Kërkimi i Njohurisë nëpërmjet Shpirtit
Ne duhet ta shquajmë të vërtetën jo vetëm nëpërmjet mendjes sonë racionale, por edhe nëpërmjet zërit të qetë e të vogël të Shpirtit.
Vëllezër e motra të dashura, Zoti na ka thënë në mënyrë të përsëritur të “kërko[jmë] të mëso[jmë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”. Ne mund të marrim dritë dhe kuptueshmëri, jo vetëm nëpërmjet arsyetimit logjik të mendjes sonë, por edhe nëpërmjet udhërrëfimit dhe frymëzimit nga Fryma e Shenjtë.
Ky burim shtesë njohurie nuk ka qenë gjithnjë pjesë e jetës sime.
Bashkëshortja ime e dashur, Irena dhe unë, iu bashkuam Kishës 31 vjet më parë kur sapo qemë martuar. Qemë rritur të dy në Kolumbi, por pak muaj pas martese, karriera ime na çoi të jetonim në Gjermani. Ishim shumë të rinj dhe kishim shpresa e pritshmëri të mëdha, ishte një periudhë veçanërisht emocionuese dhe e lumtur për ne.
Ndërkohë që unë isha i përqendruar te karriera ime, Irena po ndiente se do të merrte një lloj mesazhi nga qielli, pa e ditur si ose kur. Ndaj, ajo filloi të fuste në shtëpi shitës të gjithfarëllojshëm që shisnin derë më derë enciklopedi, fshesa me korrent, libra gatimi, pajisje kuzhine dhe kështu me radhë, duke pritur gjithnjë atë mesazh të pashoq.
Një mbrëmje më tha se dy të rinj me kostume në ngjyrë të errët kishin trokitur në derën tonë dhe se ajo kishte ndier një përshtypje shumë të qartë e të dallueshme që t’i lejonte të hynin. Ata i kishin thënë se dëshironin t’i flisnin për Perëndinë, por që do të ktheheshin kur të isha edhe unë në shtëpi. A mund të ishte ky mesazhi i pritur?
Ata filluan të na vinin për vizitë dhe, me udhërrëfimin e tyre, lexuam në shkrimet e shenjta dhe arritëm ta kuptonim rëndësinë vendimtare të Jezu Krishtit si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Shpejt na erdhi keq që qemë pagëzuar kur ishim foshnja, gjë që nuk kishte qenë një besëlidhje e ndërgjegjshme. Megjithatë, të pagëzoheshim sërish do të nënkuptonte gjithashtu që të bëheshim anëtarë të kësaj Kishe të re, ndaj së pari, na nevojitet të kuptonim gjithçka rreth saj.
Por si mund ta dinim se ajo që misionarët po na thoshin rreth Librit të Mormonit, rreth Jozef Smithit dhe rreth planit të shpëtimit që njëmend e gjitha e vërtetë? Epo, kishim kuptuar nga fjalët e Zotit se mund t’i “njihni[m] nga frytet e tyre”. Kështu, në një mënyrë shumë sistematike, filluam ta shqyrtonim imtësisht Kishën duke i kërkuar ato fryte me sytë e mendjes sonë shumë racionale. Çfarë pamë? Epo, pamë:
-
Njerëz miqësorë dhe të lumtur me familje të mrekullueshme të cilët e kuptonin se jemi bërë për të ndier gëzim në këtë jetë dhe jo vetëm për të vuajtur dhe për mjerim.
-
Një kishë që nuk ka një kler të paguar, por një kler në të cilin vetë anëtarët pranojnë detyra dhe përgjegjësi.
-
Një kishë ku Jezu Krishti dhe familjet janë në qendër të gjithçkaje, ku anëtarët agjërojnë një herë në muaj dhe dhurojnë për të ndihmuar të varfrit e nevojtarët, ku nxiten zakone të shëndetshme, që na mëson të mos përdorim substanca të dëmshme.
Përveç tyre:
-
Na pëlqeu theksi te rritja vetjake, arsimimi, te puna e palodhur dhe mbështetja te vetja.
-
Mësuam rreth programit mbresëlënës për punë humanitare
-
Dhe na bënë përshtypje konferencat e përgjithshme, me muzikën e mrekullueshme dhe parimet e thella shpirtërore që thuheshin atje.
Duke i parë të gjitha këto, nuk mund t’i gjenim asnjë cen Kishës. Përkundrazi, na pëlqeu shumë çdo gjë që pamë. Sidoqoftë, nuk mund të vendosnim të pagëzoheshim sepse dëshironim të dinim gjithçka përpara se ta bënim këtë.
Por, edhe në pavendosmërinë tonë, Zoti po na përgatiste me durim, po na jepte trajtë dhe po na ndihmonte të zbulonim se duhej ta shquanim të vërtetën jo vetëm nëpërmjet mendjes sonë racionale, por edhe nëpërmjet zërit të qetë e të vogël të Shpirtit, i cili i flet veçanërisht zemrës sonë.
Ai zë dhe ndjenja që pasoi erdhi një mbrëmje pas 10 muajsh mësimi të ungjillit, kur lexuam te Mosia 18: “Pasi ju dëshironi të … mbani barrat e njëri-tjetrit, … dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen, … në qoftë se kjo është dëshira e zemrave tuaja, çfarë keni kundër pagëzimit në emrin e Zotit … ?”
Ai fragment nga Libri i Mormonit na hyri në zemër e shpirt dhe papritmas e ndiem dhe e kuptuam se në të vërtetë nuk kishte asnjë arsye për të mos u pagëzuar. E kuptuam se dëshirat e përmendura në këto vargje ishin edhe ato që zemra jonë uronte dhe se ato gjëra ishin ato që kishin vërtet rëndësi. Ato ishin më të rëndësishme sesa të kuptonim çdo gjë sepse ne tashmë dinim mjaftueshëm. Ishim mbështetur gjithnjë te dora udhërrëfyese e një Ati të dashur Qiellor dhe kishim siguri që Ai do të vazhdonte të na udhërrëfente.
Kështu, po atë ditë, caktuam një datë për pagëzimin tonë dhe shpejt, u pagëzuam, më në fund!
Çfarë mësuam nga ajo përvojë?
Së pari, mësuam që mund t’i mirëbesojmë plotësisht një Ati të dashur Qiellor, i cili po përpiqet gjatë gjithë kohës që të na ndihmojë të bëhemi personi që Ai e di se mund të bëhemi. E vërtetuam të vërtetën e thellë të fjalëve të Tij kur Ai tha: “Unë do t’u jap fëmijëve të njerëzve rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje; dhe të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia, pasi ata do të mësojnë urtësi; pasi atij që merr, unë do t’i jap më shumë”.
Dhe së dyti, mësuam se, përveç mendjes sonë racionale, një dimension tjetër i marrjes së njohurisë mund të na japë udhërrëfim dhe kuptueshmëri. Është zëri i qetë e i butë i Shpirtit të Tij të Shenjtë që i flet zemrës dhe mendjes sonë.
Më pëlqen ta krahasoj këtë parim me aftësinë tonë për të parë. Ati ynë në Qiell na ka dhënë jo vetëm një, por dy sy fizikë. Ne mund të shohim siç duhet me një sy të vetëm, por syri i dytë na siguron një këndvështrim tjetër. Kur të dyja këndvështrimet bashkëvendosen në trurin tonë, ato prodhojnë një imazh tredimensional të gjërave që na rrethojnë.
Po ashtu, na janë dhënë dy burime informacioni, nëpërmjet aftësive tona fizike dhe shpirtërore. Mendja jonë prodhon një perceptim nëpërmjet shqisave tona fizike dhe nëpërmjet arsyetimit. Por nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë, Ati na ka siguruar edhe një këndvështrim të dytë, që është në të vërtetë më i rëndësishmi dhe i vërteti, sepse vjen drejtpërdrejt nga Ai. Por, duke qenë se pëshpëritjet e Shpirtit janë shpesh kaq të lehta, shumë njerëz nuk janë krejt të ndërgjegjshëm për atë burim shtesë.
Kur këto dy këndvështrime më pas ndërthuren në shpirtin tonë, një tablo e plotë e shfaq realitetin e gjërave, ashtu siç ato janë vërtet. Në fakt, nëpërmjet këndvështrimit shtesë nga Fryma e Shenjtë, disa “realitete” të caktuara, sikurse përshkruhen vetëm nëpërmjet kuptueshmërisë sonë mendore, mund të paraqiten si mashtruese ose qartësisht të gabuara. Mbajini mend fjalët e Moronit: “Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave”.
Në 31 vjetët e mi si anëtar i Kishës, e kam përjetuar shumë herë se, po të mbështetemi vetëm te mendja jonë racionale dhe ta mohojmë ose shpërfillim kuptueshmërinë shpirtërore që mund të marrim nëpërmjet pëshpëritjeve dhe përshtypjeve nga Fryma e Shenjtë, do të ishte sikur ta kalonim jetën me një sy të vetëm. Por, duke folur në mënyrë të figurshme, neve në fakt na janë dhënë dy sy. Vetëm ndërthurja e të dyja pamjeve mund të na japë tablonë e vërtetë dhe të plotë të të gjitha të vërtetave dhe të gjithçkaje që përjetojmë në jetë, si dhe të kuptueshmërinë tërësore dhe të thellë për identitetin dhe qëllimin tonë si fëmijë të një Ati të gjallë Qiellor.
Më kujtohet ajo që na mësoi Presidenti Nelson një vit më parë kur tha se “në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”.
Kam arritur ta di me siguri absolute që:
-
Kemi një Atë të dashur në Qiell dhe që të gjithë ramë dakord që të vijmë në tokë si pjesë e një plani hyjnor.
-
Jezusi është Krishti; Ai jeton dhe është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im.
-
Jozefi, një djalë i përulur ferme, u thirr dhe u bë profeti i fuqishëm që e nisi këtë, periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve, me të gjitha çelësat e saj, me gjithë fuqinë dhe autoritetin e priftërisë së shenjtë të Perëndisë.
-
Libri i Mormonit është një dëshmi e dytë e Jezu Krishtit dhe se familjet janë paracaktuar që të mbeten së bashku përgjithmonë.
-
Zoti ynë, Jezu Krishti, e udhëheq këtë, Kishën e Tij të rivendosur, nëpërmjet profetit tonë të gjallë, Presidentit Rasëll M. Nelson, sot.
Këto dhe shumë të vërteta të tjera të çmuara janë bërë blloqe shpirtërore ndërtimi të atij që Perëndia po më ndihmon të bëhem. Dhe i pres me padurim mësimet e reja të shumta që Ai ende dëshiron që unë – dhe ju – t’i marrim ndërsa kalojmë këtë jetë të mrekullueshme dhe “mëso[jmë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”.
E di që këto gjëra janë të vërteta dhe dëshmoj për to, në emrin e Jezu Krishtit, amen.