“3–9 Tetor. Isaia 58–66: ‘Një Çlirues do të Vijë në Sion’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“3–9 Tetor. Isaia 58–66”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
3–9 Tetor
Isaia 58–66
“Një Çlirues do të Vijë në Sion”
Idetë për veprimtarinë në këtë përvijim mësimi kanë për qëllim të frymëzojnë krijimtarinë tuaj. Mos u ndieni të detyruar t’i ndiqni me përpikëri ato; ndiqni nxitjet e Shpirtit përpara dhe gjatë mësimit tuaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Shumë prej fjalëve të Isaias dëshmojnë dhe na mësojnë rreth Shpëtimtarit. Tregoni një figurë të Jezu Krishtit dhe ftojini fëmijët të tregojnë diçka që mësuan rreth Tij këtë javë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Shabati mund të jetë për mua një kënaqësi.
Dita e Shabatit është një kohë që ne të kujtojmë Zotin dhe të çlodhemi nga veprimtaritë tona javore. Si mund t’i ndihmoni fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që ta bëjnë Shabatin një kënaqësi?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të përsëritin disa herë frazën: “Qua[jeni] të shtunën kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit” (Isaia 58:13). Shpjegoni se “kënaqësi” do të thotë diçka që na sjell gëzim. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë disa gjëra që u sjellin atyre gëzim. Dëshmoni se Zoti na e dha ditën e Shabatit sepse Ai do që ne të kemi gëzim. Tregojuni fëmijëve se përse dita e Shabatit është për ju një kënaqësi.
-
Lexojuni fëmijëve tek Isaia 58:14: “Do të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti”. Shpjegojuni fëmijëve se Shabati është një ditë e veçantë – një kohë kur ne mund të mendojmë rreth gjërave që bënë Ati Qiellor dhe Jezusi për të na ndihmuar që të jemi të lumtur. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjërat që mund të bëjnë ditën e Shabatit për të kujtuar Atin Qiellor dhe Jezusin. Ftojini t’i vizatojnë idetë e tyre dhe t’ua tregojnë vizatimet njërit‑tjetrit dhe familjeve të tyre.
Unë mund të bëj që drita e Shpëtimtarit të shkëlqejë për të tjerët.
Isaia profetizoi se në ditët e fundit, populli i Zotit do të ishte si një dritë për ata që janë në errësirë. Merreni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët të “çoh[en]” dhe “shkëlqe[jnë]”.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të mbyllin sytë ndërsa lexoni tek Isaia 60:1–3. Kërkojuni t’i hapin sytë kur të dëgjojnë fjalën “dritë” dhe t’i mbyllin ato kur të dëgjojnë fjalën “errësirë”. Shpjegoni se Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij janë si një dritë që na ndihmon të shohim rrugën tonë të kthimit tek Ati Qiellor.
-
Jepini secilit fëmije figurën e një drite (të tillë si një diell, një qiri ose një llambë). Ndihmojini të mendojnë mënyra se si mund ta përhapin dritën e Shpëtimtarit tek të tjerët. Teksa jepet çdo ide, ftojini ata të “çoh[en]” dhe të bëjnë që drita e tyre të “shkëlqe[jë]” duke e mbajtur lart figurën. Tregojuni fëmijëve rreth mënyrave se si i keni parë ata ta përhapin dritën e Shpëtimtarit.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth përhapjes së dritës, të tillë si “Shkëlqe” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 96). Ndihmojini fëmijët të vërejnë fjalë te kënga që ua përforcojnë atë që mësuan nga Isaia 60:1–3.
Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im.
Isaia 61:1–3 jep një përshkrim të fuqishëm të misionit të Shpëtimtarit mbi mësimdhënien dhe shërimin. Kërkoni mënyra për t’i ndihmuar fëmijët të shohin se si Jezu Krishti mund t’i mësojë dhe shërojë ata personalisht.
Veprimtari të Mundshme
-
Lërini fëmijët të mbajnë figura të Jezusit duke dhënë mësim, duke i shëruar dhe duke i ndihmuar të tjerët, ndërsa lexoni tek Isaia 61:1 (shih edhe Libri i Figurave Artistike të Ungjillit). Shpjegoni se Perëndia e dërgoi Jezu Krishtin t’i bënte këto gjëra për të gjithë ne. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë ndjenjat e tyre rreth Jezu Krishtit. Dëshmoni për dashurinë e Shpëtimtarit ndaj secilit prej fëmijëve.
-
Isaia 61:3 i përshkruan ata që e dëgjojnë dhe i binden Zotit, si “lisa të drejtësisë”. Vizatoni në tabelë një pemë dhe ftojini fëmijët të mendojnë për gjëra të drejta që mund të bëjnë. Për çdo ide, lërini fëmijët të vizatojnë një gjethe në pemë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Agjërimi më bekon mua dhe të tjerët në nevojë.
Disa prej fëmijëve që u jepni mësim, mund të jenë mjaft të rritur sa për të agjëruar. Por edhe ata që nuk janë aq të rritur, mund të përfitojnë nga të mësuarit rreth ligjit të Zotit për agjërimin dhe përgatitjes që të agjërojnë kur të jenë gati.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë Pse agjërojmë? dhe Si agjërojmë? Ftojini fëmijët të shkruajnë përgjigje të mundshme në tabelë. Nxitini ata të shqyrtojnë temën “Agjëroj, Agjërim” tek Udhëzuesi për shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) dhe Isaia 58:6–11 për të gjetur përgjigje shtesë. Si mund të na ndihmojnë vargjet tek Isaia 58:6–11 kur agjërimi është i vështirë?
-
Tregojuni fëmijëve një përvojë vetjake me agjërimin, ose tregoni një histori nga një revistë e Kishës rreth agjërimit. Theksojini bekimet që vijnë nga agjërimi me një qëllim shpirtëror. Nëse ndonjë prej fëmijëve ka agjëruar, ftojini që të tregojë përvojat e tij/saj. Nxitini fëmijët të flasin me prindërit e tyre të dielën tjetër të agjërimit rreth asaj se ç’do të thotë të agjërosh. Ndihmojini të kuptojnë se ç’do të thotë të agjërosh me një qëllim të sinqertë dhe një zemër plot lutje.
-
Lexoni së bashku tek Isaia 58:6–7 dhe shpjegoni se një mënyrë se si ne e “nda[jmë]… bukë[n tonë] me atë që ka uri” kur agjërojmë, është duke dhuruar si ofertë agjërimi paratë që do t’i kishim shpenzuar për ushqimin. Tregojuni fëmijëve një mandatdhurim për të dhjetën dhe ofertat e agjërimit dhe shpjegojuni se si ta plotësojnë atë. Ftojini fëmijët të lexojnë tek Isaia 58:8–10, duke kërkuar bekimet që na janë premtuar kur agjërojmë. Si mund të na bekojë agjërimi ne dhe njerëzit në nevojë?
Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im.
Përsiatni se si mund t’i përdorni më së miri fjalët e Isaias për t’ua forcuar dëshminë fëmijëve për Jezu Krishtin si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Jepuni fëmijëve disa minuta për të lexuar në mënyrë të pavarur tek Isaia 61:1–3. Më pas ftojini të shkruajnë në një copë letër ose në një ditar studimi se çfarë u mësojnë këto vargje rreth Jezu Krishtit. Ftojini disa prej fëmijëve që të japin mendimet e tyre.
-
Ftojini fëmijët të tregojnë një frazë nga këto vargje që për ta është veçanërisht domethënëse, dhe të shpjegojnë arsyen. Si na ndihmojnë këto vargje të kuptojmë se çfarë u dërgua të bënte Jezu Krishti në tokë?
Mijëvjeçari do të jetë një kohë paqeje dhe gëzimi.
Isaia pa një kohë kur njerëzit e Perëndisë do të kenë paqe dhe gëzim. Kjo profeci do të përmbushet kur Jezu Krishti të kthehet në tokë dhe të mbretërojë për një mijë vjet – një periudhë që quhet Mijëvjeçar.
Veprimtari të Mundshme
-
Isaia 65:17–25 përshkruan se si do të jetë toka kur Shpëtimtari të vijë përsëri. Ndajini fëmijët në grupe të vogla, duke i dhënë secilit grup disa nga këto vargje për t’i lexuar. Pas disa minutash, bëni së bashku një listë në tabelë për mënyrën se si jeta do të jetë ndryshe në një “tokë të re” të përshkruar në këto vargje (vargu 17). Përse kjo periudhë do të jetë me “gëz[im] dhe ngazëll[im] përjetë”? (Vargu 18.)
-
Përpara orës mësimore, përgatitni shirita fjalësh me fjalë dhe fraza nga neni i dhjetë i besimit. Ftojeni njërin nga fëmijët ta recitojë nenin e besimit dhe kërkojuni fëmijëve t’i vendosin në radhën e duhur shiritat e fjalëve. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se çfarë na mëson ky nen i besimit rreth Mijëvjeçarit.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’ua tregojnë familjeve të tyre diçka që e mësuan sot rreth Shpëtimtarit. Nxitini ata t’i lexojnë shkrimet e shenjta me familjet e tyre këtë javë.