“25 Prill–1 Maj. Eksodi 24; 31–34: ‘Prania Ime do të Shkojë me Ty’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“25 Prill–1 Maj. Eksodi 24; 31–34”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
25 Prill–1 Maj
Eksodi 24; 31–34
“Prania Ime do të Shkojë me Ty”
Ndërsa Moisiu përgatitej t’i udhëhiqte bijtë e Izraelit drejt tokës së premtuar, Zoti tha: “Prania ime do të shkojë me ty” (Eksodi 33:14). Ndërsa përgatiteni t’u jepni mësim fëmijëve në klasën tuaj, merreni parasysh se si mund ta ftoni praninë e Zotit që të “shkojë me [ju]”.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kërkojini secilit fëmijë të përzgjedhë në mënyrë rastësore një copë letre me numër. Përdorini këta numra për të përcaktuar rendin sipas të cilit fëmijët mund të tregojnë diçka që janë duke mësuar nga shkrimet e shenjta, qoftë në shtëpi ose në Fillore.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Nderimi i ditës së Shabatit është një shenjë e dashurisë sime për Zotin.
Zoti i tha Moisiut se kur bijtë e Izraelit e mbanin të shenjtë ditën e Shabatit, ata i tregonin Atij se donin të ishin populli i Tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Vizatoni një zemër në tabelë dhe pyetini fëmijët se çfarë mund të nënkuptojë ky simbol. Ndihmojini ata të mendojnë për gjëra të tjera që mund të jenë një shenjë për dashurinë, i tillë si një përqafim ose një vepër shërbimi. Lexojuni atyre vargun tek Eksodi 31:13. Ndihmojini ta kuptojnë se kur ne e mbajmë ditën e Shabatit të shenjtë, ajo është një shenjë ndaj Zotit se ne e duam Atë.
-
Tregojuni fëmijëve disa nga mënyrat se si ju përpiqeni ta tregoni dashurinë tuaj për Zotin në Shabat. Lërini të tregojnë se si e bëjnë këtë ata dhe familjet e tyre. Ftojini që të përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të dhënë më shumë ide.
Unë mund ta vendos Zotin të parin në jetën time.
Ndërkohë që Moisiu ishte në malin Sinai duke folur me Zotin, bijtë e Izraelit zgjodhën të adhuronin një idhull prej ari në vend të Tij. Kjo histori mund t’u kujtojë fëmijëve, të cilëve u jepni mësim, se ne nuk duhet t’i lejojmë gjërat e tjera të bëhen më të rëndësishme sesa Zoti për ne.
Veprimtari të Mundshme
-
Shqyrtoni me fëmijët shkurtimisht Dhjetë Urdhërimet, duke theksuar dy të parat (shih Eksodi 20:3–6). Përdorni mësimin “Dhjetë Urdhërimet” (te Histori të Dhjatës së Vjetër) për t’u treguar atyre historinë nga Eksodi 32:1–8, 19–24. Nëse është e mundur, lërini fëmijët t’ju ndihmojnë që ta tregoni historinë. Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë atë që izraelitët bënë gabim në këtë histori (ju mund të doni t’u kujtoni fëmijëve dy urdhërimet e para të Dhjetë Urdhërimeve). Çfarë duhet të kishin bërë izraelitët në vend të kësaj?
-
Tregoni një figurë të Jezu Krishtit, bashkë me figura të gjërave të tjera me të cilat fëmijët mund të kalojnë kohën, të tilla si lodra, lojëra e kështu me radhë. Kërkojuni fëmijëve të gjejnë figura që tregojnë se çfarë duhet të jetë më e rëndësishme për ne. Tregojuni fëmijëve se si jeni bekuar ngaqë e keni vënë Zotin të parin në jetën tuaj – madje edhe përpara gjërave të tjera që janë të mira.
Zoti foli me Moisiun ballë për ballë.
Pasi Moisiu e shkatërroi viçin e artë, “Zoti f[oli] me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij”. Dijenia për këtë gjë mund të ndërtojë besimin e fëmijëve se Zoti është një qenie e vërtetë, i cili i do ata.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve se si ndiheni kur flisni me një mik/e të mirë dhe pyetini edhe ata se si ndihen. Lexojuni atyre fjalinë e parë nga Eksodi 33:11. Pyetini fëmijët se si mendojnë që mund të jetë ndier profeti Moisi. Tregojuni fëmijëve rreth rasteve kur jeni ndier afër me Zotin, edhe nëse nuk e patë Atë me sytë tuaj.
-
Këndoni së bashku një këngë që shpreh se si ndihen Ati Qiellor ose Jezusi rreth nesh, të tillë si “Jezusi Ësht’ Miku Yn’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 37). Tregoni figura të Shpëtimtarit teksa u shfaq dashuri të tjerëve (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 36, 41–43, 46–47). Nxitini fëmijët të tregojnë se si ndihen rreth Atit Qiellor dhe Jezusit.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Nderimi i ditës së Shabatit është një shenjë e dashurisë sime për Zotin.
Mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë mund të jetë më e lehtë – dhe më e gëzueshme – për fëmijët kur ata të kuptojnë se është një shenjë e zotimit të tyre ndaj Zotit.
Veprimtari të Mundshme
-
Bëjuni fëmijëve disa pyetje për t’i ndihmuar që ta kuptojnë se çfarë është një shenjë – për shembull: “Çfarë shenjash jua bëjnë të ditur se po vjen pranvera ose që keni marrë një të ftohtë?” Ftojini të lexojnë tek Eksodi 31:13, 16–17 dhe gjeni fjalën “shenjë”. Çfarë tha Zoti se është një shenjë ndërmjet nesh dhe Atij? Përse kjo shenjë është kaq e rëndësishme?
-
Ftojini fëmijët të shpjegojnë me radhë se përse zgjedhin që ta nderojnë Shabatin. Materialet filmike si “The Sabbath Is for You” [“Shabati Është për Ju”] ose “Upon My Holy Day – Honoring the Sabbath” [“Në Ditën Time të Shenjtë – Nderimi i Shabatit”] (ChurchofJesusChrist.org), mund të ndihmojnë.
-
Ftojini fëmijët të shkruajnë të gjitha gjërat që mund t’u vijnë ndërmend, të cilat mund t’i bëjnë të dielën për t’i treguar Zotit se e duan Atë. Nxitini të tregojnë disa gjëra nga lista e tyre. Ftojini që ta marrin me vete listën në shtëpi, t’ua tregojnë familjeve të tyre dhe t’i referohen asaj sa herë që kanë nevojë për ide se çfarë të bëjnë në ditën e Shabatit.
Unë mund ta vendos Zotin të parin në jetën time.
Një mesazh nga rrëfimi tek Eksodi 32 është rëndësia e zbatimit të dy urdhërimeve të para te Dhjetë Urdhërimet – mos adhuroni askënd apo asgjë përveçse Zotin.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë çfarëdo gëje që dinë rreth historisë së Aaronit, i cili bëri një viç të artë që ta adhuronin izraelitët. Nëse kanë nevojë për ndihmë, drejtojini tek Eksodi 32:1–8, 19–24 ose tregojuni mësimin: “Dhjetë Urdhërimet” (te Histori të Dhjatës së Vjetër). Përse ishte e gabuar që izraelitët të adhuronin një idhull? (Mund t’i drejtoni fëmijët te dy urdhërimet e para të Dhjetë Urdhërimeve tek Eksodi 20:3–6.)
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për shembuj të gjërave që njerëzit mund të tundohen të adhurojnë në vend të Zotit – gjëra që na e largojnë vëmendjen nga Ai. Më pas kërkojuni të tregojnë shembuj të gjërave që i ndihmojnë ata të përqendrohen te Shpëtimtari dhe ta adhurojnë Atë.
Unë mund ta mbroj të drejtën.
Kur izraelitët i thanë Aaronit që të bënin një idhull prej ari, ai ra dakord ta bënte atë edhe pse kjo qe e gabuar (shih Ligji i Përtërirë 9:20). Merreni parasysh se si mund t’i nxitni fëmijët që ta mbrojnë të drejtën edhe kur të tjerët i shtyjnë ata që të mos e bëjnë këtë.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë tek Eksodi 32:1–5, 21–24, individualisht ose në dyshe, dhe të tregojnë atë që mendojnë se duhet të kishte bërë Aaroni kur izraelitët i kërkuan të bënte një viç të artë. Si mund ta kishte ndihmuar Aaroni popullin?
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për situata që mund të hasin, kur njerëz të tjerë u kërkojnë atyre të bëjnë diçka që e dinë se është e gabuar. Kërkojuni fëmijëve t’ia tregojnë idetë njëri-tjetrit mbi atë se çfarë të bëjnë në ato situata.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët që t’u tregojnë familjeve të tyre çfarëdo ideje që dëgjuan sot rreth asaj se si ta mbajnë të shenjtë ditën e Shabatit.