Dhiata e Vjetër 2022
19–25 Dhjetor. Krishtlindja: “Tek Ai Kemi Shpresuar dhe Ai do të na Shpëtojë”


“19–25 Dhjetor. Krishtlindja: ‘Tek Ai Kemi Shpresuar dhe Ai do të na Shpëtojë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“19–25 Dhjetor. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Foshnja Jezus i mbështjellë me një rrobë të bardhë dhe i vendosur në kashtë

Sepse na Ka Lindur një Fëmijë, nga Simon Dewey

19–25 Dhjetor

Krishtlindja

“Tek Ai Kemi Shpresuar dhe Ai do të na Shpëtojë”

Profetët e Dhiatës së Vjetër e pritën me padurim e me gëzim të madh kohën e lindjes së Mesias (shih Isaia 25:9). Ndërsa përgatiteni të jepni mësim gjatë periudhës së Krishtlindjes, merrni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët të gjejnë gëzim në lindjen e Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth lindjes së Jezu Krishtit. Kur ata të përmendin një person ose objekt nga historia, ftojini që ta vizatojnë atë në tabelë. Pyetini fëmijët se çfarë u pëlqen më shumë nga kjo histori.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Dhiata e Vjetër më mëson për Jezusin.

Ndihmojini fëmijët të përqendrohen te Shpëtimtari Jezu Krisht, që është arsyeja përse e kremtojmë Krishtlindjen. Mund ta bëni këtë duke përdorur shkrimet e shenjta nga Dhiata e Vjetër që dëshmojnë për Të.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqiteni një figurë të ngjarjes së lindjes së Krishtit (të tillë si Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 30, ose një nga figurat në përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Lexoni Isaia 9:6, duke i dhënë secilit fëmijë radhën që ta drejtojë gishtin te foshnja Jezus kur të dëgjojë frazën: “Ka lindur një fëmijë”. Jepni dëshminë tuaj se profetët në Dhiatën e Vjetër e dinin se Jezusi do të lindte.

  • Ftojeni secilin fëmijë të thotë emrin e tij apo të saj dhe vini në dukje se përveç emrave tanë, ne mund të quhemi edhe ndryshe, për shembull motër apo vëlla ose mik/e. Ftojini fëmijët të mendojnë për shembuj të tjerë. Lexojuni fëmijëve nga Isaia 9:5, duke theksuar emrat që i referohen Jezu Krishtit: “Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes”. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se çfarë na tregojnë këta emra rreth Jezusit.

  • Jepini secilit fëmijë një yll prej letre dhe ftojini fëmijët t’i ngrenë lart yjet kur të lexoni frazën vijuese nga Numrat 24:17: “Një yll do të dalë nga Jakobi”. Ftojini fëmijët të tregojnë se si Jezusi është si një yll i shndritshëm që shkëlqen në të gjithë botën. Këndoni së bashku një këngë rreth yllit që u shfaq kur lindi Jezusi, të tillë si “Yjet Ndrinin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 24) ose “Të Parin Lajm” (Himne, nr. 131).

Jezu Krishti është Shpëtimtari im.

Krishtlindja është një kohë për të kremtuar jo vetëm lindjen e Jezusit por edhe jetën dhe misionin e Tij si Shpëtimtari i botës. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të ndiejnë gëzim dhe mirënjohje për Shlyerjen e Jezu Krishtit?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për diçka, të cilën po e presin me padurim. Shpjegoni se njerëzit besnikë në kohët e Dhiatës së Vjetër e pritën me padurim lindjen e Jezu Krishtit. Lexojuni fëmijëve nga Isaia 25:9 dhe vërini të përsëritin frazën: “Tek [Ai] kemi shpresuar; të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij”. Tregojuni atyre arsyen përse jeni të ngazëllyer dhe të gëzuar që lindi Krishti. Ftojini fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre rreth Shpëtimtarit.

  • Këndoni së bashku një himn rreth lindjes së Jezusit, të tillë si “Larg në një Koritë” (Himne, nr. 125) ose “Engjëjt Ja në Këng’ Ngritur” (Himne, nr. 129). Ndihmojini fëmijët të zbulojnë fraza në këto himne që na mësojnë rreth Shpëtimtarit dhe bekimet që i kemi për shkak të Tij.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Dhiata e Vjetër më mëson për Jezu Krishtin, Mesian e premtuar.

Dhiata e Vjetër është më shumë sesa thjesht një përmbledhje e historive dhe e shkrimeve interesante; qëllimi i saj, si të gjitha shkrimet e shenjta, është që të dëshmojë për Jezu Krishtin. Ndihmojini fëmijët të mësojnë se si ta gjejnë Atë në Dhiatën e Vjetër.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të bëjnë një listë të të gjithë emrave dhe titujve të Jezu Krishtit që mund të gjejnë te Moisiu 7:53; Psalmeve 23:1; Jobit 19:25; Isaia 7:14; 9:6; 12:2; Amos 4:13; dhe Zakaria 14:16. Vërini të punojnë në dyshe nëse do t’u pëlqente. Ftojini t’ia tregojnë listat e tyre njëri‑tjetrit. Çfarë mësojmë rreth Shpëtimtarit nga secili prej këtyre emrave dhe titujve?

  • Tregojuni fëmijëve disa zbukurime të Krishtlindjes (ose figura të disave prej tyre), të tilla si një yll, drita ose një dhuratë. Pyetini fëmijët se si secila prej këtyre gjërave mund të na e kujtojë Shpëtimtarin. Shpjegoni se shkrimet e shenjta shpesh përdorin simbole për të na mësuar rreth Jezu Krishtit. Ftojini fëmijët të kërkojnë te njëri ose më shumë prej vargjeve vijuese për diçka që mund ta simbolizojë Jezu Krishtin: Zanafilla 22:8; Eksodi 17:6; Psalmeve 18:2; 27:1 (shih përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet për shembuj shtesë). Si është Jezusi si qengji, uji, shkëmbi, fortesa apo drita?

  • Në fund të studimit të Dhiatës së Vjetër këtë vit, ftojini fëmijët të tregojnë historitë ose shkrimet e tyre të shenjta të parapëlqyera nga Dhiata e Vjetër. Çfarë na mësojnë këto histori ose shkrime të shenjta rreth Jezu Krishtit? Përse jemi mirënjohës që e kemi Dhiatën e Vjetër?

Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im.

Ndërsa e kremtojmë lindjen e Jezu Krishtit, ne mund të gëzojmë edhe për jetën dhe flijimin e Tij shlyes. Si mund t’i përdorni shkrimet e shenjta nga Dhiata e Vjetër për t’i ndihmuar fëmijët që ta ndërtojnë besimin e tyre te Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku tek Isaia 7:14; pastaj ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth lindjes së Krishtit ose shfaqni materialin filmik “The Nativity” [“Lindja e Jezu Krishtit”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe ftojeni secilin fëmijë të zgjedhë një person nga materiali filmik dhe të tregojë se si mund të jetë ndier ai person. Jepni dëshminë tuaj për Shpëtimtarin dhe ftojini fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë më mirë rolin e Jezu Krishtit si Shpëtimtari ynë, ftojini ata të lexojnë tek Isaia 25:8–9; 53:3–5; dhe Osea 13:14. Çfarë na mësojnë këto shkrime të shenjta rreth mënyrës se si na shpëton Zoti? Si mund të “gëzohemi në shpëtimin e tij”? (Isaia 25:9.)

  • Këndoni së bashku një himn rreth dashurisë së Jezu Krishtit për ne, të tillë si “Larg në një Koritë” (Himne, nr. 125) ose “Qëndroj Plot Habi” (Himne, nr. 113). Ftojini fëmijët të tregojnë fraza që i ndihmojnë ata të ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’u tregojnë familjeve të tyre ose një miku/eje diçka që kanë mësuar rreth Jezu Krishtit nga Dhiata e Vjetër. Nxitini ata që të fillojnë të studiojnë Dhiatën e Re këtë javë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Krijoni një mjedis që e fton Shpirtin. Ka shumë mënyra se si mund ta ftoni Shpirtin në orën tuaj mësimore. Muzika mund të nxitë nderimin. Shprehjet e dashurisë dhe dëshmia mund të krijojnë një atmosferë të ngrohtë shpirtërore. Merreni parasysh plot lutje atë që mund të bëni për të krijuar një mjedis shpirtëror në klasën tuaj. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 15.)