“5–11 Dhjetor. Hagai; Zakaria 1–3; 7–14: ‘Shenjtëri Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“5–11 Dhjetor. Hagai; Zakaria 1–3; 7–14”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
5–11 Dhjetor
Hagai; Zakaria 1–3; 7–14
“Shenjtëri Zotit”
Leximi i shkrimeve të shenjta fton zbulesën. Jini të hapur ndaj mesazheve që Fryma e Shenjtë ju zbulon ndërsa lexoni librat Hagai dhe Zakaria.
Shënojini Mbresat Tuaja
Pas dekadash robërie, një grup izraelitësh, ndoshta duke përfshirë edhe profetët Hagai dhe Zakaria, u lejuan që të ktheheshin në Jerusalem. Disa njerëz në këtë grup kujtuan se si dukej Jerusalemi përpara se të shkatërrohej. Përfytyroni ndjenjat e tyre ndërsa panë rrënojat që dikur ishin shtëpitë e tyre, vendet e tyre të adhurimit dhe tempulli i tyre. Atyre që pyetën veten nëse tempulli do të ngjante ndonjëherë sërish me shtëpinë e Zotit “në lavdinë e [saj] të mëparshme” (Hagai 2:3), profeti Hagai u tha fjalët nxitëse të Zotit: “‘Ji i fortë, o mbarë popull i vendit’, thotë Zoti, ‘dhe i hyni punës, sepse unë jam me ju, … mos kini frikë’”. “Unë do ta mbush këtë tempull me lavdi, … dhe në këtë vend unë do të sjell paqen.” (Hagai 2:4–5, 7, 9.)
Por nuk ishte vetëm tempulli i shenjtë që kishte nevojë për rindërtim. Në shumë mënyra, populli i Perëndisë ishte shpirtërisht i rrënuar. Dhe rindërtimi i një populli të shenjtë kërkon më tepër se latimin e gurëve dhe renditjen e tyre për të ndërtuar një mur tempulli. Sot tempujt mbajnë mbishkrimin “Shenjtëri Zotit” dhe ato fjalë gjejnë zbatim jo vetëm për një ndërtesë, por për një mënyrë jetese. Gdhendja e atyre fjalëve në “zilkat e kuajve” dhe “çdo tenxhere në Jeruzalem” (Zakaria 14:20–21) është e dobishme vetëm nëse ato janë gdhendur edhe në çdo zemër. Shenjtëria e vërtetë kërkon që fjalët dhe ligjet e Zotit të “arri[jnë]” (Zakaria 1:6) tek ne, duke e lejuar fuqinë e Tij që ta ndryshojë natyrën tonë me qëllim që të bëhemi të shenjtë si Ai (shih Levitiku 19:2).
Për një vështrim të përgjithshëm të librave Hagai dhe Zakaria, shih “Hagai” dhe “Zakaria” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
“Mendohuni mirë për sjelljen tuaj.”
Kishte shumë gjëra të rëndësishme për t’u bërë që të rindërtohej Jerusalemi. Por pasi kishin kaluar afërsisht 15 vjet që nga koha e kthimit të izraelitëve, Zoti ishte i pakënaqur që rindërtimit të tempullit nuk i ishte dhënë përparësi më e lartë (shih Hagai 1:2–5; shih edhe Ezdras 4:24). Ndërsa lexoni vargjet te Hagai 1; 2:1–9, merrni parasysh pyetje si këto: Me çfarë pasojash u përballën izraelitët për shkak se nuk e kishin përfunduar tempullin? Çfarë bekimesh u premtoi Zoti atyre nëse do ta përfundonin ndërtimin e shtëpisë së Tij? Ju mund ta shfrytëzoni këtë mundësi për t’u “mend[uar] mirë për sjelljen tuaj” – për të menduar për përparësitë tuaja dhe se si mund t’i harmonizoni ato me përparësitë e Zotit.
Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 95; Terens M. Vinson, “Dishepujt e Vërtetë të Shpëtimtarit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 9–11.
Zoti mund të më bëjë të shenjtë.
Motra Karol F. Mek‑Konki dha mësim: “Shenjtëria është bërja e zgjedhjeve që do ta mbajnë Frymën e Shenjtë si udhëzuesin tonë. Shenjtëria është lënia mënjanë e prirjeve tona të natyrshme dhe bërja ‘shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot’ [Mosia 3:19]. … Shpresa jonë për shenjtëri është e përqendruar te Krishti, në mëshirën e Tij dhe në hirin e Tij” (“Shkëlqimi i Shenjtërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 9–10). Mbajini në mendje këto mësime ndërsa lexoni fjalët e Zotit, të dhëna nëpërmjet profetit Zakaria, që e nxitin Izraelin të bëhet më i shenjtë: Zakaria 1:1–6; 3:1–7; 7:8–10; 8:16–17. Vini re gjërat që Zoti i kërkoi Izraelit të bënte në mënyrë që Ai të mund t’i bënte ata të shenjtë. Si po ju ndihmon Ai që të bëheni më të shenjtë?
Vargjet te Zakaria 2:10–11; 8:1–8; 14:9–11, 20–21 përshkruajnë se si do të ishte jeta në një kohë të ardhshme kur të gjithë të jetojmë me Zotin në një gjendje shenjtërie. Çfarë kuptimi mund të kenë pasur këto përshkrime për ata që e rindërtuan Jerusalemin në kohën e Zakarias? Çfarë kuptimi kanë për ju?
Zakaria 9:9–11; 11:12–13; 12:10; 13:6–7; 14:1–9
Jezu Krishti është Mesia i premtuar.
Disa nga shkrimet e Zakarias ju drejtojnë te shërbesa tokësore e Jezu Krishtit, si dhe Ardhja e Tij e Dytë përfundimtare. Krahasojini profecitë e mëposhtme nga Zakaria me fragmentet përkatëse nga libra të tjerë të shkrimit të shenjtë:
-
Zakaria 11:12–13 (shih Mateu 26:14–16; 27:1–7)
-
Zakaria 12:10 (shih Gjoni 19:37; Zbulesa 1:7)
-
Zakaria 13:6–7; 14:1–9 (shih Mateu 26:31; Doktrina e Besëlidhje 45:47–53)
Çfarë mësuat për Shpëtimtarin teksa i studiuat këto fragmente? Përse është e rëndësishme për ju që t’i kuptoni këto fragmente?
Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mesia” (scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Hagai 1:2–7.Këto vargje mund ta nxitin familjen tuaj që të “mendoh[et] mirë për sjelljen” e vet. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të interpretojnë me gjeste frazat te vargu 6. Çfarë na mëson ky varg rreth vlerësimit të gjërave të botës më tepër se gjërat e Perëndisë? Ju mund të këshilloheni së bashku rreth përparësive të familjes suaj. Të kënduarit e një kënge si “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41) mund ta ndihmojë familjen tuaj të vlerësojë atë që po bëni mirë dhe fushat në të cilat mund të përmirësoheni.
-
Hagai 2:1–9.Për t’i paraqitur këto vargje, ju mund të tregoni historinë e Tempullit të Provo-Siti-Sentërit, i cili u rindërtua nga një tabernakull i dashur që ishte shkrumbuar (shih Tomas S. Monson, “Ndërsa Prapë Takohemi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 5). Ndërsa familja juaj lexon te Hagai 2:1–9, ju mund t’u kërkoni pjesëtarëve të familjes të mendojnë për diçka në jetën e tyre që mund të jetë si puna e rindërtimit të tempullit që ishte shkatërruar. Si na rindërton ne Zoti pas tragjedisë ose fatkeqësisë?
-
Zakaria 3:1–7.Ndërsa i lexoni këto vargje, ju mund t’i tregoni familjes suaj disa rroba të papastra. Si mund të jetë ndier Jozueu kur qëndroi përpara engjëllit me rroba të papastra? Si është mëkati i ngjashëm me rrobat e papastra? Çfarë na mësojnë vargjet te Zakaria 3:1–7 rreth faljes? Ju më pas mund t’i pastroni rrobat së bashku dhe të flisni rreth fuqisë pastruese të Shlyerjes së Shpëtimtarit.
-
Zakaria 8:1–8.Çfarë na bën përshtypje rreth vegimit të Zakarias për të ardhmen e Jerusalemit? Çfarë gjejmë atje që do të donim ta shihnim në komunitetin tonë? Si mund ta ftojmë Shpëtimtarin që të “banoj[ë] në mes[in tonë]”? (Shih Geri E. Stivenson, “Shtëpi të Shenjta, Tempuj të Shenjtë”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 101–103).
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Përpiqem t’Jem si Jezusi”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41.