Dhiata e Vjetër 2022
19–25 Dhjetor. Krishtlindja: “Tek Ai Kemi Shpresuar dhe Ai do të na Shpëtojë”


“19–25 Dhjetor. Krishtlindja: ‘Tek Ai Kemi Shpresuar dhe Ai do të na Shpëtojë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“19–25 Dhjetor. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Jezusi foshnjë i mbështjellë me një rrobë të bardhë dhe i vendosur në kashtë

Sepse Na Ka Lindur një Fëmijë, nga Simon Dewey

19–25 Dhjetor

Krishtlindja

“Tek Ai Kemi Shpresuar dhe Ai do të na Shpëtojë”

Gjatë kësaj periudhe Krishtlindjeje, merrni parasysh se si Dhiata e Vjetër e ka forcuar dëshminë tuaj për Jezu Krishtin gjatë gjithë vitit.

Shënojini Mbresat Tuaja

Dhiata e Vjetër mbart një frymë pritjeje shumë të dëshiruar. Në këtë mënyrë, është pak a shumë e ngjashme me periudhën e Krishtlindjes. Duke filluar nga Adami dhe Eva, patriarkët, profetët, poetët dhe njerëzit e Dhiatës së Vjetër pritën me padurim për ditë më të mira, të mbushura me shpresë për përtëritje dhe çlirim nga Mesia. Dhe izraelitët kishin shpesh nevojë për atë shpresë – qoftë kur ishin në robëri në Egjipt apo Babiloni ose të zënë rob nga vetë mëkati apo rebelimi i tyre. Përmes gjithë këtyre përvojave, profetët u kujtuan atyre se një Mesia, një Çlirues, do të vinte që “të shpall[te] çlirimin e atyre që janë në robëri” (Isaia 61:1).

Ajo shpresë filloi të përmbushej kur lindi Jezu Krishti në Bethlehem. Çliruesi i fuqishëm i Izraelit lindi në një stallë dhe u vendos në një grazhd (shih Lluka 2:7). Por Ai nuk ishte vetëm Çliruesi i izraelitëve të lashtë. Ai erdhi për t’ju çliruar ju – për të mbajtur sëmundjet tuaja, për të marrë përsipër dhembjet tuaja, për t’u shtypur për paudhësitë tuaja, kështu që me vurratat e Tij, ju të mund të shëroheni (shih Isaia 53:4–5). Kjo është arsyeja përse Krishtlindja pritet me kaq shumë gëzim edhe sot. Mesia erdhi mbi 2 000 vjet më parë dhe Ai vazhdon të vijë në jetën tonë kurdoherë që e kërkojmë Atë.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Unë gëzohem në Shëlbuesin tim.

Krishtlindja njihet si një periudhë e gëzueshme për shkak të gëzimit që Jezu Krishti sjell në botë. Madje edhe njerëzit që nuk e adhurojnë Jezusin si Birin e Perëndisë, shpesh mund ta ndiejnë lumturinë e Krishtlindjes. Përsiatni për gëzimin që ndieni për shkak se Ati Qiellor dërgoi Birin e Tij.

Shekuj përpara se Shpëtimtari të lindte, profetët e Dhiatës së Vjetër shpesh ndien gëzim ndërsa folën për Mesian që do të vinte. Lexojini disa nga fragmentet në vijim dhe mendoni për arsyen përse ato do të kishin qenë të çmuara për ata që e pritën me padurim misionin e Shpëtimtarit: Psalmeve 35:9; Isaia 25:8–9; 44:21–24; 51:11; Sofonia 3:14–20; Moisiu 5:5–11. Përse këto fragmente janë të çmuara për ju?

Shih edhe Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 81–84.

Simbolet mund të më ndihmojnë ta kujtoj Jezu Krishtin.

Shumë nga traditat që lidhen me Krishtlindjen, mund të kenë kuptime simbolike që na drejtojnë te Krishti. Zbukurimet në formën e yllit, përfaqësojnë yllin e shndritshëm që shkëlqeu natën e lindjes së Jezusit (shih Mateu 2:2). Njerëzit që këndojnë këngë Krishtlindjeje, mund të na kujtojnë engjëjt që iu shfaqën barinjve (shih Lluka 2:13–14). Ndërsa e studiuat Dhiatën e Vjetër këtë vit, ju mund të keni vënë re shumë simbole të Shpëtimtarit. Disa renditen më poshtë. Merrni parasysh studimin e tyre dhe shënojeni atë që ato ju mësojnë rreth Tij.

Çfarë simbolesh, fragmentesh dhe tregimesh të tjera keni gjetur në shkrimet e shenjta që dëshmojnë për Jezu Krishtin?

Shih edhe 2 Nefi 11:4; Mosia 3:14–15; Moisiu 6:63; “Tipet ose Simbolet e Krishtit”, tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jezu Krishti”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

“Do të Quhet … i Admirueshëm.”

Jezu Krishtit i referohen me shumë emra dhe tituj të ndryshëm. Çfarë titujsh gjeni në vargjet e mëposhtme? Psalmeve 23:1; 83:18; Isaia 7:14; 9:6; 12:2; 63:16; Amos 4:13; Zakaria 14:16; Moisiu 7:53. Për çfarë titujsh të tjerë mund të mendoni? Ju madje mund të kënaqeni duke renditur titujt për Jezu Krishtin që gjeni te himnet për Krishtlindjen. Si ndikon secili titull në mënyrën se si mendoni për Të?

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Traditat e Krishtlindjes mund të na drejtojnë te Jezu Krishti.Familjet izraelite kishin tradita, të tilla si Pashka dhe festa të tjera, që kishin për qëllim t’i drejtonin zemrën dhe mendjet e tyre te Zoti (shih Eksodi 12). Çfarë traditash ka familja juaj në kohën e Krishtlindjes që ju ndihmojnë të përqendroheni te Jezu Krishti? Çfarë traditash dini nga historia juaj familjare? Ju mund të merrni parasysh të diskutoni si familje për disa tradita të cilat dëshironi t’i filloni. Disa ide mund të përfshijnë shërbimin ndaj dikujt në nevojë (për ide, shihni ComeuntoChrist.org/light-the-world), duke e ftuar një mik ose mikeshë ta shohë me ju Takimin Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë (broadcasts.ChurchofJesusChrist.org), duke shkruar vetë një këngë për Krishtlindjen ose duke gjetur një mënyrë krijuese për ta shpërndarë mesazhin për lindjen e Krishtit.

“The Christ Child: A Nativity Story” [“Krishti Fëmijë: Një Histori Krishtlindjeje”].Si mund t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes ta ndiejnë nderimin dhe gëzimin për lindjen e Krishtit? Ju mund të shihni materialin filmik “The Christ Child: A Nativity Story” [“Krishti Fëmijë: Një Histori Krishtlindjeje”] (ChurchofJesusChrist.org) ose të lexoni së bashku vargjet te Mateu 1:18–25; 2:1–12; Lluka 1:26–38; 2:1–20. Secili pjesëtar i familjes mund të zgjedhë një person nga materiali filmik ose tregimi nga shkrimi i shenjtë dhe të tregojë se si ndihet ai person për Shpëtimtarin. Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë gjithashtu ndjenjat e tyre për Të.

Gjetja e Shpëtimtarit në Dhiatën e Vjetër.Ndërsa përgatiteni për të studiuar jetën e Jezu Krishtit te Dhiata e Re vitin e ardhshëm, merrni parasysh të shqyrtoni me familjen tuaj atë që ata kanë mësuar për Të këtë vit në Dhiatën e Vjetër. Ju mund të shqyrtoni përvijimet në këtë burim dhe çdo shënim te studimi vetjak, që t’ju ndihmojë të kujtoni atë që keni mësuar. Fëmijët më të vegjël në moshë mund të përfitojnë duke parë në materialin Tregime nga Dhiata e Vjetër ose figurat në këtë burim. Cilat profeci ose histori na bënë më shumë përshtypje? Çfarë kemi mësuar rreth Shpëtimtarit?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “O Qyteza e Bethleh’mit”, Himne, nr. 127.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Dëgjojini pjesëtarët e familjes suaj. “Dëgjimi është një veprim dashurie. Ai kërkon që ne të kujdesemi më shumë rreth asaj që është në zemrën e një njeriu tjetër, sesa asaj që vjen më pas në programin apo planin tonë. … Teksa u kushtoni vëmendje të kujdesshme mesazheve të [pjesëtarëve të familjes] të shprehura dhe të pashprehura, ju do të arrini t’i kuptoni më mirë nevojën e tyre, shqetësimet e tyre dhe dëshirat e tyre. Shpirti do t’ju ndihmojë të dini se si t’u jepni mësim atyre” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 34).

Maria dhe Jezusi foshnjë në stallë me barinjtë

Lindja e Krishtit, nga N. C. Wyeth