Dhiata e Vjetër 2022
23–29 Maj. Jozueut 1–8; 23–24: “Ji i Fortë dhe Trim”


“23–29 Maj. Jozueut 1–8; 23–24: ‘Ji i Fortë dhe Trim’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“23–29 Maj. Jozueut 1–8; 23–24”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Moisiu duke shuguruar Jozueun

Ilustrim i Moisiut duke shuguruar Jozueun, nga Darrell Thomas

23–29 Maj

Jozueut 1–8; 23–24

“Ji i Fortë dhe Trim”

Teksa lexoni te Jozueut 1–8 dhe 23–24, shënojini mbresat shpirtërore që merrni. Çfarë do të bëni për të zbuluar se çfarë kanë nevojë të mësojnë nga këta kapituj fëmijët të cilëve u jepni mësim?

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Bëni në tabelë një vizatim të diçkaje nga një prej historive te Jozueut 1–8; 23–24 dhe shikoni nëse fëmijët mund ta hamendësojnë historinë që rrjedh nga vizatimi. Për shembull, ju mund të vizatoni një lumë ose një mur qyteti.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Jozueut 1:8

Unë mund të mendoj për shkrimet e shenjta ditë e natë.

Zoti i tha Jozueut se, nëse ai mendonte thellë për shkrimet e shenjta dhe e ndiqte këshillën në to, ai do të kishte sukses në udhëheqjen e izraelitëve për në tokën e premtuar. Çfarë mund të bëni për t’iu mësuar fëmijëve mbi bekimet e mëdha që vijnë nga shkrimet e shenjta?

Veprimtari të Mundshme

  • Jepini secilit fëmijë një figurë ose vizatim të diellit dhe hënës. Lexojuni atyre nga Jozueut 1:8: “Mendohu për [shkrimet e shenjta] ditë e natë”. Shpjegoni se fjala mendohu do të thotë të vrasësh mendjen thellë për diçka. Përsëriteni frazën disa herë dhe ftojini fëmijët të ngrenë lart diellin kur ju të thoni “ditë” dhe hënën kur të thoni “natë”. Lërini fëmijët ta përsëritin frazën me ju.

  • Kërkojuni fëmijëve të emërtojnë gjëra që bëjnë gjatë ditës dhe gjëra që bëjnë gjatë natës. Tregojuni atyre se Jozueut i ishte thënë të mendonte për shkrimet e shenjta ditë e natë. Ndihmojini të mendojnë për histori ose mësime nga shkrimet e shenjta, për të cilat mund të mendojnë ditë e natë. Ftojini të bëjnë një vizatim të vetvetes ose të familjes së tyre duke studiuar shkrimet e shenjta. Përse atyre u pëlqen studimi i shkrimeve të shenjta? Si bekohen ata kur e bëjnë atë?

Jozueut 3

Unë duhet të pagëzohem që të hyj në mbretërinë e qiellit.

Historia e Jozueut që i udhëhoqi izraelitët përmes lumit Jordan drejt tokës së premtuar, siguron një mundësi për t’u mësuar fëmijëve se ne duhet të pagëzohemi që të hyjmë në mbretërinë e qiellit.

Veprimtari të Mundshme

  • Shqyrtoni disa hollësi nga historia e bijve të Izraelit kur kaluan lumin Jordan për të hyrë në tokën e premtuar (shih “Jozueu” te Histori të Dhjatës së Vjetër). Pastaj tregoni një figurë të Jezusit duke u pagëzuar dhe u thoni fëmijëve se Jezusi u pagëzua në të njëjtin lumë. Ftojini fëmijët të tregojnë gjëra të tjera që dinë rreth pagëzimit të Jezusit.

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth pagëzimit, të tillë si “Pagëzimi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 54–55). Ndihmojini të përcaktojnë se çfarë na mëson kjo këngë rreth arsyes se përse u pagëzua Jezusi dhe përse duhet ta ndjekim shembullin e Tij. Lërini fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre rreth të qenit i pagëzuar. Flisni rreth asaj se çfarë mund të bëjnë fëmijët tani që të përgatiten për t’u pagëzuar kur të bëhen tetë vjeç.

    vajzë duke qëndruar në vaskën e pagëzimit

    Ne duhet të pagëzohemi që të hyjmë në mbretërinë e qiellit.

Jozueut 24:15

Unë mund të zgjedh t’i shërbej Jezu Krishtit.

Mesazhi i fundit i Jozueut ndaj njerëzve të popullit të tij ishte se ata kishin zgjedhjen që të vazhdonin t’i shërbenin Zotit ose ta braktisnin Atë. Me të njëjtën dashuri që Jozueu kishte për popullin e tij, ju mund t’i nxitni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të zgjedhin t’i shërbejnë Zotit “sot”.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të flasin për disa nga zgjedhjet që kanë bërë sot. Lexojuni fëmijëve nga Jozueut 24:15: “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, … sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit”. Si kanë zgjedhur fëmijët që t’i shërbejnë Zotit sot? Cilat janë disa mënyra që mund të zgjedhim për t’i shërbyer Atij çdo ditë?

  • Këndoni një këngë rreth bërjes së zgjedhjeve të mira, të tillë si “Udh’n e Drejt’ Zgjidh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 82). Si ndihemi kur zgjedhim t’i shërbejmë Jezu Krishtit? Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të vetvetes duke bërë diçka që tregon se po i shërbejnë Zotit. Tregoni një histori nga jeta juaj ose nga një revistë e Kishës rreth zgjedhjes për t’i shërbyer Zotit.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Jozueut 1–4; 6

“Ji i fortë dhe trim”

Pasi Jozueu u bë udhëheqësi i izraelitëve, Zoti i dha atij kurajë duke i thënë: “Ji i fortë dhe trim” (Jozueut 1:6). Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga Jozueu rreth mënyrës se si të jemi të fortë dhe trima për Krishtin?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të gjejnë frazën që përsëritet te Jozueut 1:6, 9 dhe 18 dhe ta shkruajnë në tabelë (shih edhe vargun 7). Ndihmojini fëmijët të mendojnë për arsyet se përse mund të na nevojitet ky mesazh, ashtu si edhe Jozueut. Shqyrtoni si klasë disa nga historitë te Jozueut 1–4; 6 (shih edhe “Jozueu” te Histori të Dhjatës së Vjetër) dhe kërkojuni fëmijëve të përcaktojnë mënyrën se si njerëzit në këto histori treguan trimëri e forcë.

  • Ftojini fëmijët të flasin rreth dikujt që e njohin, i cili ose e cila është i/e fortë dhe trim/e për Jezu Krishtin. Nxitini të shkruajnë diçka që do të donin të bënin për të qenë më të fortë dhe më trima për Krishtin.

Jozueut 1:8

Unë mund të mendoj thellë për shkrimet e shenjta ditë e natë.

Një mënyrë se si Zoti e ndihmoi Jozueun që të përgatitej për sfidat që hasi, ishte duke e inkurajuar atë të “mendo[nte]” thellë për shkrimet e shenjta “ditë e natë”. Si mund t’i bekojë kjo këshillë fëmijët të cilëve u jepni mësim?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të shkruajnë se sa kohë kalojnë mesatarisht gjatë ditës për veprimtari të ndryshme. Pastaj ftojini të lexojnë te Jozueut 1:8, duke kërkuar diçka që të gjithë ne kemi nevojë ta bëjmë çdo ditë e çdo natë. Kërkojuni të gjejnë fjalë dhe fraza në këtë varg që na mësojnë rreth bekimeve që vijnë nga studimi i shkrimeve të shenjta. Si na ndihmon të menduarit për shkrimet e shenjta që të kemi sukses në gjëra të tjera që i bëjmë çdo ditë?

  • Ftojini fëmijët të lexojnë së bashku shkrimet e shenjta vijuese: Jozueut 1:8; 1 Nefi 15:23–24; 2 Nefi 31:20; 32:3; Jakobi [LiM] 4:6; Helamani 3:29–30. Kërkojuni fëmijëve të gjejnë një fjalë ose frazë në çdo fragment që i mëson ata për fuqinë që ka studimi i shkrimeve të shenjta. Çfarë synimesh mund të vendosin ata për studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta?

Jozueut 24:15

Unë mund të zgjedh t’i shërbej Jezu Krishtit.

Ndër fjalët e fundit të Jozueut drejtuar izraelitëve, ishte një kërkesë: “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni”. Përsiatni se si kjo këshillë mund të bekojë edhe fëmijët të cilëve u jepni mësim.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të krijojnë një afishe duke përdorur disa fjalë dhe fraza kyç te Jozueut 24:15. Lërini t’i tregojnë afishet e tyre dhe të shpjegojnë se përse i zgjodhën ato fjalë. Si mund t’i tregojmë Perëndisë se kemi zgjedhur t’i shërbejmë Atij?

  • Ftojini fëmijët të sugjerojnë situata në të cilat do t’u duhet të vendosin që të zgjedhin Perëndinë mbi gjërat e tjera. Kërkojuni të marrin parasysh se çfarë do të bënin. Përse është e rëndësishme që të “zgj[edhin] sot” në vend që të presin kur t’u shfaqet situata? Si do të bekohemi ne kur bëjmë zgjedhjen e duhur?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të zgjedhin diçka për të cilën ju folët, që do t’u pëlqente t’ua tregonin familjeve të tyre. Nxitini të mendojnë për një mënyrë se si mund ta tregojnë atë javën e ardhshme.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët të bëhen nxënës më të mirë. Qëllimi juaj në mësimdhënien ndaj fëmijëve nuk është që thjesht t’u flisni për të vërtetën. Ju duhet gjithashtu t’i ndihmoni që të zhvillohen për t’u bërë kërkues të së vërtetës të mbështetur te vetja.