Dhiata e Vjetër 2022
14–20 Nëntor. Amos; Abdia: “Kërkoni Zotin dhe do të Rroni”


“14–20 Nëntor. Amos; Abdia: ‘Kërkoni Zotin dhe do të Rroni’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“14–20 Nëntor. Amos; Abdia”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

fytyra e Jezusit e ndriçuar nga qirinj në një dhomë të errët

Buka e Jetës, nga Chris Young

14–20 Nëntor

Amos; Abdia

“Kërkoni Zotin dhe do të Rroni”

Kur përqendroheni te mësimdhënia e doktrinës së vërtetë në mënyra të thjeshta, ju siguroni mundësi që Fryma e Shenjtë t’u dëshmojë fëmijëve. Përdorini veprimtaritë në këtë përvijim mësimi – ose krijoni një tuajën – për t’ju ndihmuar që t’i jepni mësim parimet e ungjillit në mënyra të thjeshta.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kërkojuni fëmijëve të tregojnë diçka që e mësuan kohët e fundit në shtëpi ose në kishë. Për shembull, pyetini a kanë gjetur ndonjë shkrim të shenjtë të ri të parapëlqyer ose a kanë dëgjuar një mesazh që mund t’ia tregojnë klasës.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Amos 3:7; 7:14–15

Profetët janë lajmëtarë të Jezu Krishtit.

Një nga gjërat më të rëndësishme që fëmijët mund të dinë rreth profetëve, është se ata janë lajmëtarë të Jezu Krishtit. Idetë më poshtë mund t’ju ndihmojnë t’ua mësoni atyre këtë të vërtetë domethënëse.

Veprimtari të Mundshme

  • Pëshpëritini njërit prej fëmijëve një mesazh për pjesën tjetër të klasës (të tillë si t’u kërkoni fëmijëve të qëndrojnë me një këmbë ose të bëjnë një rrotullim) dhe kërkojini atij ose asaj t’ia tregojë mesazhin një fëmije tjetër. Përsëriteni këtë veprimtari, duke lejuar disa fëmijë të tjerë të jenë lajmëtarët. Ndihmojini të kuptojnë se si lajmëtari në këtë veprimtari është si një profet, i cili na jep mesazhin e Perëndisë. Jepni disa shembuj të mesazheve të fundit nga profeti i gjallë që ju kanë ndihmuar të vini më pranë Jezu Krishtit.

  • Ftojeni një fëmijë të qëndrojë përpara dhomës dhe të bëjë sikur është profeti Amos. Ndërsa tregoni disa fakte rreth Amosit nga Amos 7:14–15, jepini fëmijës figura ose materiale skenike për t’i mbajtur, të cilat përputhen me secilin fakt, të tilla si figura të një deleje, një frute dhe të Zotit. Shpjegoni se Amosi ishte një bari, të cilin Zoti e thirri të ishte lajmëtari i Tij. Më pas tregoni figura të Zotit dhe profetit të gjallë dhe shpjegoni se Zoti vazhdon të thërrasë lajmëtarë në ditët e sotme. Lexoni me zë të lartë nga Amos 3:7 dhe kërkojuni fëmijëve të drejtojnë gishtin nga figura e duhur kur të dëgjojnë fjalët “Zoti” dhe “profetë[t]”. Jepni dëshminë tuaj se ashtu si në kohët e Amosit, Jezu Krishti na flet nëpërmjet profetëve të Tij.

  • Tregoni një histori nga një revistë e Kishës e kohëve të fundit rreth profetit të gjallë ose rreth përvojave që kanë pasur anëtarët e Kishës kur kanë ndjekur këshillën e profetit. (Shih edhe “Meet Today’s Prophets and Apostles” [“Takohuni me Profetët dhe Apostujt e Sotëm]” në ChurchofJesusChrist.org.)

  • Këndoni ose vini një këngë të regjistruar rreth profetëve, të tillë si “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58–59), ndërsa fëmijët punojnë me faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Vëruni në dukje fëmijëve disa fraza te kënga që na mësojnë se si profetët na udhëheqin rrugën drejt Jezu Krishtit.

Amos 5:14

Nëse kërkoj të mirën, Zoti do të jetë me mua.

Amosi i ftoi izraelitët të “kërkoni[n] të mirën dhe jo të keqen” dhe u premtoi se nëse e bënin këtë “Zoti … do të [ishte] me [ta]”. Si do t’i ndihmoni fëmijët t’i përgjigjen kësaj ftese dhe ta marrin këtë premtim?

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni disa figura të fëmijëve që bëjnë gjëra të mira, të tilla si të ndihmojnë të tjerët ose të marrin sakramentin. Lëreni secilin fëmijë që të përshkruajë me radhë një nga figurat ndërkohë që fëmijët e tjerë hamendësojnë se cilën figurë po përshkruan ai ose ajo. Lexoni nga Amos 5:14 dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyra se si do ta “kërko[jnë] të mirën” çdo ditë.

  • Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të vetes duke bërë diçka të mirë. Lexoni nga Amos 5:14 dhe theksoni premtimin e Zotit se Ai do të jetë me ne kur kërkojmë të mirën. Ftojini fëmijët të shtojnë te vizatimet e tyre një figurë të Jezusit duke qëndruar me ta.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Apostuj të ditëve të sotme duke i dhënë dorën njëri-tjetrit në konferencën e përgjithshme

Zoti u zbulon të vërteta profetëve të Tij.

Amos 3:7

Profetët janë lajmëtarë të Jezu Krishtit.

Amos 3:7 është një fragment i shkëlqyer i shkrimit të shenjtë për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se kur ne dëgjojmë profetin, ne po dëgjojmë një lajmëtar të Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët ta mësojnë përmendsh të gjithë vargun ose pjesë të tij tek Amos 3:7. Për shembull, jepuni atyre disa minuta për ta lexuar disa herë vargun ndërkohë që shkruani në tabelë çdo fjalë tjetër të vargut. Ftojini fëmijët t’i mbyllin shkrimet e tyre të shenjta dhe ta thonë së bashku me zë të lartë vargun, duke përdorur të dhënat ndihmëse në tabelë. Pastaj fshijini disa fjalë për çdo herë derisa fëmijët të mund ta përsëritin të gjithë vargun pa asnjë të dhënë ndihmëse. Çfarë na mëson ky varg rreth profetëve? Si na ka ndihmuar profeti ynë i gjallë të dimë se çfarë do Shpëtimtari që ne të bëjmë?

  • Shkruani disa pyetje rreth profetëve në shirita letre, të tilla si ato në vijim: Përse kemi profetë? Çfarë bëjnë profetët? Pse e ndjek profetin? Çfarë na mësojnë profetët? Kërkojuni fëmijëve të ndahen në dyshe dhe vëreni një fëmijë nga secila dyshe që të zgjedhë një pyetje dhe t’i kërkojë shokut ose shoqes së vet që t’i përgjigjet pyetjes. Nëse fëmijët kanë nevojë për ndihmë që t’i përgjigjen një pyetjeje, ata mund të shohin temën “Profet” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Pasi shoku ose shoqja i përgjigjet pyetjes, fëmijët mund të ndërrojnë rolet dhe të zgjedhin një pyetje tjetër.

  • Tregojuni fëmijëve disa fakte për një profet nga Dhiata e Vjetër, rreth të cilit kanë mësuar këtë vit (të tillë si Noeu, Moisiu ose Isaia). Kërkojini të hamendësojnë se cilin profet po përshkruani. Përsëriteni këtë për profetë të tjerë.

Amos 5:4–15

Nëse kërkoj të mirën, Zoti do të jetë me mua.

Fëmijët kanë shumë mundësi për të zgjedhur ndërmjet të drejtës dhe të gabuarës. Merrni parasysh se si do t’i frymëzoni ata të “kërko[jnë] të mirën dhe jo të keqen” (vargu 14).

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të kontrollojnë tek Amos 5:4–15, duke parë për fjalën “kërkoni”. Çfarë do Zoti që të kërkojmë ne dhe çfarë premtimi u bën Ai atyre që e bëjnë këtë? Si e kërkojmë Zotin?

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh fjalinë e fundit të nenit të trembëdhjetë të besimit. Si t’i “kërkojmë këto gjëra”?

Amos 8:11–12

Rivendosja e ungjillit i dha fund zisë së bukës dhe braktisjes.

Kuptueshmëria se çfarë dha mësim Amosi rreth braktisjes mund t’i ndihmojë fëmijët të ndihen mirënjohës për Rivendosjen e ungjillit.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë nga Amos 8:11–12 dhe të flasin rreth asaj që ndodh kur njerëzit nuk e kanë fjalën e Zotit. Ndihmojini fëmijët të përkufizojnë fjalët braktisje dhe zi buke duke përdorur Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) ose një fjalor. Nga ngjason braktisja me zinë e bukës?

  • Për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë Braktisjen e Madhe, shqyrtoni me ta mësimin “Pas Dhiatës së Re” (te Tregime nga Dhjata e Re, f. 167–170). Më pas diskutoni pyetje si këto: Pse pati një Braktisje? Çfarë ndodhi si rrjedhojë e Braktisjes? Pse e rivendosi Zoti ungjillin e Tij? (Shih edhe “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org.) Nxitini fëmijët t’i shkruajnë këto pyetje dhe përgjigjet e tyre dhe t’ua tregojnë ato familjeve të veta në shtëpi.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Jepuni fëmijëve disa çaste që të mendojnë për diçka që e mësuan sot, të cilën do të donin t’ia tregonin një pjesëtari/e të familjes. Nxitini ata të vendosin se kujt do t’ia tregojnë atë dhe si do t’ia tregojnë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni ftesa që e respektojnë lirinë e zgjedhjes. Bëni pyetje që i ndihmojnë fëmijët të mendojnë për mënyra personale se si ta vënë në zbatim atë që mësuan. Për shembull, ju mund të bëni pyetjen: “Çfarë gjëje ndieni se duhet të bëni bazuar tek ajo për të cilën kemi folur sot?”