“2–8 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë: ‘Perëndia Është Dashuri’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“2–8 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
2–8 Dhjetor
1–3 Gjon; Judë
“Perëndia Është Dashuri”
Letrat e Gjonit dhe të Judës na mësojnë rreth dashurisë dhe dritës së Atit Qiellor. Teksa studioni këtë javë, përsiatni përse fëmijët të cilëve u jepni mësim, kanë nevojë për dritën dhe dashurinë e Tij në jetën e tyre. Mbani mend të merrni parasysh të gjitha veprimtaritë në këtë përvijim, jo vetëm ato të renditura nën grupmoshën së cilës i jepni mësim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët të tregojnë se si e kanë ndier dashurinë e Atit Qiellor ose përse mendojnë që Ati Qiellor është si një dritë.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Ndjekja e Jezusit i sjell dritë jetës sime.
Si mund t’ju ndihmojnë krahasimet midis dritës dhe errësirës fizike që t’u jepni mësim fëmijëve rreth dritës që sjell në jetën tonë Ati Qiellor?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të përmendin gjëra që japin dritë. Ndihmojini të kuptojnë përfitimet e dritës, të tilla si i ndihmon bimët të rriten, na lejon të shohim dhe na jep ngrohtësi. Ftojini fëmijët ta ndriçojnë me radhë me një elektrik dore një figurë të Jezu Krishtit ndërkohë që thonë: “Perëndia është dritë” (1 Gjon 1:5). Dëshmoni se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të sjellin dritë në jetën tonë kur ne i zbatojmë urdhërimet.
-
Errësojeni klasën dhe ftojini fëmijët të sugjerojnë mënyra se si drita mund të sillet në dhomë. Ndihmojini të mendojnë mënyra se si mund ta sjellim dritën e Jezu Krishtit në jetën tonë. Teksa japin përgjigjet e tyre, ndizni elektrikë dore ose zbuloni një dritare që dalëngadalë të shtohet dritë në dhomë.
Unë e tregoj dashurinë time për Perëndinë kur tregoj dashuri për njerëzit e tjerë.
Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë lidhjen midis dashurisë që ndiejnë për Atin Qiellor dhe dashurisë që tregojnë për fëmijët e Tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve 1 Gjonin 4:11 dhe këndoni një këngë rreth dashurisë së Perëndisë, të tillë si “My Heavenly Father Loves Me” [“Ati Im Qiellor më Do”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 228). Kërkojuni disa prej fëmijëve të tregojnë se si e dinë që Ati Qiellor i do ata. Pas çdo përgjigjeje, ftojini fëmijët ta përqafojnë veten e tyre dhe të thonë: “Perëndia është dashuri dhe Perëndia më do mua”.
-
Lexojuni fëmijëve 1 Gjonin 4:21. Ndihmojini të tregojnë ose të kryejnë me veprime mënyra të ndryshme se si mund të tregojnë dashuri ndaj një shoku ose shoqeje, të tilla si ta përqafojnë apo t’i bëjnë një kartolinë. Si i bëjnë të ndihen këto gjëra shokët apo shoqet tona? Si ndihet Ati Qiellor kur ne bëjmë gjëra të mira për të tjerët?
Unë e tregoj dashurinë time për Perëndinë kur i zbatoj urdhërimet e Tij.
Fëmijët mund të mësojnë që në moshë të vogël se “urdhërimet e [Perëndisë] nuk janë të rënda” dhe se ndjekja e tyre është një mënyrë për t’i shprehur dashuri Atij.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni 1 Gjonin 5:3 dhe kërkojuni fëmijëve të dëgjojnë për atë që ky varg thotë për mënyrën se si mund të tregojmë se e duam Perëndinë. Ftojini fëmijët të përmendim sa më shumë urdhërime që munden. Si ndihet Ati Qiellor kur ne u bindemi urdhërimeve të Tij?
-
Ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim që tregon një mënyrë se si ata mund ta shprehin dashurinë e tyre për Atin Qiellor. Për shembull, ata mund të vizatojnë një figurë të vetes së tyre duke zbatuar njërin prej urdhërimeve. Këndoni së bashku një këngë rreth bindjes, të tillë si “Choose the Right Way” [“Udh’n e Drejt’ Zgjidh”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 160). Si ndihemi kur bindemi?
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë e tregoj dashurinë time për Perëndinë kur tregoj dashuri për njerëzit e tjerë.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se dashuria për Perëndinë përfshin dashurinë për njerëzit përreth nesh – edhe ata që mund të jenë të ndryshëm nga ne ose të vështirë për t’u dashur?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve që të përfytyrojnë sikur një njeri i ri ka filluar ta frekuentojë shkollën ose lagjen e tyre dhe ende nuk njeh askënd atje. Si mund të ndihet ky njeri? Ftojeni një fëmijë të lexojë 1 Gjonin 4:7–8. Çfarë na sugjeron ky varg rreth mënyrës se si duhet ta trajtojmë këtë njeri? Tregoni skenarë të ngjashëm ose kërkojuni fëmijëve të mendojnë për situata në të cilat mund të kenë pasur mundësi për të treguar dashuri.
-
Kërkojuni fëmijëve të lexojnë 1 Gjonin 4:7–8, 20–21 dhe ftojeni secilin të shkruajë një fjali që përmbledh atë që mendojnë se është mësimi më i rëndësishëm i këtyre vargjeve. Pasi i lexojnë fjalitë e tyre, ju mund të tregoni historinë e Shai Xhonsonit nga biseda e Vëllait Dejvid L. Bek “Detyra Juaj e Shenjtë për të Shërbyer” (Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 55). Si mund t’i ndjekin fëmijët shembujt e të rinjve në histori, të cilët treguan dashuri për Shain? Ftojini fëmijët të tregojnë mënyra të tjera se si mund të shfaqin dashuri ndaj njerëzve përreth tyre.
Unë e tregoj dashurinë time për Perëndinë kur i zbatoj urdhërimet e Tij.
Bindja ndaj urdhërimeve mund të jetë më e lehtë kur i kuptojmë të vërtetat e dhëna mësim te 1 Gjoni 5:3. Si mund t’i ndihmoni fëmijët t’i shohin urdhërimet jo si barrë, por si mundësi për ta shprehur dashurinë e tyre për Perëndinë?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të renditin në tabelë mënyra se si mund t’i tregojnë Perëndisë se e duan Atë. Më pas lexoni së bashku 1 Gjonin 2:5–6; 5:2–5 për ide shtesë. Si tregon bindja ndaj urdhërimeve që ne e duam Atin Qiellor?
-
Lexoni 1 Gjonin 4:17 dhe shpjegojuni fëmijëve se të “ke[në] guxim në ditën e gjyqit” do të thotë të kenë siguri dhe paqe kur të qëndrojnë përpara Perëndisë për t’u gjykuar. Çfarë na mëson ky varg se kemi nevojë të bëjmë që ta kemi këtë vetëbesim? Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë tani, që të jemi vetëbesues përpara Perëndisë?
Mund të jem besnik edhe kur të tjerët më përqeshin.
Fëmijët mund t’i tallin për bindjet e tyre ose mënyrën se si jetojnë si dishepuj të Jezu Krishtit. Këto vargje përmbajnë këshillën e Judës lidhur me mënyrën se si të qëndrojmë besnikë në situata të tilla.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë raste kur ata i kanë përqeshur ngaqë bënë atë që është e drejtë. Ftojini fëmijët të lexojnë Judën 1:18–22 dhe të kërkojnë mënyrën se si mund të qëndrojmë besnikë kur na tallin ose na përqeshin. Shkruani në tabelë atë që gjejnë, dhe diskutoni mënyra se si mund ta ndjekin këtë këshillë.
-
Përmblidheni ëndrrën e Lehit (shih 1 Nefi 8:1–35), duke u kërkuar disa fëmijëve të lexojnë vargje nga 1 Nefi 8:26–28, 33. Diskutoni se si njerëzit në ndërtesën e gjerë dhe të madhe ishin si tallësit për të cilët foli Juda. Çfarë mund të bëjmë që të mos ndikohemi nga ata që tallen me ne ose nuk bien dakord me gjërat që besojmë? (Shih 1 Nefi 8:30, 33).
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Nxitini fëmijët të bëjnë një plan që të bëjnë diçka për ta ndarë dritën e tyre me familjet e tyre.