“26 Shtator – 2 Tetor. Isaia 50–57: ‘Ai Mbante Sëmundjet Tona dhe Kishte Marrë Përsipër Dhembjet Tona’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“26 Shtator – 2 Tetor. Isaia 50–57”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
26 Shtator – 2 Tetor
Isaia 50–57
“Ai Mbante Sëmundjet Tona dhe Kishte Marrë Përsipër Dhembjet Tona”
Përsiatni idetë nga kapitujt tek Isaia 50–57 që ju ndihmojnë t’i afroheni më pranë Shpëtimtarit. Shënojini mbresat që merrni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Gjatë gjithë shërbesës së tij, Isaia foli për një çlirues të fuqishëm (shih, për shembull, Isaia 9:3–7). Këto profeci do të ishin veçanërisht të çmuara për izraelitët shekuj më parë kur ata ishin në robëri në Babiloni. Dikush që mund t’i shembte muret e Babilonisë, do të ishte vërtet një pushtues i fuqishëm. Por ky nuk është lloji i Mesias që përshkroi Isaia te kapitujt 52–53: “I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja. … Ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur” (Isaia 53:3–4). Duke dërguar një çlirues të tillë të paparashikuar, Perëndia na mësoi rreth çlirimit të vërtetë. Për të na shpëtuar nga keqtrajtimi dhe mundimet, Perëndia dërgoi Njërin i cili Vetë “ishte i keqtrajtuar dhe i përulur”. Atje ku disa prisnin një luan, Ai dërgoi një qengj (shih Isaia 53:7). Sigurisht, rrugët e Perëndisë nuk janë rrugët tona (shih Isaia 55:8–9). Jezu Krishti na çliron jo vetëm duke e hapur burgun, por duke zënë vendin tonë atje. Ai na çliron nga zinxhirët e sëmundjes dhe dhembjes sonë duke i mbajtur ato Vetë (shih Isaia 53:4–5, 12). Ai përfshihet personalisht për ta shpëtuar secilin prej nesh. Ai vuan me ne, në një akt “dashuri[e] të përjetshme” që “nuk do të largohet prej teje” (Isaia 54:8, 10).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
E ardhmja është e shndritshme për popullin e Zotit.
Edhe pse izraelitët kaluan shumë vite në robëri – dhe megjithëse ajo robëri ishte rezultat i vetë zgjedhjeve të tyre të këqija – Zoti dëshironte që ata ta shihnin të ardhmen me shpresë. Çfarë mesazhesh shprese gjeni tek Isaia 50–52? Çfarë na mëson Zoti për veten e Tij në këta kapituj dhe përse kjo ju jep shpresë? (Shih, për shembull, Isaia 50:2, 5–9; 51:3–8, 15–16; 52:3, 9–10).
Ju gjithashtu mund të renditni çdo gjë te kapitujt 51–52 që Zoti e fton Izraelin të bëjë për ta bërë realitet këtë të ardhme plot shpresë. Çfarë mendoni se po ju fton Zoti të bëni nëpërmjet këtyre fjalëve? Për shembull, çfarë mendoni se do të thotë “zgjohu” dhe “vishu me forcë”? (Isaia 51:9; shih edhe Isaia 52:1; Doktrina e Besëlidhje 113:7–10.) Si mendoni ju, përse përsëritet kaq shpesh ftesa për të “mba[jtur] vesh” (ose për “t’ia v[ë]n[ë] veshin me qëllimin që të bindeni”)? (Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89.)
Shih edhe Mosia 12:20–24; 15:13–18; 3 Nefi 20:29–46.
Jezu Krishti mori mbi veten e Tij mëkatet dhe dhembjet tona.
Pak kapituj në shkrimin e shenjtë e përshkruajnë misionin shëlbues të Jezu Krishtit më bukur sesa Isaia 53. Gjeni kohë për t’i përsiatur këto fjalë. Në secilin varg bëni një ndalesë për të menduar thellë për ato që vuajti Shpëtimtari – “sëmundjet”, “dhembjet” dhe “shkeljet” që Ai duroi – për të gjithë njerëzit dhe veçanërisht për ju. Ndërsa lexoni, ju mund t’i zëvendësoni fjalët si “ne” dhe “tonë”, “tona” me “unë” dhe “im”. Çfarë ndjenjash ose mendimesh frymëzojnë këto vargje tek ju? Merreni parasysh t’i hidhni ato në letër.
Ju mund të doni të shqyrtoni kapitujt te Mosia 14; 15:1–13 për të kuptuar se si profeti Abinadi i përdori fjalët e Isaias për të dhënë mësim rreth Shpëtimtarit.
Jezu Krishti dëshiron që unë të kthehem tek Ai.
Ne të gjithë kemi raste kur ndihemi larg Zotit për shkak të mëkateve ose dobësive tona. Disa madje kanë hequr dorë nga shpresa se Ai do t’i falë ndonjëherë ata. Isaia 54 dhe 57 janë kapituj të mrekullueshëm për t’u lexuar për sigurinë dhe nxitjen gjatë kohëve të tilla. Veçanërisht tek Isaia 54:4–10; 57:15–19, çfarë mësoni për mëshirën e Shpëtimtarit dhe ndjenjat e Tij për ju? Çfarë ndryshimi sjell në jetën tuaj njohuria për këto gjëra rreth Tij?
Si gjejnë zbatim për ju bekimet që përshkruhen tek Isaia 54:11–17?
Zoti i fton të gjithë që t’i “përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime”.
Për breza të tërë, Izraeli është identifikuar si populli i besëlidhjes së Perëndisë. Megjithatë, plani i Perëndisë ka përfshirë përherë më shumë sesa vetëm një komb, pasi “ju të gjithë që keni etje”, ftoheni të “[vini] tek ujërat” (Isaia 55:1). Mbajeni këtë në mendje ndërsa lexoni tek Isaia 55 dhe 56 dhe përsiatni se çfarë do të thotë të jesh populli i Perëndisë. Cili është mesazhi i Perëndisë për ata që ndihen “[të] përjashtuar” prej Tij? (Isaia 56:3.) Merreni parasysh të shenjoni vargjet që përshkruajnë qëndrimet dhe veprimet e atyre që “i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime” (shih Isaia 56:4–7).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Isaia 51–52.Ndërsa diskutoni për ftesat e Zotit në këta kapituj, ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes t’i interpretojnë ato me gjeste. Për shembull, si është të “ço[sh] sytë [e tu] drejt qiellit”, të “rizgjoh[esh], [të] çoh[esh]” ose “shkund[ësh] pluhurin që ke në kurriz”? (Isaia 51:6, 17; 52:2.) Çfarë na mësojnë këto fraza rreth ndjekjes së Jezu Krishtit?
-
(Isaia 52:9.)Pasi ta lexojë këtë varg, familja juaj mund të këndojë së bashku një himn ose këngë për fëmijë që i sjell gëzim. Cilat premtime tek Isaia 52 na bëjnë të “shpërthe[jmë] … në britma gëzimi”?
-
Isaia 52:11; 55:7.Këto vargje mund të çojnë në një diskutim rreth asaj se çfarë mund të nënkuptojë fraza “pastrohuni”. Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund të shqyrtoni temat te materiali Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011) ose të lexoni shkrime të shenjta rreth bekimeve të të qenit të pastër shpirtërisht (shih 3 Nefi 12:8; Doktrina e Besëlidhje 121:45–46).
-
Isaia 53.Për ta paraqitur përshkrimin e Isaias për Shpëtimtarin, familja juaj mund të flasë rreth asaj se si historitë, filmat dhe mjete të tjera informimi shpesh përshkruajnë heronj që shpëtojnë njerëz. Ju mund t’i krahasoni ato përshkrime me përshkrimet për Shpëtimtarin që i lexoni tek Isaia 53. Ju gjithashtu mund të shihni materialin filmik “My Kingdom Is Not of This World” [“Mbretëria Ime nuk i Përket Kësaj Bote”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe të flisni rreth asaj se si u përmbushën profecitë tek Isaia 53. Cilat janë disa nga sëmundjet dhe dhembjet që Shpëtimtari mban për ne?
-
Isaia 55:8–9.Si duken ndryshe gjërat kur qëndroni në një lartësi nga toka? Çfarë do të thotë për ju se rrugët dhe mendimet e Perëndisë janë më të larta se tuajat?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Qëndroj Plot Habi”, Himne, nr. 113.