“23–29 Maj. Jozueut 1–8; 23–24: ‘Ji i Fortë dhe Trim’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“23–29 Maj. Jozueut 1–8; 23–24”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
23–29 Maj
Jozueut 1–8; 23–24
“Ji i Fortë dhe Trim”
Ndërsa studioni librin e Jozueut, merrni parasysh se si gjërat që mësoni për izraelitët mund ta rritin besimin tuaj te Jezu Krishti.
Shënojini Mbresat Tuaja
U deshën disa breza, por premtimi i Zotit ishte gati të përmbushej: fëmijët e Izraelit ishin në prag të trashëgimit të tokës së premtuar. Por në rrugën e tyre qëndronin lumi Jordan, muret e Jerikos dhe një popull i lig, por i fuqishëm që nuk e kishin pranuar Zotin (shih 1 Nefi 17:35). Përveç këtyre, udhëheqësi i tyre i dashur, Moisiu, nuk ishte më. Situata mund t’i kishte bërë disa izraelitë që të ndiheshin të dobët dhe të frikësuar, por Zoti tha: “Ji i fortë dhe trim”. Përse duhet të ndihen ata në këtë mënyrë? Jo për shkak të vetë forcës së tyre – ose madje forcës së Moisiut apo të Jozueut – por ngaqë “Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh” (Jozueut 1:9). Kur ne kemi lumenjtë tanë për të kapërcyer dhe mure për të shembur, gjëra të mrekullueshme mund të ndodhin në jetën tonë, sepse është “Zoti [që] ka për të bërë mrekulli midis [nesh]” (Jozueut 3:5).
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Jozueut, shihni “Jozue” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Perëndia do të jetë me mua nëse jam besnik/e ndaj tij.
Përfytyroni se si mund të ketë qenë për Jozueun që të thirrej për të zëvendësuar Moisiun. Vini re atë që tha Zoti te Jozueut 1:1–19 për ta inkurajuar atë. Mendoni për sfidat e vështira me të cilat përballeni; çfarë ju jep kurajë në këto vargje?
Mund të jetë interesante të shënoni se emri Jozue (Yehoshua ose Yeshua në hebraisht) do të thotë “Jehova shpëton”. Dhe emri Jezus vjen nga Yeshua. Kështu që ndërsa lexoni për Jozueun, merrni parasysh se si misioni i tij për të udhëhequr fëmijët e Izraelit në tokën e premtuar ju kujton misionin e Shpëtimtarit.
Shih edhe En M. Dib, “Ji Trim[e]”, Liahona, maj 2010, f. 114–116.
Si besimi ashtu edhe veprat, janë të nevojshme për shpëtim.
Të krishterët e hershëm e panë Rahabin si një shembull të fuqisë së besimit dhe veprave (shih Hebrenjve 11:31; Jakob [Bibla] 2:25). Ndërsa lexoni te Jozueut 2, merrni parasysh rolin e besimit dhe veprave të Rahabit për të shpëtuar veten e saj, familjen e saj dhe zbuluesit izraelitë. Çfarë ju mëson kjo rreth mënyrës se si besimi juaj te Krishti dhe veprat tuaja mund të ndikojnë te vetë ju dhe të tjerët?
Ju mund të jeni të interesuar të dini se Rahabi ishte paraardhësja si e mbretit David ashtu edhe e Jezu Krishtit (shih Mateu 1:5). Çfarë mësimesh të tjera mund të mësojmë nga kjo?
Unë mund të përjetoj “mrekulli[të]” e Perëndisë nëse kam besim te Jezu Krishti.
Zoti dëshiron që “tërë popujt e tokës të pranojnë që Zoti ka dorë të fuqishme” (Jozueut 4:24). Ndërsa lexoni te Jozueut 3–4, përsiatni se si e dini që dora e Zotit është e fuqishme. Si ka bërë Zoti “mrekulli” në jetën tuaj? (Jozueut 3:5.) Si mund t’i përjetoni – ose t’i dalloni – ato mrekulli më shpesh? (Për shembull, shih Jozueut 3:17.)
Si mendoni ju, përse izraelitët kishin nevojë që ta shenjtëronin veten e tyre përpara se ta kalonin lumin Jordan? Ç’domethënie gjeni në faktin që lumi u nda më dysh vetëm pasi “këmbë[t e] priftërinjve … u zhytën në ujërat e bregut të tij”? (Jozueut 3:13, 15.)
Për ngjarje të tjera të rëndësishme që ndodhën në lumin Jordan, shihni 2 Mbretërve 2:6–15; 5:1–14; dhe Marku 1:9–11. Ndërsa i përsiatni këto shkrime të shenjta, çfarë lidhjesh shihni midis këtyre ngjarjeve?
Shih edhe Zherald Kosé, “A Është Ende i Mahnitshëm për Ju?” Liahona, maj 2015, f. 98–100; “Exercise Faith in Christ” [“Ushtroni Besim në Krisht”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Bindja sjell fuqinë e Perëndisë në jetën time.
Këta kapituj kanë të bëjnë me betejat në tokën e Jerikos dhe të Ait. Ndërsa i lexoni, merrni parasysh se si luftoni me tundimin në jetën tuaj (për shembull, shih Jozueut 7:10–13). Çfarë mësoni rreth mënyrës se si mund t’ju ndihmojë Perëndia dhe çfarë keni nevojë të bëni për ta përdorur fuqinë e Tij? Për shembull, çfarë ju bën përshtypje rreth udhëzimeve të Zotit për marrjen e Jerikos? (Shih Jozueut 6:1–5.) Ndoshta rrëfimi te Jozueu 7 do t’ju frymëzojë të përcaktoni nëse “ka gjëra të caktuara për t’u shkatërruar” në jetën tuaj që kanë nevojë të hiqen (Jozueut 7:13).
“Do të lidheni ngushtë me Zotin, Perëndinë tuaj.”
Pasi e ndau tokën e premtuar midis dymbëdhjetë fiseve të Izraelit (shih Jozueut 13–21), Jozueu u dha atyre mësimet e tij të fundit. Ndërsa i lexoni këto mësime te Jozueut 23–24, ju mund të mbani një listë të paralajmërimeve, këshillave dhe bekimeve të premtuara që gjeni. Duke marrë parasysh gjithçka që kishin kaluar izraelitët, pse mendoni që Jozueu zgjodhi t’ua tregonte atyre këto gjëra në fund të jetës së tij? Çfarë gjeni që ju frymëzon “të lidheni ngushtë me Zotin”? (Jozueut 23:8.)
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Jozueut 1:8.Çfarë sugjeron ky varg rreth mënyrës se si duhet t’i qasemi studimit tonë të shkrimeve të shenjta, si individualisht ashtu edhe si familje? Si na kanë bërë shkrimet e shenjta “të përparo[jmë]” dhe na kanë sjellë “sukses në veprimet [tona]”?
-
Jozueut 4:3; 6–9.Pasi të lexojë se çfarë donte Zoti që izraelitët të bënin me gurët nga lumi Jordan, familja juaj mund të flasë për disa nga gjërat e mëdha që ka bërë Zoti për ju. Më pas ju mund t’i jepni secilit pjesëtar të familjes një gur dhe ta ftoni të shkruajë ose të vizatojë mbi të diçka që ka bërë Zoti për të.
-
Jozueut 6:2–5.Familja juaj mund të argëtohet duke interpretuar me gjeste udhëzimet që u dha Zoti izraelitëve për të pushtuar Jerikon. Çfarë mund të dëshirojë Zoti që ne të mësojmë nga kjo histori?
-
Jozueut 24:15.Pasi ta lexojnë këtë varg, pjesëtarët e familjes mund të tregojnë përvoja në të cilat ata zgjodhën t’i shërbenin Zotit edhe pse ishte e vështirë. Përse është e rëndësishme të bëjmë zgjedhjen për t’i shërbyer Atij “sot” në vend që të presim të vendosim derisa të krijohet situata? Si mund t’i përkrahim pjesëtarët e “shtëpi[s]ë” sonë ndërsa përpiqemi fort që t’i “shërbejmë Zotit”?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “T’Drejtën Zgjidh”, Himne, nr. 150.