Dhiata e Vjetër 2022
5–11 Dhjetor. Hagai; Zakaria 1–3; 7–14: “Shenjtëri Zotit”


“5–11 Dhjetor. Hagai; Zakaria 1–3; 7–14: ‘Shenjtëri Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“5–11 Dhjetor. Hagai; Zakaria 1–3; 7–14”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Tempulli i Lajes, Havai

5–11 Dhjetor

Hagai; Zakaria 1–3; 7–14

“Shenjtëri Zotit”

Lexojini me lutje librat Hagai dhe Zakaria, duke përsiatur për mbresat që merrni. Si mund të ndihmojnë të vërtetat që gjenden në këta libra për të plotësuar nevojat e fëmijëve?

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Vizatoni një fytyrë të lumtur në një fletë letre dhe lejojini fëmijët ta mbajnë atë me radhë. Kur të kenë radhën, ftojini ata të tregojnë diçka që po mësojnë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, që i bën ata të lumtur.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Hagai 1:6–8

Unë mund ta vendos Perëndinë të parin në jetën time.

Të mësuarit e këshillës së Zotit: “Mendohuni mirë për sjelljen tuaj”, është një mundësi për fëmijët që të sigurohen se janë duke bërë gjërat e rëndësishme që Perëndia na ka kërkuar të bëjmë.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegojuni fëmijëve se Zoti donte që izraelitët të ndërtonin tempullin, por, përkundrazi, ata po bënin gjëra të tjera. Lexoni me zë të lartë te Hagai 1:7 dhe shpjegoni se këshilla: “Mendohuni mirë për sjelljen tuaj” do të thotë që Zoti donte që izraelitët të mendoheshin nëse ata ishin duke bërë gjërat më të rëndësishme apo jo. Lexojuni fëmijëve vargun 8 dhe ftojini të bëjnë sikur po “ngjit[en] ndër male”, po “sjellin [dru]” dhe po “ndërtojnë tempullin [e Zotit]”. Çfarë gjërash të rëndësishme do Perëndia që ne të bëjmë?

  • Vendosini mbi tavolinë përmbys figurat që përfaqësojnë disa nga gjërat që janë të rëndësishme për Perëndinë, të tilla si shkrimet e shenjta, lutja dhe tempulli. Lejojini fëmijët të zgjedhin me radhë një figurë dhe t’ia tregojnë atë klasës. Ndihmojini të kuptojnë se përse është e rëndësishme të sigurohemi që të gjejmë kohë për secilën nga gjërat te figurat.

Zakaria 3:1–7

Jezu Krishti mund të ma pastrojë shpirtin.

Rrobat e papastra të kryepriftit Jozue, të përshkruara te Zakaria 3:1–7, simbolizojnë atë që ndodh kur mëkatojmë. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të pastrohemi, ashtu siç u bë i pastër Jozueu kur mori rrobat e reja.

Veprimtari të Mundshme

  • Lejojini fëmijët të qarkullojnë nëpër klasë një këmishë të papastër dhe të lexojnë te Zakaria 3:3. Më pas të qarkullojnë një këmishë të pastër dhe të lexojnë vargun 4. Flisni me fëmijët rreth mënyrës se si bërja e zgjedhjeve të gabuara, është njësoj si të bëhemi shpirtërisht të papastër, por Shpëtimtari mund të na bëjë sërish të pastër. Si ndihemi kur jemi të pastër? Jepni dëshminë tuaj që për shkak se Jezu Krishti vuajti dhe vdiq për ne, ne do të pastrohemi nga mëkatet tona kur pendohemi.

  • Nëse është e mundur, tregojuni fëmijëve një figurë të dikujt që e njohin, të veshur me të bardha në pagëzimin e tij apo të saj (ose shihni Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 103, 104). Përse vishemi me të bardha në pagëzimin tonë? Këndoni një këngë rreth pagëzimit, të tillë si “Kur Un’ t’Pagëzohem” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 53). Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të vetes duke u pagëzuar dhe të tregojnë se si ndihen që do të pagëzohen një ditë.

Zakaria 2:10; 9:9; 14:3–9

Profetët na mësojnë rreth Jezu Krishtit.

Si profetët e tjerë të Dhiatës së Vjetër, Zakaria profetizoi për Jezu Krishtin. Çfarë mund t’u mësojnë fëmijëve rreth Tij profecitë te Zakaria 2:10; 9:9; 14:3–9?

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit duke hyrë në Jerusalem mbi një gomar (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 50). Tregojuni fëmijëve se shumë vjet para se Jezusi të vinte në tokë, Zakaria profetizoi se Jezu Krishti do të hipte mbi një gomar për të hyrë në Jerusalem përpara se Ai të vdiste për ne. Teksa lexoni te Zakaria 9:9, kërkojuni fëmijëve të drejtojnë gishtin drejt njerëzve te figurat, të cilët “ngazëll[ehen] me të madhe” si dhe ta drejtojnë gishtin te “Mbreti”. Kush është Mbreti? Kërkojuni fëmijëve të tregojnë arsyen përse janë mirënjohës për Jezusin.

  • Lexojuni fëmijëve disa nga profecitë që bëri Zakaria rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, të tilla si ato te Zakaria 2:10; 14:9. Kërkojuni fëmijëve të bëjnë vizatime rreth asaj se si mendojnë që do të jetë kur Jezusi të vijë përsëri, ose këndoni së bashku një këngë rreth Ardhjes së Dytë, të tillë si “Kur Ai të Vij’ Përs’ri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47).

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Hagai 1:2–8

“Mendohuni mirë për sjelljen tuaj.”

Është e rëndësishme që të gjithë ne të jemi të vetëdijshëm për përparësitë tona dhe të gjejmë kohë për të “mend[uar] për sjelljen [tonë]”. Si mund t’i frymëzoni fëmijët që të gjejnë kohë në jetën e tyre për gjërat e Perëndisë?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te Hagai 1:2–5 për të gjetur arsyen përse Zoti nuk ishte i kënaqur me izraelitët. Kërkojuni fëmijëve të zgjedhin një frazë nga vargu 6 dhe të bëjnë një vizatim rreth saj. Lëreni klasën të hamendësojë se çfarë fraze përfaqëson secili vizatim. Flisni rreth asaj se të shpenzosh kohën për gjëra të tjera nga ato që do Zoti, është si të hash por të mos ngopesh, të vishesh por të mos ngrohesh e kështu me radhë. Përse është e rëndësishme të gjejmë kohë për gjëra që janë të rëndësishme për Zotin?

  • Shkruajeni në tabelë frazën: “Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!” (Vargu 7.) Ftojeni secilin fëmijë të bëjë një listë të gjërave që ai ose ajo mund të bëjë në një ditë të zakonshme, përfshirë gjërat që Zoti na ka kërkuar të bëjmë. Kërkojuni fëmijëve të “mendoh[en] mirë për sjelljen [e tyre]” duke qarkuar ato që sipas Zotit janë gjërat më të rëndësishme në listën e tyre. Si mund të sigurohemi që të gjejmë kohë çdo ditë për gjërat që Zoti do që ne të bëjmë?

vajzë që po e pagëzon një burrë

Ne vishemi me të bardha në pagëzimin tonë për të treguar se Jezu Krishti mund të na pastrojë kur pendohemi për mëkatet tona (shih Zakaria 3:3–4).

Zakaria 3:1–7

Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve mund të më ndihmojnë të jem më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Në një vegim, Zakaria pa një prift të lartë që quhej Jozue, i cili ishte “veshur me rroba të papastra” (Zakaria 3:3). Një engjëll i dha atij rroba të pastra dhe i shpjegoi se kjo simbolizonte të qenit i pastruar nga mëkatet e tij. Mund ta përdorni këtë vegim për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë besëlidhjet dhe bekimet e lidhura me pagëzimin.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku te Zakaria 3:1–7 dhe diskutoni pyetje si këto: Çfarë përfaqësonin “rroba[t e] papastra” të Jozueut? Si pastrohemi ne nga mëkatet tona? Si na ndihmojnë besëlidhjet e pagëzimit të “ec[im] në rrugët e [Zotit]”?

  • Disa ditë përpara orës mësimore, ftojeni një fëmijë të vijë i përgatitur për të folur rreth pagëzimit të tij apo të saj. Shqyrtojeni së bashku besëlidhjen që bëjmë në pagëzim (shih Doktrina e Besëlidhje 20:37). Si do të na ndihmojë mbajtja e premtimeve tona për t’u bërë më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti? Si na ndihmon marrja e sakramentit çdo javë që t’i mbajmë besëlidhjet tona të pagëzimit?

Zakaria 9:9–11; 11:12; 13:6–7

Jezu Krishti është Mesia i premtuar.

Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga profecitë e Zakarias rreth Jezu Krishtit?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndajini fëmijët në dyshe. Jepini secilës dyshe një prej profecive vijuese nga Zakaria bashkë me vargjet në Dhiatën e Re që përshkruajnë përmbushjen e saj: Zakaria 9:9 dhe Mateu 21:5–9; Zakaria 9:11 dhe 1 Pjetër 3:18–19; Zakaria 11:12 dhe Mateu 26:14–16; Zakaria 13:7 dhe Mateu 26:31. Kërkojini secilës dyshe që t’ia tregojë klasës atë që mësoi rreth Jezu Krishtit nga vargjet e saj, dhe arsyen përse janë mirënjohës për Të.

  • Paraqitni figurat 50, 60 dhe 64 nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit. Shkruajini në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta dhe ftojini fëmijët t’i përputhin referencat me figurat: Zakaria 9:9; 13:6; 13:7. Ftojini fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre rreth Jezu Krishtit.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të shkruajnë një të vërtetë që e mësuan në klasë. Ftojini të diskutojnë me familjet e tyre se si mund të fitojnë një dëshmi më të fortë për atë të vërtetë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdoreni aftësinë tuaj krijuese. Lërini idetë në këtë përvijim mësimi të ndezin krijimtarinë tuaj. Mendoni rreth asaj se çfarë do t’u pëlqejë fëmijëve në klasën tuaj dhe çfarë do t’i ndihmojë të gjejnë lidhje ndërmjet shkrimeve të shenjta dhe jetës së tyre.