“30 Maj–5 Qershor. Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16: ‘Zoti u Dha një Çlirimtar’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“30 Maj–5 Qershor. Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
30 Maj–5 Qershor
Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16
“Zoti u Dha një Çlirimtar”
Shkrimet e shenjta dëshmojnë për Jezu Krishtin. Përsiatni se si historitë që lexoni te Gjyqtarët ju ndihmojnë të vini më pranë Tij.
Shënojini Mbresat Tuaja
Të gjithë ne e dimë se si është të bëjmë një gabim, të ndihemi keq për të dhe pastaj të pendohemi dhe të marrim vendimin për të ndryshuar mënyrat tona. Por në disa raste e harrojmë vendimin tonë të hershëm dhe, kur përballemi me tundimin, mund të gjendemi duke e bërë përsëri gabimin. Ky model tragjik është tipik për përvojat e izraelitëve që përshkruhen në librin Gjyqtarët. Të ndikuar nga bindjet dhe praktikat e adhurimit të kananejve – të cilët ata supozohej se do t’i dëbonin nga vendi – izraelitët i shkelën besëlidhjet e tyre me Zotin dhe u larguan nga adhurimi i Tij. Si rezultat, ata e humbën mbrojtjen e Tij dhe ranë në robëri. E megjithatë sa herë që kjo ndodhte, Zoti u jepte atyre mundësinë të pendoheshin dhe iu dha një çlirimtar, një udhëheqës ushtarak që quhej “gjyqtar”. Jo të gjithë gjyqtarët në librin Gjyqtarët ishin të drejtë, por disa prej tyre ushtruan besim të madh për çlirimin e fëmijëve të Izraelit dhe për rivendosjen e marrëdhënies së tyre të besëlidhjes me Zotin. Këto histori na kujtojnë që pa marrë parasysh se çfarë na ka larguar nga Jezu Krishti, Ai është Shëlbuesi i Izraelit dhe është gjithmonë i gatshëm të na çlirojë e të na mirëpresë kur kthehemi tek Ai.
Për një vështrim të përgjithshëm të librit Gjyqtarët, shihni “Gjyqtarë(ve), Libri i” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti ofron çlirim kur unë shkoj në udhë të gabuar.
Libri Gjyqtarët mund të shërbejë si një paralajmërim për ne: edhe pasi e provojmë fuqinë e Zotit në jetën tonë, është gjithmonë e mundur që të largohemi. Libri mund të sigurojë gjithashtu inkurajim për ata që largohen, pasi Zoti ofron një rrugë kthimi. Për shembull, ndërsa lexoni te Gjyqtarët 2:1–19, kërkoni veprime që i larguan izraelitët nga Zoti dhe mënyrën se si Zoti i çliroi ata. Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth Zotit? Çfarë mund të bëni për të qëndruar vazhdimisht besnikë ndaj Tij?
Ju do ta gjeni modelin e rebelimit, të pikëllimit e çlirimit të përsëritur në të gjithë librin Gjyqtarët (shih veçanërisht kapitujt 3, 4, 6 dhe 13). Ndërsa lexoni librin Gjyqtarët, përsiatni se çfarë bënë gjyqtarët për ta çliruar Izraelin dhe si ju ndihmon Shpëtimtari kur keni nevojë për çlirim.
Një shembull i rëndësishëm i dikujt që ndihmoi në çlirimin e Izraelit është Debora. Lexoni për të te Gjyqtarët 4:1–16 dhe vini re ndikimin që kishte ajo te njerëzit përreth saj. Cilat fjalë ose veprime të Deboras ju tregojnë se ajo kishte besim te Zoti? Çfarë mendoni se ka dashur të thotë Debora me pyetjen e saj te vargu 14: “A nuk ka dalë vallë, Zoti para teje?”
Shih edhe Alma 7:13; Doktrina e Besëlidhje 84:87–88.
Kush ishin Baali dhe Ashtarothi?
Baali ishte perëndia kanaanite e stuhisë dhe Ashtarothi ishte perëndesha kanaanite e pjellorisë. Adhurimi i këtyre dy perëndive tregon se sa e rëndësishme ishte për kanaanejtë pjelloria e tokës dhe e njerëzve. Mënyrat se si njerëzit i adhuronin këto dhe perënditë e tjera të rreme – përfshirë, në raste të caktuara, pamoralshmërinë seksuale dhe flijimin e fëmijëve – ishin veçanërisht fyese për Zotin.
Zoti mund të bëjë mrekulli kur mirëbesojmë te mënyrat e Tij.
Për të marrë mrekullitë e Zotit në jetën tonë, ne duhet të mirëbesojmë te mënyrat e Tij, edhe kur mënyrat e Tij duken të pazakonta. Historia e Gedeonit, që gjendet te Gjyqtarët 6–8, është një shembull i mirë i kësaj. Si bëri Zoti një mrekulli të pamundur kur ushtria e Gedeonit i mundi madianitët? Çfarë mendoni se Zoti po përpiqet t’ju mësojë? Si e keni parë Zotin ta bëjë punën e Tij në mënyra që duken të pamundura?
Shih edhe Russell M. Nelson, “With God Nothing Shall Be Impossible”, Ensign, maj 1988, f. 33–35.
Forca vjen nga besnikëria ndaj besëlidhjeve të mia me Perëndinë.
Sansoni e humbi si forcën e tij fizike ashtu edhe forcën e tij shpirtërore, sepse ai shkeli besëlidhjet e tij me Perëndinë, përfshirë ato që gjenin zbatim veçanërisht për nazarenët (për informacion në lidhje me nazarenët, shih Numrat 6:1–6; Gjyqtarët 13:7). Ndërsa lexoni historinë e Sansonit te Gjyqtarët 13–16, përsiatni çdo besëlidhje që keni bërë. Si jeni bekuar me forcë ngaqë i keni mbajtur ato besëlidhje? Çfarë mësoni nga historia e Sansonit që ju frymëzon të qëndroni të vërtetë ndaj besëlidhjeve tuaja me Perëndinë?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Gjyqtarët 2:10.Pasi Jozueu vdiq, brezi pasues i izraelitëve “nuk e njihte Zotin”. Bisedoni me familjen tuaj rreth mënyrës se si e njohin ata Zotin dhe “veprat që k[a] bërë për” ta. Si do të siguroheni që kjo njohuri do të ruhet për brezat e ardhshëm?
-
Gjyqtarët 3:7–10.Këto vargje përmbledhin një model që ndodh shpesh në të gjithë librin Gjyqtarët. Ndërsa pjesëtarët e familjes suaj i lexojnë këto vargje, ata mund të përcaktojnë atë që bëri Izraeli për t’u larguar nga Zoti dhe atë që bëri Zoti për t’i çliruar ata. Çfarë mund të na çojë drejt harrimit të Zotit? Si mund të na çlirojë Ai ne? Si mund të jemi vazhdimisht besnikë ndaj Tij?
-
Gjyqtarët 6:13–16, 25–30.Gedeoni tregoi guxim të madh duke iu bindur Zotit, edhe pse veprimet e tij nuk pëlqeheshin nga të tjerët. Çfarë na ka kërkuar Zoti të bëjmë me të cilën të tjerët mund të mos bien dakord? Si mund të na frymëzojnë fjalët e Zotit drejtuar Gedeonit te vargjet 13–16 për të bërë gjënë e duhur?
-
Gjyqtarët 7.A mund të përdorni një interpretim me role apo një veprimtari tjetër krijuese për ta ndihmuar familjen tuaj të mësojë nga përvoja e ushtrisë së Gedeonit të përshkruar në këtë kapitull? Si mund të zbatohen në jetën tonë fjalët e Zotit te ky kapitull (shih, për shembull, vargjet 2 dhe 15)?
-
Gjyqtarët 13:5.Besëlidhjet e Sansonit me Zotin i dhanë atij forcë, ashtu si besëlidhjet tona na japin forcë. Familja juaj mund të kënaqet duke bërë disa ushtrime fizike dhe duke diskutuar se si mund të na ndihmojnë ato ushtrime që të bëhemi të fortë. Çfarë gjërash mund të bëjmë që të na ndihmojnë të bëhemi më të fortë shpirtërisht? Për më shumë ide, pjesëtarët e familjes mund të lexojnë te Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79. Si na jep forcë shpirtërore mbajtja e besëlidhjeve tona?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Shëlbues i Izraelit”, Himne”, nr. 6.