“21–27 Nëntor. Jona; Mikea: ‘I Pëlqen të Jetë i Mëshirshëm’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“21–27 Nëntor. Jona; Mikea”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
21–27 Nëntor
Jona; Mikea
“I Pëlqen të Jetë i Mëshirshëm”
Kërkoni parime të rëndësishme te Jona dhe Mikea që do t’i bekojnë fëmijët, të cilëve u jepni mësim. Përsiatni mënyra se si mund t’i ndihmoni fëmijët t’i mësojnë këto parime. Idetë në këtë përvijim mësimi mund të ndihmojnë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i ndihmuar fëmijët të kujtojnë historinë e Jonës ose të vërteta të tjera që mund t’i kenë mësuar në shtëpi, këndoni së bashku një këngë, të tillë si strofën 7 nga “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58–59).
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Zoti më bekon kur unë i bindem Atij.
Kur Zoti i kërkoi Jonës të predikonte për popullin e Ninives, Jona nuk u bind. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ne bekohemi kur i bindemi Zotit.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni figura të historisë së Jonës dhe ftojini fëmijët të thonë atë që dinë rreth historisë (shih “Jona, Profeti” te Tregime nga Dhiata e Vjetër, faqen e veprimtarisë së kësaj jave; ose përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Bëni pyetje si këto: Çfarë ndodhi kur Jona nuk iu bind Zotit? (Shih Jona 1:4–17.) Çfarë ndodhi kur ai u bind? (Shih Jona 3:3–5.) Jepni dëshminë tuaj se Zoti do të na bekojë kur i bindemi Atij.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth bindjes ndaj Zotit, të tillë si “Do të Bindem Shpejt” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 71). Flisni rreth asaj se si do të kishte qenë më mirë për Jonën po të bindej që me herën e parë. Ndihmojini fëmijët të mendojnë gjëra që Perëndia do që ata të bëjnë dhe ta dramatizojnë mënyrën se si mund të binden me të shpejtë.
Ungjilli është për këdo.
Populli i Ninives u pendua kur Jona u dha njerëzve mesazhin e Zotit. Çfarë mundësish kanë fëmijët për ta përhapur ungjillin?
Veprimtari të Mundshme
-
Dramatizoni me fëmijët pjesë nga Jona 3:3–8, të tilla si duke ecur në qytetin e Ninives, duke përhapur mesazhin e Zotit dhe duke shkruar një dekret nga mbreti drejtuar popullit të tij. Tregoni një figurë të misionarëve (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 109, 110). Çfarë bëjnë misionarët? Në ç’mënyrë ishte Jona një misionar? Ndihmojini fëmijët të mendojnë mënyra se si mund ta përhapin ungjillin tek të tjerët, të tillë si të tregojnë një nen të besimit ose të japin dëshminë e tyre për Jezu Krishtin.
-
Tregoni për një përvojë kur e përhapët ungjillin e Jezu Krishtit. Ose, disa ditë përpara orës mësimore, ftojeni dikë ta vizitojë klasën tuaj dhe tregojuni fëmijëve rreth një rasti kur ai ose ajo e përhapi ungjillin ose kur dikush e përhapi ungjillin tek ai ose ajo. Nxiteni personin të tregojë figura, nëse është e mundur. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyra se si mund të jenë misionarë tani.
Jezu Krishti lindi në Bethlehem.
Mikea profetizoi se në Bethlehem do të lindte një “sundues [i ardhshëm] në Izrael”. Ju mund t’i ndihmoni fëmijët të dinë se lindja e Jezu Krishtit e përmbushi këtë profeci.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni figura të ngjarjeve që lidhen me lindjen e Jezu Krishtit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 28, 29, 30, 31). Ftojini fëmijët të flasin rreth asaj se çfarë po ndodh në secilën figurë. Lexoni te Mikea 5:2 dhe ftojini fëmijët të ngrihen kur të dëgjojnë fjalën “Betlem”. Dëshmoni se lindja e Jezusit ishte aq e rëndësishme, saqë profetët kishin dijeni për këtë përpara se Ai të lindte.
-
Ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim të lindjes së Jezusit. Ndërsa tregojnë vizatimet e tyre, kërkojuni të tregojnë se përse janë mirënjohës për Jezu Krishtin.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Pendimi përfshin njohjen e mëkateve të mia dhe kërkimin e faljes.
Shembulli i Jonës mund t’i frymëzojë fëmijët t’i drejtohen Zotit kur kanë mëkatuar.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët të bëjnë në tabelë një listë të disa prej elementeve bazë të pendimit (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pendohem, Pendim”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Shqyrtojeni së bashku historinë e Jonës dhe ftojini fëmijët të përcaktojnë prova që Jona po pendohej (shih, për shembull, Jona 1:10–12; 2:1–4, 9; 3:1–5). Si mund t’ia tregojmë Zotit se pendimi ynë është i sinqertë?
-
Këndoni një këngë rreth pendimit, të tillë si “Udh’n e Drejt’ Zgjidh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 82). Tregojuni fëmijëve se çfarë fjalësh ose frazash nga kënga do t’ia tregonin Jonës për ta ndihmuar që të pendohej.
Jona 2:7–10; 3:10; 4:2; Mikea 7:18–19
Zoti është i mëshirshëm me të gjithë ata që i drejtohen Atij.
Kur fëmijët e kuptojnë se Zoti është i mëshirshëm dhe i mirë, ata do t’i drejtohen Atij kur të kenë nevojë për mëshirë.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të gjejnë një përkufizim të fjalës mëshirë në një fjalor ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Përse kishte nevojë për mëshirë Jona? Përse kishte nevojë për mëshirë populli i Ninives? (Shih Jona 1:1–3.) Kërkojuni fëmijëve të përfytyrojnë sikur mund të intervistonin Jonën. Çfarë prove mund të jepte Jona për të treguar se Zoti është i mëshirshëm? (Shih, për shembull, Jona 2:7–10; 3:10; 4:2.) Si na e ka treguar Zoti mëshirën?
-
Kërkojuni fëmijëve të bëjnë në tabelë një listë me gjëra që atyre u “pëlqe[jnë]”, të tilla si hobi, bekime nga Zoti e me radhë. Ftojini të lexojnë te Mikea 7:18–19 për të zbuluar një gjë që i pëlqen Zotit. Çfarë të vërtetash në këto vargje do ta ndihmonin një person që ka frikë të pendohet?
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për shembuj kur Shpëtimtari tregoi mëshirë ndaj të tjerëve, të tilla si te Marku 2:3–12; Lluka 23:33–34 dhe Gjoni 8:1–11. Nëse është e mundur, tregoni figura të këtyre ngjarjeve. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mundësitë që kanë për të qenë të mëshirshëm dhe të mirë me të tjerët.
Zoti do që unë ta zbatoj drejtësinë, ta dua mëshirën dhe të eci përulësisht me Të.
Te Mikea 6:8 jepet një model për të jetuar me drejtësi. Si mund t’i ndihmoni fëmijët t’i zbulojnë dhe jetojnë mësimet në këtë varg?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku te Mikea 6:8 dhe ndihmojini fëmijët të kuptojnë se çfarë nënkuptojnë këto fraza: “të zbatosh drejtësinë”, “të duash mëshirën” dhe “të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd”. Ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim të vetes duke bërë diçka që lidhet me njërën nga frazat.
-
Shkruani në tabelë: “Çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti?” Ftojini ata ta gjejnë përgjigjen te Mikea 6:8. Si na ndihmon bindja ndaj urdhërimeve të Zotit që të përmbushim atë që kërkon Zoti nga ne në këtë varg?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Shkruani në një copë letër për secilin fëmijë një frazë kyç nga një prej shkrimeve të shenjta që e diskutuat si klasë. Ftojini fëmijët të përpiqen ta mësojnë përmendsh frazën dhe t’i kërkojnë një pjesëtari/eje të familjes të japë mendimet e veta për të.