“19–25 Shtator. Isaia 40–49: ‘Ngushëlloni Popullin Tim’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“19–25 Shtator. Isaia 40–49”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
19–25 Shtator
Isaia 40–49
“Ngushëlloni Popullin Tim”
Shumë fragmente tek Isaia 40–49 mund t’i ndihmojnë fëmijët ta rritin dashurinë e tyre për Zotin dhe besimin e tyre tek Ai. Kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit për t’i gjetur ato fragmente ndërsa studioni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Lexoni me fëmijët vargun tek Isaia 40:9 dhe ftojini ata të bëjnë sikur po ngjiten në “një mal të lartë” dhe më pas me radhë të ngrenë zërin për të treguar diçka që e mësuan nga shkrimet e shenjta kohët e fundit – qoftë në shtëpi apo në kishë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund të jem një dëshmitar/e i/e Zotit.
Zoti u kujtoi izraelitëve se ata kishin dëshmuar shumë gjëra të mëdha që Ai kishte bërë për ta. Ai donte që ata (dhe të gjithë ne) të jemi dëshmitarët e Tij, duke i ndihmuar të tjerët ta njohin fuqinë dhe mirësinë e Tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve diçka që e keni dëshmuar. Ndihmojini të mendojnë për gjëra që i kanë përjetuar, të cilat mund t’ua tregojnë njëri‑tjetrit ose të qenit “dëshmitar[ë]” për shembull – të një ushqimi të shijshëm që e kanë provuar, një vendi që kanë vizituar ose një personi që e njohin. Lexojuni fëmijëve nga Isaia 43:10: “Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti, bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur”. U thoni fëmijëve se kur pagëzohemi, ne premtojnë të jemi një dëshmitar i Jezu Krishtit (shih Mosia 18:9). Çfarë do të thotë të jesh dëshmitar i Zotit?
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Tregojuni atyre figura për t’u dhënë ide (për shembull, figura të Ringjalljes së Shpëtimtarit, Librit të Mormonit, tempullit dhe profetit të gjallë). Ftojini ata të flasin rreth asaj që mund t’u tregojnë të tjerëve si dëshmitarë të Zotit.
“Përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër.”
Jezu Krishti është i vetmi që mund të na shpëtojë nga mëkati dhe vdekja. Përsiatni rreth mënyrës se si do t’i frymëzoni fëmijët ta vendosin besimin e tyre tek Ai.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të përfytyrojnë një situatë në të cilën mund t’u nevojitet ndihmë (të tillë si kur janë sëmurë ose i ka kapur një stuhi). Tregoni disa sende (ose figura të sendeve) të tilla që do t’u vinin në ndihmë në atë situatë, dhe të tjera që nuk do t’u vinin në ndihmë. Për shembull, një çadër do t’u vinte në ndihmë në një stuhi, por një gotë me ujë dhe një laps, nuk do t’u vinin në ndihmë. Kërkojuni fëmijëve të zgjedhin sendin që do t’u vinte në ndihmë në atë situatë. Tregoni figura të Shpëtimtarit për t’i ndihmuar fëmijët të flasin rreth mënyrës se si Ai na ndihmon ne.
-
Lexojuni fëmijëve vargun tek Isaia 43:11 dhe kërkojuni të tregojnë me gisht një figurë të Jezusit kur dëgjojnë fjalën “Shpëtimtar”. Dëshmoni se, ngaqë Jezu Krishti vuajti dhe vdiq për ne dhe u ringjall, Ai është i vetmi që mund të na shpëtojë nga mëkatet tona dhe nga vdekja.
Zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë sjell paqe.
Zoti premton paqe si “një lumë” dhe drejtësi si “valët e detit” ndaj atyre që i zbatojnë urdhërimet e Tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve tek Isaia 48:18. Ftojini ata të lëvizin duart dhe krahët si lumë dhe si valë. Bisedoni rreth mënyrës se si zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ju ka ndihmuar të ndiheni paqësorë si lumi ose të fortë si vala.
-
Vizatoni një lumë në tabelë. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për urdhërimet që na ka dhënë Perëndia. Shkruajini ato urdhërime në copa letre (ose vizatoni figura të thjeshta të tyre) dhe lërini fëmijët t’i bashkëngjitin në tabelë me radhë urdhërimet te lumi. Ndihmojini fëmijët të mësojnë se si zbatimi i urdhërimeve sjell paqe.
-
Këndoni së bashku një himn rreth urdhërimeve, të tillë si “Mbaj Urdhërimet” (Himne, nr. 198). Çfarë na mëson ky himn rreth arsyes pse duhet t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund të ndihmoj të përgatit “udhën e Zotit”.
Ne ndihmojmë të përmbushim profecinë tek Isaia 40:3–5 duke i ndihmuar të tjerët ta pranojnë Zotin në jetën e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojini një fëmije të lexojë vargun tek Isaia 40:3 ndërkohë që secili prej fëmijëve të tjerë lexon njërin nga fragmentet vijuese dhe kërkon fjalë dhe fraza të ngjashme: Marku 1:3–4 (Gjon Pagëzori); Alma 7:9 (Alma); Doktrina e Besëlidhje 33:10–11 (misionarët e ditëve të mëvonshme). Ndihmojini ata të përcaktojnë se kush po e përgatit “udhën e Zotit” në secilin fragment. Si e përgatitën këta njerëz udhën e Zotit? Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar?
-
Në tabelë vizatoni një shteg dhe lexoni me fëmijët vargjet tek Isaia 40:3–5. Kërkojuni fëmijëve të renditin pengesa që mund t’i ndalojnë njerëzit për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe ftojini ata të vizatojnë pengesa përgjatë shtegut. Lërini t’i fshijnë pengesat ndërsa ju flisni për mënyra se si ne mund t’i ndihmojmë njerëzit t’i kapërcejnë ato.
Zoti është me mua në sprovat e mia.
Kur ne bëjmë besëlidhje me Zotin, Ai na bën premtime se do të jetë me ne – edhe gjatë sprovave tona. Ndihmojini fëmijët ta shohin veten si pjesë të popullit të besëlidhjes së Zotit dhe si marrës të premtimeve të Tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë Unë jam… dhe [do] të…. Ftojini fëmijët të lexojnë vargjet tek Isaia 41:10 dhe Isaia 43:1–5 për të gjetur se kush thotë Zoti se është dhe se çfarë thotë Ai se do të bëjë. Çfarë frazash të tjera përsëriten në këto vargje? Si mund të na japin ngushëllim dhe shpresë këto mesazhe gjatë kohëve të vështira?
-
Lexoni së bashku vargun tek Isaia 48:10 dhe flisni rreth asaj se çfarë është një furrnaltë dhe për mënyrat e ndryshme që përdoret. Shpjegoni se metalet rafinohen në një furrnaltë. Pse furrnalta është një mënyrë e mirë për të përshkruar pikëllimin? Si mund të na rafinojnë pikëllimet tona? (Shih Alma 62:41.)
Zoti nuk do të më harrojë kurrë.
Kur ndihemi të largët nga Zoti për shkak të mëkatit, sprovave ose ndonjë arsyeje tjetër, mesazhi tek Isaia 49:14–16 mund të sjellë ngushëllim.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të lexojnë vargun tek Isaia 49:14. Çfarë mund t’i bëjë njerëzit të ndihen të harruar ose të braktisur? Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të dinë se Zoti nuk i ka harruar ata? Nga ta dimë se Ai nuk na ka harruar?
-
Ftojini fëmijët të flasin rreth dikujt që e njohin, të cilin/cilën nuk do ta harrojnë asnjëherë, si një pjesëtar/e të familjes ose një mik/e. Diskutoni se si ndihet një nënë e dashur për fëmijët e saj dhe se si ndihet Zoti për ne. Më pas kërkojuni fëmijëve të lexojnë vargjet tek Isaia 49:15–16. Sipas këtyre vargjeve, përse Zoti nuk do të na harrojë asnjëherë? Ftojini fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre rreth Jezu Krishtit.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të mendojnë për diçka që e mësuan sot, rreth së cilës dëshirojnë të mësojnë më shumë. Ndihmojini të shkruajnë një pyetje rreth saj, që mund t’ia bëjnë një prindi ose një pjesëtari tjetër të familjes.