“13–19 Qershor. 1 Samuelit 8–10; 13; 15–18: ‘Betej[a] Varet nga Zoti’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“13–19 Qershor. 1 Samuelit 8–10; 13; 15–18”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
13–19 Qershor
1 Samuelit 8–10; 13; 15–18
“Betej[a] Varet nga Zoti”
Edhe pse veprimtaritë më poshtë janë hartuar ose për fëmijët më të vegjël ose për fëmijët më të mëdhenj, ju mund ta përshtatni cilëndo prej tyre për të plotësuar nevojat e atyre të cilëve u jepni mësim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Tregoni figurën e Davidit dhe Goliathit nga përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth historisë, dhe bëni pyetje për t’i ndihmuar ata që të kujtojnë pjesët e historisë që nuk i përmendën.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Zoti e di se çfarë kam në zemër.
Tregimi i historisë për mënyrën se si Zoti i tha Samuelit ta zgjidhte Davidin si mbret, mund t’i ndihmojë fëmijët të dinë se Zoti na njeh individualisht.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni se si Zoti i tha Samuelit se Davidi do të bëhej mbreti i Izraelit (shih 1 Samuelit 16:1–13). Ndërkohë që tregoni historinë, ju mund ta vini njërin nga fëmijët të përfaqësojë Samuelin. Ai ose ajo mund t’i japë një kurorë letre një fëmije tjetër, i cili përfaqëson Davidin. Jepni dëshminë tuaj se Zoti e njihte zemrën e Davidit dhe se Ai e njeh secilin prej nesh.
-
Tregoni një përvojë në të cilën ju kuptuat se Zoti ishte në dijeni për ju. Këndoni një këngë që na mëson se Shpëtimtari na njeh dhe na do, të tillë si “Jezusi Ësht’ Miku Yn’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 37).
Besimi në Jezu Krisht mund të më ndihmojë që të kem kurajë.
Fëmijët e gjejnë veten me lehtësi tek Davidi djalosh sepse, edhe pse Davidi ishte i vogël, ai kapërceu një sfidë të madhe. Ndihmojini ata të kuptojnë se burimi i kurajës dhe i forcës së tij ishte besimi i tij në Jezu Krisht.
Veprimtari të Mundshme
-
Shqyrtoni me fëmijët historinë e Davidit dhe të Goliathit (shih “Davidi dhe Goliathi” te Histori të Dhjatës së Vjetër) dhe lërini që me radhë ta interpretojnë me role historinë. Nxiteni fëmijën që të bëjë sikur është Goliathi dhe të thotë: “Më jepni një burrë dhe do të luftojmë” (1 Samuelit 17:10). Nxiteni fëmijën që të bëjë sikur është Davidi dhe të thotë: “Unë po të dal në emër të Zotit” (1 Samuelit 17:45). Dëshmoni se kur kemi besim te Zoti, Ai do të na ndihmojë të kemi kurajën që kishte Davidi.
-
Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të treguar se sa i gjatë mund të ketë qenë Goliathi përballë një djaloshi si Davidi. Shpjegoni se ushtria e Izraelit kishte frikë nga Goliathi. Kërkojuni fëmijëve që të bëjnë sikur janë të frikësuar. Pastaj tregoni një figurë të Jezu Krishtit dhe u thoni fëmijëve që për shkak se Davidi kishte besim te Zoti, ai mundi të ishte trim. Kërkojuni që të qëndrojnë krenarë, sikur janë trima.
-
Ftojini fëmijët të marshojnë sikur janë Davidi që po shkon të ndeshet me Goliathin, ndërkohë që këndoni një këngë rreth të qenit me kurajë, të tillë si “Do të Jem Guximtar” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 85).
Miqtë e mirë mund të jenë një bekim për mua.
Miqësia e Jonathanit me Davidin është një shembull i shkëlqyer i bekimeve që mund të vijnë nga miqtë e mirë.
Veprimtari të Mundshme
-
Vizatoni në tabelë dy figura, një që përfaqëson Davidin dhe një tjetër që përfaqëson Jonathanin. Lexojuni fëmijëve disa fraza nga 1 Samuelit 18:1–4 që theksojnë dashurinë që këta dy miq kishin për njëri-tjetrin. Jepini secilit fëmijë një letër në formë zemre dhe pyetini se si mund t’i tregojnë dashuri një miku/eje. Pasi çdo fëmijë të japë një ide, ftojeni fëmijën ta ngjitë letrën në formë zemre në tabelë.
-
Tregojuni fëmijëve rreth një miku/eje të mirë që ju ndihmon ta jetoni ungjillin ose ta ndërtoni besimin tuaj te Jezu Krishti dhe ftojini fëmijët të tregojnë se kush i ndihmon ata. Ftojini fëmijët të interpretojnë me gjeste sikur po bëjnë diçka të mirë për një mik/e.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
1 Samuelit 8:6; 9:15–17; 10:1–24; 16:1–13
Ata që shërbejnë në Kishë, janë thirrur nga Perëndia.
Rrëfimet lidhur me Perëndinë që zgjodhi Saulin dhe Davidin për të qenë mbretër, mund ta ndihmojnë klasën tuaj të kuptojë se si thirren njerëzit për të shërbyer në Kishë sot. Këto rrëfime mund ta ndërtojnë besimin se thirrjet vijnë nga Perëndia nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar.
Veprimtari të Mundshme
-
Në shirita të ndarë letre, shkruani thëniet dhe shkrimet e shenjta vijuese: njerëzit donin një mbret (1 Samuelit 8:6); Zoti i tha Samuelit se Sauli do të bëhej mbret (1 Samuelit 9:15–17); Samueli e vajosi Saulin (1 Samuelit 10:1); Samueli e paraqiti Saulin te njerëzit (1 Samuelit 10:24). Kërkojuni fëmijëve të lexojnë fragmentet e shkrimit të shenjtë dhe t’i vendosin ato në rendin e duhur.
-
Mësoni së bashku nenin e pestë të besimit. Shkurtimisht u thoni fëmijëve se si e morët thirrjen tuaj për të dhënë mësim në Fillore. Si e dini se ju u thirrët nga Perëndia? Dëshmoni se Perëndia i frymëzon udhëheqësit të thërrasin njerëz për të shërbyer.
“Zoti shikon zemrën.”
Është e natyrshme t’i gjykojmë të tjerët bazuar në atë që mund të shohim, por pjesë e të bërit më shumë si Jezusi është që të mësojmë të shohim siç sheh Ai – duke parë “zemrën” (1 Samuelit 16:7).
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të përfytyrojnë sikur u kërkohet të zgjedhin dikë për ta bërë mbret. Çfarë cilësish do të kërkonin ata? Lexoni së bashku te 1 Samuelit 16:6–7 për të zbuluar se çfarë i tha Zoti Samuelit teksa po kërkonte një mbret të ri për Izraelin. Çfarë mësojmë nga udhëzimet e Zotit?
-
Paraqitni një mësim me sende për t’iu ilustruar fëmijëve se gjykimet që ne bëjmë bazuar mbi “pamjen” e jashtme (vargu 7), mund të mos jenë të sakta. Për shembull, ju mund t’u tregoni disa ushqime ose një libër me një letër mbështjellëse apo një kapak letre që nuk përkon me përmbajtjen e tij të vërtetë. Çfarë sugjeron vargu te 1 Samuelit 16:7 dhe ky mësim me sende rreth mënyrës se si duhet ta shohim veten dhe njerëzit e tjerë?
-
Tregoni një përvojë në të cilën mësuat se përse duhet të “shikon[i] zemrën” dhe jo vetëm “pamjen” e jashtme (vargu 7). Lërini fëmijët të tregojnë ndonjë përvojë të ngjashme që kanë pasur. Këndoni një këngë që e thekson këtë parim, të tillë si “Do t’Ec me Ty” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 78–79).
Jezu Krishti mund të më ndihmojë që të kapërcej çfarëdo sfide.
Fëmijët mund të jenë duke hasur sfida që duken po aq të vështira sa mundja e një gjiganti si Goliathi. Shembulli i Davidit mund t’u japë atyre shpresë që Zoti do të ndihmojë për të luftuar betejat e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Caktojini fëmijët të bëjnë vizatime të pjesëve të ndryshme të historisë te 1 Samuelit 17:20–54. Paraqitini figurat në tabelë sipas radhës dhe ftojini fëmijët ta tregojnë historinë duke biseduar rreth secilës figurë që vizatuan. Çfarë dëshiron Zoti që ne të mësojmë nga kjo histori?
-
Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë në tabelë të disa sfidave të vështira që një person mund të hasë. Ftojini të gjejnë gjëra që tha Davidi, të cilat mund ta inkurajojnë dikë që përballet me sfida të tilla (shih 1 Samuelit 17:26, 32, 34–37, 45–47). Tregojuni fëmijëve se si ju ka ndihmuar Jezu Krishti gjatë sfidave.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Bëjuni fëmijëve një pyetje rreth diçkaje që mësuan sot. Shkruajeni pyetjen dhe jepini secilit fëmijë një kopje që ta marrë në shtëpi dhe ta diskutojë me familjen e tij apo të saj.