Dhiata e Vjetër 2022
16–22 Maj. Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34: “Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin”


“16–22 Maj. Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34: ‘Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“16–22 Maj. Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Moisiu duke qëndruar në mal

Ilustrim i Moisiut në malin Nebo, © Providence Collection/licensuar nga goodsalt.com

16–22 Maj

Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34

“Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin”

Moisiu i urdhëroi fëmijët e Izraelit që t’ua mësonin fjalët e Zotit fëmijëve të tyre (shih Ligji i Përtërirë 6:7). Ndërsa studioni Ligjin e Përtërirë këtë javë, gjeni mënyra për t’ua treguar atë që mësoni pjesëtarëve të familjes suaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Shërbesa tokësore e Moisiut filloi në një mal, kur Perëndia i foli nga një ferrishte që flakëronte (shih Eksodi 3:1–10). Ajo përfundoi gjithashtu në një mal, më shumë se 40 vjet më vonë, kur Perëndia i dha Moisiut një vështrim të shkurtër të tokës së premtuar nga maja e malit Nebo (shih Ligji i Përtërirë 34:1–4). Moisiu e kishte kaluar jetën e tij duke i përgatitur fëmijët e Izraelit që të hynin në atë tokë të premtuar dhe libri Ligji i Përtërirë shënon udhëzimet, kujtuesit, këshillat dhe përgjërimet e tij të fundit me izraelitët. Leximi i fjalëve të tij e bën të qartë se objekti i vërtetë i shërbesës së Moisiut – përgatitja që u nevojitej njerëzve – nuk kishte të bënte me mbijetesën në vendin e shkretë, pushtimin e kombeve apo ndërtimin e një komuniteti. Kishte të bënte me të mësuarit për ta dashur Perëndinë, për t’iu bindur Atij dhe për të qëndruar besnikë ndaj Tij. Kjo është përgatitja që na nevojitet të gjithëve me qëllim që të hyjmë në tokën e premtuar të jetës së përjetshme. Pra, ndërkohë që Moisiu nuk vuri kurrë këmbë në “vend[in] ku rrjedh qumështi dhe mjalti” (Eksodi 3:8), për shkak të besimit dhe besnikërisë së tij, ai hyri në tokën e premtuar që Perëndia ka përgatitur për të gjithë ata që e ndjekin Atë.

Për një vështrim të përgjithshëm të librit Ligji i Përtërirë, shihni “Ligj i Përtërirë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Ligji i Përtërirë 6:4–7; 8:2–5, 11–17; 29:18–20; 30:6–10, 15–20

Zoti do që unë ta dua Atë me gjithë zemrën time.

Në mësimet e tij të fundit, Moisiu u kujtoi fëmijëve të Izraelit: “Zoti, Perëndia yt, ka qenë me ty gjatë këtyre dyzet viteve dhe asgjë nuk të ka munguar”, madje edhe në vendin e shkretë (Ligji i Përtërirë 2:7). Tani që izraelitët po hynin në tokën e premtuar, në “qytete … që [ata] nuk i k[ishin] ndërtuar, dhe shtëpi plot me të mira që [ata] nuk i k[ishin] mbushur” (Ligji i Përtërirë 6:10–11), Moisiu pati frikë se ata do ta ngurtësonin zemrën e tyre dhe do ta harronin Zotin.

Merrni në shqyrtim gjendjen e vetë zemrës suaj teksa lexoni këshillën e Moisiut. Ju mund të doni të përqendroheni te vargjet vijuese dhe t’i shkruani mbresat tuaja:

Çfarë mund të bëni që ta mbani zemrën tuaj larg ngurtësimit dhe ta doni Zotin me gjithë zemrën tuaj? Çfarë lidhje shihni midis vargjeve te Ligji i Përtërirë 6:5–6 dhe te Mateu 22:35–40? (Shih edhe Levitiku 19:18.)

Shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Dëshirim për Shtëpinë”, Liahona, nëntor 2017, f. 21–24.

Ligji i Përtërirë 6:4–12, 20–25

“Ki kujdes të mos harrosh Zotin.”

Pjesa më e madhe e brezit të izraelitëve që do të hynin në tokën e premtuar nuk i kishin dëshmuar plagët në Egjipt ose nuk e kishin kaluar Detin e Kuq. Moisiu e dinte se ata – dhe brezat e ardhshëm – do të kishin nevojë të kujtonin mrekullitë e Perëndisë dhe ligjet e Perëndisë nëse do të mbeteshin populli i Perëndisë.

Çfarë këshillash jep Moisiu te Ligji i Përtërirë 6:4–12, 20–25 që mund t’ju ndihmojnë të kujtoni gjërat e mëdha që ka bërë Perëndia për ju? Çfarë frymëzoheni të bëni në mënyrë që fjala e Zotit të “mbete[t] në zemrën” tuaj çdo ditë? (Vargu 6.)

Si do t’ua përcillni besimin tuaj brezave të ardhshëm?

Shih edhe Ligji i Përtërirë 11:18–21; Gerit W. Gong, “Gjithmonë Kujtojeni Atë”, Liahona, maj 2016, f. 108–111.

Ligji i Përtërirë 15:1–15

Ndihma për nevojtarët përfshin duar bujare dhe zemra të gatshme.

Ligji i Përtërirë 15:1–15 jep këshilla për të ndihmuar të varfrit dhe nevojtarët, përfshirë disa praktika specifike që nuk ndiqen sot. Por vini re se çfarë na mësojnë këto vargje rreth arsyes pse duhet t’i ndihmojmë të varfrit dhe se si qëndrimet tona për t’i ndihmuar ata kanë rëndësi për Zotin. Çfarë mendoni se Zoti dëshiron që ju të mësoni nga këto vargje rreth shërbimit ndaj të tjerëve?

Shih edhe Rasëll M. Nelson, “Urdhërimi i Dytë i Madh”, Liahona, nëntor 2019, f. 96–100.

Ligji i Përtërirë 18:15–19

Jezu Krishti është Profeti që do të ngrihej si Moisiu.

Pjetri, Nefi, Moroni dhe vetë Shpëtimtari, të gjithë komentuan mbi profecinë te Ligji i Përtërirë 18:15–19 (shih Veprat e Apostujve 3:20–23; 1 Nefi 22:20–21; Joseph Smith – Historia 1:40; 3 Nefi 20:23). Çfarë mësoni për Shpëtimtarin nga këto vargje? Në ç’mënyrë është Shpëtimtari “si” Moisiu? (Ligji i Përtërirë 18:15.)

Jezusi i gjunjëzuar duke mbajtur një burrë

Jezu Krishti është profet ashtu si Moisiu.

Ligji i Përtërirë 34:5–8

Çfarë i ndodhi Moisiut?

Edhe pse vargjet te Ligji i Përtërirë 34:5–8 thonë se Moisiu vdiq, kuptueshmëria e ditëve të mëvonshme sqaron se ai u shndërrua ose u ndryshua në mënyrë që të mos vuante dhembje ose vdekje derisa të ringjallej (shih Alma 45:18–19; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Moisi”; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Qenie të Ngritura në Qiell”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ishte e nevojshme që Moisiu të shndërrohej sepse atij i nevojitej të kishte një trup fizik në mënyrë që t’u jepte çelësat e priftërisë Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në malin e Shpërfytyrimit (shih Mateu 17:1–13).

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Ligji i Përtërirë 6:10–15.Këto vargje mund t’i nxitin pjesëtarët e familjes suaj që të mendojnë për mënyrat se si është bekuar familja juaj. Si mund ta ndjekim këshillën: “Ki kujdes të mos harrosh Zotin”? (Ligji i Përtërirë 6:12.) Ju mund të dëshironi t’i shënoni ndjenjat tuaja rreth bekimeve, ndoshta në një ditar ose në FamilySearch.

Ligji i Përtërirë 6:13,16; 8:3.Këto vargje e ndihmuan Shpëtimtarin gjatë një çasti të rëndësishëm në jetën e Tij; për të parë se si, lexoni së bashku te Mateu 4:1–10. Cilat fragmente të shkrimeve të shenjta na kanë ndihmuar në kohë nevoje?

Ligji i Përtërirë 7:6–9.Bëni diçka për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes suaj të ndihen të veçantë, të tillë si përgatitja e një ushqimi të parapëlqyer. Më pas ju mund të lexoni te Ligji i Përtërirë 7:6–9 dhe të diskutoni se çfarë do të thotë të jesh “thesar … i veçantë” (vargu 6) për Zotin.

Ligji i Përtërirë 29:12–13.Të folurit për vargjet te Ligji i Përtërirë 29:12–13 siguron një mundësi që pjesëtarët e familjes suaj të diskutojnë për besëlidhjet që ata do të bëjnë ose kanë bërë me Atin Qiellor. Çfarë do të thotë të jesh populli i Perëndisë? Në ç’mënyrë besëlidhjet tona “[na] vendos[in] … si popull [i Perëndisë]”? (Vargu 13.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Dua t’Jetoj Ungjillin”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 72.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni vetë idetë tuaja shpirtërore. Ky përvijim sugjeron fragmente dhe parime tek të cilat të përqendroheni, por mos i lejoni këto ta kufizojnë studimin tuaj. Ndërsa studioni, ju mund të mësoni rreth një parimi që nuk përmendet këtu. Lëreni Shpirtin t’ju udhërrëfejë tek ajo që keni nevojë të mësoni.

Moisiu duke qëndruar në mal

Zoti i Tregoi Atij Tërë Vendin, nga Walter Rane