“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Filloren”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Filloren”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Filloren
Përgatitja për të Dhënë Mësim në Fillore
Studimi vetjak dhe familjar në shtëpi duhet të jetë qendra e të mësuarit të ungjillit. Kjo është e vërtetë për ju dhe për fëmijët të cilëve u jepni mësim. Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, fillojeni duke pasur vetë përvojat tuaja me shkrimet e shenjta. Përgatitja juaj më e rëndësishme do të ndodhë ndërkohë që i shqyrtoni shkrimet e shenjta dhe kërkoni frymëzimin nga Fryma e Shenjtë.
Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet është gjithashtu një pjesë e rëndësishme si e studimit tuaj vetjak dhe e përgatitjes suaj për të dhënë mësim. Ky manual do t’ju ndihmojë të fitoni kuptim më të thellë të parimeve doktrinore që gjenden në shkrimet e shenjta.
Gjatë përgatitjes suaj, mendime dhe mbresa do t’ju vijnë rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Ju do të merrni ide lidhur me mënyrën se si parimet në shkrimet e shenjta do ta bekojnë jetën e tyre. Ju do të udhëzoheni për t’i frymëzuar që të zbulojnë ato parime që i mësojnë nga shkrimet e shenjta vetë dhe me familjet e tyre. Mbani mend që të jeni i ndjeshëm ndaj fëmijëve rrethanat familjare të të cilëve mund të mos e përkrahin studimin e rregullt familjar të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmjen familjare.
Ide për Mësimdhënien
Ndërkohë që përgatiteni për të dhënë mësim, ju mund të merrni frymëzim shtesë duke shqyrtuar përvijimet e mësimeve në këtë burim. Mos i shihni këto ide si udhëzime hap pas hapi, por përkundrazi si sugjerime që e nxitin vetë frymëzimin tuaj. Ju i njihni këta fëmijë – dhe ju do të arrini t’i njihni edhe më mirë nëse ndërveproni me ta në klasë. Zoti i njeh ata gjithashtu dhe Ai do t’ju frymëzojë me mënyrat më të mira për t’i mësuar e bekuar ata.
Shumë burime të tjera janë në dispozicion për ju që t’i përdorni ndërkohë që përgatiteni, duke përfshirë idetë tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe revistat e Kishës. Për informacion të mëtejshëm mbi këto dhe burime të tjera, shih “Burime Shtesë për Dhënien Mësim Fëmijëve” në këtë burim.
Disa Gjëra që t’i Mbani në Mendje
-
Prindërit kanë përgjegjësinë parësore për t’i mësuar fëmijët e tyre. Si mësues, ju keni përgjegjësi të rëndësishme që ta përkrahni e nxitni të mësuarit e ungjillit në shtëpi dhe të shtoni mbi atë mësim. Jini të ndjeshëm ndaj fëmijëve prindërit e të cilëve nuk e japin mësim ungjillin në shtëpinë e tyre. Përfshijini të gjithë fëmijët në diskutime mbi ungjillin pavarësisht nga rrethanat në shtëpitë e tyre.
-
Përsëritja është gjë e mirë. Fëmijët mësojnë të vërteta të ungjillit në mënyrë më të efektshme kur këto të vërteta jepen mësim në mënyrë të përsëritur nëpërmjet një larmie veprimtarish. Nëse gjeni që një veprimtari e të mësuarit është e efektshme për fëmijët, merreni parasysh ta përsëritni atë, veçanërisht nëse po u jepni mësim fëmijëve më të vegjël. Ju gjithashtu mund të përsëritni një veprimtari nga një mësim i mëparshëm.
-
Ati Qiellor dëshiron që ju të keni sukses si mësues. Ai ka siguruar burime të shumta për t’ju ndihmuar, përfshirë mbledhjet e këshillit të mësuesve. Në këto mbledhje ju mund të këshilloheni me mësues të tjerë rreth sfidave me të cilat përballeni. Ju gjithashtu mund të diskutoni e praktikoni parime të mësimdhënies si të Krishtit.
-
Nëse u jepni mësim fëmijëve më të vegjël dhe keni nevojë për ndihmë shtesë, shihni pjesën “Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël” në këtë burim.
-
Ky burim përfshin përvijime për çdo javë të vitit me përjashtim të dy të dielave kur mbahet konferenca e përgjithshme. Në të dielat kur nuk mbahet Fillorja për shkak të konferencës së kunjit apo ndonjë arsye tjetër, familjet duhet ta vazhdojnë leximin e Librit të Mormonit në shtëpi në përputhje me programin e përvijuar. Me qëllim që ta mbani orën tuaj mësimore të Fillores sipas programit mësimor, ju mund të zgjidhni që ta lini një mësim pa bërë ose të ndërthurni dy mësime. Që të shmanget pështjellimi, presidentet e Fillores mund të dëshirojnë t’i këshillojnë mësuesit rreth këtyre ndryshimeve që më parë.