“16–22 Maj. Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34: ‘Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“16–22 Maj. Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
16–22 Maj
Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34
“Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin”
Përsiatni se si mund t’i përshtatni veprimtaritë në këtë përvijim ndaj nevojave të fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Për shembull, nëse u jepni mësim fëmijëve të vegjël, ju mund t’i ndihmoni ata të përgatiten për pagëzimin, duke i përshtatur veprimtaritë e pikës “Mbajtja e besëlidhjeve të mia sjell bekime të mëdha” te pjesa për fëmijët më të mëdhenj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët të tregojnë gjërat që kanë mësuar rreth Moisiut në Fillore ose në shtëpi gjatë disa javëve të fundit. Nëse nevojitet, tregoni figura të ngjarjeve nga jeta e Moisiut për t’i ndihmuar që ta kujtojnë. U thoni atyre se sot do të flisni rreth gjërave që dha mësim Moisiu në fund të jetës së tij në tokë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund ta dua Zotin me gjithë zemrën time.
Moisiu i mësoi bijtë e Izraelit se ata duhet ta duan Zotin me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën e tyre. Mendoni për mënyrat se si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta rritin dashurinë e tyre për Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin.
Veprimtari të Mundshme
-
Vizatoni në tabelë një zemër, skicimin e një trupi dhe një krah të fortë. Lexoni te Ligji i Përtërirë 6:5 dhe me gisht tregoni figurat ndërsa lexoni fjalët “zemër”, “shpirt” dhe “forcë”. Ftojini fëmijët që me radhë të tregojnë me gisht figurat ndërsa klasa përsërit fragmentin e shkrimit të shenjtë me ju.
-
Këndoni një këngë që na mëson rreth dashurisë së Perëndisë, të tillë si “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16–17). Ndihmojini fëmijët të gjejnë fjalë te kënga që tregojnë se Ati Qiellor na do. Ndihmojini që të mendojnë për mënyrat se si mund t’ia tregojmë Atij që ne e duam Atë gjithashtu.
Shkrimet e shenjta janë fjala e Perëndisë.
Këshilla te Ligji i Përtërirë 6:6–9 kishte për qëllim t’i ndihmonte izraelitët që të “ki[shin] kujdes të mos harro[nin] Zotin” dhe fjalën e Tij (vargu 12). Si mund t’i ndihmoni fëmijët që t’i bëjnë shkrimet e shenjta një pjesë të vazhdueshme të jetës së tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni një fëmijë të fshehë një kopje të shkrimeve të shenjta në dhomë, ndërkohë që pjesa tjetër e fëmijëve i mbyllin sytë. Pastaj ftojini fëmijët t’i hapin sytë dhe të përpiqen të gjejnë shkrimet e shenjta. Duke përdorur fraza kyç nga Ligji i Përtërirë 6:6–9, tregojuni fëmijëve se Moisiu u tha izraelitëve që t’i vendosnin fragmentet e shkrimit të shenjtë në vende ku do t’i shihnin ato dhe të mësonin prej tyre çdo ditë. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për vende në shtëpitë e tyre ku mund t’i vendosin shkrimet e shenjta me qëllim që t’i shohin ato çdo ditë.
-
Këndoni një këngë rreth shkrimeve të shenjta, të tillë si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66). Jepni dëshminë tuaj që shkrimet e shenjta janë fjala e Perëndisë dhe tregojuni fëmijëve se si e bekojnë ato jetën tuaj.
Profetët na mësojnë rreth Jezu Krishtit.
Moisiu profetizoi se Jezu Krishti do të vinte dhe se ne duhet t’i dëgjonim fjalët që Jezusi do të na mësonte.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojeni njërin nga fëmijët të lexojë te Ligji i Përtërirë 18:18 dhe tregojuni fëmijëve se Profeti si Moisiu që Perëndia do ta ngrinte, është Jezu Krishti. Për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë mënyrat në të cilat Moisiu dhe Jezusi janë të ngjashëm, sillni figura të gjërave që bëri Moisiu dhe të gjërave që bëri Jezu Krishti, dhe lërini fëmijët t’i përputhin ato. Për shembull, ju mund të sillni figura të Moisiut dhe Jezusit duke i shuguruar të tjerët dhe duke u dhënë mësim (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 15, 16, 38, 39).
-
Tregojuni fëmijëve një figurë të profetit tonë sot dhe tregoni diçka që ai ka dhënë mësim rreth Shpëtimtarit. Ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim të profetit për t’ua treguar familjeve të tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund ta mbaj fjalën e Perëndisë në zemrën time.
Moisiu dha mësim se ne duhet ta mbajmë fjalën e Perëndisë në zemrat tona dhe ai u dha këshillë izraelitëve se si ta mbanin në mendje vazhdimisht fjalën e Perëndisë. Si do t’i frymëzoni fëmijët që të mësojnë nga fjala e Perëndisë çdo ditë?
Veprimtari të Mundshme
-
Në tabelë, shkruani fjalë dhe fraza nga Ligji i Përtërirë 6:6–9, që tregojnë se kur dhe se si izraelitët duhej ta mbanin mend fjalën e Perëndisë (të tilla si rri, ecën, bie në shtrat, dorë dhe shtëpi). Ftojini fëmijët t’i gjejnë këto fjalë te vargjet. Çfarë na mësojnë këto fjalë rreth asaj se si t’i bëjmë shkrimet e shenjta pjesë të jetës sonë të përditshme? Pyetini fëmijët se çfarë mund të bëjnë për ta kujtuar fjalën e Perëndisë në jetën e tyre të përditshme.
-
Jepini secilit fëmijë një copë letër dhe ftojini të shkruajnë një frazë nga Ligji i Përtërirë 6 që është kuptimplotë për ta. Kërkojuni të tregojnë arsyen se përse e zgjodhën frazën e tyre. Sugjeroni që ta zbukurojnë letrën e tyre dhe ta vënë në shtëpi që ta kujtojnë. Nxitini fëmijët të shkruajnë dhe të paraqitin fraza të tjera që i gjejnë në shkrimet e shenjta.
Unë mund t’u shërbej plot gëzim njerëzve në nevojë.
Mësimet te Ligji i Përtërirë 15:7–11 mund t’i ndihmojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të kuptojnë se ndihma ndaj të tjerëve përfshin më shumë sesa thjesht veprime. Ajo duhet të bëhet me një zemër të gatshme.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë kë, pse dhe si. Ftojini fëmijët të lexojnë te Ligji i Përtërirë 15:7–11 për të zbuluar se kë duhet të ndihmojmë, pse duhet t’i ndihmojmë ata dhe se si duhet të ndihemi në zemër rreth ndihmës. Lërini të shkruajnë në tabelë atë që gjejnë. Këndoni një këngë që e përforcon mesazhin në këto vargje, të tillë si “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?” (Himne, nr. 139).
-
Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për dikë që mund ta ndihmojnë – veçanërisht në vetë familjen e tyre. Jepuni kohë të shkruajnë se çfarë do të bëjnë këtë javë për ta ndihmuar atë person. Nëse është e mundur, bëni plane që si klasë t’i shkoni në ndihmë dikujt në nevojë.
Mbajtja e besëlidhjeve të mia sjell bekime të mëdha.
Ashtu si bijtë e Izraelit, ne kemi nevojë për kujtues të vazhdueshëm për t’i jetuar besëlidhjet tona. Leximi i vargjeve te Ligji i Përtërirë 30:8–10, mund t’i ndihmojë fëmijët ta kuptojnë më mirë se çfarë është një besëlidhje dhe t’i frymëzojë ata që t’i mbajnë besëlidhjet e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Pyetini fëmijët se çfarë është një besëlidhje (nëse kanë nevojë për ndihmë, sugjeroni që të gjejnë një përkufizim të termit “Besëlidhje” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta [scriptures.ChurchofJesusChrist.org]). Vizatoni në dërrasë një tabelë me dy kolona, me këta tituj: Premtimet e izraelitëve dhe Premtimet e Perëndisë. Ftojini fëmijët të kërkojnë te Ligji i Përtërirë 30:8–10 dhe ta plotësojnë tabelën. (Nëse nevojitet, ndihmojini fëmijët të kuptojnë domethëniet e frazave te vargu 9.) Dëshmoni për bekimet që ju kanë ardhur nga mbajtja e besëlidhjeve tuaja.
-
Ftojini fëmijët të renditin në tabelë premtimet që bëjmë në pagëzim dhe premtimet që Ati Qiellor na bën neve (shih Doktrina e Besëlidhje 20:37, 77). Çfarë mund të bëjmë që ta kujtojmë gjithnjë Shpëtimtarin dhe t’i mbajmë besëlidhjet tona?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të bëjnë sikur ju jeni një pjesëtar i familjes së tyre dhe kërkojuni t’ju tregojnë një gjë që e mësuan sot në klasë. Nxitini që atë gjë që ua thanë juve, t’ia tregojnë njërit prej pjesëtarëve të familjes së tyre kur të shkojnë në shtëpi.