Dhiata e Vjetër 2022
12–18 Dhjetor. Malakia: “‘Unë Ju Kam Dashur’, Thotë Zoti”


“12–18 Dhjetor. Malakia: ‘Unë Ju Kam Dashur’, Thotë Zoti”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“12–18 Dhjetor. Malakia”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

statuja e Krishtit

12–18 Dhjetor

Malakia

“‘Unë Ju Kam Dashur’, Thotë Zoti”

Zoti i do fëmijët, të cilëve u jepni mësim. Si do t’i ndihmoni fëmijët ta ndiejnë dashurinë e Tij ndërsa u jepni mësim doktrinën që gjendet në librin e Malakias?

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Lexojeni frazën vijuese nga Malakia 1:2: “‘Unë ju kam dashur’, thotë Zoti”. Ftojeni secilin fëmijë të tregojë një mënyrë se si e dinë që Zoti i do ata. Pasi secili fëmijë të tregojë, falënderojeni atë dhe jepni dëshminë tuaj për dashurinë e Zotit për atë fëmijë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Malakia 3:10–12

Ati Qiellor do të më bekojë kur e paguaj të dhjetën.

Ndonëse fëmijët e vegjël, të cilëve u jepni mësim, nuk fitojnë ende para, ata, sidoqoftë, mund të mësojnë për bekimet e pagimit të së dhjetës.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të numërojnë 10 sende të vogla, të tilla si monedhat në faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Ftojini ata ta heqin veç një prej sendeve nga pjesa tjetër dhe shpjegoni se kjo është si e dhjeta që ne i japim Zotit. Ne i japim Atij një të dhjetën e asaj që marrim. Jepni dëshminë tuaj për mënyrën se si Zoti na bekon kur e paguajmë të dhjetën. Këndoni me fëmijët një këngë rreth së dhjetës, të tillë si “Të Dhjetën Zotit do t’i Jap” (Liahona, tetor 2006).

  • Vizatoni në tabelë një dritare me pragun e saj dhe lexojuni fëmijëve nga Malakia 3:10. Ftojini ata ta drejtojnë gishtin nga dritarja me pragun kur të lexoni frazën “pragjet e qiellit”. Shpjegoni se kjo do të thotë se Ati Qiellor na jep bekime të mëdha kur e paguajmë të dhjetën. Ndërsa fëmijët e ngjyrosin faqen e veprimtarisë së kësaj jave, flisni rreth disa prej arsyeve përse e paguajmë të dhjetën.

  • Tregoni një histori nga revista Miku ose nga vetë jeta juaj rreth pagimit të së dhjetës. Ftojini fëmijët të mbajnë vesh për bekimet që mund të vijnë nga pagimi i së dhjetës.

Malakia 4:5–6

Ne vulosemi si familje në tempull.

Për shkak të çelësave të priftërisë për vulosjen që Elija ia dha Jozef Smithit në Tempullin e Kirtlandit, familjet mund të bashkohen për përjetësinë. Ndërsa e jepni mësim këtë të vërtetë, jini të ndjeshëm ndaj ndjenjave të fëmijëve, familjet e të cilëve nuk janë vulosur në tempull.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve nga Malakia 4:5. Më pas u thoni se ky premtim u përmbush kur Elija iu shfaq Jozef Smithit në Tempullin e Kirtlandit (shih “Kapitulli 40: Vegime në Tempullin e Kirtlandit”, te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 157). Tregoni një figurë të kësaj ngjarjeje (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 95) dhe ftojini fëmijët ta drejtojnë gishtin tek Elija dhe te Jozef Smithi. Shpjegoni se për shkak se erdhi Elija, ne mund të vulosemi si familje në tempull. Jepni dëshminë tuaj për rëndësinë e të qenit të vulosur si familje.

  • Tregojuni fëmijëve për dashurinë që keni për familjen tuaj, paraqitni një figurë nëse është e mundur. Ftojini disa fëmijë që të shprehin ndjenjat për familjet e tyre. Këndoni së bashku një himn rreth familjeve, të tillë si “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’” (Himne, nr. 195) dhe dëshmoni se Ati Qiellor dëshiron që familjet të vulosen së bashku dhe se kjo është një arsye përse kemi tempuj. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të vulosemi madje me pjesëtarë të familjes që nuk patën mundësinë të shkonin në tempull në këtë jetë. Ftojini fëmijët që të bëjnë një vizatim të familjeve të tyre së bashku në qiell.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Malakia 3:8–12

Ati Qiellor do të më bekojë kur e paguaj të dhjetën.

Pagimi i së dhjetës ka të bëjë më shumë me pasjen e besimit tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti sesa me financat. Çfarë kuptojnë rreth së dhjetës fëmijët të cilëve u jepni mësim? Si do t’i ndihmoni ata të kenë besimin për të paguar të dhjetën?

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani në tabelë pyetje rreth së dhjetës si ato në vijim: Çfarë është e dhjeta? Si ta paguaj të dhjetën? Për çfarë jepet e dhjeta? Cilat janë bekimet prej pagimit të së dhjetës? Ftojini fëmijët të kërkojnë te Malakia 3:8–12 dhe te tema “Dhjeta (të), Dhjetë (e)” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) dhe të shkruajnë përgjigjet që gjejnë. Ftojini t’ia tregojnë përgjigjet e tyre njëri‑tjetrit. Çfarë lloj njerëzish bëhemi duke e paguar të dhjetën?

  • Shfaqni materialin filmik “Jesus Teaches about the Widow’s Mite” [“Jezusi Jep Mësim rreth Monedhave të Gruas së Ve”] (ChurchofJesusChrist.org) ose lexoni së bashku te Marku 12:41–44. Çfarë na mëson kjo histori rreth mënyrës se si ndihet Zoti rreth ofertave tona?

  • Vizatoni në tabelë një dritare me pragun e saj dhe ftojini fëmijët të shkruajnë brenda saj bekimet që mund të marrë dikush ngaqë paguan të dhjetën (për ide, shih Malakia 3:10–12). Ftojini fëmijët të tregojnë një shembull vetjak se si ata ose familjet e tyre janë bekuar duke e paguar të dhjetën me besnikëri ose mund të tregoni një shembull nga vetë jeta juaj se si pagimi i së dhjetës e ka rritur besimin tuaj tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Elija u shfaqet Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit

Ilustrim i Elijas që iu shfaqet Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit, në Tempullin e Kirtlandit, nga Robert T. Barrett

Malakia 4:5–6

“Unë do t’ju dërgoj Elian, profetin.”

Profecia e Malakias rreth Elijas, profetit, u përmbush kur Elija iu shfaq Jozef Smithit në Tempullin e Kirtlandit dhe i dha atij çelësat e priftërisë që i lejojnë familjet të vulosen së bashku përgjithmonë. Ju mund të merrni parasysh të ftoni dikë në lagje që ka përgjegjësinë për punën në tempull dhe për historinë familjare (të tillë si një anëtar të presidencës së kuorumit të pleqve ose anëtare të presidencës së Shoqatës së Ndihmës) për t’ju ndihmuar që t’ua mësoni këtë doktrinë fëmijëve. Kujtoni të jeni të ndjeshëm ndaj ndjenjave të fëmijëve, familjet e të cilëve nuk janë vulosur.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruajeni më vete në një copë letër secilën frazë nga Malakia 4:5–6. Jepuani copat e letrave fëmijëve dhe kërkojuni t’i vendosin frazat në radhën e duhur. Lexojini vargjet së bashku dhe diskutoni pyetje si këto: Cilin premtoi Zoti se do të dërgonte? Kur tha Ai se do të vinte ky person? Çfarë tha Zoti se do të bënte ky person? Përse do të ishte e nevojshme që të vinte ky person? Ku u përmbush kjo profeci? (Shih Doktrina e Besëlidhje 110:13–16.)

  • Shkruani në tabelë një pyetje si kjo: Çfarë do të thotë që zemrat e bijve t’u kthehen etërve të tyre? (Shih Malakia 4:6.) Ftojini fëmijët ta përsiatin këtë pyetje teksa shohin materialin filmik: “Their Hearts Are Bound to You” [“Zemrat e Tyre Janë të Lidhura me Ju”] (ChurchofJesusChrist.org). Më pas, ftojini fëmijët të tregojnë mendimet e tyre rreth pyetjes në tabelë. Diskutoni së bashku për përvojat që keni pasur ju apo fëmijët teksa keni mësuar rreth historisë familjare.

  • Tregoni figurën e Elijas nga përvijimi i kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth ngjarjes që përshkruhet në këtë figurë (shih edhe Doktrina e Besëlidhje 110:13–16). Dëshmoni se fuqia vulosëse që rivendosi Elija, i lejon familjet të bashkohen përjetësisht – përfshirë familjet që nuk e kanë pasur atë mundësi në vdekshmëri. Nëse keni marrë pjesë në një vulosje, qoftë për veten ose për një njeri të vdekur, flisni rreth asaj se çfarë ndiet gjatë asaj ordinance. Kërkojuni fëmijëve të shprehin ndjenjat rreth familjeve të tyre dhe rreth planit të Perëndisë që i ndihmon familjet të jenë bashkë përgjithmonë.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të mendojnë për diçka që e mësuan sot gjatë orës mësimore, dhe kërkojuni disa fëmijëve ta tregojnë. Nxitini të gjithë fëmijët t’u tregojnë familjeve të tyre diçka që mësuan rreth mësimeve të Malakias.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përfshijini fëmijët në diskutime për ungjillin. Ju mund të keni nevojë të mendoni për mënyra krijuese që t’i përfshini fëmijët më të vegjël në diskutime për ungjillin. Për shembull, fëmijët mund të qarkullojnë një top dhe të japin përgjigjen e një pyetjeje ndërkohë që po mbajnë topin.