“17–23 Tetor. Jeremia 30–33; 36; Vajtimeve 1; 3: ‘Do ta Shndërroj Zinë e Tyre në Gëzim’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“17–23 Tetor. Jeremia 30–33; 36; Vajtimeve 1; 3”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
17–23 Tetor
Jeremia 30–33; 36; Vajtimeve 1; 3
“Do ta Shndërroj Zinë e Tyre në Gëzim”
Ndërsa i shënoni mbresat tuaja, mendoni për atë se si parimet te librat Jeremia dhe Vajtimeve lidhen me gjëra të tjera që i keni mësuar te Dhiata e Vjetër.
Shënojini Mbresat Tuaja
Kur Zoti e thirri fillimisht Jeremian që të ishte profet, Ai i tha se misioni i tij do të ishte “për të çrrënjosur dhe për të rrënuar” (Jeremia 1:10) – dhe në Jerusalem kishte shumë ligësi për t’u çrrënjosur dhe për t’u rrënuar. Por kjo ishte vetëm një pjesë e misionit të Jeremias – ai u thirr gjithashtu “për të ndërtuar dhe për të mbjellë” (Jeremia 1:10). Çfarë mund të ndërtohej ose mbillej në rrënojat e shkretuara, të lëna nga rebelimi i Izraelit? Në mënyrë të ngjashme, kur mëkati ose fatkeqësia e kanë rrënuar jetën tonë, si mund të rindërtojmë dhe mbjellim përsëri? Përgjigjja gjendet te “filiz[i i] drejtësi[së]” (Jeremia 33:15), Mesia i premtuar. Mesia sjell “një besëlidhje të re” (Jeremia 31:31) – një besëlidhje që kërkon më shumë sesa një zotim sipërfaqësor ose shfaqjen e jashtme të përkushtimit. Ligji i Tij duhet të jetë “në mendjen [tonë]”, i shkruar “mbi zemrën [tonë]”. Kjo është ajo që nënkupton me të vërtetë Zoti me frazën të “je[t] Zoti [ynë]” dhe për ne të “je[mi] populli [i Tij]” (Jeremia 31:33). Është një proces që zgjat gjithë jetën, dhe ne prapë do të bëjmë gabime dhe do të kemi arsye për të mbajtur zi herë pas here. Por kur e bëjmë këtë, ne kemi këtë premtim nga Zoti: “Do ta shndërroj zinë e tyre në gëzim” (Jeremia 31:13).
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Vajtimeve, shih “Vajtime(ve), Libër i” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti do ta nxjerrë Izraelin nga robëria dhe do ta mbledhë atë.
Te Jeremia 30–31; 33 Zoti e pranoi “vajtim[in] dhe [të] qarë[n] e hidhur” (Jeremia 31:15) që do të përjetonin izraelitët kur të shkonin në robëri. Megjithatë, Ai gjithashtu ofroi fjalë ngushëllimi dhe shprese. Cilat fraza në këta kapituj mendoni se do t’u kishin dhënë izraelitëve ngushëllim dhe shpresë? Çfarë premtimesh gjeni nga Zoti për popullin e Tij? Si mund të gjejnë zbatim këto premtime për ju sot?
“Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre.”
Edhe pse izraelitët e kishin shkelur besëlidhjen e tyre me Zotin, Jeremia profetizoi se Zoti do të vendoste sërish një “besëlidhje të re” dhe “të përjetshme” me popullin e Tij (Jeremia 31:31; 32:40). Besëlidhja e re dhe e përjetshme është “plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit [shih Doktrina e Besëlidhje 66:2]. Është e re çdo herë që zbulohet sërish pas një periudhe braktisjeje. Është e përjetshme në kuptimin që ajo është besëlidhja e Perëndisë dhe është pëlqyer në çdo periudhë kohore të ungjillit, atje ku njerëzit kanë qenë të gatshëm ta pranojnë atë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besëlidhje e Re dhe e Përjetshme”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org; theksimi i shtuar).
Ndërsa lexoni vargjet te Jeremia 31:31–34; 32:37–42, përsiatni se çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e popullit të besëlidhjes së Perëndisë. Si ndikojnë këto vargje në mënyrën se si ju e shihni marrëdhënien tuaj besëlidhëse me Perëndinë? Çfarë do të thotë ta keni ligjin e Tij të shkruar në zemër? (Shih Jeremia 31:33.)
Shih edhe Jeremia 24:7; Hebrenjve 8:6–12.
Shkrimet e shenjta kanë fuqi për të më larguar nga e keqja.
Zoti e urdhëroi Jeremian t’i shënonte profecitë e tij në “një rrotull shkrimi” ose në një pergamenë, duke shpjeguar që, në qoftë se njerëzit do t’i dëgjonin këto profeci, “ndofta … secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, dhe kështu unë do të fal paudhësinë e tyre” (Jeremia 36:2–3). Ndërsa lexoni kapitullin te Jeremia 36, merrni parasysh të vini re se si u ndien njerëzit më poshtë rreth këtyre profecive:
Zoti:
Jeremia:
Baruku:
Jehudi dhe mbreti Jehojakim:
Elnathani, Delahaju dhe Gemariahu:
Përsiatni se si ndiheni rreth shkrimeve të shenjta dhe rolit të tyre në jetën tuaj. Si ju kanë ndihmuar ato që të largoheni nga e keqja?
Shih edhe Julie B. Beck, “My Soul Delighteth in the Scriptures”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 107–109.
Zoti mund ta lehtësojë dhembjen që përjetojmë për shkak të mëkatit.
Libri i Vajtimeve është një përmbledhje e poemave të shkruara pas shkatërrimit të Jerusalemit dhe tempullit të tij. Përse mendoni se është e rëndësishme që këto vajtime të ruheshin dhe të përfshiheshin në Dhiatën e Vjetër? Merrni parasysh se cilat metafora te libri i Vajtimeve 1 dhe 3 ju ndihmojnë të kuptoni dhembjen e madhe që ndjeu Izraeli. Çfarë mesazhesh gjeni të shpresës te Krishti? (Shih sidomos vargjet te Vajtimeve 3:20–33; shih edhe Mateu 5:4; Jakob [Bibël] 4:8–10; Alma 36:17–20).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Jeremia 31:3.Si e kanë treguar Ati Qiellor dhe Jezu Krishti “dashuri[në e Tyre] të përjetshme” për ne? Të treguarit e figurave të gjërave që krijoi Krishti për ne ose të atyre që bëri gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, mund ta ndihmojë familjen tuaj të ndiejë “dashamirësi[në]” e Tij.
-
Jeremia 31:31–34; 32:38–41.Merreni parasysh të bëni një listë të gjërave në këto vargje që Zoti i premton kur ne bëjmë besëlidhje me Të. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth rëndësisë së besëlidhjeve tona?
Pjesëtarët e familjes gjithashtu mund të shkruajnë (ose vizatojnë) në letra me formë zemre diçka që tregon se si ndihen ata për Shpëtimtarin. Çfarë do të thotë ta kemi ligjin e Tij të shkruar në zemrën tonë? (Shih Jeremia 31:33.) Si ia tregojmë Zotit se dëshirojmë të jemi populli i Tij?
-
Jeremia 36.Si mund ta përdorni kapitullin te Jeremia 36 për ta ndihmuar familjen tuaj të mësojë për rëndësinë e shkrimeve të shenjta? (Shih, për shembull, vargjet 1–6, 10, 23–24, 27–28, 32.) Ju mund t’i kërkoni një pjesëtari të familjes të lexojë një varg nga ky kapitull ndërkohë që një pjesëtar tjetër i familjes e shkruan atë në letër, si bëri Baruku për Jeremian. Përse jemi mirënjohës për përpjekjet e njerëzve si Baruku, i cili i ruajti fjalët e profetëve? Çfarë mund të bëjmë për t’i treguar Zotit se i vlerësojmë fjalët e Tij në shkrimet e shenjta?
-
Vajtimeve 3:1–17, 21–25, 31–32.Si familje, ju mund të flisni për mënyrën se si ndjenjat e shprehura në vargjet te Vajtimeve 3:1–17 mund të lidhen me ndjenjat që kemi kur mëkatojmë. Si mund të ndikojnë në jetën tonë mesazhet te vargjet 21–25, 31–32?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 42–43.