejtë? (Shih edhe Mateu 21:28–31; Lluka 18:9–14.)
-
Çfarë frazash gjeni në këto vargje që ju ndihmojnë të kuptoni se çfarë do të thotë të pendohesh? Çfarë pikëpamjesh të tjera gjeni tek Ezekiel 36:26–27 dhe Alma 7:14–16?
Zoti më fton t’i ushqej delet e Tij.
Tek Ezekiel 34, Zoti u referohet udhëheqësve të popullit të Tij si “barinj”. Ndërsa lexoni, merrni parasysh se çfarë ju sugjeron ky titull lidhur me atë që do të thotë të jesh një udhëheqës. Kush janë “delet” që Zoti dëshiron që ju t’i ushqeni? Si mund ta ndiqni shembullin që jep Shpëtimtari si bariu ynë? (Shih vargjet 11–31.)
Shih edhe Gjoni 21:15–17.
Zoti po i mbledh njerëzit e Tij dhe po u jep atyre jetë të re.
Mbledhja e Izraelit portretizohet tek Ezekiel 37 nëpërmjet dy simboleve. Ndërsa lexoni rreth simbolit të parë – kocka të vdekura që rikthehen në jetë (shih vargjet 1–14) – përsiatni se çfarë mësuat rreth mbledhjes së Izraelit në të dyja anët e velit (shih edhe Ezekiel 36:24–30).
Simboli i dytë (shih vargjet 15–28) përfshin dy drurë, të cilët shumë studiues i interpretojnë si tabela druri për shkrim të bashkuara nga një menteshë. Druri i Judës mund të përfaqësojë Biblën (duke qenë se një pjesë e madhe e Biblës u shkrua nga pasardhësit e Judës) dhe druri i Jozefit mund të përfaqësojë Librin e Mormonit (duke qenë se pjesëtarët e familjes së Lehit ishin pasardhës të Jozefit të Egjiptit). Duke pasur këtë në mendje, çfarë ju mësojnë këto vargje rreth rolit të shkrimeve të shenjta në mbledhjen e Izraelit? Çfarë i shtojnë vargjet te 2 Nefi 3:11–13 (një profeci rreth Jozef Smithit dhe Librit të Mormonit) kuptueshmërisë suaj?
Shih edhe 2 Nefi 29:14; “The Book of Mormon Gathers Scattered Israel” [“Libri i Mormonit Mbledh Izraelin e Shpërndarë”] (material filmik, ChurchofJesusChrist.org).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Ezekiel 33:1–5.Për t’i ilustruar këto vargje, një pjesëtar i familjes mund të hiqet sikur është një “sogjetar” [rojë] duke parë nga dritarja dhe duke i treguar pjesës tjetër të familjes se çfarë po ndodh jashtë. Si është profeti ynë i gjallë si një sogjetar për ne?
-
Ezekiel 33:15–16.Çfarë na mësojnë këto vargje rreth faljes që mund të marrim nëpërmjet Jezu Krishtit?
-
Ezekiel 36:26–27.Tregojini familjes suaj disa gurë ndërsa diskutoni mbi atë që do të thotë të kesh një “zem[ër] prej guri”. Lejojini ata të sugjerojë fjalë që përshkruajnë “zem[rën e] re” dhe “shpirt[in e] ri” që na jep Shpëtimtari (shih Mosia 3:19; 5:2).
-
Ezekiel 37:15–28.Pjesëtarët e familjes mund të gjejnë dy drurë dhe të shkruajnë tek njëri Për Judën (Biblën) dhe tek tjetri Për Jozefin (Librin e Mormonit) (shih vargjet 16–19). Më pas ata mund të tregojnë histori ose shkrime të shenjta nga Bibla dhe Libri i Mormonit që i ndihmojnë të ndihen më afër Shpëtimtarit dhe të bëhen “populli [i Tij]” (vargu 23).
-
Ezekiel 47:1–12.Këto vargje përshkruajnë vegimin e Ezekielit për ujin që rrjedh nga tempulli dhe shëron Detin e Vdekur – një det aq i kripur saqë peshqit dhe bimët nuk mund të jetojnë në të. Fëmijët mund të kënaqen duke vizatur një figurë të këtij vegimi. Çfarë mund të simbolizojë uji që rrjedh nga tempulli? (Shih materialin filmik “And the River Will Grow” [“Dhe Lumi do të Mbushet”], ChurchofJesusChrist.org.) Si ndihmon tempulli që ne të shërohemi? (Shih Ezekiel 47:8–9,11.)
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Pranë Zemrës së Bariut”, Himne, nr. 138.