Dhiata e Vjetër 2022
28 Nëntor – 4 Dhjetor. Nahum; Habakuk; Sofonia: “Rrugët e Tij Janë të Përjetshme”


“28 Nëntor – 4 Dhjetor. Nahum; Habakuk; Sofonia: ‘Rrugët e Tij Janë të Përjetshme’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“28 Nëntor – 4 Dhjetor. Nahum; Habakuk; Sofonia”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Jezusi duke parë lart drejt yjeve

“Rrugët e tij janë të përjetshme” (Habakuk 3:6). Në Fillim Ishte Fjala, nga Eva Timothy

28 Nëntor – 4 Dhjetor

Nahum; Habakuk; Sofonia

“Rrugët e Tij Janë të Përjetshme”

Ju mund t’i studioni shkrimet e shenjta gjithë jetën tuaj dhe ende të gjeni ide të reja. Mos mendoni se duhet ta kuptoni çdo gjë pikërisht tani. Lutuni për ndihmë për të dalluar mesazhet për të cilat keni nevojë sot.

Shënojini Mbresat Tuaja

Të lexosh Dhiatën e Vjetër shpesh do të thotë të lexosh profeci rreth shkatërrimit. Zoti shpesh thirri profetë për t’i paralajmëruar të ligjtë se gjykimet e Tij ishin mbi ta. Shërbesat e Nahumit, Habakukut dhe Sofonias janë shembuj të mirë. Me hollësi të frikshme, këta profetë parashikuan rënien e qyteteve që, në atë kohë, dukeshin të forta dhe të fuqishme – Ninivesë, Babilonisë dhe madje Jerusalemit. Por kjo ndodhi mijëra vite më parë. Përse ka vlerë që t’i lexojmë këto profeci sot?

Edhe pse këto qytete krenare dhe të liga u shkatërruan, krenaria dhe ligësia vazhdojnë. Në botën e sotme, ne ndonjëherë mund të ndihemi të rrethuar nga të ligat që u dënuan nga profetët e lashtë. Madje mund të zbulojmë gjurmë të tyre në vetë zemrat tona. Këto profeci të Dhiatës së Vjetër zbulojë se si ndihet Zoti rreth krenarisë dhe ligësisë, dhe na mësojnë se ne mund të largohemi nga këto ligësi. Ndoshta kjo është një arsye përse i lexojmë ende sot këto profeci të lashta. Nahumi, Habakuku, Sofonia dhe të tjerë nuk ishin thjesht profetë që parashikuan fatkeqësitë – ata ishin profetë që parashikuan çlirimin. Përshkrimet për shkatërrimin zbuten nga ftesat për të ardhur te Krishti dhe për të marrë mëshirën e Tij: “Kërkoni Zotin …; kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë” (Sofonia 2:3). Kjo ishte mënyra e Zotit në kohët e lashta dhe kjo është mënyra e Tij sot. “Rrugët e tij janë të përjetshme” (Habakuk 3:6).

Për vështrime të përgjithshme mbi këto libra, shih “Nahum”, “Habakuk” dhe “Sofonia” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Nahum 1

Zoti është edhe i fuqishëm edhe i mëshirshëm.

Misioni i Nahumit ishte të parashikonte shkatërrimin e Ninivesë, kryeqytetit të perandorisë së dhunshme asiriane, që e kishte shpërndarë Izraelin dhe e kishte shkatërruar brutalisht Judën. Nahumi filloi duke përshkruar zemërimin dhe fuqinë e pangjashme të Perëndisë, por Ai foli gjithashtu për mëshirën dhe mirësinë e Perëndisë. Ju mund të merrni parasysh të identifikoni vargjet te kapitulli 1 që ju ndihmojnë ta kuptoni secilën nga këto cilësi – dhe cilësi të tjera të Perëndisë që i vini re. Si mendoni, përse është e rëndësishme që ta dimë secilën prej këtyre gjërave rreth Zotit?

Disa mund ta kenë të vështirë që ta pajtojnë mësimin nga shkrimi i shenjtë se “Zoti është i mirë” (Nahum 1:7) me mësimin se Ai “[do të] hakmerret m[bi] kundërshtarët e tij” (Nahum 1:2). Në Librin e Mormonit, i biri i Almës, Koriantoni, kishte pyetje të ngjashme “në lidhje me drejtësinë e Perëndisë në ndëshkimin e mëkatarit” (Alma 42:1). Për të mësuar më shumë rreth mëshirës së Perëndisë dhe se si ajo lidhet me drejtësinë e Tij, lexoni përgjigjen e Almës ndaj Koriantonit tek Alma 42.

fortesë prej guri

“Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë” (Nahum 1:7).

Habakuku

Unë mund t’u mirëbesoj vullnetit të Zotit dhe kohës së Tij.

Edhe profetët ndonjëherë kanë pyetje rreth rrugëve të Zotit. Habakuku, i cili jetoi në një kohë të ligësisë së përhapur gjerësisht në Judë, e filloi analin e tij me pyetje drejtuar Zotit (shih Habakuk 1:1–4). Si do t’i përmblidhnit shqetësimet e Habakukut? A keni pasur ndonjëherë ndjenja të ngjashme?

Zoti iu përgjigj pyetjeve të Habakukut duke thënë se Ai do të dërgonte kaldeasit (babilonasit) për ta ndëshkuar Judën (shih Habakuk 1:5–11). Por Habakuku ishte ende i trazuar, pasi i dukej e padrejtë që Zoti të rrinte duarkryq “kur i ligu [Babilonia] gllabëron atë që është më i drejtë [Judën]” (shih vargjet 12–17). Çfarë gjeni në vargjet te Habakuk 2:1–4 që ju frymëzon t’i mirëbesoni Zotit kur keni pyetje që nuk keni marrë përgjigje?

Kapitulli 3 i librit Habakuk është një lutje lavdërimi ndaj Perëndisë dhe një shprehje e besimit në Të. Çfarë ju bën përshtypje rreth fjalëve të Habakukut te vargjet 17–19? Si është i ndryshëm toni te këto vargje nga vargjet te Habakuk 1:1–4? Përsiatni se si mund të zhvilloni besim më të madh te Perëndia, edhe kur jeta duket e padrejtë.

Shih edhe Hebrenjve 10:32–39; 11; Doktrina e Besëlidhje 121:1–6; Robert D. Hejls, “Të Presësh Nga Zoti: U Bëftë Vullneti Yt”, Liahona, nëntor 2011, f. 71–74.

Sofonia

“Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut.”

Sofonia profetizoi se populli i Judës do të shkatërrohej plotësisht nga babilonasit për shkak të ligësisë së tyre. “‘Unë do të zhduk krejt çdo gjë nga faqja e dheut’, thotë Zoti” (Sofonia 1:2). Dhe prapëseprapë Sofonia tha gjithashtu se një “mbet[je]” do të ruhej (Sofonia 3:13). Ndërsa i lexoni këto profeci, vini re llojet e qëndrimeve dhe sjelljeve që e çuan Judën dhe grupe të tjera drejt shkatërrimit – shihni sidomos vargjet te Sofonia 1:4–6, 12; 2:8, 10, 15; 3:1–4. Më pas kërkoni karakteristikat e popullit që Perëndia do të ruante – shih Sofonia 2:1–3; 3:12–13, 18–19. Çfarë mesazhi mendoni se ka Zoti për ju në këto vargje?

Sofonia 3:14–20 përshkruan gëzimin e të drejtit pasi Zoti “ka dëbuar armikun tënd” (vargu 15). Cilat bekime të premtuara në këto vargje iu bëjnë më shumë përshtypje? Përse është e rëndësishme për ju që të dini rreth këtyre bekimeve? Ju mund t’i krahasoni këto vargje me përvojat që përshkruhen te 3 Nefi 17 dhe të përsiatni se si ndihet Jezu Krishti për njerëzit e Tij – duke përfshirë edhe ju.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Nahum 1:7.Në ç’mënyrë Zoti është si “një fortesë”? Ndoshta familja juaj mund të ndërtojë një fortesë ose kala me mjete të thjeshta në shtëpinë tuaj dhe të diskutojë rreth vargut te Nahum 1:7 ndërsa është brenda saj. Çfarë e bën ditën tonë një “ditë … fatkeqësi[e]”? Si na fortifikojnë Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij? Si e tregojmë se “kërkoj[m]ë strehë tek ai”?

Habakuk 2:14.Si mund të ndihmojmë për ta përmbushur profecinë në këtë varg?

Habakuk 3:17–19.Çfarë mësojmë nga shembulli i Habakukut në këto vargje?

Sofonia 2:3.Ju mund të luani një lojë në të cilën pjesëtarët e familjes duhet të gjejnë fjalët “drejtësinë” dhe “përulësinë” te një faqe me shumë fjalë të tjera. Ata më pas mund të flasin rreth shembujve të drejtësisë dhe përulësisë që kanë parë te njëri-tjetri. Çfarë do të thotë të kërkosh drejtësi dhe përulësi?

Sofonia 3:14–20.Çfarë gjejmë në vargjet te Sofonia 3:14–20 që na bën të duam të “lësho[jmë] britma gëzimi, … [të] gëzoh[emi] dhe ngazëll[ehemi] me gjithë zemër”? Ndoshta familja juaj mund të këndojë himne ose këngë që ju vijnë në mendje ndërsa i lexoni këto vargje.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Herët Zotin do Kërkoj”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 67.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Jini i duruar. Ndonjëherë ne i duam menjëherë përgjigjet për pyetjet tona, por idetë shpirtërore kërkojnë kohë dhe nuk mund të kërkohen me detyrim. Ashtu si Zoti i tha Habakukut: “Prite, sepse me siguri do të vijë” (Habakuk 2:3).

Jezusi duke zbritur dhe i veshur me një rrobë të kuqe

“Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi” (Sofonia 3:17). Ai Vjen Përsëri për të Sunduar dhe Mbretëruar, nga Mary R. Sauer