“28 Nëntor – 4 Dhjetor. Nahum; Habakuk; Sofonia: ‘Rrugët e Tij Janë të Përjetshme’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“28 Nëntor – 4 Dhjetor. Nahum; Habakuk; Sofonia”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
28 Nëntor – 4 Dhjetor
Nahum; Habakuk; Sofonia
“Rrugët e Tij Janë të Përjetshme”
Dashuria juaj për shkrimet e shenjta mund të ketë një ndikim të fuqishëm tek fëmijët, të cilëve u jepni mësim. Lërini të shohin se sa mirënjohës jeni për fjalën e Perëndisë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët me radhë që të qëndrojnë në këmbë dhe të bëjnë sikur janë një profet i Dhiatës së Vjetër që po qëndron “mbi kullë” si Habakuku (Habakuk 2:1). Kërkojuni t’u thonë fëmijëve të tjerë diçka që po e mësojnë rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Perëndia do t’i përmbushë gjithmonë premtimet e Tij.
Profeti Habakuk u shqetësua nga ligësia që ai pa mes popullit të Judës (shih Habakuk 1:2–4). Zoti e siguroi atë se premtimet e Tij do të përmbusheshin në kohën e Tij (shih Habakuk 2:3).
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni disa shembuj të gjërave që janë të mira, por vetëm pasi të presim – si fruta ose brumi që ka nevojë të piqet. Çfarë do të ndodhte nëse do të përpiqeshim ta hanim frutën ose brumin përpara se të ishte gati për t’u ngrënë? Tregoni rreth profetit Habakuk, i cili donte të dinte kohën kur Zoti do ta ndalte ligësinë që ai shihte përreth tij. Lexojuni fëmijëve përgjigjen e Zotit, që gjendet te Habakuk 2:3. Theksoni se Habakuku duhej të priste që premtimet e Zotit të përmbusheshin, ashtu siç duhet të bëjmë nganjëherë edhe ne. Tregoni një rast kur ju është dashur të prisnit për një bekim.
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që Perëndia ka premtuar – për shembull, se Jezu Krishti do të kthehet në tokë ose që ne mund të jetojmë përsëri me Perëndinë. Për secilin shembull, ftojini fëmijët të përsëritin frazën: “Prite, sepse me siguri do të vijë”.
Unë mund të ndihmoj ta mbush tokën me dituri për Jezu Krishtin.
Habakuku profetizoi për ditën kur e gjithë bota do të dinte për Jezu Krishtin. Ajo profeci po fillon të përmbushet në kohën tonë. Merrni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët të jenë pjesë e përmbushjes së saj.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një kavanoz bosh dhe jepini secilit fëmijë një send të vogël. Kërkojini secilit fëmijë të tregojë diçka që bëri ose dha mësim Jezusi, dhe pastaj ta vendosë sendin në kavanoz. Lexoni me zë të lartë nga Habakuk 2:14 dhe shpjegoni se ashtu si fëmijët e mbushën kavanozin me njohurinë e tyre për Zotin, edhe ne mund ta mbushim botën me njohuri për Të.
-
Tregojuni fëmijëve një hartë të botës (shih Hartat e Historisë së Kishës, nr. 7, “Harta e Botës”). Ndihmojini të gjejnë vendin ku jetojnë dhe vendet ku kanë shërbyer misionarët që njohin. Jepni dëshminë tuaj se Ati Qiellor do që të gjithë njerëzit anembanë tokës të dinë rreth Jezu Krishtit. Si mund të ndihmojmë që t’u mësojmë njerëzve të tjerë rreth Jezusit? Tregojuni fëmijëve rreth gjërave që i keni parë të bëjnë, që ju mësojnë rreth Jezu Krishtit. Ndihmojini të mendojnë për gjëra të tjera që mund të bëjnë.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth përhapjes së ungjillit, të tillë si “Un’ Dua të Jem Misionar Tani” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 90). Çfarë mund t’u tregojmë të tjerëve rreth Jezu Krishtit? Për disa ide, shihni Nenet e Besimit.
“Kërkoni Zotin.”
Sofonia dha mësim se ne duhet ta kërkojmë Zotin gjatë kohëve të ligësisë së madhe, si në këto ditë të mëvonshme. Përsiatni për mënyrën se si do t’i nxitni fëmijët ta kërkojnë Atë.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një figurë të Jezusit dhe lexojuni fëmijëve nga Sofonia 2:3. Ftojini të përkulin gishtat duke i vënë përreth syve si syze dhe të shohin figurën sa herë që të lexoni fjalën “kërkoni”. Shpjegoni se profeti Sofonia donte që njerëzit të kërkonin Zotin. Si e kërkojmë Zotin? Ku mund ta gjejmë Atë?
-
Përdorni faqen e veprimtarisë së kësaj jave ose mendoni për një lojë tjetër që i nxit fëmijët të kërkojnë Zotin. Luani ose këndoni së bashku një këngë që lidhet me këtë temë, të tillë si “Herët Zotin do Kërkoj” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 67). Diskutoni për atë që na mëson kënga rreth mënyrës se si mund ta gjejmë Jezu Krishtin në jetën tonë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
“Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë.”
Secili prej nesh përballet me “ditë[t] e [veta të] fatkeqësisë”. Si do t’i ndihmoni fëmijët t’i drejtohen Zotit, të “kërkojnë strehë tek ai” dhe të gjejnë siguri shpirtërore në ditët e tyre të fatkeqësisë?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve një figurë të një fortese apo kalaje. Cilat janë disa arsye se përse njerëzit mund të kenë nevojë për një kala? Ftojini fëmijët të lexojnë nga Nahum 1:7 për të gjetur atë që tha profeti Nahum se është si një fortesë ose kala për ne. Nga çfarë mund të na mbrojë Shpëtimtari?
-
Ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim të vetes dhe familjes së tyre brenda një fortese ose kalaje. Nxitini të shkruajnë fjalë rreth fortesës që përshkruajnë disa prej ndikimeve të liga në botë. Ftojini të shkruajnë fjalë brenda fortesës që përshkruajnë Jezu Krishtin. Çfarë na kërkon Ai të bëjmë për të marrë forcën dhe mbrojtjen e Tij? (Shih Doktrina e Besëlidhje 35:24.)
Unë mund të kem gëzim te Jezu Krishti, edhe kur gjërat nuk po shkojnë mirë.
Habakuku, përshkroi disa sprova që mund t’i ndodhnin popullit të tij, duke përfshirë pemë ose hardhi që nuk japin frutë. Më pas, edhe po të ndodhnin këto gjëra tha ai: “Unë do të ngazëllohem tek Zoti”.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë nga Habakuk 3:17 dhe të përcaktojnë sprovat e përshkruara në këtë varg. Si mund të ndihet një person po t’i ndodhnin këto gjëra? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për sprovat që mund t’iu ndodhin atyre. Më pas, lexoni së bashku vargjet 18–19 për të mësuar se si Habakuku tha se do të ndihej edhe po t’i ndodhnin këto gjëra.
-
Ndihmojini fëmijët të gjejnë shembuj të tjerë të njerëzve në shkrimet e shenjta që u ngazëlluan te Zoti edhe gjatë kohëve të vështira. Ata mund të gjejnë shembuj te Veprat e Apostujve 16:19–25; Mosia 24:10–15; dhe mesazhi i, në atë kohë, Presidentit Diter F. Uhtdorf, “Mirënjohës në të Gjitha Rrethanat” (Liahona, maj 2014, f. 70–77), veçanërisht pjesa “Të Qenit Mirënjohës në Rrethanat Tona”. Përse qenë në gjendje të ishin të gëzuar këta njerëz në kohë të vështira? Si mund t’i ndjekim ne shembujt e tyre?
Ata që e ndjekin Jezu Krishtin, do të gjejnë paqe dhe gëzim.
Te Sofonia 3:14–20 përshkruhet dita e gëzueshme kur Jezu Krishti, “Mbreti i Izraelit”, do të mbretërojë mes njerëzve të Tij dhe do të “gëzohet për [ne] me britma gëzimi” (vargjet 15, 17).
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku Sofonia 3:14. Më pas, ftojeni secilin fëmijë të zgjedhë njërin nga vargjet te Sofonia 3:15–20 dhe ta studiojë atë, duke kërkuar diçka që mund të na ndihmojë të “gëzoh[emi] dhe ngazëll[ehemi]”. Kërkojuni të tregojnë atë që gjejnë.
-
Ndihmojini fëmijët të gjejnë himne ose këngë të fëmijëve që i ndihmojnë ata të “gëzoh[en] dhe ngazëll[ehen] me gjithë zemër” (Sofonia 3:14). Këndoni së bashku disa këngë dhe nxitini fëmijët të flasin rreth gëzimit që gjejnë tek ungjilli i Jezu Krishtit.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Kërkojuni fëmijëve ta shkruajnë referencën e një shkrimi të shenjtë që duan t’ua tregojnë familjeve të tyre (ose shkruajeni ju për ta).