Dashuri të Madhe për Fëmijët e Atit Tonë
Dashuria është cilësia dhe shtysa parësore për qëllimet shpirtërore që u ngarkuam për t’i marrë përsipër nga profeti ynë i dashur.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kjo është një kohë e pashoqe dhe shumë e rëndësishme në histori. Jemi të bekuar që jetojmë në periudhën e fundit ungjillore përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Afër fillimit të kësaj periudhe ungjillore, në vitin 1829, vitin përpara se Kisha të organizohej zyrtarisht, u mor një zbulesë e dashur që shpallte se do të “[vinte]” një “vepër e mrekullueshme”. Kjo zbulesë tregoi se ata që dëshiruan t’i shërbenin Perëndisë, u kualifikuan për një shërbim të tillë nëpërmjet “besimi[t], shpres[ës], dashuri[së] hyjnore dhe dashuri[së], me syrin drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë”. Dashuria hyjnore, që është “dashuria e pastër e Krishtit” përfshin dashurinë e përjetshme të Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij.
Qëllimi im këtë mëngjes është të theksoj rolin thelbësor të asaj lloj dashurie në punën misionare, punën në tempull e për historinë familjare dhe praktikat fetare në familje, të përqendruara te shtëpia dhe të përkrahura nga Kisha. Dashuria për Shpëtimtarin dhe dashuria për bashkënjerëzit tanë është cilësia dhe shtysa parësore për dhënien e shërbesës dhe qëllimet shpirtërore që u ngarkuam për t’i marrë përsipër nga profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, te përshtatjet e njoftuara në vitin 2018.
Përpjekja Misionare për të Mbledhur Izraelin e Shpërndarë
E pata provuar marrëdhënien midis punës misionare dhe dashurisë herët në jetë. Kur isha 11 vjeç, mora një bekim patriarkal nga një patriark i cili ishte gjithashtu gjyshi im. Në atë bekim u tha pjesërisht: “Të bekoj me dashuri të madhe për bashkënjerëzit e tu, pasi ti do të thirresh për ta çuar ungjillin në botë … për të kthyer shpirtra te Krishti”.
E kuptova madje në atë moshë të re se përhapja e ungjillit u bazua te dashuria e madhe për të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor.
Si Autoritet i Përgjithshëm, i caktuar për të punuar me manualin “Predikoni Ungjillin Tim” 15 vite më parë, ne arritëm në përfundimin se dashuria si cilësi ishte thelbësore në punën misionare në kohën tonë, ashtu siç ka qenë përherë. Kapitulli 6, mbi cilësitë si të Krishtit, duke përfshirë dashurinë hyjnore dhe dashurinë, vazhdimisht ka qenë kapitulli më i mirënjohur midis misionarëve.
Si emisarë të Shpëtimtarit, shumica e misionarëve e ndiejnë këtë lloj dashurie, dhe kur e ndiejnë, përpjekjet e tyre bekohen. Kur anëtarët fitojnë një largpamësi për këtë lloj dashurie, që është thelbësore për ta ndihmuar Zotin në qëllimin e Tij, puna e Zotit do të përmbushet.
Pata privilegjin të kisha një rol të vogël në një shembull të mrekullueshëm të kësaj lloj dashurie. Kur po shërbeja si President i Zonës së Ishujve të Paqësorit, mora një thirrje nga Presidenti R. Uejn Shat. Kur ishte i ri, ai shërbeu një mision në Samoa. Më vonë, u kthye në Samoa si president misioni. Kur më telefonoi, ai ishte presidenti i Tempullit të Apias në Samoa. Një nga misionarët e tij të rinj, kur ai ishte president misioni, ishte Plaku O. Vinsent Halek, i cili tani është Presidenti i Zonës në vendet e Paqësorit. Presidenti Shat kishte dashuri dhe respekt të madh për Vinsin dhe të gjithë familjen Halek. Pjesa më e madhe e familjes ishin anëtarë të Kishës, por babai i Vinsit, Oto Haleku, patriarku i familjes (me prejardhje gjermane dhe samoane), nuk ishte anëtar. Presidenti Shat e dinte që unë do të merrja pjesë në një konferencë kunji dhe mbledhje të tjera në Samoan Amerikane, dhe më pyeti nëse do ta merrja në konsideratë qëndrimin në banesën e Oto Halekut me qëllim që t’i flisja atij për ungjillin.
Unë dhe gruaja ime, Meri, qëndruam me Oton dhe bashkëshorten e tij, Dorothin, në shtëpinë e tyre të bukur. Në mëngjes dhashë një mesazh për ungjillin dhe e ftova Oton të takohej me misionarët. Ai ishte i sjellshëm, por i vendosur për të mos e pranuar ftesën time. Ai tha se ishte i kënaqur që shumë pjesëtarë të familjes së tij ishin shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Por fuqishëm tregoi se disa nga paraardhësit e nënës së tij samoane kishin qenë shërbestarë të hershëm të krishterë në Samoa, dhe ai ndiente besnikëri të madhe ndaj besimit të tyre tradicional të krishterë. Sidoqoftë, ne u ndamë si shokë të mirë.
Më vonë, kur Presidenti Gordon B. Hinkli po përgatitej për të përkushtuar Tempullin e Suvës në Fixhi, ai bëri që sekretari i tij personal, Vëllai Don H. Staheli, të më merrte në telefon nga Zelanda e Re për të bërë përgatitjet. Presidenti Hinkli donte të fluturonte nga Fixhi në Samoan Amerikane për të takuar shenjtorët. U sugjerua një hotel i caktuar që u përdor në një vizitë të mëparshme. Pyeta nëse mund të gjeja një vend tjetër. Vëllai Staheli tha: “Ti je Presidenti i Zonës; do të ishte në rregull”.
Menjëherë mora në telefon Presidentin Shat dhe i thashë atij se ndoshta kishim një mundësi të dytë për ta bekuar shpirtërisht mikun tonë Oto Halekun. Këtë herë misionari do të ishte Presidenti Gordon B. Hinkli. E pyeta a mendonte ai se do të ishte me vend që familja Halek të na priste të gjithëve që ishim në grupin e udhëtimit të Presidentit Hinkli. Presidenti dhe Motra Hinkli, bija e tyre, Xhejni, dhe Plaku e Motra Xhefri R. Holland, ishin gjithashtu pjesë e grupit të udhëtimit. Presidenti Shat, duke punuar me familjen, i bëri të gjitha përgatitjet.
Kur mbërritëm nga Fixhi pas përkushtimit të tempullit, ne u përshëndetëm ngrohtësisht. Atë mbrëmje u folëm mijëra anëtarëve samoanë dhe pastaj shkuam në kompleksin e familjes Halek. Kur u mblodhëm të nesërmen për të ngrënë mëngjesin, Presidenti Hinkli dhe Oto Haleku tashmë ishin bërë miq të mirë. Për mua ishte interesante që ata po bënin thuajse të njëjtën bisedë që unë kisha pasur me Oton më shumë se një vit më parë. Kur Oto shprehu admirimin e tij për Kishën tonë, por ripohoi zotimin e vet ndaj kishës së tij ekzistuese, Presidenti Hinkli e vendosi dorën te shpatulla e Otos dhe tha: “Oto, kjo nuk mjafton; ti duhet të jesh anëtar i Kishës. Kjo është Kisha e Zotit.” Në mënyrë figurative ju mund ta shihnit armatimin rezistues të largohej nga Otoja me çiltërsi ndaj asaj që tha Presidenti Hinkli.
Ky ishte fillimi i një mësimi tjetër misionar dhe i një përulësie shpirtërore që e lejoi Oto Halekun të pagëzohej dhe të konfirmohej pak më shumë se një vit më vonë. Një vit pas kësaj, familja Halek u vulos si një familje e përjetshme në tempull.
Ajo që ma preku zemrën gjatë gjithë kësaj përvoje të jashtëzakonshme ishte dashuria mbizotëruese nga dhënia e shërbesës, e shfaqur nga Presidenti Uejn Shat për misionarin e tij të mëparshëm, Plakun Vins Halek, dhe dëshira e tij për ta parë të gjithë familjen Halek të bashkuar si një familje e përjetshme.
Kur vjen puna te mbledhja e Izraelit, na nevojitet t’i bashkojmë zemrat tona me këtë lloj dashurie dhe t’i largojmë ndjenjat e përgjegjësisë së thjeshtë ose fajit ndaj ndjenjave të dashurisë dhe pjesëmarrjes në bashkëpunimin hyjnor të përhapjes së mesazhit, të shërbesës dhe misionit të Shpëtimtarit me botën.
Si anëtarë ne mund ta tregojmë dashurinë tonë për Shpëtimtarin dhe vëllezërit e motrat tona në të gjithë botën duke bërë ftesa të thjeshta. Programi i ri i mbledhjes të së dielës paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për anëtarët që me sukses dhe dashuri t’i ftojnë miqtë dhe të njohurit që të vijnë, shohin dhe ndiejnë një përvojë në Kishë. Një mbledhje shpirtërore sakramenti, me shpresë aq e shenjtë sa e përshkroi dje Plaku Xhefri R. Holland, do të pasohet nga një mbledhje 50-minutëshe që përqendrohet te Dhiata e Re dhe Shpëtimtari ose në biseda domethënëse nga konferenca që gjithashtu përqendrohen te Shpëtimtari dhe doktrina e Tij.
Disa motra të Shoqatës së Ndihmës kanë pyetur veten se përse atyre u është dhënë një detyrë “mbledhjeje” së bashku me anëtarët e kuorumit të priftërisë. Ka arsye për këtë dhe Presidenti Nelson i parashtroi shumë prej tyre në konferencën e fundit të përgjithshme. Ai e mbylli duke thënë: “Ne thjesht nuk mund ta mbledhim Izraelin pa ju”. Në kohën tonë jemi bekuar që përafërsisht 30 përqind e misionarëve tanë kohëplotë janë motra. Kjo siguron nxitje shtesë për motrat e Shoqatës së Ndihmës që ta përhapin ungjillin me dashuri. Ajo që nevojitet, është zotimi me dashuri, i dhembshur dhe shpirtëror nga secili prej nesh – burra, gra, të rinj, të reja dhe fëmijë – që ta përhapim ungjillin e Jezu Krishtit. Nëse tregojmë dashuri, mirësi dhe përulësi, shumë njerëz do ta pranojnë ftesën tonë. Ata që zgjedhin të mos e pranojnë ftesën tonë, ende do të jenë miqtë tanë.
Përpjekja për Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare për ta Mbledhur Izraelin
Dashuria është gjithashtu thelbi i përpjekjes sonë për punën në tempull dhe për historinë familjare për ta mbledhur Izraelin në anën tjetër të velit. Kur mësojmë për sprovat dhe vështirësitë me të cilat u përballën paraardhësit tanë, dashuria dhe vlerësimi ynë për ta rritet. Përpjekja jonë për punën në tempull dhe për historinë familjare është forcuar në një shkallë të madhe nga përshtatjet e reja si në programin e mbledhjes të së dielës ashtu edhe në kalimin e të rejave dhe të rinjve në klasa dhe kuorume. Këto ndryshime sigurojnë vëmendje më të hershme dhe më të fuqishme për të mësuar për paraardhësit tanë dhe për ta mbledhur Izraelin në anën tjetër të velit. Si puna në tempull, edhe ajo për historinë familjare po rriten së tepërmi.
Interneti është një mjet i fuqishëm; shtëpia tani është qendra jonë kryesore për historinë familjare. Anëtarët tanë të rinj janë jashtëzakonisht të aftë në kërkimet për historinë familjare dhe marrin shtysa shpirtërore që të kryejnë pagëzime për paraardhësit e tyre të cilët kanë mësuar t’i duan dhe t’i vlerësojnë. Që nga ndryshimi që i lejon shumë 11-vjeçarë të bëjnë pagëzime për të vdekurit, presidentët e tempujve anekënd botës raportojnë një rritje të madhe të pjesëmarrjes. Një president tempulli na informon se “ka pasur një rritje të mrekullueshme të frekuentuesve në pagëzimore … dhe shtimi i 11-vjeçarëve sjell më shumë familje. … Edhe në moshën e tyre [të re], ata duket se ndiejnë nderim dhe qëllim për ordinancën që po kryejnë. Është bukur t’i shohësh!”
Unë e di se udhëheqësit tanë të të rinjve dhe udhëheqëset tona të Fillores dhe të të rejave po bëjnë dhe do të vazhdojnë të bëjnë një përpjekje të madhe në punën për historinë familjare dhe atë në tempull. Motrat e Shoqatës së Ndihmës dhe vëllezërit e priftërisë mund të ndihmojnë me dashuri për të përmbushur individualisht përgjegjësinë e tyre për punën në tempull dhe për historinë familjare dhe gjithashtu duke i ndihmuar e frymëzuar fëmijët dhe rininë që të mbledhin Izraelin në anën tjetër të velit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në shtëpi dhe në Shabat. Unë premtoj se kryerja me dashuri e ordinancave për paraardhësit do t’i forcojë dhe mbrojë rininë dhe familjet tona në një botë që po bëhet gjithnjë e më e keqe. Gjithashtu dëshmoj personalisht se Presidenti Rasëll M. Nelson ka marrë zbulesa thellësisht të rëndësishme në lidhje me tempujt dhe punën në tempull.
Përgatitini Familjet e Përjetshme dhe Individët që të Jetojnë me Perëndinë
Theksi i ri për studimin dhe të jetuarit e ungjillit të përqendruar te shtëpia dhe burimet që sigurohen nga Kisha, janë një mundësi e mrekullueshme për t’i përgatitur me dashuri familjet e përjetshme dhe individët që të takohen dhe jetojnë me Perëndinë.
Kur një burrë dhe grua vulosen në tempull, ata hyjnë në rendin e shenjtë të martesës në besëlidhjen e re dhe të përjetshme, një rend i priftërisë. Së bashku ata sigurojnë dhe marrin bekimet e priftërisë dhe fuqinë për të drejtuar punët e familjes së tyre. Burrat dhe gratë kanë role të pashoqe siç përvijohen te dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” por kujdestaritë e tyre janë të barabarta në vlerë dhe rëndësi. Ata kanë fuqi të barabartë për të marrë zbulesë për familjen e tyre. Kur punojnë së bashku me dashuri e drejtësi, vendimet e tyre bekohen nga qielli.
Ata të cilët kërkojnë ta dinë vullnetin e Zotit si individë dhe për familjet e tyre, duhet të përpiqen fort për drejtësi, butësi, mirësi dhe dashuri. Përulësia e dashuria janë shenjat dalluese të atyre që e kërkojnë vullnetin e Zotit, sidomos për familjet e tyre.
Përsosja e vetes, kualifikimi i vetes për bekimet e besëlidhjeve dhe përgatitja për t’u takuar me Perëndinë janë përgjegjësi individuale. Ne duhet të jemi të mbështetur te vetja dhe me zell të përfshihemi në bërjen e shtëpive tona një strehë nga stuhitë që na rrethojnë dhe “një shenjtërore besimi”. Prindërit kanë përgjegjësi për t’u dhënë mësim me dashuri fëmijëve të tyre. Shtëpitë e mbushura me dashuri janë një gëzim, një kënaqësi dhe një parajsë e mirëfilltë në tokë.
Himni i parapëlqyer i nënës sime ishte “Dashuri në Shtëpi”. Çdo herë që dëgjonte strofën e parë: “Kudo ka veç bukuri, Kur n’sh’pi ka dashuri”, dukshëm prekej dhe përlotej. Si fëmijë, ne ishim të vetëdijshëm se jetuam në atë lloj shtëpie; kjo ishte një nga përparësitë e saj më të larta.
Përveç nxitjes së një atmosfere të dashur në shtëpi, Presidenti Nelson u përqendrua te përdorimi i kufizuar i mjeteve të komunikimit që i pengon qëllimet tona kryesore. Një përshtatje nga e cila do të përfitojë thuajse çdo familje është t’i bëjmë internetin, mjetet shoqërore të komunikimit dhe televizorin një shërbyes në vend të një shpërqendrimi ose, madje më keq, të një zotëruesi. Lufta për shpirtrat e të gjithëve, por veçanërisht fëmijëve, është shpesh në shtëpi. Si prindër ne duhet të sigurohemi që përmbajtja e mjeteve të komunikimit është e shëndetshme, e përshtatshme për moshën dhe e pajtueshme me atmosferën e dashur që po përpiqemi të krijojmë.
Mësimdhënia në shtëpinë tonë duhet të jetë e qartë dhe nxitëse, por edhe shpirtërore, e gëzueshme dhe plot dashuri.
Premtoj se ndërsa përqendrohemi te dashuria jonë për Shpëtimtarin dhe Shlyerja e Tij, e bëjmë Atë pjesën kryesore të përpjekjeve tona për ta mbledhur Izraelin në të dyja anët e velit, u japim shërbesë të tjerëve dhe përgatitemi individualisht për t’u takuar me Perëndinë, ndikimi i kundërshtarit do të pakësohet dhe gëzimi, kënaqësia e paqja e ungjillit do t’i lartësojnë shtëpitë tona me dashuri të ngjashme me të Krishtit. Dëshmoj për këto premtime doktrinore dhe jap një dëshmi të sigurt për Jezu Krishtin dhe flijimin e Tij shlyes për hirin tonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.