“10–16 Tetor. Jeremia 1–3; 7; 16–18; 20: ‘Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“10–16 Tetor. Jeremia 1–3; 7; 16–18; 20”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
10–16 Tetor
Jeremia 1–3; 7; 16–18; 20
“Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur”
“Synimi i çdo mësuesi të ungjillit … është që të japë mësim doktrinën e pastër të ungjillit, me anë të Shpirtit, me qëllim që t’i ndihmojë fëmijët e Perëndisë për ta ndërtuar besimin e tyre te Shpëtimtari dhe për t’u bërë më shumë si Ai” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, kapaku i përparmë).
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Shkruani në copa letre disa fjalë kyç nga studimi i kësaj jave për Jeremian, të tilla si profet, ujë i gjallë, mbledhje dhe argjilë. Vendosini letrat në një enë dhe ftojini fëmijët të zgjedhin njërën dhe të japin çfarëdo mendimi që kanë rreth saj. Ndihmojini të shohin se si lidhet fjala me diçka që dha mësim Jeremia.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Ati Qiellor më njihte përpara se të lindesha.
Për shkak se jetuam me Perëndinë përpara se të vinim në tokë, Ai na njeh, ndonëse ne nuk e mbajmë mend Atë. Si do t’i ndihmoni fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë këtë të vërtetë të rëndësishme?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve nga Jeremia 1:5 dhe shpjegoni se Perëndia e njihte profetin Jeremia përpara se të lindte. I thoni secilit fëmijë, individualisht, se Ati Qiellor e njihte edhe atë përpara se të lindte dhe se Ai e dërgoi secilin prej nesh këtu për një qëllim.
-
Tregojuni fëmijëve një figurë të një foshnjeje dhe pyetini fëmijët a e dinë se ku jetoi kjo foshnjë përpara se të lindte. Këndoni së bashku një këngë që na mëson rreth jetës sonë paratokësore me Perëndinë, të tillë si “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” ose “N’Qiell Jetova” (Himne, nr. 196, Liahona, prill 1999). Flisni rreth ndjenjave shpirtërore që sjell kënga. Jepni dëshminë tuaj se të gjithë ne jetuam dikur me Atin Qiellor dhe se Ai na dërgoi këtu në tokë.
Profetët thirren të thonë fjalët e Zotit.
Thirrja e Jeremias tregon atë që Zoti u kërkon profetëve të bëjnë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që ta forcojnë dëshirën e tyre për të ndjekur profetin e gjallë?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve një figurë të profetit të gjallë dhe ftojini ata të tregojnë atë që dinë rreth tij. Çfarë bëjnë profetët? Lexojuni fëmijëve atë që Zoti i tha një profeti tjetër, Jeremias, te Jeremia 1:7. Ftojini fëmijët të ecin në vend numëro kur të lexoni frazën “të shkosh te të gjithë ata te të cilët do të të dërgoj unë” dhe të bëjnë sikur flasin kur ju të lexoni frazën “t’u thuash tërë ato që do të urdhëroj”. Jepni dëshminë tuaj se profetët bëjnë dhe thonë atë që Zoti urdhëron.
-
Tregoni figura të profetëve nga shkrimet e shenjta (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, revistat e Kishës dhe manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Lërini fëmijët t’ju tregojnë atë që dinë rreth këtyre profetëve. Shkurtimisht u tregoni fëmijëve diçka që bëri secili profet për të ndihmuar në veprën e Perëndisë. Jepni dëshminë tuaj se profetët thirren nga Perëndia për të thënë fjalët e Tij dhe për t’u shërbyer njerëzve të Tij.
Unë mund t’i ndihmoj fëmijët e Atit Qiellor që të kthehen tek Ai.
Duke cituar vargun te Jeremia 16:16, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Misionarët tanë i kanë kërkuar njerëzit e Izraelit të shpërndarë; ata i kanë ndjekur hap pas hapi ‘në të çarat e shkëmbinjve’ dhe kanë peshkuar për ta si në kohët e lashta” (“The Gathering of Scattered Israel”, Liahona, nëntor 2006, f. 81; “Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 108 [gjithashtu edhe në https://www.churchofjesuschrist.org/study/general-conference/2006/10/the-gathering-of-scattered-israel?lang=alb]).
Veprimtari të Mundshme
-
Ndërsa lexoni te Jeremia 16:16, ftojini fëmijët të bëjnë sikur po peshkojnë ose kanë dalë për gjueti. Shpjegoni se peshkatarët dhe gjuetarët në këtë varg mund të përfaqësojnë misionarët. Ftojini fëmijët të bëjnë sikur janë misionarë. Çfarë bëjnë misionarët? Si mund t’i ndihmojmë ata?
-
Krijoni një lojë me përputhje duke përdorur faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Kur një fëmijë gjen figura që përputhen, flisni rreth asaj që tregon figura se mund të bëjmë për t’i ndihmuar fëmijët e Atit Qiellor që të kthehen tek Ai.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Profetët thirren të thonë fjalën e Zotit.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët që ta forcojnë besimin e tyre te roli i profetëve në mbretërinë e Perëndisë dhe kuptueshmërinë për atë rol?
Veprimtari të Mundshme
-
Përzgjidhni disa vargje kyç nga Jeremia 1 që na mësojnë të vërteta të rëndësishme rreth profetëve, të tilla si vargjet 5, 7, 10 dhe 19. Ftojeni secilin fëmijë të zgjedhë njërin nga vargjet, ta lexojë dhe të tregojë diçka që mësoi nga vargu rreth profetëve. Ftojini disa fëmijë që të japin dëshmitë e tyre për ndjekjen e profetit.
-
Tregoni një figurë të një profeti të gjallë dhe këndoni së bashku një himn rreth profetëve, të tillë si “Dëgjojm’ Zën’ e një Profeti” (Himne nr. 16). Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë me gjëra që profetët e gjallë na kanë kërkuar të bëjmë. Përzgjidhni një mesazh të konferencës së fundit nga profeti dhe ndihmojini fëmijët të gjejnë këshillë në mesazhin e tij. Si po e ndjekim ne profetin? Diskutoni se si këshillat nga profetët na ndihmojnë ta ndjekim më mirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
-
Shfaqni materialin filmik: “Why Do We Have Prophets?” [“Përse Kemi Profetë?”] (ChurchofJesusChrist.org [edhe në https://www.youtube.com/watch?v=71l4zayIa44&t=28s]) dhe kërkojuni fëmijëve se si do t’ia shpjegonin një miku/eje se përse është bekim që kemi një profet të gjallë (shih Nenet e Besimit 1:6, 9). Ftojini fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre rreth profetit të gjallë.
Unë mund të jem pjesë e mbledhjes së Izraelit.
Mesazhi rreth mbledhjes së Izraelit që gjendet te Jeremia 16:14–15, mund të sigurojë një mundësi të shkëlqyer për t’u folur fëmijëve rreth punës misionare dhe për historinë familjare. Kjo është një mënyrë se si ne “qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë” (Mosia 18:9).
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku te Jeremia 16:14 dhe kërkojuni fëmijëve të japin hollësi që i mbajnë mend, rreth mënyrës se si “Zoti… [i] nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit” (shih Eksodi 14). Ftojini të lexojnë te Jeremia 16:15 për të zbuluar se çfarë ngjarje tha Jeremia se do të ishte edhe më e paharrueshme sesa ajo. Shpjegoni se Izraeli ishte shpërndarë në të gjithë tokën, por Perëndia premtoi që ta mblidhte atë sërish tek Ai dhe Kisha e Tij. Kjo quhet mbledhja e Izraelit. Si është kjo e ngjashme me çlirimin e popullit nga robëria?
-
Jepni këtë thënie nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet” (Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], material shtesë për revistat New Era dhe Ensign, 15 gusht 2018 ChurchofJesusChrist.org). Si mund të ndihmojmë që Izraeli të mblidhet?
-
Këndoni së bashku një këngë rreth punës misionare, të tillë si “Shpresoj të më Th’rrasin në Mision” ose “Thirrur t’i Shërbejm’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 91; Himne, nr. 158), ose shfaqni materialin filmik “Your Day for a Mission” [“Dita Juaj për një Mision”] (ChurchofJesusChrist.org). Pyetini fëmijët se çfarë mësojnë nga kënga ose materiali filmik rreth arsyes përse dikush do të zgjidhte që të shërbente në një mision.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të marrin në shtëpi një kopje të faqes së veprimtarisë së kësaj jave dhe ta luajnë lojën me përputhje me familjet e tyre. Nxitini ata të flasin me familjet e tyre rreth asaj se si puna misionare i ka bekuar ata.