“9–15 Maj. Numrat 11–14; 20–24: ‘Mos Ngrini Krye Kundër Zotit dhe Mos Kini Frikë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“9–15 Maj. Numrat 11–14; 20–24”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
9–15 Maj
Numrat 11–14; 20–24
“Mos Ngrini Krye Kundër Zotit dhe Mos Kini Frikë”
Ky përvijim nuk ka për qëllim të jetë një skenar. Përkundrazi, përdoreni për të marrë ide dhe frymëzim për veprimtari mësimore që do të bekojnë fëmijët në klasën tuaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Tregojuni fëmijëve një nga figurat në këtë përvijim ose në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Lërini ata t’ju tregojnë çdo gjë që dinë rreth asaj që po ndodh në figurë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund të jem mirënjohës për atë që më ka dhënë Perëndia.
Megjithëse Zoti kishte bërë gjëra të mrekullueshme për bijtë e Izraelit, ata shpesh përqendroheshin tek ajo që nuk e kishin. Ndihmojini fëmijët të mësojnë të jenë mirënjohës për atë që Perëndia u ka dhënë atyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Pyetini fëmijët nëse mbajnë mend disa nga mrekullitë që kreu Zoti për të bekuar izraelitët në shkretëtirë. (Nëse fëmijët kanë nevojë për ndihmë, tregojuni atyre figura prej përvijimit të mësimeve të javës 4–10 prill tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet; shih edhe Eksodi 14:21–22; 15:23–25; 16:4.) Pastaj përmblidhni për ta vargjet te Numrat 11:4–10, duke theksuar se Zoti nuk ishte i lumtur ngaqë izraelitët po ankoheshin. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund t’i shprehin mirënjohje Zotit.
-
Këndoni së bashku një himn rreth mirënjohjes, i tillë si “Numëro Bekimet” (Himne, nr. 152). Ftojeni secilin fëmijë të bëjë vizatime të bekimeve që Zoti u ka dhënë atyre ose familjeve të tyre. Nxitini të mendojnë për vizatimin e tyre ose ta shikojnë atë sa herë që tundohen të ankohen për diçka që nuk e kanë.
Besimi mund të më ndihmojë që të mos kem frikë.
Kur Moisiu dërgoi 12 burra për të zbuluar se ç’kishte në tokën e premtuar, 10 prej tyre u kthyen të frikësuar për shkak të njerëzve të fuqishëm që jetonin atje. Dy prej tyre, Kalebi dhe Jozueu, nuk kishin frikë, sepse ata kishin besim te Zoti.
Veprimtari të Mundshme
-
Përdorni figura ose vizatime të rrushit, mjaltit, gjigantëve dhe karkalecave, që t’u tregoni shkurtimisht fëmijëve rreth 12 burrave që Moisiu i dërgoi për të hulumtuar tokën e premtuar (shih Numrat 13:17–33; shih edhe mësimin “Dyzet Vjet në Shkretëtirë” te Histori të Dhjatës së Vjetër). Shpjegoni se ata gjetën shumë fruta dhe ushqime të tjera (ftojini fëmijët të bëjnë sikur hanë ushqim), por ata ishin edhe të frikësuar për shkak të njerëzve që ishin të mëdhenj e të fortë (ftojini fëmijët të bëjnë sikur janë të frikësuar). Tregoni një figurë të Jezusit dhe vini në dukje që dy izraelitët, Kalebi dhe Jozueu, nuk ishin të frikësuar ngaqë kishin besim te Jezu Krishti.
-
Lexojuni fëmijëve te Numrat 14:9 dhe flisni për një rast kur ju ishit të frikësuar por besimi juaj në Jezu Krisht ju ndihmoi të kishit guxim. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për ndonjë përvojë të ngjashme që kanë pasur.
Unë mund të shikoj te Jezu Krishti.
Ashtu siç bijtë e Izraelit u shëruan duke parë te gjarpri prej bronzi, kështu edhe fëmijët në klasën tuaj marrin shpëtim duke parë te Shpëtimtari.
Veprimtari të Mundshme
-
Përdorimi i faqes së veprimtarisë së kësaj jave ose i figurës te përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, u tregon fëmijëve atë që ndodhi kur “gjarpërinj flakërues” erdhën në kampin e izraelitëve (shih Numrat 21:6–9). Ndihmojini të kuptojnë se si gjarpri prej bronzi është si Jezu Krishti (shih Gjoni 3:14–15). Pastaj lërini fëmijët që me radhë të përdorin figurën për t’ia treguar historinë njëri‑tjetrit.
-
Kërkojuni fëmijëve t’i mbyllin sytë ndërkohë që ju vendosni një figurë të Shpëtimtarit diku në dhomë. Pastaj ftojini fëmijët t’i hapin sytë, ta gjejnë figurën dhe ta shikojnë atë. Lërini ata që ta vendosin me radhë figurën. Sa herë që fëmijët e gjejnë figurën, ndihmojini të mendojnë për diçka që mund të bëjnë për të parë te Shpëtimtari.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Zoti dëshiron që unë ta ndjek profetin e Tij.
Te Numrat 12 përmbahen disa mësime të vlefshme që mund t’i ndihmojnë fëmijët kur i dëgjojnë njerëzit të thonë gjëra jo të mira për profetin e Zotit apo udhëheqës të tjerë të Kishës.
Veprimtari të Mundshme
-
U thoni fëmijëve se në një rast, Zoti ishte i pakënaqur me Aaronin dhe Miriamin, vëllanë dhe motrën e Moisiut. Ftojini të lexojnë te Numrat 12:1–2 për të zbuluar arsyen. Sipas vargjeve 5–8, si u ndie Zoti rreth Aaronit dhe Miriamit që folën kundër profetit të Tij?
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për shembuj të njerëzve në shkrimet e shenjta që e ndoqën vërtet profetin dhe u bekuan për këtë (për shembull, shih Zanafilla 7:7; 1 Nefi 3:7). Çfarë janë disa nga gjërat që profeti ynë i gjallë na ka mësuar? Si bekohemi ne kur i ndjekim mësimet e tij?
Jezu Krishti ka fuqinë që të më shërojë shpirtërisht.
Shumë izraelitë vdiqën ngaqë nuk kishin besim se Zoti do t’i shëronte ata po të shikonin te gjarpri prej bronzi (shih Alma 33:18–20). Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të kenë besim në fuqinë shpëtuese të Jezu Krishtit?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të gjërave që lexojnë te Numrat 21:4–9. Lërini t’i përdorin vizatimet e tyre për të treguar historinë. Kërkojini secilit fëmijë që të zgjedhë një nga shkrimet e shenjta vijuese dhe të tregojë se çfarë i shton të kuptuarit tonë për historinë: Gjoni 3:14–15; 1 Nefi 17:41; Alma 33:18–20; Helamani 8:13–15; Doktrina e Besëlidhje 6:36.
-
Shkruani në tabelë një pyetje të tillë si: Çfarë mund të bëjmë që të “shikoj[m]ë në Birin e Perëndisë me besim”? (Helamani 8:15.) Jepini secilit fëmijë një copë letër dhe ftojini të shkruajnë sa më shumë përgjigje që u vijnë ndër mend për pyetjen. Mblidhini letrat, lexojini me zë të lartë disa përgjigje dhe ftojini fëmijët të flasin rreth mënyrës se si bërja e këtyre gjërave mund të na ndihmojë kur kemi nevojë për fuqinë shëruese të Shpëtimtarit.
Unë mund ta ndjek vullnetin e Perëndisë edhe nëse të tjerët përpiqen të më bindin që të mos ta bëj.
Balaku u përpoq ta bindte Balaamin që t’i mallkonte izraelitët, por Balaami e dinte se kjo ishte kundër vullnetit të Perëndisë. Shembulli i Balaamit mund t’i ndihmojë fëmijët kur ata përballen me trysninë për të mos iu bindur Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidhini për fëmijët vargjet te Numrat 22:1–18, duke theksuar se Balaami nuk pranoi ta mallkonte popullin e Perëndisë edhe pse Balaku, mbreti i Moabit, i ofroi atij nder dhe pasuri. Kërkojuni fëmijëve t’i shqyrtojnë vargjet vijuese për fraza që ata mendojnë se tregojnë vendosmërinë e Balaamit për ta ndjekur Perëndinë: Numrat 22:18; 23:26; 24:13. Ftojini fëmijët të zgjedhin një frazë që u pëlqen, dhe ta shkruajnë në një kartë për t’i ndihmuar që të kujtohen për t’iu bindur Zotit.
-
Flisni me fëmijët rreth situatave kur miqtë ose të tjerë mund të përpiqen t’i bindin ata të bëjnë diçka të gabuar, ashtu siç bëri Balaku me Balaamin. Si e ndihmoi Balaamin zotimi ndaj Zotit që t’i rezistonte trysnisë nga Balaku? Ftojini fëmijët të praktikojnë përgjigjen ndaj këtyre situatave duke përdorur fjalë si ato që tha Balaami.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’u tregojnë diçka familjeve të tyre, si për shembull, një figurë, një shkrim të shenjtë ose një këngë që tregon atë që mësuan në Fillore.