Doktrina e Besëlidhje 2021
9–15 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 88: “Ngrini … një Shtëpi të Perëndisë”


“9–15 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 88: ‘Ngrini … një Shtëpi të Perëndisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“9–15 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 88”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

dhomë me karrige e stola

9–15 Gusht

Doktrina e Besëlidhje 88

“Ngrini … një Shtëpi të Perëndisë”

Doktrina e Besëlidhje 88:118 këshillon: “I mësoni njëri‑tjetrit fjalë urtësie”. Cilat “fjalë urtësie” te Doktrina e Besëlidhje 88 duken më domethënëse për fëmijët të cilëve u jepni mësim?

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Thuajuni fëmijëve se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë që ne të vazhdojmë të mësojmë gjatë gjithë jetës sonë. Kërkojuni të tregojnë për diçka që po e mësojnë në shtëpi, në shkollë ose në kishë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 88:63.

Perëndia dëshiron që unë të jem pranë Tij.

Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta ndiejnë praninë e Perëndisë në jetën e tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 88:63, ftojini fëmijët të bëjnë veprime për disa prej fjalëve që dëgjojnë. Për shembull, ata mund të bëjnë sikur po kërkojnë diçka ose po trokasin.

  • Kërkojini një fëmije të mbajë një figurë të Jezusit në krye të klasës teksa fëmijët e tjerë qëndrojnë në fund të klasës. Ftojini fëmijët të bëjnë një hap përpara çdo herë që thoni diçka që ne mund ta bëjmë për t’u afruar më pranë Shpëtimtarit dhe bëni një hap mbrapa çdo herë që ju thoni diçka që na largon nga Shpëtimtari. Jepni dëshminë tuaj se kur përpiqemi të afrohemi më pranë Zotit, Ai vjen më pranë nesh.

Doktrina e Besëlidhje 88:118

Ati Qiellor dëshiron që unë të mësoj.

“Arsimi është një pjesë e rëndësishme e planit të Atit Qiellor për t’ju ndihmuar të bëheni më shumë si Ai. … Arsimi që fitoni, do të jetë me vlerë për ju gjatë vdekshmërisë dhe në jetën e përjetshme” (Për Forcën e Rinisë, f. 9).

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një figurë të një shkolle ose vizatoni në tabelë një shkollë dhe ftojini fëmijët të shpjegojnë se çfarë është një shkollë dhe çfarë ndodh atje. Tregojuni për shkollën që filloi Jozef Smithi (shih “Kapitulli 31: Fjala e Urtësisë”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 119–122). Tregojuni fëmijëve figura të një shtëpie, një kishe e një tempulli dhe pyetini ata se si janë këto vende gjithashtu të ngjashme me shkollat.

  • Këndoni një këngë për të mësuarit, të tillë si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66). Pyetini fëmijët se për çfarë u pëlqen të mësojnë.

  • Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 88:118 dhe theksoni frazën “i mësoni njëri‑tjetrit”. Tregoni për urtësinë që e keni mësuar nga secili prej fëmijëve në klasën tuaj dhe ftojini të tregojnë për urtësinë që ata e kanë mësuar.

    fëmijë duke studiuar shkrimet e shenjta

    Ne duhet të kërkojmë urtësi dhe të mësuar.

Doktrina e Besëlidhje 88:119

Tempulli është shtëpia e Perëndisë.

Merreni parasysh se si do t’i ndihmoni fëmijët të ndiejnë dashuri për tempullin dhe dëshirë për ta adhuruar Zotin atje, kur të jenë gati.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve se si të bëjnë një “majë” tempulli duke i ngritur krahët lart dhe duke i prekur së bashku majat e gishtave të tyre. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 88:119 dhe kërkojuni të bëjnë një majë me duar sa herë që ju thoni fjalën “shtëpi”. Shpjegoni se Ati Qiellor dëshironte që Jozef Smithi dhe shenjtorët të ndërtonin një tempull, ose një “shtëpi të Perëndisë”. Paraqitni një figurë të një tempulli aty pranë, ndërkohë që flisni për ndryshimet midis një tempulli dhe një godine mbledhjesh të Kishës.

  • Jepni dëshminë tuaj për tempullin dhe këndoni së bashku një këngë për tempullin, të tillë si “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99). Ftojini fëmijët që të bëjnë një vizatim të vetes së tyre duke shkuar në tempull.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 88:68, 74

Jezu Krishti mund të më bëjë të pastër nga mëkati.

Të shenjtërohesh do të thotë të bëhesh i pastër dhe i dëlirë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë se ata mund të shenjtërohen kur e ndjekin Jezu Krishtin?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni një fëmijë të lexojë me zë të lartë te Doktrina e Besëlidhje 88:68 dhe një tjetër të lexojë vargun 74. Kërkojuni fëmijëve të dëgjojnë për një frazë që është në të dyja këto vargje. Si e “shenjtëro[jmë]” veten tonë? (Nëse nevojitet, ndihmojini fëmijët ta shohin fjalën “Shenjtërim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Vizatoni në tabelë figurën e një zemre, një dore dhe një këmbe. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për atë që do të thotë të “pastro[jmë]” zemrat, duart dhe këmbët tona. Si na ndihmon Shpëtimtari që ta bëjmë këtë gjë? Si mund t’i përdorim zemrat, duart dhe këmbët tona që të bëhemi më shumë si Jezusi?

  • Shpjegoni se Zoti dëshironte që njerëzit e Tij të shenjtëroheshin përpara se të mund të shkonin në tempull. Merreni parasysh ta ftoni një të ri ose të re që ka një rekomandim tempulli, të vijë në klasë. Ftojeni atë që t’u tregojë fëmijëve se çfarë pamje ka një rekomandim tempulli, të diskutojë se çfarë bën ai ose ajo që të jetojë me denjësi për të dhe të tregojë përse është e rëndësishme që të kemi një rekomandim tempulli edhe nëse nuk jetojmë pranë një tempulli.

Doktrina e Besëlidhje 88:77–80, 118

Ati Qiellor dëshiron që unë të mësoj.

Ju mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se të mësuarit si për çështje shpirtërore ashtu edhe materiale mund t’i përgatitë ata që t’i shërbejnë Zotit.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani në tabelë Çfarë, Përse dhe Si. Ftojini fëmijët të lexojnë në dyshe te Doktrina e Besëlidhje 88:77–79 dhe të bëjnë një listë të asaj çfarë Zoti dëshiron prej nesh që të mësojmë. Më pas vërini të kërkojnë vargun 80 që të gjejnë arsyen përse Ai dëshiron që ne të mësojmë. Më pas ata mund të kërkojnë vargun 118 që të gjejnë mënyrën si duhet të mësojmë. Çfarë mësojmë nga këto vargje për mënyrën se si Zoti e sheh arsimimin dhe të mësuarit?

  • Paraqitni një hartë të botës dhe lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 88:79. Përse është e rëndësishme që ne të mësojmë rreth vendeve dhe kulturave të tjera? Nëse ju ose fëmijët të cilëve u jepni mësim, kanë vizituar ose kanë jetuar në një vend tjetër, tregojuni sende që e përfaqësojnë atë kulturë dhe flisni për gjërat që mësuat.

Doktrina e Besëlidhje 88:119–126

“Ngrini … një shtëpi të Perëndisë.”

Udhëzimet e Zotit lidhur me “shtëpi[në e] Perëndisë” mund të jenë një udhëzim i dobishëm për ne teksa ndërtojmë jetën tonë dhe shtëpitë tona.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të zgjedhin shtatë fjalë që përshkruajnë shtëpinë e tyre ose një shtëpi tjetër që e kanë vizuar. Më pas kërkojuni të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 88:119 dhe të gjejnë shtatë fjalë që Zoti i përdor për të përshkruar shtëpinë e Tij. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si ata mund t’i bëjnë shtëpitë e tyre “një shtëpi të Perëndisë”.

  • Jepini secilit fëmijë një frazë nga Doktrina e Besëlidhje 88:119–126 për ta vizatuar. Kur t’ia tregojnë figurat e tyre njëri‑tjetrit, lejojini fëmijët që t’i kontrollojnë vargjet për të gjetur se cilën frazë përfaqëson secila figurë.

  • Shkruani në tabelë Bëni dhe Mos Bëni. Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 88:119–126 dhe të renditin gjërat që Zoti dëshironte që shenjtorët të bënin ose të mos bënin për t’u përgatitur që të mësonin në tempull. Ata mund t’i kërkojnë në fjalor fjalët që nuk i dinë. Ftojini fëmijët të zgjedhin diçka që do të fillojnë ta bëjnë ose diçka që nuk do ta bëjnë më.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët që të shkruajnë ose të vizatojnë një gjë që e mësuan, të cilën do të donin t’ua thoshin familjeve të tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët e vegjël që të marrin pjesë në diskutime për ungjillin. Ju mund të keni nevojë të mendoni për mënyra krijuese që të keni diskutime për ungjillin me fëmijët më të vegjël. Për shembull, ju mund të sillni në klasë diçka që fëmijët mund ta ngrenë lart kur është radha e tyre për të folur.