Të Qenit i Kujdesshëm Kundrejt të Qenit Rastësor
Ndërkohë që ndikimet e botës e përqafojnë gjithnjë e më shumë ligësinë, ne duhet të përpiqemi me gjithë zell që të qëndrojmë të palëkundur përgjatë shtegut që na çon të sigurt drejt Shpëtimtarit tonë.
Dikur pashë një reklamë te dritarja e një dyqani që thoshte: “Lumturi, 15 dollarë”. Isha shumë kureshtare të dija se sa lumturi mund të blija me 15 dollarë, saqë hyra brenda për të parë. Ajo që pashë ishin shumë stringla dhe dhurata të lira simbolike – as edhe një gjë nga ato që pashë nuk mund të ma sillte llojin e lumturisë që nënkuptonte reklama! Me kalimin e viteve, kam menduar shumë herë rreth asaj reklame dhe se sa e lehtë mund të jetë që ta kërkosh lumturinë te gjërat që janë të lira dhe të përkohshme. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne jemi të bekuar që dimë se si ta gjejmë dhe ku gjendet lumturia e vërtetë. Ajo gjendet tek të jetuarit me kujdes të ungjillit të hartuar nga Zoti ynë e Shpëtimtari, Jezu Krisht dhe te përpjekja e fortë për t’u bërë më shumë si Ai.
Ne kemi një mik të dashur që ishte makinist treni. Një ditë, ndërkohë që po drejtonte trenin e linjës së tij, ai dalloi një makinë që kishte ndaluar mbi shina përballë tij. E kuptoi menjëherë që makina kishte ngecur dhe nuk ishte në gjendje që t’i kalonte shinat. Ai e vendosi menjëherë trenin në gjendje urgjence, gjë që aktivizoi frenat në secilin vagon, i cili zgjatej deri në 1.2 kilometra pas lokomotivës, i ngarkuar me një peshë prej 5 900 tonësh. Nuk kishte asnjë mundësi sipas ligjeve të fizikës që treni të mund të ndalonte përpara se të përplasej me makinën, gjë e cila ndodhi. Fatmirësisht njerëzit brenda në makinë e dëgjuan paralajmërimin e fishkëllimës së trenit dhe u larguan nga makina përpara përplasjes. Ndërsa makinisti po fliste me hetuesin e policisë, një grua e inatosur iu afrua. Ajo bërtiti me të madhe se e kishte parë të gjithë ngjarjen dhe më pas dëshmoi se makinisti as nuk u përpoq që të devijonte për të mos e goditur makinën!
Faktikisht, nëse makinisti do të mundte të devijonte dhe të dilte nga shinat për ta shmangur aksidentin, ai dhe i gjithë treni do të përmbysej dhe përparimi i mëtejshëm i trenit do të shkaktonte një ndalesë të befasishme. Për fatin e tij të mirë, shinat e hekurudhës mbi të cilat lëvizte treni i tij i mbajtën në vend rrotat e trenit duke e çuar drejt vendmbërritjes përkatëse pavarësisht nga pengesa që i kishte dalë përpara. Për fatin tonë të mirë, edhe ne jemi në shina, në një shteg besëlidhjeje për të cilin u zotuam kur u pagëzuam si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Edhe pse mund të hasim pengesa të rastësishme përgjatë rrugës, ky shteg do të na çojë përpara drejt vendmbërritjes sonë të çmuar të përjetshme, nëse qëndrojmë të palëkundur në të.
Vegimi i pemës së jetës na tregon se si pasojat e rastësisë mund të na largojnë nga shtegu i besëlidhjes. Merreni parasysh se shufra e hekurit dhe shtegu i ngushtë e i ngushtuar ose shtegu i besëlidhjes, të çonin drejt për te pema e jetës, ku të gjitha bekimet e dhëna nga Shpëtimtari ynë dhe Shlyerja e Tij janë në dispozicion për besnikët. Gjithashtu në vegim u vu re një lumë me ujë, që përfaqësonte fëlliqësinë e botës. Shkrimet e shenjta përshkruajnë se ky lumë “rridhte përgjatë” shtegut, por kalonte vetëm “pranë” pemës, nuk shkonte drejt saj. Bota është e mbushur me shpërqendrime që mund t’i mashtrojnë edhe të zgjedhurit, duke shkaktuar që ata të jenë rastësorë në të jetuarit e besëlidhjeve të tyre – duke i çuar kështu pranë pemës, por jo drejt saj. Nëse nuk jemi të kujdesshëm në të jetuarit e besëlidhjeve tona me përpikëri, përpjekjet tona rastësore mund të na çojnë përfundimisht drejt shtigjeve të ndaluara ose të bëjnë që të bashkohemi me ata që kanë hyrë tashmë në ndërtesën e madhe dhe të gjerë. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund edhe të mbytemi në thellësitë e lumit të fëlliqur.
Ka një mënyrë të kujdesshme dhe një mënyrë rastësore për të bërë gjithçka, përfshirë edhe të jetuarit e ungjillit. Ndërsa e shqyrtojmë zotimin tonë ndaj Shpëtimtarit, a jemi vallë të kujdesshëm apo rastësorë? Për shkak të natyrës sonë tokësore, a nuk e arsyetojmë sjelljen tonë, herë-herë duke thënë se veprimet tona janë diku në mes, ose duke e ndërthurur të mirën me diçka që nuk është dhe aq e mirë? Sa herë që themi, “gjithsesi”, “me përjashtim të” ose “por” kur vjen puna për zbatimin e këshillës së profetëve, udhëheqësve tanë ose te të jetuarit e ungjillit me kujdes, në fakt jemi duke thënë: “Kjo këshillë nuk gjen zbatim për mua”. Ne mund të arsyetojmë gjithçka si të duam, por fakti është se, nuk ka një mënyrë të drejtë për të bërë gjënë e gabuar!
Tema e rinisë për vitin 2019, është marrë nga Gjoni 14:15 ku Zoti udhëzon: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”. Nëse e duam Atë ashtu si pretendojmë, a nuk mund ta tregojmë atë dashuri duke qenë disi më të kujdesshëm në të jetuarit e urdhërimeve të Tij?
Të jesh i kujdesshëm në të jetuarit e ungjillit nuk do të thotë të jesh medoemos formal ose mendjengushtë. Ajo që nënkuptohet është që të jemi të përshtatshëm në mendimet dhe sjelljet tona si dishepuj të Jezu Krishtit. Ndërsa e përsiatim ndryshimin midis të qenit të kujdesshëm dhe rastësorë në të jetuarit tonë të ungjillit, ja tek janë disa mendime për t’u marrë parasysh:
A jemi të kujdesshëm në adhurimin tonë të ditës së Shabatit dhe në përgatitjen tonë për ta marrë sakramentin çdo javë?
A mund të jemi më të kujdesshëm në lutjet tona dhe në studimin e shkrimeve të shenjta apo të përfshihemi më aktivisht në [programin] Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet?
A jemi të kujdesshëm në adhurimin tonë në tempull dhe a i jetojmë me kujdes dhe qëllimisht besëlidhjet që kemi bërë si në pagëzim, ashtu edhe në tempull? A jemi të kujdesshëm në pamjen tonë dhe të thjeshtë në veshjen tonë, veçanërisht në vende dhe rrethana të shenjta? A jemi të kujdesshëm në mënyrën se si i veshim veshjet e brendshme të shenjta të tempullit? Apo moda e botës na dikton një qëndrim më rastësor?
A jemi të kujdesshëm në mënyrën se si u japim shërbesë të tjerëve dhe se si i përmbushim thirrjet tona në Kishë, apo jemi indiferentë ose rastësorë në thirrjen tonë për të shërbyer?
A jemi të kujdesshëm apo rastësorë në ato që lexojmë dhe që shohim në televizor dhe në pajisjet tona të lëvizshme? A jemi të kujdesshëm me fjalorin tonë? Apo përqafojmë në mënyrë rastësore fjalorin e vrazhdë dhe vulgar?
Broshura Për Forcën e Rinisë përmban standarde që nëse zbatohen me kujdes, do të sjellin bekime të çmuara dhe do të na ndihmojnë të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjes. Edhe pse është shkruar për dobinë e rinisë, standardet e saj nuk e humbasin vlefshmërinë kur largohemi nga programet e Të Rinjve dhe Të Rejave. Ato gjejnë zbatim për secilin prej nesh, gjatë gjithë kohës. Një shqyrtim i këtyre standardeve mund të nxitë mënyra të tjera se si mund të jemi më të kujdesshëm në të jetuarit e ungjillit.
Ne nuk i ulim standardet tona që të përshtatemi për dikë apo që ta bëjmë dikë të ndihet rehat. Ne jemi dishepuj të Jezu Krishtit dhe si të tillë, ne duhet t’i lartësojmë të tjerët, t’i ngremë në një nivel më të lartë e më të shenjtë, ku edhe ata të mund të korrin bekime më të mëdha.
I bëj ftesë secilit prej nesh, që të kërkojë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë, që të dimë se çfarë rregullimesh duhet të bëjmë në jetën tonë që të përputhemi më me kujdes me besëlidhjet tona. Lutem me ju gjithashtu, që të mos jemi kritikues ndaj të tjerëve që po bëjnë të njëjtin udhëtim. “Gjykimi është i imi, thotë Zoti.” Të gjithë ne jemi në proces mësimi dhe ndryshimi.
Historia e treguar në Librin e Mormonit rreth amlicitëve që e braktisën besimin është interesante për mua. Në mënyrë që të dalloheshin nga të tjerët se nuk kishin më lidhje me Jezu Krishtin dhe Kishën e Tij, ata vendosën një shenjë të kuqe dalluese në ballin e tyre që ta shihnin të gjithë. Në një mënyrë krejt ndryshe, dhe si dishepuj të Jezu Krishtit, çfarë shenje i vendosim vetes? A mund ta shohin të tjerët lehtësisht shëmbëlltyrën e Tij në pamjen tonë dhe të kuptojnë se cilin përfaqësojmë ne nga mënyra se me sa kujdes e jetojmë jetën?
Si populli i besëlidhjes, nuk është e thënë që ne të shkrihemi me pjesën tjetër të botës. Ne jemi quajtur “një popull i fituar” – çfarë komplimenti! Ndërkohë që ndikimet e botës e përqafojnë gjithnjë e më shumë ligësinë, ne duhet të përpiqemi me gjithë zellin që të qëndrojmë të palëkundur përgjatë shtegut që na çon të sigurt drejt Shpëtimtarit tonë, duke e zgjeruar largësinë ndërmjet të jetuarit të besëlidhjeve nga ana jonë dhe ndikimeve të botës.
Ndërsa reflektoj për mënyrën se si ta fitoj lumturinë e përhershme, e kuptoj se nganjëherë e gjejmë veten diku në mes. Mjegullat e errësirës janë të pashmangshme ndërsa e vazhdojmë udhëtimin përgjatë shtegut të besëlidhjes. Tundimet dhe rastësia mund të shkaktojnë që ne ta devijojmë drejtimin tonë pa e kuptuar, drejt errësirës së botës dhe larg shtegut të besëlidhjes. Për rastet kur kjo mund të ndodhë, profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, na ka nxitur që të kthehemi sërish në shtegun e besëlidhjes dhe me të shpejtë madje. Sa mirënjohëse jam për dhuratën e pendimit dhe për fuqinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë!
Është e pamundur që të jetojmë një jetë të përsosur. Vetëm një njeri ishte në gjendje që të jetonte me përsosuri ndërkohë që banonte në këtë planet telestial. Ai ishte Jezu Krishti. Ndonëse mund të mos jemi të përsosur, vëllezër e motra, ne mund të jemi të denjë; të denjë që të marrim sakramentin, të denjë për bekimet e tempullit dhe të denjë për të marrë zbulesë vetjake.
Mbreti Beniamin dëshmoi për bekimet dhe lumturinë që vijnë tek ata që e ndjekin në mënyrë të kujdesshme Shpëtimtarin: “Dhe për më tepër, unë do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore; dhe nëse qëndrojnë besnikë deri në fund, ata janë marrë në qiell, që si rrjedhim të jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund.”
A mund të blihet lumturia me 15 dollarë? Jo, nuk mund të blihet. Lumturia e thellë dhe e përhershme vjen nga të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit në mënyrë të qëllimshme dhe të kujdesshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.