“14–20 Nëntor. Amos; Abdia: ‘Kërkoni Zotin dhe do të Rroni’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“14–20 Nëntor. Amos; Abdia”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
14–20 Nëntor
Amos; Abdia
“Kërkoni Zotin dhe do të Rroni”
Fryma e Shenjtë mund ta hapë mendjen dhe zemrën tuaj ndaj mesazheve në fjalën e Perëndisë që janë posaçërisht për ju. Çfarë ndieni se dëshiron Zoti që ju të mësoni këtë javë?
Shënojini Mbresat Tuaja
Perëndia e zgjodhi farën e Abrahamit që të ishte populli i Tij i besëlidhjes në mënyrë që ata të “[ishin] një bekim” për të gjithë njerëzit (shih Zanafilla 12:2–3). Por përkundrazi, në kohën e shërbesës së Amosit, shumë njerëz nga populli i besëlidhjes po i shtypnin të varfrit dhe shpërfillnin profetët, duke i bërë veprat e tyre të adhurimit të zbrazëta dhe të pakuptimta (shih Amos 2:6–16). Në të vërtetë, kombet që i rrethuan ata, ishin gjithashtu fajtorë për mëkate të mëdha (shih Amos 1; 2:1–5), por ky nuk ka qenë kurrë një justifikim për popullin e Perëndisë (shih Amos 3:2). Ndaj Perëndia dërgoi një bari nga Juda, të quajtur Amos, për t’i predikuar pendim mbretërisë së Izraelit. Më vonë, Perëndia gjithashtu shpalli nëpërmjet profetit Abdia se ndonëse mbretëria e Judës ishte shkatërruar, Zoti do ta mblidhte dhe do ta bekonte popullin e Tij sërish. Populli i besëlidhjes ishte larguar nga udha e Zotit, dëshmuan të dy profetët, por nuk do të dëboheshin përgjithmonë. Kur Perëndia ua zbulon sekretet e Tij shërbëtorëve të Tij, profetëve (shih Amos 3:7), ne mund ta marrim atë si një shenjë që Ai ende dëshiron të na ndihmojë që të jetojmë sipas besëlidhjeve që bëmë me Të.
Për më shumë rreth librave Amos dhe Abdia, shih “Amos” dhe “Abdia” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti e zbulon të vërtetën nëpërmjet profetëve të Tij.
Tek Amos 3:3–6, profeti Amos paraqiti disa shembuj të shkaqeve dhe pasojave: për shkak se luani gjen gjahun, luani vrumbullon; për shkak se një kurth me një krimb është vendosur për një zog, zogu është në grackë. (Vini re se te Përkthimi prej Joseph Smith-it vargu 6, fjala “shkaktuar” u ndryshua në “ditur” [në Biblën në anglisht Amos 3:6, poshtëshënimi b].) Te vargjet 7–8, Amosi e zbatoi këtë logjikë për profetët. Çfarë e bën një profet që të profetizojë? Çfarë tjetër mësoni rreth profetëve ndërsa lexoni vargjet tek Amos 7:10–15? Përsiatni se përse jeni mirënjohës që Zoti ende “ua treg[on] sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve” (Amos 3:7). Çfarë ju sugjeron kjo e vërtetë për Perëndinë?
Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 1:38; 21:4–8; 35:13–14.
“Kërkoni Zotin dhe do të rroni.”
Ndërsa lexoni vargjet tek Amos 4:6–13, vini re gjykimet që Zoti i kishte dërguar popullit të Izraelit. Çfarë sugjerojnë këto vargje rreth asaj që Zoti shpresoi se do të ndodhte pas secilës prej këtyre përvojave? (Shih edhe Helamani 12:3.) Mendoni për një sprovë që e keni përjetuar kohët e fundit. Ndonëse sprova juaj mund të mos jetë dërguar nga Perëndia, përsiatni se si ajo mund t’ju japë mundësi që ta kërkoni Atë.
Lexoni tek Amos 5:4, 14–15 dhe përsiatni se si Zoti ka qenë “[i] dhembshur” (vargu 15) me ju ndërsa e keni kërkuar Atë, madje edhe gjatë kohëve të sprovës suaj.
Shih edhe Donald L. Hallstrom, “Kthehu te Zoti”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 78–80.
Fjala e Zotit mund të kënaqë urinë dhe etjen shpirtërore.
Ne të gjithë përjetojmë periudha urie dhe etjeje shpirtërore, por nuk është e nevojshme që ne të “shkoj[më] duke u endur nga një det në tjetrin” (Amos 8:12) duke kërkuar diçka që të na kënaqë. Ne e dimë se çfarë do ta kënaqë atë uri shpirtërore dhe jemi bekuar me bollëk me fjalën e Zotit. Ndërsa lexoni tek Amos 8:11–12, mendoni se përse zija e bukës është një krahasim i mirë për të jetuar pa fjalën e Perëndisë. Çfarë idesh shtesë gjeni te librat Mateu 5:6; Gjoni 6:26–35; 2 Nefi 9:50–51; 32:3; Enos 1:4–8?
Shih edhe Xhefri R. Holland, “He Hath Filled the Hungry with Good Things”, Ensign, nëntor 1997, f. 64–66; Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Apostasy” [“Braktisja”], topics.ChurchofJesusChrist.org.
Kush janë “[shpët]imtarë[t] … në malin e Sionit”?
Presidenti Gordon B. Hinkli dha një interpretim të mundshëm të frazës “[shpët]imtarë … në malin e Sionit”, duke e lidhur frazën me punën në tempull dhe për historinë familjare: “[Në tempull,] ne bëhemi, me tërë kuptimin e fjalës, shpëtimtarë në malin e Sionit. Çfarë do të thotë kjo? Ashtu sikurse Shëlbuesi ynë dha jetën e Tij si flijim mëkëmbës për të gjithë njerëzit dhe duke e bërë këtë u bë Shpëtimtari ynë, po kështu edhe ne, në një masë të vogël, kur përfshihemi në punën si mëkëmbës në tempull, bëhemi shpëtimtarë të atyre në anën tjetër, të cilët nuk kanë mjete për të përparuar nëse diçka nuk bëhet në emër të tyre nga ata që ndodhen në tokë” (“Closing Remarks”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 105).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Amos 3:7.Ju mund të shqyrtoni disa mesazhe të fundit nga Presidenti i Kishës dhe të diskutoni se çfarë po i zbulon Zoti familjes suaj nëpërmjet tij. Përse është e rëndësishme të kemi një profet që ta drejtojë Kishën? Si mund të arrijmë të dimë se ai është një profet i vërtetë? Çfarë po bëjmë për ta ndjekur këshillën e tij?
-
Amos 5:4.Familja juaj mund të krijojë një afishe që ta varë në shtëpi me këtë varg në të. Çfarë do të thotë të kërkosh Zotin? Si e kërkojmë ne Atë? Çfarë bekimesh marrim kur e kërkojmë Atë? Ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes të tregojnë dhe diskutojnë për fragmente të tjera që japin mësim rreth kërkimit për Zotin, të tilla si Mateu 7:7–8; Ethëri 12:41 dhe Doktrina e Besëlidhje 88:63.
-
Amos 8:11–12.Fëmijët mund të kënaqen duke sajuar veprime që i shoqërojnë frazat në këto vargje. Kur trupat tanë janë të uritur ose të etur, çfarë bëjmë ne? Kur shpirtrat tanë janë të uritur ose të etur, çfarë bëjmë ne? Ju gjithashtu mund të shihni materialin filmik “The Great Apostasy” [“Braktisja e Madhe”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe të flisni rreth asaj se si Rivendosja e ungjillit e kënaq urinë tonë shpirtërore.
-
Abdia 1:21.Çfarë do të thoshte të jemi “[shpët]imtarë … në malin e Sionit”? (Për një shpjegim të mundshëm, shihni thënien nga Presidenti Gordon B. Hinkli te pjesa “Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”.) Cilët nga paraardhësit tanë kanë nevojë për ordinancat shpëtuese? Çfarë do të bëjmë për t’i ndihmuar ata?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “T’Falemi, Per’ndi, për Profetin”, Himne, nr. 13.