Dhiata e Vjetër 2022
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Tabernakulli dhe Flijimi


“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Tabernakulli dhe Flijimi”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Tabernakulli dhe Flijimi”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

ikona e mendimeve

Mendime për t’i Mbajtur Parasysh

Tabernakulli dhe Flijimi

Ndërsa lexojmë Dhiatën e Vjetër, ne ndonjëherë gjejmë fragmente të gjata rreth gjërave që ishin qartësisht të rëndësishme për Zotin, por mund të mos mendohen menjëherë të rëndësishme për ne sot. Eksodi 25–30; 35–40; Levitiku 1–9; 16–17 janë shembuj. Këta kapituj përshkruajnë me hollësi tabernakullin e Izraelit në vendin e shkretë dhe flijimet e kafshëve që do të kryheshin atje.1 Tabernakulli ishte një tempull i lëvizshëm, vendi i banimit të Zotit mes popullit të tij.

Tempujt tanë modernë kanë ngjashmëri me tabernakullin e Izraelit, por sigurisht që nuk përputhen me përshkrimin e tij tek Eksodi. Dhe ne nuk vrasim kafshë në tempujt tanë – Shlyerja e Shpëtimtarit i dha fund flijimit të kafshëve mbi 2 000 vjet më parë. Megjithatë, kundrejt këtyre ndryshimeve, ka shumë vlerë sot kur lexojmë në lidhje me format e adhurimit të Izraelit të lashtë, veçanërisht nëse i shohim ato siç bëri populli i Perëndisë në Librin e Mormonit – si një mënyrë “që të përforconin besimin e tyre në Krisht” (Alma 25:16; shih edhe Jakobi [LiM] 4:5; Jaromi 1:11). Kur e kuptojmë simbolikën e tabernakullit dhe flijimin e kafshëve, ne mund të marrim pikëpamje shpirtërore që gjithashtu do ta forcojnë besimin tonë te Krishti.

njerëz duke i sjellë qengjin priftërinjve në tabernakull

Ilustrim i izraelitëve që sjellin një qengj në tabernakull, nga Robert T. Barrett

Tabernakulli e Forcon Besimin te Jezu Krishti

Kur Perëndia e urdhëroi Moisiun të ndërtonte një tabernakull në kampin e izraelitëve, Ai pohoi qëllimin e tij: “Që unë të banoj në mes tyre” (Eksodi 25:8). Brenda tabernakullit, prania e Perëndisë përfaqësohej nga arka e besëlidhjes – një kuti prej druri, e mbuluar me ar, që përmbante analin e shkruar të besëlidhjes së Perëndisë me popullin e Tij (shih Eksodi 25:10–22). Arka mbahej në dhomën më të shenjtë, më të brendshme, të ndarë nga pjesa tjetër e tabernakullit me një vel. Ky vel simbolizon ndarjen tonë nga prania e Perëndisë për shkak të Rënies.

Përveç Moisiut, ne njohim vetëm një person që mund të hynte në atë “vend shumë të shenjtë” (Eksodi 26:34) – prifti i lartë. Ashtu si priftërinjtë e tjerë, ai së pari duhej të lahej dhe vajosej (shih Eksodi 40:12–13) dhe të vishej me rroba të shenjta simbolike të detyrës së tij (shih Eksodi 28). Një herë në vit, në një ditë që quhej Dita e Shlyerjes, prifti i lartë bënte flijime në emër të popullit përpara se të hynte i vetëm në tabernakull. Te veli, ai digjte temjan (shih Levitiku 16:12). Tymi aromatik që ngjitej në qiell përfaqësonte lutjet e njerëzve që ngjiteshin te Perëndia (shih Psalmeve 141:2). Më pas prifti i lartë, që mbarte gjak nga një flijim kafshe, kalonte përmes velit dhe i afrohej fronit të Perëndisë, që simbolizohej nga arka e besëlidhjes (shih Levitiku 16:14–15).

Për shkak të asaj që dini për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij në planin e Atit Qiellor, a mund të shihni se si tabernakulli na drejton për te Shpëtimtari? Ashtu si tabernakulli dhe arka brenda tij përfaqësonin praninë e Perëndisë mes popullit të tij, Jezu Krishti ishte prania e Perëndisë mes popullit të tij (shih Gjoni 1:14). Ashtu si prifti i lartë, Jezu Krishti është Ndërmjetësi midis nesh dhe Perëndisë, Atit. Ai kaloi përmes velit për të bërë ndërmjetësimin për ne me anë të fuqisë së gjakut të vetë flijimit të Tij (shih Hebrenjve 8–10).

Disa aspekte të tabernakullit të Izraelit mund të tingëllojnë të njohura për ju, veçanërisht nëse keni qenë në tempull për të marrë vetë ordinancat tuaja. Ashtu si dhe vendi më i shenjtë i tabernakullit, dhoma çelestiale e tempullit përfaqëson praninë e Perëndisë. Për të hyrë, së pari ne duhet të lahemi dhe vajosemi. Ne veshim veshje të shenjta. Ne lutemi në një altar nga i cili lutjet ngjiten te Perëndia. Dhe në fund, përmes një veli ne kalojmë në praninë e Perëndisë.

Ndoshta ngjashmëria më e rëndësishme midis tempujve modernë dhe tabernakullit të lashtë është se të dy, nëse kuptohen siç duhet, e forcojnë besimin tonë te Jezu Krishti dhe na mbushin me mirënjohje për flijimin e Tij shlyes. Perëndia dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të hyjnë në praninë e Tij; Ai dëshiron “një mbretëri priftërinjsh” dhe priftëreshash (Eksodi 19:6). Por mëkatet tona na pengojnë që ta marrim atë bekim, sepse “asgjë e papastër nuk mund të jetojë me Perëndinë” (1 Nefi 10:21). Kështu që Perëndia Ati, dërgoi Jezu Krishtin, “kryeprift[in e] të mirave që do të vijnë në të ardhmen” (Hebrenjve 9:11). Ai e ndan velin për ne dhe i fuqizon të gjithë njerëzit e Perëndisë që “t’i afrohe[n], pra, me guxim fronit të hirit, që të marri[n] mëshirë” (Hebrenjve 4:16).

Sot, qëllimi i tempujve është më shumë sesa marrja e ekzaltimit për veten tonë. Pasi marrim ordinancat tona vetjake, ne mund të qëndrojmë në vend të paraardhësve tanë, për t’i marrë në mënyrë mëkëmbëse ordinancat në emër të tyre. Në një kuptim, ne mund të bëhemi diçka si prifti i lashtë i lartë – dhe Prifti i Madh i Lartë – duke hapur udhën për praninë e Perëndisë për të tjerët.

Sakrifica e Forcon Besimin te Jezu Krishti

Parimet e shlyerjes dhe të pajtimit jepen mësim fuqishëm në praktikën e lashtë të flijimit të kafshëve, e cila ekzistonte shumë kohë përpara ligjit të Moisiut. Për shkak të ungjillit të rivendosur, ne e dimë që Adami dhe Eva ofruan një flijim, e kuptuan referencën e tij simbolike për flijimin e Shpëtimtarit dhe ua mësuan këtë fëmijëve të tyre (shih Moisiu 5:4–12; shih edhe Zanafilla 4:4).

Simbolika e flijimit të kafshëve mund të jetë dukur veçanërisht prekëse në Ditën e Shlyerjes së Izraelit të lashtë (“Yom Kippur” në hebraisht). Nevoja për këtë ceremoni vjetore u shpreh te Levitiku 16:30: “Atë ditë prifti do të bëjë shlyerjen për ju, për t’ju pastruar, me qëllim që të jeni të pastruar nga tërë mëkatet tuaja përpara Zotit”. Kështu prania e Perëndisë mund të mbetej mes njerëzve. Kjo shlyerje realizohej përmes një morie ceremonish. Në njërën prej tyre, një cjap vritej si një ofertë për mëkatet e njerëzve dhe prifti i lartë e çonte gjakun e cjapit në vendin më të shenjtë. Më vonë, prifti i lartë i vendoste duart e tij mbi një cjap të gjallë dhe rrëfente mëkatet e fëmijëve të Izraelit – duke i transferuar këto mëkate simbolikisht te cjapi. Pastaj cjapi dëbohej nga kampi i Izraelit.

Në këtë ritual, cjeptë simbolizonin Jezu Krishtin, që zinte vendin e njerëzve mëkatarë. Mëkati nuk duhet të lejohet në prani të Perëndisë. Por, në vend që t’i shkatërronte ose t’i dëbonte mëkatarët, Perëndia siguroi një mënyrë tjetër – në vend të kësaj një cjap do të vritej ose dëbohej. “Cjapi do të mbartë mbi vete në tokë të vetmuar të gjitha padrejtësitë e tyre” (Levitiku 16:22).

Simbolika e këtyre ritualeve nxori në pah mënyrën se si Perëndia ka siguruar që të na kthejë përsëri në prani të Tij – Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij. Shpëtimtari ka “mba[jtur] sëmundjet tona dhe k[a] marrë përsipër dhembjet tona”, madje “paudhësi[në] e ne të gjithëve” (Isaia 53:4, 6). Ai qëndroi në vendin tonë, dha jetën e Tij për të paguar dënimin për mëkatin dhe më pas e mposhti vdekjen nëpërmjet Ringjalljes së Tij (shih Mosia 15:8–9). Flijimi i Jezu Krishtit ishte “flijim[i] i madh dhe i fundit; po, jo një flijim i njeriut, as i kafshës”, por përkundrazi “një flijim i pafundëm dhe i përjetshëm” (Alma 34:10). Ai ishte përmbushja e gjithçkaje drejt së cilës na tregonin flijimet e lashta.

Për këtë arsye, pasi flijimi i Tij përfundoi, Ai tha: “Ju nuk do të më ofroni më derdhje gjaku, po, flijimet tuaja … do të marrin fund. … Dhe ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar” (3 Nefi 9:19–20).

Pra, kur gjeni fragmente në Dhiatën e Vjetër rreth flijimeve dhe tabernakullit (ose më vonë, tempullit) – dhe do të gjeni shumë prej tyre – mbani mend se qëllimi kryesor i gjithçkaje është të forconi besimin tuaj te Mesia, Jezu Krishti. Lëreni zemrën dhe mendjen tuaj të kthehen drejt Tij. Përsiatni mbi atë që ka bërë Ai për t’ju sjellë përsëri në prani të Perëndisë – dhe çfarë do të bëni për ta ndjekur Atë.

Shënim

  1. Eksodi 33:7–11 përmend një “çad[ër t]ë mbledhjes”, ku Moisiu komunikoi me Zotin, por ky nuk ishte vendi për flijimet e përshkruara tek Eksodi dhe Levitiku. Ato flijime u kryen në tabernakullin që përshkruhet tek Eksodi 25–30, të cilin Perëndia e urdhëroi Moisiun ta ndërtonte dhe të cilin e ndërtuan fëmijët e Izraelit (shih Eksodi 35–40). Ky tabernakull, vendi ku Aaroni dhe bijtë e tij kryen flijimet e kafshëve, përmendej shpesh si “çadr[a] e mbledhjeve” (shih, për shembull, Eksodi 28:43; 38:30; Levitiku 1:3).