2010–2019
Dëgjimi i Zërit të Tij
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


2:3

Dëgjimi i Zërit të Tij

Në një botë me kaq shumë zëra konkurrues, Ati ynë Qiellor na e ka bërë të mundur që ta dëgjojmë dhe ta ndjekim zërin e Tij.

Pak më parë këtë mëngjes vëllai i bashkëshortes sime i dha asaj një letër që ajo ia kishte shkruar nënës së vet shumë vite më parë. Në atë kohë Motra Homer ishte vetëm një vajzë e vogël. Pjesërisht letra e saj thoshte: “E dashur nënë, më vjen keq që nuk e dhashë dëshminë time sot – por unë të dua”. Kur shkuam për të ngrënë drekë, mendova se ajo ishte diçka interesante. Prandaj u ula dhe shkrova një letër që thoshte: “I dashur Presidenti Nelson, më vjen keq që nuk e dhashë dëshminë time sot – por unë të dua”. Në njëfarë mënyre kjo gjë nuk m’u duk e drejtë. Prandaj ja ku jemi dhe unë jam i lumtur t’ua shtoj fjalët e mia fjalëve që janë folur në këtë sesion sot.

Shumë vite më parë udhëtova në një avion të vogël me dikë që sapo kishte marrë lejen si pilot, i cili po pilotonte avionin. Në fund të fluturimit tonë, na u dha leja të uleshim. Por teksa po i afroheshim tokës, dëgjova një alarm në kabinë që e paralajmëroi pilotin të “ngrihej lart”. Piloti hodhi vështrimin drejt bashkëpilotit me më shumë përvojë, i cili tregoi me gisht për poshtë, larg nga pista e uljes, dhe tha: “Tani!”

Avioni ynë lëvizi me të shpejtë nga e majta poshtë, pastaj u ngjit sërish në një lartësi të përshtatshme, rihyri në modelin e uljes dhe arriti i sigurt në vendmbërritjen tonë. Më vonë mësuam se një avioni tjetër i qe dhënë leja për t’u ngritur. Po të kishim ndjekur udhëzimet e alarmit, do të ishim përplasur me avionin që po vinte, në vend që të largoheshim prej tij. Kjo përvojë më mësoi dy mësime të rëndësishme: Së pari, në çaste kritike të jetës sonë, ne do të dëgjojmë zëra të shumtë që konkurrojnë për vëmendjen tonë. Dhe së dyti, është jetike që t’ua vëmë veshin zërave të duhur.

Zërat Konkurrues

Ne jetojmë në një botë me shumë zëra që kërkojnë vëmendjen tonë. Me të gjitha emisionet e jashtëzakonshme të lajmeve, tweet‑et, ditarët në internet, transmetimet zanore nëpërmjet internetit, këshillat bindëse nga Aleksa, Siri dhe të tjerë, mund të na duket e vështirë të dimë se cilëve zëra t’u mirëbesojmë. Nganjëherë ia lëmë një grupi të madh njerëzish udhërrëfimin në jetën tonë, duke menduar se shumica do të na japë burimin më të mirë të së vërtetës. Herë të tjera “lëkunde[mi] midis dy mendimeve” duke zgjedhur të mos jemi “as [të] ftohtë as [të] ngrohtë”. Prapëseprapë në raste të tjera ndjekim atë që është e volitshme, përqendrohemi te një zë apo një çështje e vetme për të na udhërrëfyer, ose mbështetemi vetëm te vetë aftësia jonë për të menduar.

Ndërkohë që secila prej këtyre metodave mund të jetë e dobishme, përvoja na mëson se ato nuk janë gjithmonë të besueshme. Ajo që është e përhapur në masë, nuk është gjithmonë ajo që është më e mira. Lëkundja midis dy mendimeve nuk sjell asnjë drejtim. Volia rrallë çon drejt gjërave që kanë rëndësi. Fiksimi te një zë ose një çështje e vetme mund ta dëmtojë aftësinë tonë për të kuptuar. Dhe mbështetja vetëm te mendimi ynë mund të na çojë drejt një mpirjeje të mendimit ngaqë jemi tepër intelektualë. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, zërat e gabuar mund të na largojnë nga qendra e ungjillit drejt vendeve ku besimi është i vështirë për t’u mbajtur dhe nuk gjejmë gjë tjetër veç zbrazëtisë, hidhësisë dhe pakënaqësisë.

Dëgjimi i Zërit të Gabuar

Më lejoni t’ju demonstroj se çfarë dua të them, duke përdorur një analogji dhe një shembull nga shkrimet e shenjta. Alpinistët zakonisht u referohen lartësive mbi 8 000 metra si “zona e vdekjes”, sepse në ato lartësi nuk ka mjaft oksigjen për të të mbajtur në jetë. Ka një të barasvlerëshëm shpirtëror për zonën e vdekjes. Nëse shpenzojmë shumë kohë në vende pa besim, zërat në dukje shumë qëllimmirë na e heqin oksigjenin shpirtëror që na nevojitet.

Në Librin e Mormonit lexojmë për Korihorin, i cili pati një përvojë të tillë. Ai gëzonte popullaritet të madh pasi mësimet e tij ishin “të këndshme për mendjen e mishit”. Ai tha se prindërit dhe profetët japin mësim tradita të marra, të krijuara për ta kufizuar lirinë dhe për të përhapur paditurinë. Ai debatoi se njerëzit duhej të ishin të lirë të bënin çfarëdo që të zgjidhnin, pasi urdhërimet nuk janë më shumë se sa kufizime të sajuara në mënyrë të volitshme. Për të, besimi në Shlyerjen e Jezu Krishtit ishte “pasoja e një mendjeje të tërbuar”, e krijuar nga besimi te një qenie që nuk mund të ekzistonte, sepse Ai nuk mund të shihej.

Korihori krijoi kaq shumë trazirë sa u soll përpara kryegjykatësit dhe priftit të lartë. Atje, ai “u fry me fjalë të mëdha”, duke i kritikuar udhëheqësit dhe duke kërkuar një shenjë. Një shenjë u dha. Ai u bë memec dhe nuk mund të fliste më. Korihori më pas e kuptoi se ishte mashtruar dhe duke menduar për të vërtetat e çmuara që i kishte braktisur, ai tha me hidhërim: “Unë e dija gjithmonë”.

Korihori më pas lypte për ushqim, gjersa u shkel për vdekje nga një grup zoramitësh. Vargu i fundit në historinë e tij përmban këtë reflektim të matur: “Dhe kështu shohim se djalli nuk do t’i përkrahë fëmijët e tij në ditën e fundit, por i tërheq me të shpejtë poshtë në ferr”.

Zëri i Duhur

Ngaqë Ati ynë Qiellor dëshiron më të mirën për ne, Ai e bën të mundur për ne që ta dëgjojmë zërin e Tij. Shumë më shpesh, ne e dëgjojmë Atë nëpërmjet mbresave të dhëna nga Fryma e Shenjtë. Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut‑Perëndi. Ai dëshmon për Atin dhe Birin, u dërgua që të na “mësojë çdo gjë” dhe do të na “tregojë të gjitha gjërat që duhet të bë[jmë]”.

Shpirti u flet njerëzve të ndryshëm në mënyra të ndryshme dhe Ai mund t’i flasë të njëjtit person në mënyra të ndryshme në raste të ndryshme. Si rrjedhojë, mësimi i mënyrave të shumta se si na flet Ai, është një detyrë për tërë jetën. Nganjëherë Ai na flet “në mendjen [tonë] dhe në zemrën [tonë]” me një zë që është i vogël, por i fuqishëm, duke i shpuar “ata që e dëgjo[jnë] deri në qendër”. Herë të tjera mbresat e Tij e “pusht[ojnë] mendjen [tonë]” ose “ndiko[jnë] në ndjenjat [tona]”. Herë të tjera kraharori ynë do të “digjet përbrenda”. Ende herë të tjera Ai i mbush shpirtrat tanë me gëzim, e ndriçon mendjen tonë ose i flet paqe zemrës sonë të shqetësuar.

Gjetja e Zërit të Tij

Ne do ta gjejmë zërin e Atit tonë në shumë vende. Do ta gjejmë kur lutemi, studiojmë shkrimet e shenjta, frekuentojmë kishën, kur përfshihemi në diskutime plot besim apo shkojmë në tempull. Sigurisht, do ta gjejmë atë vërtet në konferencë pikërisht këtë fundjavë.

Sot ne mbështetëm 15 burra si profetë, shikues e zbulues. Shpirtshmëria dhe përvoja e tyre u japin atyre një perspektivë të pashoqe që na nevojitet patjetër. Mesazhet e tyre janë të kollajshme për t’u gjetur dhe të shprehura me qartësi absolute. Ata na thonë atë që Perëndia dëshiron që ne ta dimë, qoftë ajo e përhapur në masë apo ajo.

Kërkimi i zërit të Tij në ndonjërin prej këtyre vendeve është gjë e mirë, por kërkimi i tij në shumë prej tyre është edhe më mirë. Dhe kur e dëgjojmë atë zë, na nevojitet ta ndjekim udhëzimin që jepet. Apostulli Jakob tha: “Bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues”. Dhe Presidenti Tomas S. Monson dikur dha mësim: “Ne vëzhgojmë. Ne presim. Ne mbajmë vesh për ta dëgjuar atë zë të qetë, të vogël. Kur ai flet, burrat dhe gratë e mençura binden.”

Kur Drejtimi Vjen me Ngadalë

Në fillim të jetës sime profesionale, Motrës Homer dhe mua na u kërkua të pranonim një ndryshim në punën e caktuar. Në atë kohë ai u duk si një vendim i stërmadh. Studiuam, agjëruam dhe u lutëm, por një përgjigje erdhi me ngadalë. Më së fundi morëm një vendim dhe vepruam sipas tij. Kur e bëmë këtë, ndiem paqe dhe shpejt mësuam se ai ishte njëri nga vendimet më të mira që kishim marrë ndonjëherë.

Si rrjedhojë, kemi mësuar se përgjigjet nganjëherë vijnë me ngadalë. Kjo mund të ndodhë ngaqë nuk është koha e duhur, ngaqë nuk nevojitet përgjigje ose ngaqë Perëndia na mirëbeson që ta marrim vendimin vetë. Plaku Riçard G. Skot dikur na mësoi se ne duhet të jemi mirënjohës për raste të tilla dhe na bëri këtë premtim: “Kur po jetoni të denjë e zgjedhja juaj është në përputhje me mësimet e Shpëtimtarit dhe nevojitet të veproni, bëjeni me mirëbesim. … Perëndia nuk do t’ju lejojë të vazhdoni për shumë kohë pa një mbresë paralajmëruese, në qoftë se keni marrë vendimin e gabuar.”

Ne Duhet të Zgjedhim

Dhe prandaj kemi nevojë të vendosim se cilit, mes gjithë zërave të ndryshëm, do t’i bindemi. A do të ndjekim zërat e pasigurt që përkrahen nga bota, apo do të bëjmë punën e kërkuar për ta lejuar zërin e Atit tonë që të na udhërrëfejë në vendimet tona dhe të na mbrojë nga rreziku? Sa më me zell ta kërkojmë zërin e Tij, aq më i lehtë bëhet ai për ta dëgjuar. Kjo nuk ndodh ngaqë zëri i Tij bëhet më i fortë, por ngaqë aftësia jonë për ta dëgjuar është rritur. Shpëtimtari ka premtuar që nëse i “dëgjoj[më] parimet e [Tij] dhe … i vë[më] veshin këshillës [së Tij]”, Ai “do t[ë na] jap[ë] më shumë”. Unë dëshmoj se ky premtim është i vërtetë – për secilin prej nesh.

Gati një vit më parë, e humbëm vëllanë tim më të madh në një aksident tragjik me makinë. Vitet e fëmijërisë së Xhonit ishin plot premtim dhe arritje. Por teksa rritej, një trup plot sëmundje dhe një mendje që nuk përgjigjej siç duhej, ia bënë jetën shumë të vështirë. Ndërkohë që shërimi për të cilin shpresonte, nuk i erdhi në këtë jetë, Xhoni prapëseprapë e ruajti besimin e tij, mori vendim se do të duronte sa më mirë që të mundej, deri në fund.

Tani, e di që Xhoni nuk ishte i përsosur, por kam pyetur veten se çfarë ishte gjëja që i dha atij kaq qëndrueshmëri. Shumë zëra e ftonin në ekstremin e cinizmit ndaj ungjillit, por ai zgjodhi të mos ishte cinik. Në vend të kësaj, ai bëri gjithçka mundej që ta hidhte spirancën e jetës së vet tek thelbi i ungjillit. Ai e jetoi jetën e vet atje, sepse e dinte që atje do ta gjente zërin e Mësuesit të tij; ai e jetoi jetën e vet atje, sepse e dinte që atje ishte vendi ku do të merrte mësim.

Përfundimi

Vëllezër e motra, në një botë me kaq shumë zëra konkurrues, unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor na e ka bërë të mundur që ta dëgjojmë dhe ta ndjekim zërin e Tij. Nëse jemi të zellshëm, Ai dhe Biri i Tij do të na japin drejtimin që kërkojmë, forcën që na nevojitet dhe lumturinë që ne të gjithë dëshirojmë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.