“9–15 Maj. Numrat 11–14; 20–24: ‘Mos Ngrini Krye Kundër Zotit dhe Mos Kini Frikë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“9–15 Maj. Numrat 11–14; 20–24”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
9–15 Maj
Numrat 11–14; 20–24
“Mos Ngrini Krye Kundër Zotit dhe Mos Kini Frikë”
Ky përvijim thekson disa prej parimeve të shumta të çmuara në librin Numrat. Jini të hapur edhe ndaj parimeve të tjera që Shpirti mund t’ju ndihmojë të shihni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Edhe në këmbë, normalisht nuk do të duheshin 40 vjet për të udhëtuar nga vendi i shkretë i Sinait për në tokën e premtuar në Kanaan. Por kjo është koha që u duhej fëmijëve të Izraelit jo për të mbuluar largësinë gjeografike, por për të mbuluar largësinë shpirtërore: largësinë midis asaj që ata ishin dhe asaj që Zoti kishte nevojë për ta që të bëheshin si populli i Tij i besëlidhjes.
Libri Numrat përshkruan disa nga gjërat që ndodhën gjatë atyre 40 viteve, përfshirë mësime të cilat fëmijët e Izraelit kishin nevojë t’i mësonin përpara se të hynin në tokën e premtuar. Ata mësuan rreth të qenit besnikë ndaj shërbëtorëve të zgjedhur të Zotit (shih Numrat 12). Ata mësuan rreth mirëbesimit në fuqinë e Zotit, edhe kur e ardhmja duket e pashpresë (shih Numrat 13–14). Dhe ata mësuan se të qenit pa besim ose mosbesues sjell dëm shpirtëror, por ata mund të pendoheshin dhe të shikonin te Shpëtimtari për shërim (shih Numrat 21:4–9).
Në njëfarë mënyre ne jemi të gjithë si izraelitët. Të gjithë e dimë se si është të jesh në një vend të shkretë shpirtëror, dhe të njëjtat mësime që ata mësuan mund të na ndihmojnë të përgatitemi për të hyrë në vetë tokën tonë të premtuar: jetën e përjetshme me Atin tonë Qiellor.
Për një vështrim të përgjithshëm të librit Numrat, shihni “Numra(t)” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zbulesa është në dispozicion për të gjithë njerëzit, por Perëndia e udhërrëfen Kishën e Tij nëpërmjet profetit të Tij.
Te Numrat 11:11–17, 24–29, vini re problemin që ndeshi Moisiu dhe zgjedhjen që propozoi Perëndia. Çfarë mendoni se donte të thoshte Moisiu kur tha se uronte që “të ishin të gjithë profetë”? (Vargu 29.) Teksa i përsiatni këto vargje, merrni parasysh këto fjalë të Presidentit Rasëll M. Nelson: “A do Perëndia vërtet të flasë me ju? Po! … O, ka shumë më tepër që Ati juaj në Qiell dëshiron që ju të dini” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95).
Sidoqoftë, të thuash se gjithsecili mund të jetë profet, nuk do të thotë që të gjithë mund ta udhëheqin popullin e Perëndisë ashtu siç bëri Moisiu. Ndodhia e shënuar te Numrat 12 e bën të qartë këtë. Teksa e lexoni këtë kapitull, çfarë porosish gjeni? Çfarë ndieni se Zoti dëshiron që ju të kuptoni rreth zbulesës vetjake dhe ndjekjes së profetit?
Shih edhe 1 Nefi 10:17; Doktrina e Besëlidhje 28:1–7; Dallin H. Ouks, “Dy Linja Komunikimi”, Liahona, nëntor 2010, f. 83–86.
Me besim te Zoti, unë mund të kem shpresë për të ardhmen.
Ndërsa lexoni te Numrat 13–14, përpiquni ta vini veten tuaj në vend të izraelitëve. Si mendoni, përse ata dëshironin “të kthehe[shin] në Egjipt”? (Numrat 14:3.) A jeni ndonjëherë si njerëzit që ishin pesimistë për të hyrë në tokën e premtuar? Si do ta përshkruanit “frymë[n]” tjetër që kishte Kalebi? (Numrat 14:24.) Çfarë ju bën përshtypje rreth besimit të Kalebit dhe Jozueut dhe si mund t’i zbatoni shembujt e tyre në situatat me të cilat përballeni?
Shih edhe Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli (2016), f. 77–79.
Nëse shikoj te Jezu Krishti me besim, Ai mund të më shërojë shpirtërisht.
Profetët e Librit të Mormonit e dinin historinë e shënuar te Numrat 21:4–9 dhe e kuptuan domethënien e saj shpirtërore. Çfarë i shtojnë 1 Nefi 17:40–41; Alma 33:18–22 dhe Helamani 8:13–15 të kuptuarit tuaj për këtë histori? Ndërsa i studioni këto fragmente, mendoni për shërimin shpirtëror për të cilin shpresoni. Izraelitëve iu desh të “shikon[in] gjarprin prej bronzi” (Numrat 21:9) që të shëroheshin. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për të “[parë më plotësisht] në Birin e Perëndisë me besim”? (Helamani 8:15.)
Shih edhe Gjoni 3:14–15; Doktrina e Besëlidhje 6:36; Dejll G. Renland, “Të Mbushur me Bekime”, Liahona, maj 2019, f. 70–73.
Unë mund ta ndjek vullnetin e Perëndisë, edhe nëse të tjerët përpiqen të më bindin që të mos e bëj.
Kur Balaku, mbreti i Moabit, mësoi se izraelitët po afroheshin, ai thirri Balaamin, një njeri i njohur për dhënien e bekimeve dhe mallkimeve. Balaku donte që ai t’i dobësonte izraelitët duke i mallkuar ata. Vini re se si u përpoq Balaku që ta bindte Balaamin (shih Numrat 22: 5–7, 15–17) dhe mendoni për tundimet me të cilat përballeni që të shkoni kundër vullnetit të Perëndisë. Çfarë ju bën përshtypje në lidhje me përgjigjet e Balaamit te Numrat 22:18, 38; 23:8, 12, 26; 24:13?
Mjerisht, duket se Balaami përfundimisht iu dorëzua trysnisë dhe e tradhtoi Izraelin (shih Numrat 31:16; Judë 1:11). Përsiatni se si mund t’i qëndroni besnikë Zotit, pavarësisht nga trysnia prej të tjerëve.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Numrat 11:4–6.A është qëndrimi ynë ndonjëherë i ngjashëm me qëndrimin që shfaqën izraelitët te Numrat 11:4–6? Si mund të ndihmojë këshilla te Doktrina e Besëlidhje 59:15–21?
-
Numrat 12:3.Si e tregoi Moisiu se ishte “shumë zemërbutë” te Numrat 12 ose në fragmente të tjera të shkrimeve të shenjta që keni lexuar? Ju mund të shqyrtoni shpjegimin e Plakut Dejvid A. Bednar për zemërbutësinë në mesazhin e tij “Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra” (Liahona, maj 2018, f. 30–33) ose te “Zemërbutë, Zemërbutësi” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Çfarë mësojmë rreth mënyrës se si mund të bëhemi më zemërbutë? Çfarë bekimesh mund të vijnë kur e bëjmë këtë?
-
Numrat 13–14.Dy (ose më shumë) pjesëtarë të familjes suaj mund të hiqen sikur e “vëzhg[ojnë]” (Numrat 13:17) një pjesë tjetër të shtëpisë suaj, sikur ajo të ishte toka e premtuar. Më pas secili mund të japë një raport nisur nga vargjet te Numrat 13:27–33 ose Numrat 14:6–9. Çfarë mësojmë për besimin nga dy raportet e ndryshme në këto vargje? Si mund të jemi më shumë si Kalebi dhe Jozueu?
-
Numrat 21:4–9.Pasi të lexojë te Numrat 21:4–9, së bashku me vargjet te 1 Nefi 17:40–41; Alma 33:18–22 dhe Helamani 8:13–15, familja juaj mund të bëjë një gjarpër prej letre ose balte dhe të shkruajë mbi të ose në letër disa gjëra të thjeshta që mund të bëjë për të “[parë] në Birin e Perëndisë me besim” (Helamani 8:15).
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Jezus, Vet’ Mendimi për Ty”, Himne, nr. 79.