“17–23 Tetor. Jeremia 30–33; 36; Vajtimeve 1; 3: ‘Do ta Shndërroj Zinë e Tyre në Gëzim’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“17–23 Tetor. Jeremia 30–33; 36; Vajtimeve 1; 3”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
17–23 Tetor
Jeremia 30–33; 36; Vajtimeve 1; 3
“Do ta Shndërroj Zinë e Tyre në Gëzim”
Libri i Jeremias dhe Vajtimeve mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar nga fëmijët, por prapëseprapë klasa juaj mund të marrë mësime nga parimet e dhëna në këta libra. Çfarë jeni të frymëzuar të tregoni?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Qarkulloni në klasë një kopje të Biblës. Ndërsa fëmijët e mbajnë librin, kërkojuni atyre të tregojnë diçka që e pëlqejnë shumë nga Dhiata e Vjetër – mbase një parim ose një histori të parapëlqyer, prej së cilës kanë mësuar në shtëpi ose në kishë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Ati Qiellor dhe Jezusi më duan.
Nëse ndiejnë “dashuri të përjetshme” nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, kjo do t’i ndihmojë fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që të vijnë më pranë Tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve disa sende (ose figura të sendeve) që rezistojnë për një kohë të gjatë, dhe disa që nuk rezistojnë, të tilla si një monedhë metalike dhe një thelë frute. Pyetini fëmijët se cila do të rezistojë më gjatë dhe diskutoni se përse disa gjëra rezistojnë më gjatë se disa të tjera. Lexoni te Jeremia 31:3 dhe ndihmojini fëmijët të kuptojnë se dashuria që kanë për ta Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, është e “përjetshme”.
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e tregojnë “dashamirësi[në]” e Tyre për ta (Jeremia 31:3). Për t’u dhënë ide fëmijëve, këndoni një këngë rreth dashurisë së Tyre për ne, të tillë si “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej” ose “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 42–43, 16–17). Nëse është e mundur, tregojuni figura të gjërave që përmenden në këngë. Si ndihemi kur mendojmë rreth dashurisë së Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Shkrimet e shenjta janë fjala e Perëndisë.
Zoti i tha Jeremias që t’i shkruante fjalët e Tij, dhe shkrimet e Jeremias janë ruajtur për ne në librin e Jeremias. Ndihmojini fëmijët ta thellojnë dashurinë e tyre për shkrimet e shenjta, ku ne gjejmë fjalën e Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni një fëmijë të bëjë sikur është Jeremia dhe ftojini fëmijët e tjerë të jenë Baruku. Ndihmojeni fëmijën që po interpreton Jeremian, të thotë disa fjalë nga Jeremia 36:3 ndërkohë që fëmijët e tjerë të bëjnë sikur po i shkruajnë ato, siç bëri Baruku. Dëshmoni se shkrimet e shenjta sot janë “fjalët [e] Zoti[t]” (Jeremia 36:4) që Ai ua kërkoi profetëve t’i shkruanin.
-
Paraqitni një libër fëmijësh dhe një kopje të shkrimit të shenjtë dhe kërkojuni fëmijëve të flasin rreth ndryshimeve që vënë re ndërmjet librave. Çfarë i bën të veçanta shkrimet e shenjta? Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se shkrimet e shenjta janë fjala e Perëndisë e shkruar nga profetët, njësoj siç është libri i Jeremias që Perëndia i tha ta shkruante.
Unë mund t’ua tregoj të tjerëve atë që po mësoj nga shkrimet e shenjta.
Fëmijët mund të kenë ndikim të madh te njerëzit rrotull tyre. Sikurse Baruku, ata mund t’ua tregojnë të tjerëve atë që po mësojnë në shkrimet e shenjta.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të bëjnë veprime që përputhen me fjalët ndërkohë që lexoni (ose përmblidhni) vargjet nga Jeremia 36:4–10, të tilla si të bëjnë sikur po shkruajnë në një libër (shih vargun 4), sikur po mbahen te hekurat e burgut (shih vargun 5) dhe sikur po ua lexojnë njerëzve shkrimet e shenjta (shih vargjet 8, 10). Theksoni se Baruku pati guximin t’ua lexonte njerëzve fjalët e Jeremias edhe pse udhëheqësit në Jerusalem nuk donin që ai t’ua lexonte. Ndihmojini fëmijët të kujtojnë diçka që e kanë mësuar nga Dhiata e Vjetër, dhe të mendojnë mënyra se si mund t’ua tregojnë atë të tjerëve.
-
Këndoni një këngë rreth shkrimeve të shenjta, të tillë si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66). Jepni dëshminë tuaj për shkrimet e shenjta dhe ftojini edhe fëmijët të japin dëshmitë e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund t’i mbaj besëlidhjet e mia me Perëndinë.
Mësimet e Jeremias rreth besëlidhjes së re dhe të përjetshme të Zotit mund t’i ndihmojë fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që ta forcojnë dëshirën për t’i mbajtur besëlidhjet e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Vizatoni në tabelë një zemër dhe ftojeni gjysmën e fëmijëve të lexojë te Jeremia 31:31–34 dhe gjysmën tjetër të lexojë te Jeremia 32:38–41. Ftojini grupet të shkruajnë te zemra gjërat që i mësuan nga vargjet e tyre rreth besëlidhjeve tona me Perëndinë. Nga ndryshon pasja e ligjit të Perëndisë të shkruar në zemrat tona (shih Jeremia 31: 33) me thjesht leximin e tij në shkrimet e shenjta? Përse duam që të bëjmë besëlidhje me Zotin? Përse do Ai që të bëjë besëlidhje me ne?
-
Për t’i shqyrtuar besëlidhjet që bëjmë kur pagëzohemi, ftojini fëmijët të bëjnë një tabelë me dy kolona në një fletë letre me tituj Premtimet e Mia dhe Premtimet e Perëndisë. Kërkojuni ta plotësojnë tabelën duke përdorur vargjet te Mosia 18:10, 13 dhe Doktrina e Besëlidhje 20:37. Ftojini fëmijët ta ekspozojnë letrën në shtëpi për t’i ndihmuar ata të kujtojnë që t’i mbajnë besëlidhjet e tyre.
Shkrimet e shenjta janë fjala e Perëndisë.
Rrëfimi te Jeremia 36 mund t’i ndihmojë fëmijët të mësojnë nga shembujt e njerëzve që e pranuan fjalën e Zotit në shkrimet e shenjta.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruajini në tabelë këto pyetje: Pse? Kush i vlerësoi shkrimet e shenjta? Kush nuk i vlerësoi? Lexojini së bashku vargjet te Jeremia 36:1–3 dhe pyetini fëmijët se pse Zoti donte që Jeremia t’i shkruante fjalët e Tij. Më pas kërkojuni fëmijëve të punojnë së bashku në dyshe duke lexuar te Jeremia 36: 5–8, 20–25 dhe të përcaktojnë se kush tregoi vlerësim për shkrimet e shenjta dhe kush jo. Flisni për arsyen pse i vlerësoni shkrimet e shenjta. Tregoni një fragment të shkrimit të shenjtë ose një histori që për ju është veçanërisht domethënëse. Ftojini edhe fëmijët të tregojnë.
-
Ftojini fëmijët të përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’u ushtruar duke ia treguar njëri-tjetrit rrëfimin te Jeremia 36. Ftojini ata të japin dëshmitë e tyre për shkrimet e shenjta.
Shpëtimtari e bëri të mundur që unë të falem nga mëkatet e mia.
Siç përshkruhet në librin e Vajtimeve në mënyrë poetike, shpeshherë ne ndihemi të trishtuar kur mëkatojmë. Këto ndjenja mund të na frymëzojnë që të ndryshojmë dhe t’i kërkojmë Ati Qiellor për falje.
Veprimtari të Mundshme
-
Shpjegojuni fëmijëve se për shkak se izraelitët nuk u penduan, Jerusalemi dhe tempulli atje u shkatërruan. Kërkojuni fëmijëve të flasin mbi mënyrën se si mund të ishin ndier po të kishin jetuar në atë kohë në Jerusalem. Lexoni së bashku te Vajtimeve 1:1–2, 16. Cilat fjalë dhe fraza në këto vargje na ndihmojnë të kuptojmë se si mund të jenë ndier izraelitët? Si mund t’u ketë dhënë atyre shpresë mesazhi te Vajtimeve 3:22–26?
-
Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për një rast kur janë ndier të trishtuar ngaqë bënë një zgjedhje të keqe. Çfarë gjejnë te Vajtimeve 3:22–26 që i ndihmon ata të dinë se Zoti është i gatshëm t’i falë ata?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’u kërkojnë pjesëtarëve të familjes të tregojnë përvoja që lidhen me parimet që studiuat në klasë. Për shembull, nëse i diskutuat shkrimet e shenjta, fëmijët mund t’i kërkojnë një pjesëtari/eje të familjes që të tregojë se si e di ai ose ajo se shkrimet e shenjta janë të vërteta.