“26 Shtator – 2 Tetor. Isaia 50–57: ‘Ai Mbante Sëmundjet Tona dhe Kishte Marrë Përsipër Dhembjet Tona’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“26 Shtator – 2 Tetor. Isaia 50–57”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
26 Shtator – 2 Tetor
Isaia 50–57
“Ai Mbante Sëmundjet Tona dhe Kishte Marrë Përsipër Dhembjet Tona”
Isaia 50–57 përmban një fjalor të bukur që fëmijët, të cilëve u jepni mësim, mund të mos ta kuptojnë. Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, përsiatini të vërtetat e thjeshta që na mësojnë këto fjalë, dhe se si mund t’i ndihmoni fëmijët t’i mësojnë ato.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nxiteni secilin fëmijë të tregojë se nga e dinë që Jezu Krishti i do ata. Kërkojini të thonë atë që po bëjnë për të treguar se e duan Jezusin.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Jezu Krishti vuajti për mua për shkak se Ai më do.
Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Jezu Krishti vuajti për mëkatet tona dhe mori mbi Vete “sëmundjet tona” dhe “dhembjet tona”. Si do t’u dëshmoni fëmijëve për Shlyerjen e Shpëtimtarit?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitini figurat e Shpëtimtarit duke vuajtur në kryq dhe në Kopshtin e Gjetsemanit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56, 57 ose kapitujt 51–53 te Tregime nga Dhjata e Re). Kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë atë që shohin te figurat, dhe të tregojnë atë që dinë rreth asaj që po ndodh. Çfarë vuajti Jezusi për ne?
-
Lexojuni fëmijëve nga Isaia 53:4: “Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona”. Tregojuni fëmijëve një send të rëndë (ose një figurë të tij) dhe ftojini ata të bëjnë sikur po ngrenë diçka të rëndë. Shpjegoni se “sëmundjet” dhe “dhembjet” (ose trishtimi) mund të duken të rënda dhe të vështira për t’u marrë përsipër. Dëshmoni se Jezu Krishti do të na ndihmojë t’i marrim përsipër këto gjëra për shkak se Ai na do.
Unë mund ta kërkoj Zotin dhe t’i thërras Atij.
Merrni parasysh mënyrën se si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se ç’do të thotë të “kërko[sh]” Jezusin tërë jetën.
Veprimtari të Mundshme
-
Fshihni një figurë të Jezusit diku në dhomë dhe ftojini fëmijët ta gjejnë atë. Lexoni fjalët: “Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet” nga Isaia 55:6. Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa mënyra se si mund ta kërkojnë Zotin – që do të thotë se ata përpiqen fort të mësojnë rreth Tij dhe të vijnë afër Tij. Sa herë që një fëmijë jep një përgjigje, fshiheni sërish figurën dhe ftojeni fëmijën ta “kërko[jë]” atë.
-
Ndihmojini fëmijët të mësojnë fjalët e këngës “Herët Zotin do Kërkoj” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 67) ose një këngë tjetër rreth ardhjes më pranë Shpëtimtarit. Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët të zgjedhin diçka që do të bëjnë për ta “kërk[uar] Zotin”.
-
Lexojeni frazën: “E thirrni ndërsa është afër” tek Isaia 55:6. Si e thërrasim Atin Qiellor? Kërkojuni fëmijëve të flasin rreth asaj që thonë në lutjet e tyre. Dëshmoni se Ati Qiellor i do dhe i dëgjon ata kur luten.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Zoti më fton të “rivish[em] me forcën [time]”.
Tek Isaia 51 dhe 52, Zoti përdori fraza të tilla si “rizgjohu”, “çohu” dhe “rivishu me forcën tënde” për t’i frymëzuar njerëzit e Tij që të jetojnë në nivelin e potencialit të tyre hyjnor. Merrni parasysh se si këto fraza mund t’i frymëzonin fëmijët, të cilëve u jepni mësim.
Veprimtari të Mundshme
-
Përpara orës mësimore, shkruani në tabelë disa fraza nga Isaia 51–52 që shprehin veprime të asaj çka donte Zoti që të bënin njerëzit e Tij, të tilla si: “çoni sytë tuaj drejt qiellit”, “rizgjohu”, “çohu”, “shkunde pluhurin që ke në kurriz” dhe “shpërtheni … në britma gëzimi” (Isaia 51:6,17; 52:2,9). Lërini fëmijët të interpretojnë me radhë njërën nga frazat, ndërkohë që pjesa tjetër e klasës përpiqet të hamendësojë se cili veprim është. Pas çdo radhe, tregojuni fëmijëve frazën në shkrimet e shenjta dhe diskutojeni me ta kuptimin shpirtëror të frazës. Çfarë po na kërkon Zoti të bëjmë? Si mund ta bëjmë secilën prej këtyre gjërave?
-
Ftojini fëmijët të lexojnë tek Isaia 51:1, 4, 7 dhe të përcaktojnë se kujt po i flet Zoti dhe se çfarë do Ai që të bëjnë ata. Çfarë do të thotë ta “dëgjo[jmë]” Zotin? Për ta ilustruar, kërkojini njërit prej fëmijëve të japë udhëzime të thjeshta që duhet të ndjekin të tjerët. Përse është e vështirë nganjëherë t’ia vëmë veshin e t’i bindemi Zotit? Si mund t’ia tregojmë Zotit se ne e “dëgjo[jmë]” Atë?
Jezu Krishti mori mbi Vete mëkatet dhe dhembjet e mia.
Si mund t’i përdorni fjalët e Isaias për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë më thellësisht atë që Shpëtimtari bëri për ta?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni disa figura që përshkruajnë vuajtjen dhe vdekjen e Jezu Krishtit (shih, për shembull, Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56, 57, 58). Lexoni së bashku vargjet tek Isaia 53:3–6, 9 dhe ftojini fëmijët të kërkojnë fraza që përshkruajnë ngjarjet në figura. Dëshmoni se qindra vite përpara se Jezu Krishti të vuante për ne, profetët si Isaia jepnin mësim rreth këtyre ngjarjeve të rëndësishme. Përse do të ishte e rëndësishme që njerëzit t’i dinin këto gjëra shumë vite përpara? (Shih Alma 39:15–19.)
-
Ftojini fëmijët të lexojnë vargjet tek Isaia 53:4–7 dhe të gjejnë fjalë që përshkruajnë atë që Shpëtimtari vuajti për ne. Ftojini ata t’i shkruajnë këto fjalë në tabelë. Përse vuajti Ai për “sëmundjet”, “dhembjet” dhe “paudhësi[të]” tona? (Shih edhe Alma 7:11–12.) Tregojuni fëmijëve se si Shpëtimtari ju ka ndihmuar të merrni përsipër sëmundjet dhe dhembjet tuaja. Lërini të tregojnë se si ndihen rreth Shpëtimtarit dhe asaj që Ai ka bërë për ta.
Rrugët e Zotit janë më të larta se rrugët e mia.
Kur ne kuptojmë se mendimet dhe rrugët e Zotit janë më të larta se tonat, bëhet më e thjeshtë që ne të kemi besim tek Ai.
Veprimtari të Mundshme
-
Pyetini fëmijët se te kush do të shkonin po të kishin një problem të vështirë dhe përse. Lexoni me fëmijët tek Isaia 55:8–9 dhe kërkojuni të mbajnë vesh për arsyen pse duhet ta kërkojmë udhërrëfimin e Zotit kur kemi nevojë për ndihmë.
-
Vizatojini në tabelë qiellin dhe tokën dhe emërtojini Qiejt dhe Toka. Më pas ftojini fëmijët të lexojnë vargun tek Isaia 55:9 për të gjetur se me çfarë i krahasoi Zoti qiejt dhe tokën dhe kërkojuni t’i shtojnë këto emërtime të tjera te vizatimet. Çfarë do të thotë se rrugët dhe mendimet e Zotit janë “më të larta” se tonat? Përse është e rëndësishme ta dimë këtë?
-
Diskutoni me fëmijët disa prej rrugëve të Zotit që janë më të larta se rrugët tona. Për shembull, cila është rruga që ndjek Ai për të trajtuar mëkatarët? (Shih Marku 2:15–17.) Në çfarë rruge i drejton Ai të tjerët? (Shih Mateu 20:25–28.) Nga ndryshojnë rrugët që ndjek Ai, me rrugët që ndjekin të tjerët? Tregojuni fëmijëve se si keni mësuar të keni besim tek udhët dhe mendimet më të larta të Zotit.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Sugjerojuni fëmijëve që të vendosin një synim, i cili mund t’i ndihmojë ata të vijnë më pranë Jezu Krishtit, bazuar në diçka që e mësuan sot në klasë. Ftojini t’ia tregojnë atë synim një pjesëtari/eje të familjes.