2010–2019
Të Mbushur me Bekime
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


2:3

Të Mbushur me Bekime

Shumica e bekimeve që Perëndia dëshiron të na i japë, kërkojnë veprim nga ana jonë – veprim që bazohet në besimin tonë te Jezu Krishti.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë ta bekojnë secilin prej nesh. Pyetja se si të kemi qasje dhe t’i marrim ato bekime ka qenë tema e debateve dhe diskutimeve teologjike për shekuj me radhë. Disa njerëz argumentojnë se bekimet fitohen plotësisht; ne i marrim ato vetëm nëpërmjet veprave tona. Të tjerë argumentojnë se Perëndia i ka zgjedhur tashmë ata që Ai do t’i bekojë dhe mënyrën se si do t’i bekojë – dhe se këto vendime janë të pandryshueshme. Të dyja pikëpamjet janë krejtësisht me të meta. Bekimet nga qielli as nuk merren duke i shtuar me furi “kuponët e veprave të mira” as duke pritur si të pafuqi për të parë nëse do e fitojmë lotarinë e bekimeve. Jo, e vërteta është me më shumë ngjyrim por më e përshtatshme për marrëdhënien midis një Ati të dashur Qiellor dhe trashëgimtarëve të Tij të mundshëm – neve. E vërteta e rivendosur zbulon se bekimet asnjëherë nuk fitohen, por veprimet e frymëzuara nga besimi nga ana jonë, si në fillim edhe në vazhdim, janë thelbësore.

Turrë drush

Ndërsa e marrim parasysh mënyrën se si i marrim bekimet nga Perëndia, le t’i krahasojmë bekimet qiellore me një grumbull të madh drurësh. Përfytyroni në qendër një grumbull të vogël shkarpash, me në krye një shtresë ashklash druri. Më pas vijnë degët, pastaj kërcunjtë e vegjël dhe në fund trungjet e stërmëdha. Kjo turrë drush përmban një sasi të madhe lënde djegëse, në gjendje të prodhojë dritë dhe nxehtësi për ditë të tëra. Përfytyroni në krah të turrës së drurëve një shkrepëse të vetme, nga ai lloji me majë me fosfor.

Turrë drush me shkrepëse

Që energjia në turrën e drurëve të çlirohet, shkrepësja duhet të ndizet dhe shkarpat të marrin flakë. Shkarpat me të shpejtë do të marrin flakë dhe do të shkaktojnë djegien e copave më të mëdha të drurit. Me të filluar ky reaksion i djegies, ai vazhdon derisa të gjithë drunjtë të digjen ose zjarrit t’i mbarojë oksigjeni.

Turrë drurësh duke u djegur

Ndezja e shkrepëses dhe vënia flakë e shkarpave janë veprime të vogla që bëjnë të mundur çlirimin e energjisë së mundshme të drurëve. Derisa shkrepësja të ndizet, nuk ndodh asgjë, pavarësisht nga madhësia e turrës së drurëve. Nëse shkrepësja ndizet, por nuk i vihet shkarpave, sasia e dritës dhe nxehtësia e çliruar vetëm nga shkrepësja është shumë e vogël dhe energjia e djegies në dru mbetet e paçliruar. Nëse oksigjeni nuk furnizohet në ndonjë çast, reaksioni i djegies ndalon.

Në mënyrë të ngjashme, shumica e bekimeve që Perëndia dëshiron të na i japë, kërkojnë veprim nga ana jonë – veprim që bazohet në besimin tonë te Jezu Krishti. Besimi te Shpëtimtari është një parim veprimi dhe fuqie. Së pari, ne veprojmë me besim; pastaj vjen fuqia – sipas vullnetit dhe kohës së Perëndisë. Kjo renditje është vendimtare. Veprimi që na kërkohet, megjithatë, është përherë fare i vogël kur krahasohet me bekimet që marrim përfundimisht.

Merreni parasysh se çfarë ndodhi kur gjarpërinjtë helmues që fluturonin erdhën midis izraelitëve të lashtë gjatë rrugës së tyre për në tokën e premtuar. Pickimi nga një gjarpër helmues ishte vdekjeprurës. Por një individ i pickuar mund të shërohej duke parë gjarprin prej bronzi të bërë nga Moisiu dhe të vendosur mbi një shtizë. Sa energji duhet për t’ia hedhur sytë diçkaje? Të gjithë ata që e panë, patën qasje te fuqitë e qiellit dhe u shëruan. Izraelitë të tjerë që u pickuan, nuk arritën ta shihnin gjarprin prej bronzi dhe vdiqën. Ndoshta atyre u mungoi besimi për të parë. Ndoshta ata nuk besuan se një veprim kaq i thjeshtë mund të nxiste shërimin e premtuar. Ose ndoshta me qëllim i ngurtësuan zemrat e tyre dhe nuk e pranuan këshillën e profetit të Perëndisë.

Parimi i aktivizimit të bekimeve që rrjedhin nga Perëndia është i përjetshëm. Ashtu si ata izraelitë të lashtë, edhe ne duhet të veprojmë sipas besimit tonë te Jezu Krishti që të bekohemi. Perëndia ka zbuluar se “ka një ligj, të shpallur në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote, mbi të cilit të gjitha bekimet bazohen — dhe kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet”. Thjesht duke e thënë këtë, ju nuk fitoni një bekim – ai mendim është i rremë – por ju vërtet duhet të kualifikoheni për të. Shpëtimi ynë vjen vetëm nëpërmjet meritave dhe hirit të Jezu Krishtit. Pafundësia e flijimit të Tij shlyes do të thotë se turra e drurëve është pakufi; në krahasim [me atë] veprimet tona të vogla arrijnë zeron. Por ato nuk janë zero, dhe nuk janë të parëndësishme; në errësirë, një shkrepëse që ndizet mund të shihet me kilometra larg. Në fakt, ajo mund të shihet në qiell sepse vepra të vogla besimi kërkohen për t’i ndezur premtimet e Perëndisë.

Për të marrë një bekim të dëshiruar nga Perëndia, veproni me besim, duke e ndezur shkrepësen në kuptimin metaforik mbi të cilin është i mundshëm bekimi qiellor. Për shembull, një nga qëllimet e lutjes është të sigurohen bekimet që Perëndia është i gatshëm t’i japë por që janë të kushtëzuara nga kërkesa jonë. Alma bëri thirrje për mëshirë dhe dhembjet e tij u zgjidhën; ai nuk u ngacmua më nga kujtimi i mëkateve të veta. Gëzimi i tij e mposhti dhembjen e tij – e gjitha kjo sepse ai i bëri thirrje me besim Jezu Krishtit. Energjia e aktivizimit që na nevojitet është të kemi besim të mjaftueshëm te Krishti për t’i kërkuar çiltërsisht Perëndisë në lutje dhe për ta pranuar vullnetin dhe kohën e Tij për përgjigjen.

Shpesh, energjia e aktivizimit që nevojitet për bekime kërkon më shumë sesa thjesht të shohësh ose të thërrasësh; kërkohen veprime të vazhdueshme, këmbëngulëse, besimplota. Në mes të shekullit të 19‑të, Brigam Jangu drejtoi një grup shenjtorësh të ditëve të mëvonshme për të eksploruar dhe për t’u vendosur në Arizona, një rajon i thatë në Amerikën e Veriut. Pasi arritën në Arizona, grupit i mbaroi uji dhe patën frikë se do të vdisnin. Ata iu përgjëruan Perëndisë për ndihmë. Shpejt ra shi dhe borë, duke i lejuar ata t’i mbushnin fuçitë e tyre me ujë dhe të siguronin për bagëtitë e tyre. Mirënjohës dhe të freskuar, ata u kthyen në Solt‑Lejk‑Siti duke u gëzuar për mirësinë e Perëndisë. Pas kthimit të tyre, ata ia raportuan hollësitë e ekspeditës së tyre Brigam Jangut dhe shprehën përfundimin e tyre se Arizona ishte e pabanueshme.

Brigam Jangu

Pasi e dëgjoi raportin, Brigam Jangu pyeti një burrë në dhomë se çfarë mendonte ai për ekspeditën dhe mrekullinë. Ai burrë, Daniel W. Xhons, u përgjigj shkurt: “Do të ngarkohesha mirë, do të vazhdoja dhe do të lutesha sërish”. Vëllai Brigam e vendosi dorën te Vëllai Xhons dhe tha: “Ky është burri që do të jetë në ngarkim për udhëtimin tjetër në Arizona”.

Daniel W. Xhons

Ne të gjithë mund të kujtojmë raste kur kemi këmbëngulur dhe jemi lutur sërish – dhe rrodhën bekime. Përvojat e Majkëll dhe Mariana Holmsit i ilustrojnë këto parime. Unë dhe Majkëlli shërbyem bashkë si Të Shtatëdhjetë Zonalë. Isha gjithmonë i emocionuar sa herë që ai ftohej për t’u lutur në mbledhjet tona sepse shpirtshmëria e tij e thellë ishte lehtësisht e dukshme; ai dinte se si të fliste me Perëndinë. Më pëlqente shumë ta dëgjoja të lutej. Herët në martesën e tyre, megjithatë, Majkëlli dhe Mariana nuk po luteshin ose merrnin pjesë në kishë. Ata ishin të zënë me tre fëmijët e vegjël dhe një kompani të suksesshme ndërtimi. Majkëlli nuk mendonte se ishte një njeri fetar. Një mbrëmje, peshkopi i tyre u shkoi në shtëpi dhe i nxiti të fillonin të luteshin.

Pasi peshkopi u largua, Majkëlli dhe Mariana vendosën se do të përpiqeshin të luteshin. Përpara se të shkonin në shtrat, ata u gjunjëzuan në anë të shtratit dhe me siklet Majkëlli filloi. Pas disa fjalësh të vështira në lutje, Majkëlli menjëherë ndaloi, duke thënë: “Mariana, nuk mund ta bëj këtë”. Kur u ngrit në këmbë dhe nisi të largohej, Mariana e kapi nga dora, e tërhoqi sërish në gjunjë, dhe tha: “Majk, ti mund ta bësh. Provoje përsëri!” Me këtë nxitje, Majkëlli mbaroi një lutje të shkurtër.

Çifti Holms filloi të lutej rregullisht. Ata e pranuan ftesën e një fqinji për të marrë pjesë në kishë. Ndërsa hynë në godinën kishtare dhe dëgjuan himnin e hapjes, Shpirti iu pëshpëriti: “Kjo është e vërtetë”. Më vonë, pa u vënë re dhe pa ia kërkuar, Majkëlli ndihmoi për të nxjerrë disa plehra nga shtëpia e mbledhjeve. Kur e bëri atë, ai ndjeu një përshtypje të dallueshme: “Kjo është shtëpia Ime”.

Majkëlli dhe Mariana Holms të Rinj

Majkëlli dhe Mariana i pranuan thirrjet në Kishë dhe shërbyen në lagjen dhe kunjin e tyre. Ata u vulosën me njëri‑tjetrin dhe 3 fëmijët e tyre u vulosën me ta. Patën më shumë fëmijë, duke sjellë në jetë gjithsej 12 fëmijë. Çifti Holms shërbeu si presidenti i misionit dhe e shoqja e misionit – dy herë.

Majkëlli dhe Mariana Holms sot

Lutja e parë e parehatshme ishte një veprim i vogël por i mbushur me besim që nxiti bekimet e qiellit. Çifti Holms i ushqeu flakët e besimit duke marrë pjesë në kishë dhe duke shërbyer. Dishepullimi i tyre i devotshëm përgjatë viteve ka çuar në një zjarr bubulak që frymëzon sot e kësaj dite.

familja e zgjeruar Holms

Mirëpo, zjarri duhet të marrë një furnizim të vazhdueshëm me oksigjen që druri përfundimisht ta çlirojë potencialin e tij të plotë. Ashtu siç u tregua nga Majkëlli dhe Mariana Holms, besimi te Krishti kërkon veprim të vazhdueshëm që flaka të vazhdojë. Veprimet e vogla e furnizojnë aftësinë tonë për të ecur gjatë shtegut të besëlidhjeve dhe çojnë drejt bekimeve më të mëdha që mund të ofrojë Perëndia. Por oksigjeni rrjedh vetëm nëse në mënyrë figurative vazhdojmë t’i luajmë këmbët. Ndonjëherë, ne duhet të bëjmë një hark dhe shigjetë përpara se të vijë zbulesa lidhur me vendin se ku duhet të kërkojmë ushqim. Nganjëherë duhet të bëjmë vegla përpara se të vijnë zbulesat lidhur me mënyrën se si të ndërtojmë një anije. Ngandonjëherë, sipas udhërrëfimit të profetit të Zotit, ne duhet të pjekim një bukë të vogël me vajin dhe miellin e paktë që kemi për të marrë një qyp vaji dhe enë me miell që nuk mbarojnë. Dhe ndonjëherë ne duhet të “rri[më] të qetë dhe [të] di[më] se [Perëndia është] Perëndi” dhe të mirëbesojmë në kohën e Tij.

Kur merrni ndonjë bekim nga Perëndia, ju mund të arrini në përfundimin se i jeni bindur një ligji të përjetshëm që e drejton marrjen e atij bekimi. Por mbani mend se ligji “[i] shpallur në mënyrë të pakthyeshme” nuk është i ndjeshëm ndaj kohës [sonë], që do të thotë se bekimet vijnë sipas kohës së Perëndisë. Madje edhe profetët e lashtë gjatë kërkimit për shtëpinë e tyre qiellore “vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato”. Nëse një bekim i dëshiruar nga Perëndia nuk është marrë ende – prapëseprapë – nuk keni përse të merakoseni së tepërmi, duke pyetur veten se çfarë nevojitet të bëni tjetër. Në vend të kësaj, vërjani veshin këshillës së Jozef Smithit për t’i “bë[rë] me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë [tuaj]; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë … që krahu i [Perëndisë] të zbulohet”. Disa bekime ruhen për më vonë, edhe për fëmijët më të guximshëm të Perëndisë.

Gjashtë muaj më parë, u paraqit një plan i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha për të mësuar doktrinën, për ta forcuar besimin dhe për t’i fuqizuar individët e familjet. Presidenti Rasëll M. Nelson premtoi se ndryshimet mund të na ndihmojnë të mbijetojmë shpirtërisht, ta rritim gëzimin tonë për ungjillin dhe ta thellojmë kthimin tonë në besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Por varet nga ne për t’i pretenduar këto bekime. Secili prej nesh është përgjegjës për ta hapur dhe studiuar materialin “Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet” bashkë me shkrimet e shenjta dhe materialin tjetër “Eja, Më Ndiq”. Ne duhet t’i diskutojmë ato me familjen e miqtë tanë dhe ta organizojmë ditën tonë të Shabatit në mënyrë që të ndezë një zjarr në kuptimin metaforik. Ose mund t’i lëmë burimet të rrinë në një pirg në shtëpitë tona me energjinë potenciale të ngecur brenda.

Unë ju ftoj që me besnikëri ta aktivizoni fuqinë qiellore për të marrë bekime të veçanta nga Perëndia. Ushtrojeni besimin për ta ndezur shkrepësen dhe për ta vënë flakën. Furnizohuni me oksigjenin e nevojshëm ndërsa e prisni Zotin me padurim. Me këto ftesa, unë lutem që Fryma e Shenjtë t’ju udhëzojë dhe drejtojë, kështu që ju, ashtu si njeriu besnik i përshkruar te Fjalët e Urta, të “mbushe[ni] me bekime”. Unë dëshmoj se Ati juaj Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, jetojnë, interesohen për mirëqenien tuaj dhe ngazëllehen t’ju bekojnë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.