2010–2019
Syri i Besimit
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


2:3

Syri i Besimit

Nëse i përzgjedhim pjesët që duam t’i pranojmë nga proklamata, ne e mjegullojmë pikëpamjen tonë të përjetshme, duke i vënë shumë rëndësi përvojës sonë këtu dhe tani.

Pak përpara Kryqëzimit të Tij, Jezusi u çua para Pilatit në pretorium. “A je ti mbreti i Judenjve?” pyeti Pilati me përbuzje. Jezusi u përgjigj: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. … Për këtë [erdha] në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim.”

Pilati e pyeti me cinizëm: “Ç’është e vërteta?”1

Në botën e sotme, pyetja “Ç’është e vërteta?” mund të jetë tmerrësisht e ndërlikuar për mendjen laike.

Një kërkim në Google për pyetjen “Ç’është e vërteta?” nxjerr më shumë se një milion përgjigje. Ne kemi më shumë informacion në dispozicion në telefonat tanë celularë sesa në të gjithë librat që janë në një bibliotekë të vërtetë. Ne jetojmë të mbingarkuar me informacione dhe opinione. Zëra joshës e tërheqës na ndjekin në çdo hap.

Të kapur në pështjellimin e sotëm, nuk është për t’u çuditur që shumë njerëz u besojnë fjalëve që Protagorasi i tha Sokratit të ri 2 500 vjet më parë: “Ajo që është e vërtetë për ty”, tha ai, “është e vërtetë për ty dhe ajo që është e vërtetë për mua, është e vërtetë për mua”2.

E Vërteta nëpërmjet Ungjillit të Rivendosur të Jezu Krishtit

Të bekuar me ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, ne përulësisht deklarojmë se ka disa gjëra që janë krejtësisht dhe absolutisht të vërteta. Këto të vërteta të përjetshme janë të njëjta për çdo bir dhe bijë të Perëndisë.

Shkrimet e shenjta na mësojnë: “E vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë”3. E vërteta shikon si prapa dhe përpara, duke e zgjeruar këndvështrimin për atë që po ndodh në të tashmen.

Jezusi tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”4. E vërteta na tregon udhën për te jeta e përjetshme dhe ajo vjen vetëm nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Nuk ka udhë tjetër.

Jezu Krishti na mëson se si të jetojmë dhe, nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij, Ai na ofron falje nga mëkatet tona dhe pavdekësi përtej velit. Kjo është absolutisht e vërtetë.

Ai na mëson se nuk ka rëndësi nëse jemi të pasur apo të varfër, të rëndësishëm apo të panjohur, mondanë apo të thjeshtë. Përkundrazi, synimi ynë në vdekshmëri është që ta forcojmë besimin tonë te Zoti Jezu Krisht, të zgjedhim të mirën nga e keqja dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Ndërsa i thurim lavde risive të shkencës dhe të mjekësisë, të vërtetat e Perëndisë shkojnë përtej këtyre zbulimeve.

Në kundërshtim me të vërtetat e përjetësisë, përherë ka pasur falsifikime për t’i shpërqendruar fëmijët e Perëndisë nga e vërteta. Argumentet e kundërshtarit janë përherë të njëjta. Dëgjojini këto fjalë, të cilat u thanë 2 000 vjet më parë:

“Ju nuk mund të dini për gjërat që nuk i shihni. … [Çfarëdo gjëje që një njeri bën] nuk [është] krim.”

“[Perëndia nuk po të bekon, por] çdo njeri përparon sipas [vetë] gjenisë së tij.”5

“Nuk është e arsyeshme që … një qenie e tillë si Krishti … të [ishte] Biri i Perëndisë.”6

“[Ajo që ju besoni është një traditë e marrë dhe një] çrregullim i mendje[s] [s]uaj.”7 Duket sikur është ajo që po ndodh sot, apo jo?

Me Rivendosjen e ungjillit, Perëndia na ka dhënë mënyrën për t’i mësuar dhe ditur të vërtetat thelbësore shpirtërore: ne i mësojmë ato nëpërmjet shkrimeve të shenjta, nëpërmjet lutjeve tona vetjake dhe vetë përvojave tona, nëpërmjet këshillës së profetëve e apostujve të gjallë dhe nëpërmjet udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë, i cili mund të na ndihmojë “të di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave”8.

E Vërteta Dallohet me Anë të Shpirtit

Ne mund t’i dimë gjërat e Perëndisë kur i kërkojmë ato shpirtërisht. Pali tha: “Asnjë njeri nuk i di gjërat e Perëndisë, përveçse ai që ka Shpirtin e Perëndisë. … [Sepse] ato gjykohen frymërisht.”9

0:38

Vështrojeni këtë vepër arti nga Majkëll Mërfi. Nga ky këndvështrim, vështirë se do ta besoni që është një përshkrim artistik i një syri njerëzor. Megjithatë, ndërsa i vështroni pikat nga një këndvështrim tjetër, ju shihni bukurinë e veprës së artistit.

Po ashtu, ne i shohim të vërtetat shpirtërore të Perëndisë nëpërmjet këndvështrimit të një syri besimi. Pali tha: “Njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht”10.

Shkrimet e shenjta, lutjet tona, vetë përvojat tona, profetët bashkëkohorë dhe dhurata e Frymës së Shenjtë na sjellin këndvështrimin shpirtëror të së vërtetës, të nevojshëm për udhëtimin tonë këtu në tokë.

Proklamata nëpërmjet Syrit të Besimit

Le ta shohim proklamatën për familjen nëpërmjet syrit të besimit.

Presidenti Gordon B. Hinkli e paraqiti dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” me këtë deklaratë: “Me kaq shumë sofizëm që paraqitet si e vërtetë, me kaq shumë mashtrime lidhur me standardet e vlerat, me kaq shumë joshje dhe tërheqje për ta pranuar ndotjen e ngadaltë të botës, ne e kemi ndier që t’[ju] paralajmërojmë”11.

Proklamata fillon: “Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj e femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor.”

Këto janë të vërteta të përjetshme. Unë dhe ju nuk jemi një rastësi e natyrës.

Më pëlqejnë shumë këto fjalë: “Në mbretërinë paratokësore, bijtë dhe bijat shpirtërore e njihnin dhe e adhuronin Perëndinë si Atin e tyre të Përjetshëm dhe e pranuan planin e Tij”12.

Ne jetuam para se të lindnim. Identiteti ynë individual është vulosur te ne përgjithmonë. Në mënyra që nuk i kuptojmë plotësisht, rritja jonë shpirtërore atje, në botën para lindjes, ndikon tek ajo që jemi këtu.13 Ne e pranuam planin e Perëndisë. E dinim se do të përjetonim vështirësi, dhembje dhe pikëllim në tokë.14 Ne gjithashtu e dinim se Shpëtimtari do të vinte dhe teksa e vërtetonim denjësinë vetjake, ne do të ngriheshim në Ringjallje, duke pasur “lavdi të shtuar mbi kokat [tona] përherë e përgjithmonë”15.

Proklamata është e drejtpërdrejtë: “Ne deklarojmë se mënyra me anë të së cilës krijohet jeta e vdekshme është caktuar dhe drejtuar nga Perëndia. Ne pohojmë shenjtërinë e jetës dhe rëndësinë e saj në planin e përjetshëm të Perëndisë.”

Plani i Atit tonë i inkurajon një bashkëshort e bashkëshorte të sjellin fëmijë në jetë dhe na detyron të flasim në mbrojtje të fëmijëve të palindur.

Parimet e Proklamatës Lidhen Bukur

Nëse i përzgjedhim pjesët që duam t’i pranojmë nga proklamata, ne e mjegullojmë pikëpamjen tonë të përjetshme, duke i vënë shumë rëndësi përvojës sonë këtu dhe tani. Duke e përsiatur plot lutje proklamatën nëpërmjet syrit të besimit, ne e kuptojmë më mirë se sa bukur lidhen parimet, duke e përkrahur njëri‑tjetrin, duke zbuluar planin e Atit tonë për fëmijët e Tij.16

0:23

A duhet të befasohemi vërtet kur profetët e Zotit e shpallin vullnetin e Tij dhe, për disa njerëz, ka ende pyetje? Natyrisht, disa njerëz e hedhin poshtë menjëherë zërin e profetëve17, por të tjerë i përsiatin plot lutje pyetjet e tyre të ndershme – pyetje që do të zgjidhen me durim dhe me syrin e besimit. Nëse proklamata do të ishte zbuluar në një shekull tjetër, do të kishte pasur ende pyetje, thjesht pyetje të ndryshme nga ato të sotmet. Një qëllim i profetëve është të na ndihmojnë në zgjidhjen e pyetjeve të sinqerta.18

Përpara se të bëhej President i Kishës, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Profetët shohin përpara. Ata i shohin rreziqet sfilitëse që kundërshtari ka vendosur ose do t’i vendosë më vonë në shtegun tonë. Profetët i parashikojnë edhe mundësitë dhe privilegjet e mëdha që i presin ata të cilët dëgjojnë me qëllim që të binden.19

Unë dëshmoj për të vërtetën dhe fuqinë shpirtërore të zërit të bashkuar të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.

Bota Duke u Larguar

Për sa kam jetuar, ne kemi parë një ndryshim dramatik në bindjet e botës lidhur me shumë parime të mësuara te proklamata. Gjatë viteve të mia të adoleshencës dhe në vitet e para të martesës, shumë njerëz në botë u larguan nga standardi i Zotit, të cilin ne e quajmë ligji i dëlirësisë, që marrëdhëniet seksuale duhet të ndodhin vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë ligjërisht të martuar. Në të 20‑at dhe 30‑at e mia, shumë njerëz u larguan nga mbrojtja e shenjtë e fëmijëve të palindur pasi aborti u bë më i pranueshëm. Vitet e fundit, shumë njerëz janë larguar nga ligji i Perëndisë se martesa është një bashkim i shenjtë midis një burri dhe një gruaje.20

0:20

T’i shohësh shumë njerëz të largohen nga kufijtë që ka vendosur Zoti, na kujton atë ditë në Kapernaum kur Shpëtimtari shpalli hyjninë e Tij dhe me keqardhje “shumë nga dishepujt e vet … [u larguan]”.

Shpëtimtari më pas iu drejtua Të Dymbëdhjetëve: “A doni edhe ju të largoheni?”

Pjetri u përgjigj:

“Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.

Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”21

Jo të Gjithë Përshtaten Mirë me Brendinë e Proklamatës

Ka kaq shumë njerëz, të rinj e të moshuar, të cilët janë besnikë dhe të vërtetë ndaj ungjillit të Jezu Krishtit, edhe pse përvoja e tyre e tanishme nuk përshtatet mirë me brendinë e proklamatës për familjen: fëmijë, jeta e të cilëve është tronditur nga shkurorëzimi; të rinj, miqtë e të cilëve tallen me ligjin e dëlirësisë; gra dhe burra të shkurorëzuar të cilët janë plagosur rëndë nga mungesa e besnikërisë e bashkëshortit/es; bashkëshortë dhe bashkëshorte që nuk mund të kenë fëmijë; gra dhe burra të cilët janë të martuar me një bashkëshort/e që nuk ndan të njëjtin besim me të për ungjillin e rivendosur; gra dhe burra beqarë të cilët, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur të martohen.

Një mik që e njoh prej gati 20 vjetësh, të cilin e admiroj shumë, nuk është i martuar për shkak të tërheqjes ndaj së njëjtës gjini. Ai ka qëndruar i vërtetë ndaj besëlidhjeve të tij të tempullit, i ka zgjeruar talentet e tij krijuese dhe profesionale, dhe ka shërbyer fisnikërisht si në Kishë, ashtu edhe në komunitet. Kohët e fundit më tha: “I mirëkuptoj ata që janë në situatën time, të cilët zgjedhin të mos e mbajnë ligjin e dëlirësisë në botën në të cilën jetojmë. Por, a nuk na kërkoi Krishti që të mos jemi ‘të kësaj bote’? Është e qartë se standardet e Perëndisë janë të ndryshme nga ato të botës.”

Ligjet e njeriut shpesh dalin jashtë kufijve të vendosura nga ligjet e Perëndisë. Atyre që dëshirojnë t’i pëlqejnë Perëndisë, me siguri u nevojiten besim, durim dhe zell.22

Unë dhe bashkëshortja ime, Kethi, kemi njohur një motër beqare, që tani është në mes të të 40‑ve, e cila është e talentuar në aftësitë e saj profesionale dhe shërben me guxim në lagjen e saj. Edhe ajo i ka mbajtur ligjet e Perëndisë. Ajo shkroi:

“Ëndërroja për ditën kur do të bekohesha me një bashkëshort dhe fëmijë. Ende po pres. Me raste, situata ime më shkakton ndjenja të të qenit e harruar dhe e vetmuar, por përpiqem ta heq mendjen nga ajo që nuk e kam dhe në vend të kësaj e mbaj mendjen tek ajo që kam dhe se si mund t’i ndihmoj të tjerët.

“Shërbimi ndaj rrethit të gjerë familjar, në lagjen time dhe në tempull, më ka ndihmuar. Nuk jam e harruar apo e vetmuar, sepse jam pjesë, dhe ne të gjithë jemi pjesë, e një familjeje më të madhe.”

Është Dikush që Kupton

Disa do të thonë: “Ti nuk e kupton situatën time”. Mund të mos e kuptoj, por dëshmoj se është Dikush që e kupton.23 Është Dikush që i njeh barrët tuaja, për shkak të sakrificës së Tij të bërë në kopsht dhe në kryq. Teksa e kërkoni Atë dhe i zbatoni urdhërimet e Tij, unë ju premtoj se Ai do t’ju bekojë dhe do t’i ngrejë barrët që janë shumë të rënda për t’u mbajtur vetëm. Ai do t’ju japë miq të përjetshëm dhe mundësi për të shërbyer. Më e rëndësishmja, Ai do t’ju mbushë me Shpirtin e fuqishëm të Frymës së Shenjtë dhe miratimi i Tij qiellor do të ndriçojë mbi ju. Asnjë zgjedhje, asnjë alternativë, që e mohon shoqërimin e Frymës së Shenjtë ose bekimet e përjetësisë, nuk ia vlen të merret parasysh nga ne.

E di se Shpëtimtari jeton. Unë dëshmoj se Ai është burimi i gjithë së vërtetës që ka me të vërtetë rëndësi dhe se Ai do t’i përmbushë të gjitha bekimet që ua ka premtuar atyre që i zbatojnë urdhërimet e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gjoni 18:33, 36–38.

  2. William S. Sahakian dhe Mabel Lewis Sahakian, Ideas of the Great Philosophers (1966), f. 28.

  3. Doktrina e Besëlidhje 93:24.

  4. Gjoni 14:6.

  5. Alma 30:15, 17.

  6. Helamani 16:18.

  7. Shih Alma 30:14, 23, 27.

  8. Moroni 10:5.

  9. Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], 1 Korintasve 2:11; 1 Korintasve 2:14.

  10. 1 Korintasve 2:14.

  11. Gordon B. Hinckley, “Stand Strong against the Wiles of the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 100. Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit shpjegoi pak nga historia e proklamatës, siç përmblidhet nga Sheri Dew në Insights from a Prophet’s Life: Russell M. Nelson (2019), f. 208:

    “Një ditë, në vitin 1994, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kaloi një ditë të tërë në dhomën e tyre të këshillit në Tempullin e Solt‑Lejkut duke diskutuar për çështje që lidhen me familjen. Ata morën në shqyrtim çdo gjë, duke filluar nga natyra gjithnjë e në rritje e kudogjendur e pornografisë deri te legjislacioni i mundshëm, i llojeve të ndryshme kundër familjes. Ky nuk ishte një diskutim i ri, por atë ditë i gjithë programi u rrotullua rreth kësaj teme jetike.

    Të Dymbëdhjetët rishikuan si doktrinën, ashtu edhe rregulloren, duke i marrë në shqyrtim ato gjëra që nuk mund të ndryshoheshin – doktrinën – dhe ato gjëra që ndoshta mund të ndryshoheshin – rregulloren. Ata diskutuan për çështje që i shihnin se do të ndodhnin, duke përfshirë një shtytje të fortë shoqërore për martesat homoseksuale dhe të drejtat e transgjinorëve. ‘Por ky nuk ishte fundi i asaj që pamë’, shpjegoi Plaku Nelson. ‘Ne mund të shihnim përpjekjet e komuniteteve të ndryshme për t’i hequr të gjitha standardet dhe kufizimet në aktivitetin seksual. Ne pamë pështjellimin e gjinive. Ne mund t’i shihnim të gjitha se do të ndodhnin.’

    Ky diskutim i zgjeruar, së bashku me të tjera diskutime për një periudhë kohe, çuan në përfundimin se Të Dymbëdhjetët duhet të përgatitnin një dokument, ndoshta madje një proklamatë, duke përvijuar qëndrimin e Kishës mbi familjen për t’ia paraqitur Presidencës së Parë për shqyrtim”.

  12. Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, maj 2017, f. 145.

  13. Presidenti Dallin H. Ouks tha: “E gjithë moria e njerëzve të vdekshëm që kanë lindur në këtë tokë e zgjodhën planin e Atit dhe luftuan për të. Shumë prej nesh bënë gjithashtu besëlidhje me Atin lidhur me atë që do të bënim në vdekshmëri. Në mënyra që nuk janë zbuluar, veprimet tona në botën shpirtërore ndikojnë te ne në vdekshmëri” (“The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 72).

  14. Shih Dallin H. Ouks, “E Vërteta dhe Plani”, Liahona, nëntor 2018, f. 25–28.

  15. Abraham 3:26.

  16. Presidenti Dallin H. Ouks ka thënë:

    “Shenjtorët e ditëve të mëvonshme, të kthyer në besim, besojnë se proklamata për familjen, që doli gati një çerek shekulli më parë dhe tani e përkthyer në sa e sa gjuhë, është ritheksimi nga ana e Zotit i të vërtetave të ungjillit që na nevojiten për të na mbështetur nëpër sfidat e tanishme që ka familja. …

    Dëshmoj se proklamata për familjen është një shpallje e të vërtetës së përjetshme, vullneti i Zotit për fëmijët e Tij të cilët e kërkojnë jetën e përjetshme. Ajo ka qenë baza e mësimdhënies dhe praktikës së Kishës për 22 vitet e fundit dhe do të vazhdojë të jetë kështu në të ardhmen. Mendojeni atë si të tillë, jepeni mësim atë, jetoni sipas saj dhe ju do të bekoheni ndërsa shkoni përpara drejt jetës së përjetshme. …

    … Unë besoj se qëndrimi ynë ndaj proklamatës për familjen dhe përdorimi i saj, është një nga ato sprova për këtë brez. Lutem që të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme të qëndrojnë të vendosur në atë sprovë” (“Plani dhe Proklamata”, Liahona, nëntor 2017, f. 30–31).

  17. Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Ka nga ata që na etiketojnë [si] fanatikë, por fanatikë janë ata që nuk na lejojnë të ndihemi ashtu siç ne ndihemi, por duan që ne t’u lejojmë atyre të ndihen ashtu siç ata ndihen. Qëndrimi ynë përfundimisht e ka thelbin te ligji i dëlirësisë. Dhjetë Urdhërimet janë ende të vlefshme. Ato kurrë nuk janë shfuqizuar. … Nuk është e drejta jonë që t’i ndryshojmë ligjet që ka dekretuar Perëndia” (në Dew, Insights from a Prophet’s Life, f. 212).

  18. “Ndërkohë që familja është duke u sulmuar në mbarë botën, të vërtetat e proklamatës së familjes do t’ju forcojnë.

    Ju rini e mrekullueshme e lindjes fisnike, ju keni nevojë për të kuptuar pasojat shumë të gjera të përplasjes së tanishme të shoqërisë mbi vetë përkufizimin e martesës. Debati i tanishëm përfshin çështjen nëse mund të martohen dy njerëz të së njëjtës gjini. Nëse keni pyetje rreth pozitës së Kishës për këtë ose ndonjë çështje tjetër të rëndësishme, me lutje mendoni thellë për të dhe më pas ua vini veshin mesazheve profetike në këtë konferencë të përgjithshme të Kishës që po vjen në tetor. Ato biseda të frymëzuara, të shtuara frymëzimit nga Fryma e Shenjtë, do të sjellin një kuptueshmëri më të plotë në mendjen tuaj” (Rasëll M. Nelson, “Rini e Lindjes Fisnike: Çfarë do të Zgjidhni?” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 6 shtator 2013], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).

  19. Rasëll M. Nelson, “Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 53.

  20. Presidenti Nelson ka thënë: “Qeveritë civile ndikohen rëndë nga prirjet shoqërore e filozofitë laike teksa shkruajnë, rishkruajnë dhe zbatojnë ligjet. Pavarësisht nga ligjet civile që mund të dekretohen, doktrina e Zotit në lidhje me martesën dhe moralshmërinë nuk mund të ndryshohet. Mbani mend: mëkati, edhe sikur të ligjërohet nga njeriu, është ende mëkat në sytë e Perëndisë!” (“Vendime Përjetësie”, Liahona, nëntor 2013, f. 108.)

  21. Gjoni 6:66–69.

  22. Shih Alma 32:41–43; më ka bërë gjithmonë përshtypje se në këtë kapitull të mrekullueshëm për rritjen e besimit tonë, virtytet e besimit, durimit dhe zellit përmenden së bashku në secilën prej tre vargjeve të fundit.

  23. Shih Alma 7:12; Jezu Krishti vuajti jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për dobësitë tona: “Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.” (Sinonimet për fjalën dobësi do të ishin sëmundje, pafuqi, vuajtje, mungesë.) Shih Doktrina e Besëlidhje 88:6: “Ai që u ngjit lart, sikurse ai zbriti nën gjithçka, në atë që ai i kupton të gjitha gjërat, që ai mund të jetë në të gjitha dhe përmes të gjitha gjërave, drita e së vërtetës.”