“3–9 Tetor. Isaia 58–66: ‘Një Çlirues do të Vijë në Sion’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“3–9 Tetor. Isaia 58–66”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
3–9 Tetor
Isaia 58–66
“Një Çlirues do të Vijë në Sion”
Ndërsa studioni kapitujt tek Isaia 58–66, merreni parasysh se si fjalët e Isaias ju sjellin gëzim dhe shpresë për të ardhmen.
Shënojini Mbresat Tuaja
Në fillim të shërbesës së Tij në tokë, Jezu Krishti vizitoi një sinagogë në Nazaret, në fshatin ku u rrit. Atje Ai u ngrit në këmbë për të lexuar nga shkrimet e shenjta, hapi librin e Isaias dhe lexoi atë që tani e njohim si Isaia 61:1–2. Ai më pas njoftoi: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja”. Kjo ishte një nga deklaratat më të drejtpërdrejta të Shpëtimtarit që Ai ishte I Vajosuri, i cili do të “shër[onte] ata që e kanë zemrën të thyer” dhe do të “shpall[te] çlirimin e të burgosurve” (shih Lluka 4:16–21). Ky shkrim i shenjtë u përmbush me të vërtetë atë ditë. Dhe, ashtu si shumë profeci të Isaias, ai vazhdon të përmbushet në kohën tonë. Shpëtimtari vazhdon t’i shërojë të gjithë njerëzit me zemër të thyer që vijnë tek Ai. Ka ende shumë të burgosur të cilëve duhet t’u shpallet çlirimi. Dhe ka një të ardhme të lavdishme për të cilën të përgatitemi – një kohë kur Zoti do të “krijoj[ë] qiej të rinj dhe një tokë të re” (Isaia 65:17) dhe do të “bëjë që të mbijë drejtësia dhe lëvdimi përpara tërë kombeve” (Isaia 61:11). Leximi i librit të Isaias na i hap sytë për atë që Zoti ka bërë tashmë, atë që Ai po bën dhe atë që Ai akoma do të bëjë për popullin e Tij.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Agjërimi sjell bekime.
Këto vargje sugjerojnë se për shumë izraelitë të lashtë, agjërimi ishte më shumë një barrë sesa një bekim. Ndonjëherë shumë prej nesh mund të jenë ndier ashtu. Nëse do të donit të gjenit më shumë kuptim dhe qëllim në agjërimin tuaj, lexoni tek Isaia 58:3–12 për të gjetur përgjigjet e Zotit ndaj pyetjes “Përse agjërojmë?” Sipas përvojës suaj, si mundet agjërimi t’i “thye[jë] zinxhirët e ligësisë” dhe ta “dërmo[jë] çdo zgjedhë”? (Isaia 58:6.) Si jua ka sjellë agjërimi bekimet që përshkruhen tek Isaia 58:8–12? Si ndikojnë vargjet tek Isaia 58:3–12 në mënyrën se si ju mendoni për agjërimin?
Në mesazhin e tij “Agjërimi që më Pëlqen a Nuk Është Vallë Ky?” (Liahona, maj 2015, f. 22–25), Presidenti Henri B. Ajring tregoi disa shembuj të mënyrës se si njerëzit janë bekuar nëpërmjet agjërimit dhe ofertave të agjërimit. Si keni dëshmuar bekime të ngjashme në jetën tuaj?
Shih edhe Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Fasting and Fast Offerings” [“Agjërimi dhe Ofertat e Agjërimit”] (topics.ChurchofJesusChrist.org).
Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im.
Tek Isaia 58–66 ju do të gjeni referenca të shumta për misionin shlyes të Jezu Krishtit. Këtu janë disa shembuj, së bashku me disa pyetje që t’ju ndihmojnë t’i përsiatni ato.
-
Isaia 59:9–21. Si do ta përmblidhnit gjendjen shpirtërore të njerëzve që përshkruhen te vargjet 9–15? Çfarë ju bën përshtypje rreth përshkrimit të dikujt që “ndërhynte” te vargjet 16–21 dhe besëlidhjes që Ai bën me ata që kthehen tek Ai?
-
Isaia 61:1–3. Si ju ka bekuar Jezu Krishti sipas mënyrave që përshkruhen në këto vargje? Çfarë “lajm[esh] të mir[a]” ju ka sjellë Ai juve? Si ju ka dhënë Ai juve diademë në vend të thëngjijve të hirit?
-
Isaia 63:7–9. Çfarë “mirësi[e të] Zotit” mund të përmendni? Çfarë ndjenjash për Shpëtimtarin ju frymëzojnë në zemër këto vargje?
Çfarë referencash të tjera për Shpëtimtarin gjeni tek Isaia 58–66?
Shih edhe Mosia 3:7; Doktrina e Besëlidhje 133:46–53.
“Zoti do të jetë drita jote e përjetshme.”
Isaia 60 dhe 62 flasin për dritën dhe terrin, sytë dhe shikimin, për të na mësuar rreth mënyrës se si ungjilli i Jezu Krishtit do ta bekojë botën në ditët e fundit. Kërkojini këto koncepte sidomos në vargjet tek Isaia 60:1–5, 19–20; 62:1–2. Ndërsa i lexoni këta kapituj, përsiatni se si Perëndia po i mbledh fëmijët e Tij nga terri në dritën e Tij. Cili është roli juaj në këtë punë?
Shih edhe 1 Nefi 22:3–12; 3 Nefi 18:24; Doktrina e Besëlidhje 14:9; Boni H. Kordën, “Që Ata të Shohin”, Liahona, maj 2020, f. 78–80.
Krishti do të mbretërojë në tokë gjatë Mijëvjeçarit.
Isaia foli për ditën kur “fatkeqësitë e kaluara do të harrohen” (Isaia 65:16). Ndërsa kjo profeci është përmbushur disa herë, në kuptimin e saj të plotë, ajo ditë ende do të vijë – kur Jezu Krishti do të rikthehet në tokë dhe do të vendosë një epokë paqeje dhe drejtësie të quajtur Mijëvjeçari. Isaia e përshkroi këtë ditë të së ardhmes tek Isaia 64:1–5; 65:17–25; 66. Vini re se sa shpesh i përdori ai fjalët si “kënaqet”, “kënaqem”, “ngazëllohu”, “gëzohuni”, “gëzohet” dhe “kënaqësi”. Përsiatni se përse kthimi i Shpëtimtarit do të jetë një ditë gëzimi për ju. Çfarë mund të bëni për t’u përgatitur për ardhjen e Tij?
Shih edhe Nenet e Besimit 1:10; Rasëll M. Nelson, “E Ardhmja e Kishës: Përgatitja e Botës për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit”, Liahona, prill 2020, f. 7–11.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Isaia 58:3–11.Pjesëtarët e familjes mund ta kuptojnë më mirë mesazhin e Isaias për agjërimin nëse interpretojnë me gjeste llojin e agjërimit që përshkruhet tek Isaia 58:3–5 dhe llojin e agjërimit që përshkruhet tek Isaia 58:6–8. Si mund t’i bëjmë agjërimet tona më shumë si “agjërimi që [i] pëlqen [Zotit]”? Çfarë bekimesh keni parë nga agjërimi?
-
Isaia 58:13–14.Cili është ndryshimi midis “kryerj[es së] punëve [tona]” dhe gjetjes “kënaqësi … tek Zoti” në Shabat? Si mund ta bëjmë Shabatin “kënaqësi”?
-
Isaia 60:1–5.Ndërsa lexoni tek Isaia 60:1–3, pjesëtarët e familjes mund të ndezin një dritë kur vargjet përmendin fjalën dritë dhe ta fikin atë kur vargjet përmendin fjalën terr. Në ç’mënyrë ungjilli i Jezu Krishtit është si një dritë për ne? Çfarë parashikoi Isaia se do të ndodhte ndërkohë që populli i Perëndisë e përhap dritën e ungjillit? (Shih Isaia 60:3–5.)
-
Isaia 61:1–3.Si i ka përmbushur Shpëtimtari profecitë e Isaias në këto vargje? Ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes të kërkojnë figura të Shpëtimtarit që ata mendojnë se i ilustrojnë këto aspekte të misionit të Tij (figurat mund të gjenden te revistat e Kishës ose Libri i Figurave Artistike të Ungjillit). Ju gjithashtu mund të këndoni një këngë rreth mënyrës se si Shpëtimtari na bekon, si “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 42–43).
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Kur Ai të Vij’ Përs’ri”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47.