2010–2019
Shlyerja e Jezu Krishtit
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


2:3

Shlyerja e Jezu Krishtit

Shlyerja e Shpëtimtarit nuk është vetëm e pafundme për nga qëllimi, por gjithashtu individuale për nga zbatimi.

Në këtë periudhë të vitit ne gëzohemi dhe reflektojmë veçanërisht mbi Shlyerjen e Shpëtimtarit. Është me të vërtetë doktrina më hyjnore, mendje pasuruese dhe e zjarrtë që ka njohur ndonjëherë bota ose gjithësia. Kjo është ajo që i jep shpresë dhe qëllim jetës sonë.

Çfarë është atëherë Shlyerja e Jezu Krishtit? Në një kuptim, ajo është një seri ngjarjesh hyjnore që filluan në Kopshtin e Gjetsemanit, vazhduan në kryq dhe kulmuan me Ringjalljen e Shpëtimtarit nga varri. Ajo ishte e nxitur nga një dashuri që nuk arrijmë ta kuptojmë, për secilin prej nesh. Ajo kërkonte një qenie që ishte pa mëkat; i cili kishte pushtet të pafund mbi elementet – edhe mbi vdekjen; i cili zotëronte një aftësi të pakufishme për të vuajtur pasojat e të gjitha mëkateve dhe lëngatave tona dhe i cili, në fakt, zbriti nën gjithçka. Ky ishte misioni i Jezu Krishtit – kjo ishte Shlyerja e Tij.

Cili ishte qëllimi i saj atëherë? Ishte të bënte të mundur që ne të kthehemi në praninë e Perëndisë, të bëhemi më shumë si Ai dhe të kemi plotësi gëzimi. Kjo u bë duke mposhtur katër pengesa:

  1. Vdekjen fizike

  2. Vdekjen shpirtërore të shkaktuar nga Adami dhe nga mëkatet tona

  3. Vuajtjet dhe sëmundjet tona

  4. Dobësitë dhe papërsosuritë tona

Por si mund ta kryente Shpëtimtari këtë pa i shkelur ligjet e drejtësisë?

Rënie e lirë nga avioni

Hamendësoni sikur për një çast një njeri që po mendon për një rënie të lirë drithëruese, merr një vendim të nxituar dhe hidhet spontanisht nga një avion i vogël. Pasi e bën këtë, ai shpejt e kupton marrëzinë e veprimeve të tij. Ai dëshiron të ulet në tokë pa probleme, por ka një pengesë – ligjin e rëndesës. Ai i lëviz krahët me shpejtësi befasuese, duke shpresuar të fluturojë, por pa dobi. Ai e pozicionon trupin e tij që të rrijë pezull ose të fluturojë pa i lëvizur krahët për të ngadalësuar zbritjen, por ligji i rëndesës është i pandalshëm dhe i pamëshirshëm. Ai përpiqet të arsyetojë sipas këtij ligji themelor të natyrës: “Ishte një gabim. Nuk do ta bëj më kurrë.” Por përgjërimet e tij bien në vesh të shurdhër. Ligji i rëndesës nuk njeh mëshirë; nuk bën përjashtime. Megjithatë, si për fat, njeriu papritur ndien se ka diçka në shpinë. Miku i tij në avion, duke e kuptuar çastin e marrëzisë, i kishte vendosur një parashutë pak përpara se të hidhej. Ai e gjen rripin e hapjes së parashutës dhe e tërheq atë. I çliruar, ai zbret në mënyrë të sigurt në tokë. Ne mund të pyetim: “A u shkel ligji i rëndesës, apo ajo parashutë funksionoi sipas atij ligji për të siguruar një zbritje të sigurt?”

Duke bërë me parashutë një zbritje të sigurt

Kur mëkatojmë, ne jemi si i marri që u hodh nga avioni. Pavarësisht nga ajo që bëjmë vetë, ne nuk na pret gjë tjetër veç përplasjes. Ne i nënshtrohemi ligjit të drejtësisë, i cili, ashtu si ligji i rëndesës, është i rreptë dhe nuk fal. Ne mund të shpëtohemi vetëm sepse Shpëtimtari, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, plot mëshirë na siguron diçka të ngjashme me një parashutë shpirtërore. Nëse kemi besim te Jezu Krishti dhe pendohemi (që nënkupton se ne bëjmë pjesën tonë dhe e tërheqim rripin e hapjes), atëherë fuqitë mbrojtëse të Shpëtimtarit përdoren në emrin tonë dhe ne mund të zbresim në tokë shëndoshë e mirë shpirtërisht.

Sidoqoftë, kjo është e mundur vetëm sepse Shpëtimtari i mposhti të katra pengesat që mund ta ndalojnë përparimin tonë shpirtëror.

1. Vdekja. Ai e mposhti vdekjen nëpërmjet Ringjalljes së Tij të lavdishme. Apostulli Pal dha mësim: “Ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin”.

2. Mëkati. Shpëtimtari i mposhti mëkatin dhe fajin për të gjithë ata që pendohen. Kaq e thellë dhe e gjerë është fuqia e Tij pastruese sa Isaia premtoi: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora”.

Me raste, kam takuar shenjtorë të mirë që kanë pasur vështirësi për ta falur veten, të cilët në mënyrë të pafajshme, por të gabuar, kanë vendosur kufizime në fuqitë shëlbuese të Shpëtimtarit. Padashur, ata e kanë kthyer një Shlyerje të pafundme në një Shlyerje të fundme, që në njëfarë mënyre nuk e prek mëkatin ose dobësinë e tyre të veçantë. Por ajo është një Shlyerje e pafundme sepse përfshin dhe përmban çdo mëkat e dobësi, si dhe çdo keqtrajtim apo dhembje të shkaktuar nga të tjerët.

Truman G. Madseni bëri këtë vëzhgim ngushëllues:

“Nëse ka disa prej jush që janë mashtruar duke besuar se keni shkuar tepër larg … që e keni marrë helmin e mëkatit, i cili e bën të pamundur që të jeni ndonjëherë ai që mund të ishit – atëherë më dëgjoni.

Unë jap dëshmi se ju nuk mund të zhyteni më larg nga sa mund të arrijë drita dhe inteligjenca gjithëpërfshirëse e Jezu Krishtit. Jap dëshmi se, për sa kohë ekziston një shkëndijë vullneti për t’u penduar e për t’u përpjekur, Ai është atje. Ai nuk zbriti vetëm gjendjen tuaj; Ai zbriti nën të, ‘që ai mund të jetë në të gjitha dhe përmes të gjitha gjërave, drita e së vërtetës’. [Doktrina e Besëlidhje 88:6.]”

Një arsye pse është kaq thelbësore ta kuptojmë Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe nënkuptimet e saj të pafundme, është se me një kuptueshmëri më të madhe vjen një dëshirë më e madhe për ta falur veten dhe të tjerët.

Edhe pse mund të besojmë te fuqitë pastruese të Krishtit, shpesh lind pyetja: “Si mund ta di a jam falur për mëkatet e mia?” Nëse e ndiejmë Shpirtin, atëherë kjo është dëshmia jonë se jemi falur ose që procesi i pastrimit po ndodh. Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Nëse e keni ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë … ju mund ta merrni atë si provë se Shlyerja po vepron në jetën tuaj”.

Rrugë pa krye

Disa kanë pyetur: “Po nëse falem, pse ndihem ende fajtor?” Ndoshta në mëshirën e Perëndisë, kujtimi i atij faji është një paralajmërim, një lloj “tabelë ndalese” shpirtërore e që, të paktën për njëfarë kohe, bërtet me të madhe kur ballafaqohemi me tundime të tjera: “Mos shko në atë rrugë. Ti e di dhembjen që mund të të sjellë.” Në këtë kuptim, ajo shërben si një mbrojtje, jo si një dënim.

A është e mundur atëherë që t’i kujtojmë mëkatet tona dhe prapë të jemi të lirë nga faji?

Alma i kujtoi mëkatet e tij, madje vite pasi u pendua. Por kur i thirri Jezusit për mëshirë, ai tha: “Nuk munda t’i kujtoj më dhembjet e mia; po, nuk isha më i ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia”.

Si mund t’i kujtonte ai mëkatet e tij, por të mos ndiente dhembje apo faj? Sepse kur pendohemi, ne “lind[emi] nga Perëndia”. Ne bëhemi, ashtu siç thonë shkrimet e shenjta, “krijesa të reja” në Krisht. Me ndershmëri të përsosur, tani ne mund të themi: “Unë nuk jam burri ose gruaja që i kreu këto mëkate në të kaluarën. Unë jam një qenie e re dhe e shndërruar.”

3. Vuajtjet dhe Sëmundjet. Alma profetizoi se Krishti “do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”. Përse? “Që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, … që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.”

Si e arrin Ai këtë? Nganjëherë Ai e heq vuajtjen, nganjëherë Ai na forcon që të durojmë dhe nganjëherë na jep një këndvështrim të përjetshëm për ta kuptuar më mirë natyrën e saj të përkohshme. Pasi Jozef Smithi kishte lënguar në burgun e Libertisë për gati dy muaj, në fund ai thirri: “O Perëndi, ku je ti?” Në vend që t’i jepte ndihmë të menjëhershme, Perëndia iu përgjigj: “Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër; dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart”.

Jozefi tani kuptoi se kjo përvojë e hidhur ishte vetëm një pikë në spektrin e përjetshëm. Me këtë largpamësi të shtuar, ai u shkroi shenjtorëve nga e njëjta qeli burgu: “Vëllezër shumë të dashur, le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë”. Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, ne mund të kemi një këndvështrim të përjetshëm, që iu jep kuptim sprovave tona dhe na jep shpresë për lehtësimin tonë.

4. Dobësitë dhe Papërsosuritë. Për shkak të Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari ka fuqi aftësuese, të cilat ndonjëherë përmenden si hiri, që mund të na ndihmojnë t’i mposhtim dobësitë dhe papërsosuritë tona e në këtë mënyrë të na ndihmojnë në synimin tonë për t’u bërë më shumë si Ai.

Moroni po ashtu dha mësim: “Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të … se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht”. Ka të paktën dy metoda ose mënyra për të përfituar nga këto fuqi aftësuese që mund të na pastrojnë – madje të na përsosin.

Së pari, ordinancat shpëtuese. Shkrimet e shenjta na thonë: “Në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet”. Ndonjëherë, ne mund t’i shohim ordinancat si një listë kontrolli – të nevojshme për ekzaltim; por në të vërtetë secila [prej tyre] çliron një fuqi hyjnore që na ndihmon të bëhemi më shumë si Krishti. Për shembull:

  • Kur pagëzohemi dhe marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, ne bëhemi të pastër – duke u bërë në këtë mënyrë më të shenjtë, ashtu siç është Perëndia.

  • Përveç kësaj, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, mendjet tona mund të ndriçohen dhe zemrat tona të zbuten, kështu që ne mund të mendojmë e të ndihemi më shumë si Ai.

  • Dhe kur vulosemi si bashkëshortë e bashkëshorte, ne e trashëgojmë të drejtën për “frone, mbretëri, principata dhe fuqi” si dhurata nga Perëndia.

Një metodë e dytë për marrjen e këtyre fuqive aftësuese janë dhuratat e Shpirtit. Për shkak të Shlyerjes së Krishtit, ne kemi të drejtë të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe dhuratat e saj shoqëruese shpirtërore. Këto dhurata janë tipare të perëndishmërisë; prandaj, sa herë që marrim një dhuratë nga Shpirti, ne bëhemi më shumë si Perëndia. Pa dyshim, kjo është arsyeja pse shkrimet e shenjta na këshillojnë në raste të shumta që t’i kërkojmë këto dhurata.

Presidenti Xhorxh Q. Kenon dha mësim: “Askush nuk duhet të thotë: ‘Oh, nuk mund të rresht së bëri këtë; është natyra ime’. Atë nuk e shfajëson kjo, për arsyen se Perëndia ka premtuar të … japë dhurata që do t’i çrrënjosin [dobësitë tona]. … Nëse ndonjëri prej nesh është i papërkryer, është detyra jonë që të lutemi për dhuratën që do të na bëjë të përkryer”.

Për ta përmbledhur, Shlyerja e Shpëtimtarit na jep jetë në vend të vdekjes, “diademë në vend të hirit”, shërim në vend të lëndimit dhe përsosuri në vend të dobësisë. Është kundërhelmi i qiellit ndaj pengesave dhe vështirësive të kësaj bote.

Në javën e fundit të Shpëtimtarit në vdekshmëri, Ai tha: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”. Për shkak se Shpëtimtari e kreu Shlyerjen e Tij, nuk ka forcë të jashtme ose ngjarje apo person – nuk ka mëkat ose vdekje apo shkurorëzim – që mund të na pengojë ta arrijmë ekzaltimin, me kusht që t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë. Me këtë njohuri, ne mund të shkojmë përpara duke marrë zemër dhe me sigurinë absolute se Perëndia është me ne në këtë synim qiellor.

Unë jap dëshminë time se Shlyerja e Shpëtimtarit nuk është vetëm e pafundme për nga qëllimi, por gjithashtu individuale për nga zbatimi – se jo vetëm mund të na kthejë në praninë e Perëndisë, por na aftëson gjithashtu që të bëhemi si Ai – qëllimi kurorëzues i Shlyerjes së Krishtit. Për këtë unë jap dëshminë time mirënjohëse dhe të sigurt, në emrin e Jezu Krishtit, amen.