“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Filloren”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Filloren”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Filloren
Përgatitja për të Dhënë Mësim në Fillore
Studimi vetjak dhe familjar në shtëpi duhet të jetë qendra e të mësuarit të ungjillit. Kjo është e vërtetë për ju dhe për fëmijët të cilëve u jepni mësim. Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, fillojeni duke pasur vetë përvojat tuaja me shkrimet e shenjta. Përgatitja juaj më e rëndësishme do të ndodhë ndërkohë që e jetoni ungjillin, i shqyrtoni shkrimet e shenjta dhe kërkoni frymëzim nga Fryma e Shenjtë.
Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet është një pjesë e rëndësishme e studimit tuaj vetjak si dhe e përgatitjes suaj për të dhënë mësim. Ai do t’ju ndihmojë të fitoni një kuptim më të thellë për parimet doktrinore që gjenden në shkrimet e shenjta. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Filloren do të sigurojë veprimtari për shumë prej shkrimeve të shenjta dhe historive që fëmijët ftohen t’i studiojnë në shtëpi gjatë javës.
Gjatë përgatitjes suaj, mendime dhe mbresa do t’ju vijnë rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Ju do të merrni ide lidhur me mënyrën se si parimet në shkrimet e shenjta do ta bekojnë jetën e tyre. Ju do të udhëzoheni për t’i frymëzuar që të zbulojnë ato parime që i mësojnë nga shkrimet e shenjta vetë dhe me familjet e tyre.
Ide për Mësimdhënien
Ndërkohë që përgatiteni për të dhënë mësim, ju mund të merrni frymëzim shtesë duke i shqyrtuar përvijimet e mësimdhënies në këtë burim. Mos i shihni këto ide si udhëzime hap pas hapi, por përkundrazi si sugjerime që e nxitin vetë frymëzimin tuaj. Ju i njihni këta fëmijë dhe ju do të arrini t’i njihni edhe më mirë teksa ndërveproni me ta në klasë. Zoti i njeh ata gjithashtu dhe Ai do t’ju frymëzojë me mënyrat më të mira për t’u dhënë mësim dhe për t’i bekuar ata.
Shumë burime të tjera janë në dispozicionin tuaj për t’u përdorur ndërkohë që përgatiteni, duke përfshirë idetë në manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe revistat e Kishës. Për më shumë informacion mbi këto dhe burime të tjera, shihni “Burime Shtesë për Dhënien Mësim Fëmijëve” në këtë burim.
Disa Gjëra që t’i Mbani në Mendje
-
Sa herë që takoheni me fëmijët, merrni parasysh mënyra se si mund t’i ndihmoni ata ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe ta dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë.
-
Prindërit kanë përgjegjësinë parësore për t’i mësuar fëmijët e tyre. Si mësues, ju keni një përgjegjësi të rëndësishme që ta përkrahni e nxitni të mësuarit e ungjillit në shtëpi dhe të shtoni mbi atë mësim. Jini të ndjeshëm ndaj fëmijëve prindërit e të cilëve nuk e japin mësim ungjillin në shtëpinë e tyre. Përfshijini të gjithë fëmijët në diskutime mbi ungjillin pavarësisht nga rrethanat në shtëpitë e tyre.
-
Përsëritja është gjë e mirë. Fëmijët i mësojnë të vërtetat e ungjillit në mënyrë më të efektshme kur këto të vërteta jepen mësim në mënyrë të përsëritur nëpërmjet një larmie veprimtarish. Nëse gjeni që një veprimtari e të mësuarit është e efektshme për fëmijët, merreni parasysh ta përsëritni atë, veçanërisht nëse po u jepni mësim fëmijëve më të vegjël. Ju gjithashtu mund të përsëritni një veprimtari nga një mësim i mëparshëm.
-
Ati Qiellor dëshiron që ju të keni sukses si mësues/e. Ai ka siguruar burime të shumta për t’ju ndihmuar, përfshirë mbledhjet e këshillit të mësuesve. Në këto mbledhje ju mund të këshilloheni me mësues të tjerë rreth sfidave me të cilat përballeni. Ju gjithashtu mund të diskutoni e vini në praktikë parime të mësimdhënies si të Krishtit.
-
Nëse u jepni mësim fëmijëve më të vegjël dhe keni nevojë për ndihmë shtesë, shihni pjesën “Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël” në këtë burim.
Ky burim përfshin përvijime për mësimdhënien për çdo javë të vitit. Të dielat kur nuk zhvillohet Fillorja për shkak të konferencës së përgjithshme, konferencës së kunjit apo për ndonjë arsye tjetër, familjet nxiten ta vazhdojnë leximin e Dhiatës së Re në shtëpi në përputhje me programin e përvijuar te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Mos u shqetësoni për mësimet që humbisni; jepni mësim përvijimin e caktuar për atë javë.