“13–19 Qershor. 1 Samuelit 8–10; 13; 15–18: ‘Përfundimi i Betejës Varet nga Zoti’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“13–19 Qershor. 1 Samuelit 8–10; 13; 15–18”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
13–19 Qershor
1 Samuelit 8–10; 13; 15–18
“Përfundimi i Betejës Varet nga Zoti”
Sugjerimet në këtë përvijim mund t’ju ndihmojnë të përcaktoni disa prej parimeve të rëndësishme në këta kapituj. Ju mund të gjeni parime të tjera teksa studioni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Që kur fiset e Izraelit ishin vendosur në tokën e premtuar, filistejtë kishin qenë një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë e tyre. Shumë herë në të kaluarën, Zoti i kishte çliruar izraelitët nga armiqtë e tyre. Por tani pleqtë e Izraelit kërkuan: “Do të kemi një mbret mbi ne … [që] të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona” (1 Samuelit 8:19–20). Zoti bëri një lëshim dhe Sauli u vajos mbret. E megjithatë kur gjiganti kërcënues, Goliathi, i sfidoi ushtritë e Izraelit, Saulit – ashtu si pjesës tjetër të ushtrisë së tij – “[i] hyri një frikë e madhe” (1 Samuelit 17:11). Në atë ditë, nuk ishte mbreti Saul ai që e shpëtoi Izraelin, por një djalë i përulur bari, i quajtur David, i cili nuk kishte veshur armaturë, por ishte i mbështjellë me besim të padepërtueshëm te Zoti. Kjo betejë i vërtetoi Izraelit dhe i vërteton çdo njeriu që ka beteja shpirtërore për të luftuar, se “Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës” dhe se “përfundimi i betejës varet nga Zoti” (1 Samuelit 17:47).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Jezu Krishti është Mbreti im.
Ndërsa lexoni te 1 Samuelit 8, vini re mënyrën se si u ndje Zoti rreth dëshirës së izraelitëve për një mbret tjetër përveç Atij. Çfarë do të thotë ta zgjidhni Zotin që të “mbretëroj[ë] mbi [ju]”? (1 Samuelit 8:7.) Ju gjithashtu mund të merrni parasysh mënyrat se si tundoheni që të ndiqni prirjet e padrejta të botës në vend që të ndiqni Zotin. Si mund ta tregoni se ju dëshironi që Jezu Krishti të jetë Mbreti juaj i Përjetshëm?
Shih edhe Gjyqtarët 8:22–23; Mosia 29:1–36; Nil L. Andersen, “Mundja e Botës”, Liahona, maj 2017, f. 58–62.
1 Samuelit 9:15–17; 10:1–12; 16:1–13
Perëndia i thërret njerëzit me anë të profecisë për të shërbyer në mbretërinë e Tij.
Perëndia i zgjodhi Saulin dhe Davidin që të ishin mbretër nëpërmjet profecisë dhe zbulesës (shih 1 Samuelit 9:15–17; 10:1–12; 16:1–13). Kjo është edhe mënyra se si Ai i thërret burrat dhe gratë për të shërbyer në Kishën e Tij sot. Çfarë mësoni nga këto rrëfime për atë që do të thotë “të thirre[ni] nga Perëndia, me anë të profecisë”? (Nenet e Besimit 1:5.) Çfarë bekimesh vijnë nga të qenit i thirrur dhe i veçuar prej shërbëtorëve të autorizuar të Zotit?
“Bindja është më e mirë se flijimi.”
Megjithëse Sauli ishte fizikisht i gjatë, ai ndjeu se “ish[te] i vogël në sytë e t[ij]” kur u bë mbret (1 Samuelit 15:17). Sidoqoftë, ndërsa u bekua me sukses, ai filloi t’i besonte vetes më shumë dhe Zotit më pak. Çfarë provash të kësaj shihni te 1 Samuelit 13:5–14; 15? Nëse do të ishit me Saulin në atë kohë, çfarë do t’i kishit thënë atij që mund ta ndihmonte atë të kapërcente “rebelimi[n]” dhe “kryeneçësi[në]” e tij? (1 Samuelit 15:23.)
Shih edhe 2 Nefi 9:28–29; Helamani 12:4–5; Doktrina e Besëlidhje 121:39–40; Tomas S. Monson, “Sheshoje Shtegun e Këmbëve të Tua”, Liahona, nëntor 2014, f. 86–88.
“Zoti shikon zemrën.”
Cilat janë disa mënyra se si njerëzit i gjykojnë të tjerët “[duke parë] pamjen”? Çfarë do të thotë ta shikoni “zemrën”, ashtu siç bën Zoti? (1 Samuelit 16:7.) Merrni parasysh se si mund ta zbatoni këtë parim në mënyrën se si i shihni të tjerët – dhe veten tuaj. Si mund të ndikojë kjo në ndërveprimet ose marrëdhëniet tuaja me të tjerët?
Me ndihmën e Zotit, unë mund të kapërcej çdo sfidë.
Ndërsa lexoni te 1 Samuelit 17, përsiatni fjalët e njerëzve të ndryshëm në këtë kapitull (shih listën më poshtë). Çfarë zbulojnë fjalët e tyre rreth tyre? Si e tregojnë fjalët e Davidit guximin dhe besimin e tij te Zoti?
-
Goliathi: vargjet 8–10, 43–44
-
Eliabi: vargu 28
-
Sauli: vargu 33
-
Davidi: vargjet 26, 32, 34–37, 39, 45–47
Përsiatni betejat vetjake me të cilat po përballeni. Çfarë mund të gjeni te 1 Samuelit 17 që e forcon besimin tuaj se Zoti mund t’ju ndihmojë?
Shih edhe Gordon B. Hinckley, “Overpowering the Goliaths in Our Lives”, Ensign, maj 1983, f. 46, 51–52.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
1 Samuelit 9:15–21; 16:7.Leximi i këtyre vargjeve së bashku me fjalët vijuese nga Plaku Diter F. Uhtdorf mund të frymëzojnë një diskutim rreth arsyes pse Zoti i zgjodhi Saulin dhe Davidin: “Nëse e shohim veten tonë vetëm me anë të syve tanë njerëzorë, ne mund të mos e shohim veten tonë si mjaft të mirë. Por Ati ynë Qiellor na sheh se cilët jemi me të vërtetë dhe cilët mund të bëhemi” (“Funksionon në Mënyrë të Mrekullueshme!” Liahona, nëntor 2015, f. 23). Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të flasin me radhë për ato cilësi të mira që shohin te zemrat e njëri‑tjetrit (shih 1 Samuelit 16:7).
-
1 Samuelit 10:6–12.Kur e kemi parë Perëndinë ta bekojë dikë me fuqi shpirtërore për të përmbushur një detyrë ose thirrje ashtu siç Ai e bekoi Saulin? Çfarë përvojash mund të tregojmë kur “Perëndia [na e] ndërroi zemrën në një tjetër” ose neve na “[erdhi] … Fryma e Perëndisë” në shërbimin ndaj Tij? (Vargjet 9–10.)
-
1 Samuelit 17:20–54.Familja juaj mund të kënaqet duke lexuar së bashku historinë e Davidit dhe Goliathit (“Davidi dhe Goliathi” te Histori nga Dhjata e Vjetër mund të ndihmojë) ose duke parë materialin filmik “The Lord Will Deliver Me” [“Zoti do të më Çlirojë”] (ChurchofJesusChrist.org). Kjo mund të çojë në një diskutim rreth sfidave me të cilat përballemi, që mund të ndihen si “Goliathë” për ne. Ju madje mund t’i shkruani disa nga këto sfida në një shënjestër ose në një vizatim të Goliathit dhe me radhë t’i hidhni objekte (të tillë si topa letre).
Mund të jetë gjithashtu interesante të lexoni rreth armaturës dhe armëve që kishte Goliathi (shih vargjet 4–7). Çfarë kishte Davidi? (Shih vargjet 38–40, 45–47.) Çfarë na ka dhënë Zoti për të na ndihmuar që t’i mposhtim Goliathët tanë?
-
1 Samuelit 18:1–4.Si ishin Davidi dhe Jonathani miq të mirë me njëri‑tjetrin? Si na kanë bekuar miqtë e mirë? Çfarë mund të bëjmë që të jemi miq të mirë – përfshirë pjesëtarët e familjes sonë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Do të Jem Guximtar”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 85.